Shoqata “Tomorri” “shkrin” akullin e ftohtë të prillit. Mbi 250 anëtarë pajisen me karta në Tiranë

43
Sigal

Finalizohet procesi zgjedhor i SH.A.K. “Tomorri” dhe dega Tiranë, nën praninë e anëtarëve të shoqatës, qytetarëve, delegatëve e nën tingujt e koncertit të grupit artistik “Demir Zyko” Nderi i Kombit, me këngët më të bukura të trevës së Skraparit

Mbi 250 delegatë vulosën strukturat drejtuese të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” Dega Tiranë. Edhe pse dita e djeshme ishte një ditë me një mot të ftohtë dhe me një shi që nuk pushoi gjatë të gjithë ditës, anëtarët, simpatizantët, dashamirësit e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” , të cilët banojnë në Tiranë  u mblodhën në ambientet e Hotel Tirana në orën 11:00 për të mandatuar strukturat e tyre drejtuese për pesë vite. Takimi filloi nën drejtimin e dy prej ikonave më të rëndësishme të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, të cilët janë njëkohësisht edhe themeluesit e SH.A.K. Tomorri në 1999, Nuri Çuni dhe Veli Hoxha. Ajo që ra në sy në këtë takim kishte të bënte dhe me faktin, që kryetari i grupit të punës për riorganizimin e Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, një nga figurat dhe personalitetet e trevës së Skraparit Ilmi Qazimi, deklaroi hapjen e këtij takimi, duke ftuar edhe 2 themeluesit Nuri Çuni dhe Veli Hoxha, si dhe kryetarin e komanduar të shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, Zagoll Gjoni.

Para se të niste mbledhja që do të zgjidhte dhe strukturat drejtuese të shoqatës, nga ana e kryetarit në detyrë  të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Tomorri”, iu dhanë  vlerësimet tre prej personaliteteve më të shquara të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, por edhe themelues të saj në vitin 1999. Nuri Cunit, Veli Hoxhës dhe Idriz Metani iu dorëzua certifikatë mirënjohje për kontributin e madh dhe gjithçka ato kishin bërë, pjesë e të cilës jemi ne sot si pasardhës të kësaj shoqate, por që koha tregon se ne nuk mund të ecim kurrë përpara pa ktheyer kokën mbrapa dhe pa kujtuar e vlerësuar, pikërisht këto personalitete, të cilat i dhanë jetë dhe dritë rrugës së Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”. Procesi zgjedhor filloi me zgjedhjen e kryetarit të shoqatës, i cili u hodh në votim dhe në mënyrë unanime për Tiranën u përzgjodh Zagoll Gjoni. Nënkryetarë u zgjodhën, Hysen Flamuri, Diana Alushani, Agim Qamirani dhe sekretar Nazmi Çela.