Halil Rama: Si shpëtoi Ramadan Gjoka nga përballja me Mehmet Shehun

918
Sigal

Ish-gardiani që më 1943 kishte shpërthyer burgun e Tiranës, bashkluftëtar i Myslim Pezës dhe Tuk Jakovës

RAMADAN GJOKA, NDËR ATA QË SHPËRTHYEN BURGUN E TIRANËS

 

  • Në analizën vjetore, në fund të vitit 1956, në aparatin e Ministrisë së Brendshme, Lilo Zeneli (babai i Bashkim Zenelit), në diskutimin e tij do t’u drejtohej ministrit Mehmet Shehu dhe zv/ministrit Kadri Hazbiu: “Ju keni liruar nga organet tona padrejtësisht kuadrin më të aftë, shokun Ramadan Gjoka. Për katër vjet me radhë ai ka asgjësuar banda të rrezikshme e jo derra e dhi të egra, siç bëjnë disa të tjerë”. Përgjigja do të ishte e menjëherëshme: “Na fal shoku Lilo, bëhen edhe gabime!”.
  • Me katër nga nëntë fëmijët e Ramadan Gjokës nga Macukulli i Matit (Florën, Vladimirin, Ilirin dhe Yllin) kemi të njejtën vendlindje, Muhurrin e Dibrës. Po këtu kemi bërë tetëvjeçaren, madje me Ladin kam qenë për katër vjet në të njejtën klasë. Kjo rastësi ka të bëjë jo me shokët e miqtë e mi të ngushtë, vendorigjina e të cilëve ishte rreth 50 km larg Muhurrit, por me babain e tyre, Ramadanin, që shërbeu dhe la emër të mirë në vendlindjen time për 14 vjet (1957-1971). Dhe ndonëse, bazuar në bilancin tragjik të viktimave të genocidit komunist, shumë bashkëkohës të tij janë ende nën akuzë, me Ramadan Gjokën si një nga ish punëtorët operativë për më shumë se një dekadë në zonën time, ndodh e kundërta. Ka kaluar gjysmë shekulli që kur është larguar nga lokaliteti i Muhurrit (në përbërje të të cilit ishte edhe Luznia, por që Ramadani mbulonte edhe Selishtën, Lukanin, Qafë Murrën e Kacninës) dhe Ai kujtohet me nderim të veçantë. Kjo, për faktin se krijoi lidhje të ngushta me komunitetin dhe në asnjë rast nuk tregoi «grushtin e hekurt », por edhe kur nga lart e urdhëronin të kryente ndonjë ndëshkim të pamerituar ndaj ndonjërit, do të gjente mënyra efikase për ta mbrojtur, madje edhe duke e lajmëruar që të « arratisej » për disa ditë. Ndaj dhe u bë dhe mbeti simbol i mirësisë, urtësisë, mençurisë e trimërisë, virtyte këto të trashëguara, por edhe të kalitura në karakterin e tij, si gjatë Luftës Nacionalçlirimtare edhe në vitet e pasçlirimit kur kreu me devotshmëri e përkushtim të rrallë detyra e funskione të rëndësishme në disa rrethe të vendit.

Pikërisht pse radhitet ndër personalitetet me emër të spikatur në panteonin e vlerave tona kombëtare, më i madhi nga djemtë e tij, Petriti, «(një ish ushtarak me emër, autor edhe i librit me poezi « Rruga është e gjatë ») e  ka skalitur mjeshtërisht portretin e babait, si një nga personazhet kryesorë të librit «Rexhep Haxhiu i Macukullit.

 RAMADAN GJOKA, NDËR ATA QË SHPËRTHYEN BURGUN E TIRANËS

 Ramadan Rexhep Gjoka lindi më 10 prill 1921 në Macukull të rrethit të Matit, në një familje të varfër fshatare. Mësimet e para për shkrim dhe këndim i mori nga mësuesit e parë të fshatit, Halit Kryekurti, Hasan Demiri e Mustafa Neli.

Jeta e vështirë ekonomike në fshat do e detyronte babain e tij Rexhepin, që nga viti 1933,

Ramadanin dhe vëllain e tij Saliun, t’i sistemonte në punë të ndryshme në Tiranë dhe në Durrës.

Në Tiranë, Ramadani banonte në lagjen e Jorganxhinjve, lagja Tabakaj, sot “Ali Demi. Tek furra e Shaban Kazazit, ai bie në kontakt me shokët Rexhep Hani e Ali Demi dhe aktivizohet me grupet e para guerrile antifashiste.

Në vitin 1942, me porosi të shokëve Rexhep Hani e Xhemal Punavija, bashkë me shokun e tij Musa Dani nga Lisi i Matit, vishen gardianë në burgun e Tiranës. Aty gjen të veshur gardianë edhe dy bashkëfshatarët e tij Dem Dinin e Ahmet Canin, megjithëse ata nuk pranuan të bashkëpunonin, por u zotuan se do të qëndronin të heshtur dhe asnjanës. Asnjanësia e tyre qe ndihmë dhe meriton të vlerësohet. Ndërkohë, Ramadani dhe Musai siguronin ndërlidhjen midis njësiteve guerrile e të burgosurve antifashistë që ishin në burg, shpërndanin trakte, furnizonin me mjete pune si dalta, tuba, ruanin gjatë gërmimit të tunelit dhe fshihnin dheun, veprime këto që kërkonin kujdes, guxim e trimëri.

Aksioni përfundoi me sukses të plotë. Më 26 prill 1943, arratisen nga burgu nëpërmjet tunelit 28 të burgosur, si Koçi Xoxe, Sejdin Avdia etj. (I biri i tij Petrit R.Gjoka shkruan në librin  “Rexhep Haxhiu i Macukullit”,  se “para se të xhirohej filmi ‘Njësiti guerril’, skenaristi e regjisori nga Kinostudoi ‘Shqipëria e Re’kanë vajtur në Burrel dhe kanë intervistuar Ramadan Gjokën e Musa Danin”.

Pas shpërthimit të burgut të Tiranës, Ramdani e Musai inkuadrohen në çetën partizanë të Pezës, ku do të njiheshin e bashkëvepronin me partizanë të vjetër, si Shem Kolli, Nuz Hakrama, Shaban Rexha, Pandi Nezha, Shyqyri Peza, Xhaferr Vokshi, Ziso Dako, me Babë Myslimin e Kajo Karafilin.

Në Çetën partizane të Pezës, me komisar Mahmut Agollin dhe komandant Nuz Hakrama, Ramadani tregon vendosmëri e trimëri, që në aksionet e para.

Nami dhe trimëria e dy matjanëve në Pezë, Ramadan Gjoka e Musa Dani, kish vajtur gjer në Mat, në vendlindjen e tyre. Komisari i Çetës së Matit Mustafa Kaçaçi, do t’i kish kërkuar Myslim Pezës transferimin e tyre në Mat, por Babë Myslimi, shkurt, prerë dhe qartë do i përgjigjej: “Në asnjë mënyrë, ata i kam më trimat e Pezës”.

Me organizimin e ri të formacioneve partizane, inkuadrohet në batalionin e I-rë të Grupit të Pezës, me komandant Fadil Dashi dhe komisar Maliq Muça. Nga partizan i thjeshtë arrin të caktohet komandant skuadre, toge e deri zëvendëskomandat kompanie.

AKSIONET LUFTARAKE KU MORI PJESË TRIMËRISHT RAMADAN GJOKA

 Ramadan Gjoka gjatë LANÇ ka marrë pjesë në këto aksione kryesore:

Në 14 Qershor 1943, në Qafë Helmës.

Në qershor 1943, me një grup partizanësh të zgjedhur me komandant njësiti Kajo Karafilin, merr pjesë në kryerjen e një aksioni të rëndësishëm, në Pezë të Vogël kundër fashistëve italianë.

Nga fundi i muajit korrik 1943, me detyrë komandant toge ngarkohet me ruajtjen e Shtabit të Përgjithshëm që ishte dislokuar në Arbanë, në shtëpinë e Petrit Arbanës.

Në gusht 1943 merr pjesë në kapjen e 50 mercenarëve, në Qafë Krrabë.

Në tetor 1943, merr pjesë në luftimet në Domjan dhe Arbanë të Tiranës.

Në nëntor 1943, merr pjesë në luftimet kundër gjermanëve në Petrelë e Krrabë.

Në librin “Rexhep Haxhiu i Macukullit” (faqe 106), reeferuar kujtimeve të Ramadanit mësojmë

se: “Në Operacionin armik të Dimrit 1943-1944, njësiti partizan, me Andrea Mema nga Korça, Ramadan Gjoka nga Macukulli, Ramazan Abazi dhe Ibrahim Osmani nga Burgajeti i Matit dhe motra e Xhevdet Petrelës, dhe kjo partizane, gjatë një aksioni në zonën e Krrabës, u gjendën të rrethuar nga forcat gjermane e balliste. Binte shi dhe dëborë. Për t’i shpëtuar rrethimit u ftutëm në lumen Erzen, u maskuam me mjete rrethanore dhe vetëm kokat kishim mbi ujë. Qëndruam mbi 10 orë. Pas largimit të gjermanëve natën, ne vazhduam lëvizjen dhe arritëm në Pezë shëndoshë e mirë. Myslim Peza na falenderoi për taktikën që kishim përdorur, për ruajtjen e shoqes partizane dhe të armëve”.

Nga qëndrimi në ujë e shi për disa orë, Ramadani do të merrte ftohje të rëndë që nuk do t’i ndahej gjatë gjithë jetës. Ilegalisht, në janar 1944 do të shtrohej në spitalin e Tiranës i maskuar si fshatar pezak. Pas 10 ditësh, pa u shëruar plotësisht do të rikthehej në Pezë.

(Bashkëkohësit kujtojnë se edhe pas çlirimit, ai do të shtrohej në spital disa herë si në Tiranë, Kukës e Peshkopi dhe sa bëhej më mirë kthehej në punë. Madje, disa herë u thoshte djemve se plaga e ftohjes i dhemb më shumë nga plaga e plumbit të gjermanit).

Në maj 1944 merr pjesë në luftime në Kazisaj të Peqinit.

Në 1 qershor 1944, batalioni partizan ndeshet me gjermanë e ballistë në German të Kavajës, ku Ramadani plagoset rëndë. Në këtë betejë është vrarë komisari i Batalionit Maliq Muça.

Referuar sërish kujtimeve të Ramadanit në librin e Petrit R.Gjokës “Rexhep Haxhiu i Macukullit”, (fq.107) mësojmë se ai ia dinte për nder shokut të tij të luftës, Tahir Minxhozit, që e mbajti në krah dhe e nxori nga luftimi. Madje, disa herë, megjithë dhimbjet e mëdha që kishte, pasi këmbën nuk e ndjente veçse i kullonte gjak, i thoshte Tahirit ta lëshojë, pasi kërcënohej edhe jeta e tij. Por dashuria për shokun gjatë luftës partizane qëndronte në shkallën më të lartë.

Në spitalin partizan të Pezës qëndroi 4 muaj. Operacionin për nxjerrjen e plumbit nga këmba ia ka bërë doktor Petro Cani në kushte mjaftë primitive. Gjatë gjithë kohës së operacionit me sharrë druri, nuk lëshonte klithma, por vetëm shtërngonte veten, kërciste dhëmbët e kafshonte një shkop druri që mbante në gojë. Ardhja e nënës së rij në spitalin partizan e çuditi pa masë, e bëri me krahë, pasi përjetoi dashurinë e saj për të birin, sakrificat dhe guximin e saj. Ishte ky udhëtim heroik e historik i nënës së tij që lidhi luftën e Macukullit me Pezën partizane…

Me shërimin e tij të pjesshëm, në shtator 1944 Ramadan Gjoka rikthehet në formacionet partizane, inkuadrohet në Brigadën e XXII Sulmuese me komandant Sali Verdha e komisar Tuk Jakova.

Merr pjesë në marshimin Brigadës për në Veri në intenerarin Pezë-Tiranë-Qafë Shtamë-Burrel-Vinjoll-Kacni-Lukan-Lurë.

Me urdhër të Komandës së Brigadës ngarkohet me detyrë delegat politik në Lurë, ku gjen mbështetje tek Llan Kaci e Sadik Tollja; rigjallëron jetën dhe aktivitetin e këshillave Nacionalçlirimtare. Në Lurë, sëbashku me vëllain e tij, Kurt Gjokën krijojnë 5 organizata rinie antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas qëndrimit për një kohë të shkurtër në Lurë tranferohet delegat politik në Klos të Matit.

KRYETARI I PARË I KOOPERATIVËS BUJQËORE TË SUÇIT

 Pas çlirimit të vendit nga okupatori nazifashist, në harkun kohor të 11 viteve (1945-1956) Ramadan Gjoka punon në organet e Punëve të Brendshme në zonat Mat-Mirditë-Zerqan-Tropojë-Kukës; arrin me gradën Kapiten i Parë.

Në prill 1956 lirohet nga organet e Punëve të Brendëshme dhe emërohet kryetari i parë i Kooperativës Bujqësore në Suç të rrethit të Matit. Ndonëse nuk ishte specialist bujqësie, në saj të mirëorganizimit të punëve, duke udhëhequr me ndershmëri e shembull personal e duke krijuar lidhje mjaftë të ngushta me kooperativistët bëri të mundur që kjo kooperativë të kishte rezultate të larta në prodhim dhe të zinte vend të parë në gjihë rrethin e Matit.

SI I SHPËTOI PËPLASJES ME MEHMET SHEHUN

 Pasi përshkruan bukurinë fizike e shpirtërore të babait të tij, me trup mbimesatar, të drejtë dhe muskuloz, i pamposhur, fjalëzjarrtë, i papërtuar e i kudondodhur, i vendosur, i ashpër ndaj mëngësive e i thjeshtë mes të thjeshtëve; me karakter të fortë, të jashtëzakonshëm, trim e guximtar në luftë, gjatë e pas çlirimit. Petrit R.Gjoka, në librin e  tij jep detaje nga përballja e Ramdan Gjokës me Mehmet Shehun (fq.126).

Në vitin 1949, Mehmet Shehu, asokohe, Ministër i Punëve të Brendshme, thërret në zyrë Ramadan Gjokën e do t’i drejtohej ashpër: «Ti Ramadan e babai yt Rexhepi, keni shpëtuar e nxjerrë nga rrethimi Bilal Kolën, dhe për këtë mbani përgjegjësi të plotë. Përse nuk u dogj kulla juaj në Macukull si e Hasan Minxhozit në Shlli dhe e Haki Fejzos në Lis ?»

Kuptohet, Ramadani mund të lirohej nga detyra, por dhe mund të merrej i pandehur si armik. Nuk kish rrugë tjetër. Ramadani vë dorën në brez e shtërngon pistoletën, e me ashpërsi i përgjigjet Mehmet Shehut: «Unë jam Ramadan Gjoka, kam shpërthyer burgun e Tiranës mes fashistëve, jam partizan i vjetër i Pezës, kam derdhur gjak për çlirimin e atdheut, me dhjetra herë jam ndeshur nëpër male me banda e kam dalë fitimtar, prandaj ato akuza për mua e familjen time tërhiqi mbrapsht. Urgjentisht shoku ministër, kërkoj takim me Komandantin e Përgjithshëm, Shokun Enver Hoxha».

Mehmet Shehu, pas ulërimave e të bërtiturave, duke parë vendosmërinë e  karakterin e fortë burrëror të Ramadanit, ndryshoi taktikë: «Vazhdo pun, o Ramadan, armiqtë duan të na përçajnë!».

Kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme, Burrel, asokohe Banush Goxhaj, do t’i drejtohej Ramadanit: «Të lumtë o Ramadan Gjoka, zbardhe faqen tënde, të familjes e të punës sonë në Mat».

RIKTHIMI NË STRUKTURAT E MINISTRISË SË BRENDSHME

 Në analizën vjetore, në fund të vitit 1956, në aparatin e Ministrisë së Brendshme, Lilo Zeneli (babai i Bashkim Zenelit), në diskutimin e tij do t’u drejtohej ministrit Mehmet Shehu dhe zv/ministrit Kadri Hazbiu: “Ju keni liruar nga organet tona padrejtësisht kuadrin më të aftë, shokun Ramadan Gjoka. Për katër vjet me radhë ai ka asgjësuar banda të rrezikshme e jo derra e dhi të egra, siç bëjnë disa të tjerë”. Përgjigja do të ishte e menjëherëshme: “Na fal shoku Lilo, bëhen edhe gabime!”.

Reflektimi i titullarëve të dikasterit qe i menjëherëshëm dhe kështu, në fillim të vitit 1957 Ramadan Gjoka rikthehet përsëri në organet e Punëve të Brendshme në zonën e  Dibrës, ku shërbeu me devotshmëri e përkushtim të rrallë ndaj atdheut e shoqërisë për 14 vjet, deri sa doli në pension në vitin 1971.

Këto vite kur Ramadan Gjoka sherbeu në Dibër, në zonën e Muhurrit, Luznisë, Selishtës, Qafë Murrës, Lukanit, Kacnisë, Bulaçit, Rreth Kales, Pratit, Masdejës, Balxhajit, Shupenzës etj, si Operativ i Sigurimit, qenë mjaftë e suksesshme . Ai ishte model i bashkëpunimit me fshatarët e organet e policisë së shtetit. Arriti të marrë gradën e Majorit dhe shumë dekorata e lavdërime.

Profili i këtij luftëtari e qëndrestari të paepur ka frymëzuar dhjetra poetë të cilët kanë shkruar e botuar për të poezi e balada. Njëri prej tyre, i mirënjohuri Mevlud Buci, burrit të Macukullit të Matit Ramadan Gjoka i ka kushtuar baladën me titull “Luftëtar me zë grykëholle” me 22 strofa (maj 2005).  Meritë e veçantë e këtij personaliteti që rrezatonte kudo mirësi e paqe dhe që mishëronte vlerat më të mira njerëzore dhe intelektuale qe dhe krijimi i një familjeje solide. Kështu, me bashkshorten e tij shembullore Mihane Gjoka (Doda) lindën, rritën, shkolluan dhe mirëedukuan shtatë djem dhe dy vajza: Petritin dhe Naimin, oficerë shembullorë të ushtrisë shqiptare, Shkëlzenin dhe Florën, nga mësuesit e drejtuesit e mirënjohur të arsimit në Mat e Tiranë, Natashën që si mjeke e Përgjithshme në Poliklinikën tek Brrylli në Tiranë shërben me kompetencë, profesionalizëm e humanizëm ndaj komunitetit dhe katër të tjerët: Kujtimi, Vladimiri, Iliri e Ylli mekanikë të talentuar të profileve të ndryshme.

Kanë kaluar 17 vjet nga dita e lamtumirës së tij (8 prill  2005) dhe jo vetëm nga familjarët, djemtë, vajzat, nipërit e mbesat e shumta, por edhe nga bashkëkohës e pasardhës të tyre në Dibër, Mat e Tiranë, Ramadan Gjoka kujtohet e nderohet për trashëgiminë e vyer që la pas, si pinjoll i një familjeje e fisi emërndritur.