Vështirë të gjesh një vend si yni
Me dete dhe plot me pasuri
E prapë shumica e popullatës
Serish jeton në varfëri.

Vështirë të gjesh një vend si yni
Ku gati na ka rënë në lumë
Ku sa më lart shkon minifundi
Aq më shumë shanse ke për punë.
Vështirë të gjesh një vend si yni
Çudirat s’kam si t’i rrëfej
Nga njëra anë miliarderë
Nga ana tjetër kam fukarenj.

Vështirë të gjesh një vend si yni
Ku ligji është leku dhe miku
Ku një diplomë universiteti
Nuk vlen as sa një gjethe fiku.
Vështirë të gjesh një vend si yni
Me demokratë dhe socialistë
Ku shumë juristë janë taksixhinj
Dhe taksixhinjtë punojnë juristë.
Vështirë të gjesh një vend si yni
Vështirë të gjesh një parlament
Ku deputeti shan kolegun
Me nënë e motër e ç’të ketë.

Vështirë të gjesh një vend si yni
Si ky Atdheu ynë i shtrenjtë
Mjaftojnë shumë lekë e një kostum
Dhe mund të bëhesh deputet.
Vështirë të gjesh një vend si yni
Ku qeveritë të bëjnë zap
Ta kesh atdheun kazan plehrash
Dhe plehra do të na sjellin prapë.
Vështirë të gjesh një vend si yni
Polici është si një punëtor
Dhe zbret në ara që pagdhirë
Të presë hashashin me kosore.
Vështirë të gjesh një vend si yni
Ku policisë i bëjnë zbor
Polici s’mban në brez koburen
Po mban kosoren për të korrë.
Vështirë të gjesh një vend si yni
Për vlerat s’duan që t’ia dinë
Ku dhjetëra intelektualë
Punojnë punëtorë në ndërtim.
Vështirë të gjesh një vend si yni
Ku fukarai ka rënë përmbys
Edhe dashnorja e ministrit
Shkon i blen brekët në Paris.
Vështirë të gjesh një vend si yni
Ku s’bën asgjë, po nuk u dhe lekët
Dhe gjithë programet e partive
Janë Shukuriu edhe brekët.
Vështirë të gjesh një vend si yni
Me brenga dhe halle të rënda
Ku truri i kombit ikën jashtë
Dhe plehrat bota na sjell brenda….




















