Petro Mejdi: Si erdhi në Festivalin e 12-të kënga” Hëna e netëve të vona”

800
Sigal

Vasilika Vasi autorja e tekstit të këngës së Festivalit të 12 – të , (1972 ) ” Hënë e netëve të vona ”

Historia i një cikli poetik:

-Vasilika Vasi: Cikli poetik i botuar në gazetën ” Zëri i Rinisë “, e shtunë, 18 mars 1972.

7 poezi.

Të gjitha në formën e fotografisë, dhe si tekst.

Fotografia e poetes në moshën kur u botua cikli poetik, 1972.

Vasilika Vasi është autorja e tekstit të këngës së Festivalit të 12 – të , (1972 ) ” Hënë e netëve të vona ” dhe i shumë teksteve të tjerë , këngë të cilat janë ngjitur në podiumet e Festivaleve dhe janë lauruar me çmime.

Etyd :

Kam vënë gazetën ” Zëri i Rinisë ” në të cilin kam botuar një reportazh nga Zagoria. Redaksia e vendosi në vënd të kryeartikullit. Kjo më gëzoi. E sjell këtë faqe gazete jo për vete, por në shenjë mirënjohjeje për mësuesen, për poeten. Në këtë reportazh janë dhe dora dhe mëndja e poetes, këshillat dhe mjeshtëria e dhënies së lëndës së letërsisë, kultura letrare që na dha në orën e mësimit dhe në bisedat e lira, të gjitha këto më çuan në këtë reportazh letrar.

***

Nëse për disa poetë kam thënë se i kam parë ose takuar diku rastësisht, poeten Vasilika Vasi e kam patur mësuese të letërsisë në shkollën e mesme të Nivanit,  në Zagori. Mësuesja e letërsisë më ka ndihmuar si letrar të ri në hapat e para. Ishte kënaqësi dhe nder që ajo të ishte lexuesja dhe kritikja e parë e krijimeve të mia modeste. Publikimi i krijimtarisë së saj nga ana ime, është plotësimi i një detyrimi moral dhe shprehje e një mirënjohjeje të pafund. Ne që e patëm mësuese, në Zagori dhe në Tiranë, ishim me fat. Nuk e harroj një moment, i cili ka të bëjë me krijimtarinë e saj poetike dhe në “krijimtarinë ” time gazetareske .Ishte ora 14 .30 , Radio Gjirokastra, pas lajmeve të drekës , lexonte një shkrim të botuar në gazetën “Pararoja ” .Pra duhet të ishte e mërkurë ose e shtunë, ditë në të cilat qarkullonte gazeta lokale. Ishim disa nxënës në klasë, në klasën me dritare nga veriu, po merreshim me parulla me bukë peshku. Sapo folësja tha: Nga gazeta ” Pararoja ” do të lexojmë përshkrimin ” Hënë e netëve të vona ” shkruar nga Petro Mejdi , heshtëm të gjithë, dhe poetja Vasilika Vasi . E para e kuptoi kur folësja e Radios përmëndi titullin e shkrimit, i cili ishte një varg nga poezia e saj ” Hënë e netëve të vona, seç të mundën dritat tona”. Ajo ishte kënduar nga grupi i vajzave të shkollës në konkurimin zonal para Festivalit të Gjirokastrës, ( marrëse Margarita Kllapi ) pastaj u këndua në podiumin e Festivalit Kombëtar dhe në dhjetor u këndua në Festivalin e 12- të të RTSh – së, kompozuar nga Bubush Osmani, kënduar nga Melita Bozgo dhe Nurie Miri. Natyrisht, unë dhe ajo e dëgjuam shkrimin shumë të emocionuar. Në fund ajo më përqafoi dhe më tha ” Bukur ” !

***

Midis tyre janë dy nga poezitë më të bukura të lirikës erotike të poetes dhe të poezisë së kohës . Ato janë : ” Mbrëmja e së shtunës ” dhe “Vjeshta në zarf “. Lexojini poezitë e Vasilika Vasit, do të deheni nga lirizmi i tyre, ato tani ngjajnë si vera e Nartës, do të përkundeni për disa çaste në ëndrra dashurie, në nostalgjinë dhe romantikën e kohës së rinisë të brezit tonë. Ato përfaqësojnë rininë e kohës, gëzimet e kohës  mentalitetin e kohës, një dlirësi dhe lirizëm në dashurinë e rinisë së kohës kur janë shkruar.

Mësuesja poete e filloi punën e saj pedagogjike në shkollën e mesme të Nivanit, vendlindja e saj . Ky emërim ishte fatlum dhe për poeten dhe për poezinë, dhe për këngën popullore, së cilës ajo i fali disa tekste të mrekullueshme si ” Kurrë nuk do marrësh udhët e kurbeteve”, “Hënë e netëve të vona ” etj .

Nata finale e Festivalit të 12 në RTSH

Në natën finale dolën 14 këngë sipas kësaj renditjeje:

  1. Partia ime, dielli i vendit tim
  2. Hekurudha kënga jonë
  3. Të dua o bregu im i kaltër
  4. Qyteti i ri
  5. Gjurmë të arta
  6. Kënga e lumenjve
  7. Poeti partizan
  8. Sup më sup si malet
  9. Fshati im i bardhë
  10. Kur je në rresht me partizanë
  11. Hënë e netëve të vona seç të mundën dritat tona
  12. Një vajzë
  13. Si agim i kuq
  14. Takim i brezave

Teksti këngës

 

Hënë e netëve të vona
seç të mundën dritat tona.
Doli hëna prapa malit
që t’i japë dritë fshatit.
Fshati paska drita shumë:
thotë hëna ç`duhem unë?!

Hënë o hënë e bukur o,
pse qenke mërzitur o?
Hënë e netëve të vona
seç të mundën dritat tona.

Niset hëna netëve
të ndriçojë krojeve.
Krojet paskan drita shumë
thotë hëna ç’duhem unë!?
Hënë o hënë e bukur o,
pse qenke mërzitur o,
Hënë e netëve të vona
seç të mundën dritat tona.

Kur dole nëpër mëhallë
gjete llambat radhë- radhë.
Në obor pas një dritare
seç të humbi drita fare!

 

Nga cikli poetik :

— Vjeshta në zarf —

Ja përsëri i dashur erdhi vjeshta

me shallin bjond e flokët ngjyrë gri.

Agimeve dhe mbrëmjeve të qeta

kjo stinë e re na dha ne lumturi.

Sot në një zarf i mbodha gjithë gëzimet

nga vjeshta zgjodha diellin n’perëndim!

Një zarf të bardhë, si ëndërr dashurie

Sonte tek ty e nisa fluturim.

M’e pasur se gjithnjë do të ikë vjeshta

e në qytet sërish ashtu do të kthehet.

Kujtimi i dashurisë si dhuratë

nga ne të dy çdo vjeshtë do të mbetet.

Sot në një zarf i mblodha gjithë gëzimet

nga vjeshta zgjodha diellin n’perëndim.

Një zarf të bardhë si ëndërr dashurie

sonte tek ty e nisa fluturim.

(1972)