Vangjush Saro: Pse e vlerësoj Kanadanë

Shkruar pë 1 korrikun, Ditën e Kanadasë

Ndërsa në Shqipëri e Kosovë vazhdon kakofonia, çka të dhemb aq shumë, po zgjedh të publikoj disa shënime për Kanadanë. Kjo s’duhet të kuptohet si mëri ndaj mëmëdheut dhe shqiptarisë në përgjithësi; përkundrazi, gjithnjë i qëndroj mendimit se krahas disa përparimeve, atje ka shumë gjëra për t’u ndrequr e, fundja, e thënë ndershmërisht, “ai që të shan, të do”. Një nga mënyrat për të ndryshuar vërtet, është vlerësimi i përvojave më të mira…

Sigal

E meqë këto radhë nuk janë të destinuara për aspektet private, po them se që në fillim Kanadaja më pëlqeu. Një vend me shumë natyrë. Një vend me rregulla. Një vend, ku politika nuk ndjehet dhe nuk (të) shtyp si gjetkë… Sigurisht, parajsë nuk ka askund. Por duke parë si shkonin gjërat këtu, po ndjehesha mirë. Modestia, qetësia dhe sjellja korrekte mund të them se janë tipare të njerëzve dhe të vendit. Kanadaja ka marrë pjesë në krahun e fituesve në të dyja luftrat botërore dhe ka vajtuar me dinjitet bijtë e saj më të mirë; por nuk ka kërkuar më pas lavdi dhe hegjemoni. Është vendi me territorin më të madh, pas Rusisë; por nuk ka marrë kot asnjëherë. Dikush mund të thotë se nuk i ka mundësitë për të shtënë në dorë më shumë… Përgjigjia më e mirë do të ishte kjo: Oreksi për të shtypur të tjerët, praktikohet më së pari në vendin tënd, çka s’është bërë kurrë në Kanada. (Siç jam shprehur edhe në shënimin për 9 Majin (gazeta ‘Telegraf’) janë disa shtete me fuqi të konsiderueshme, por që nuk u bëhen barrë të tjerëve, ndjekin parimet e sistemit demokratik: Australia, Kanadaja, vendet skandinave, etj.)

Po ulem më në terren. Kur u zgjodh Kryeministër z. Trudeau, televizionet tregonin takimet e tij me njerëzit: në rrugë, te skytrain, etj. Nuk e ndiqnin pas nja dhjetë a pesëmbëdhjetë gango apo badigardë, siç ndodh gjetkë. Në fakt, atij nuk i shkoi edhe aq mbarë. Por (kjo është esenca) nuk nguli këmbë: O rri në pushtet, o s’ka! O vij sërish në krye, o përmbyset bota! Trudeau i la vendin një politikani tjetër. Kanadaja shkoi në zgjedhje, votoi, s’u ndje fare gjatë gjithë fushatës, vendosi; dhe ja tek jemi duke parë nëse qeveria aktuale do të bëjë më mirë… As zhurmë, as sherr, as fyerje, as biografira, as sulme private. Sekush shikon punën e tij. Ja pse e vlerësoj Kanadanë.

Vajzat (për rastësi) janë të treja në punë shteti. Nuk kam dëgjuar asnjëherë të ndjejnë ndonjë lloj presioni ose animi politik: jo po mitingu, jo po vota, kujt ia jep, kujt s’ia jep, ta tregoj qejfin, ecë këtu e shko atje… Absolutisht jo! Ja pse e vlerësoj Kanadanë. Ka vite që jemi në shkollat e fëmijëve, duke i përcjellë dhe duke i pritur, herë me makinë e herë në këmbë. Vizitojmë klasat. Kemi parë bibliotekat. Marrim pjesë në koncertet e tyre, (ku shohim që zyshat nuk pispillosen). Për sistemin arsimor, ka vërejtje; por ani, s’mbaj mend të kem dëgjuar ndonjë sherr apo të tjera “meselera” si gjetkë. Ja pse e vlerësoj Kanadanë. Shkojmë tre herë në javë në pishinë dhe shoh që ajo është plot; sidomos me të moshuar. Dhe të tilla vende çlodhjeje, sikur edhe fusha sporti, parqe, etj., gjenden kudo. Prandaj e vlerësoj Kanadanë. Një herë në javë vozisin nëpër lagje makinat që mbledhin mbeturinat. Dhe ato ndahen: Plehrat më vete, mbeturinat ushqimore dhe organike më vete, mbetjet nga kopështi më vete, letra/ plastikë më vete, qelqet gjithashtu. Ja pse e vlerësoj Kanadanë. Shoh TV-të dhe vërej që nuk bërtasin, nuk zihen, nuk ndërpresin njëri-tjetrin; koha për politikanët është tejet e kufizuar. Prandaj e vlerësoj këtë vend, anipse ka probleme, madje këto kohë janë shtuar. Por s’është rasti…

Këtu u fol kryesisht për atë që quhet Greater Vancouver, me një klimë pak a shumë si Shqipëria. Ka provinca ku dimri zgjat; por ani, është prapë Kanada, standardet janë po ato. Ndërkaq, nuk u zunë goje pensionet suplementare dhe udhëtimet e pushimet andej-këtej, sepse shpesh janë episode vetjake. Për ta mbyllur, më duhet të shtoj që zakonisht shënimet publicistike i botoj në ndonjë gazetë-letër ose në ndonjë forum me peshë. Por kur në to ka edhe elemente të jetës private – për hir të modestisë, por edhe për të respektuar parimet profesionale – rezervohem, i mëshoj faqeve të mia në rrjete; si tani.