Në vitrinën e një mëngjesi me shi,
rrinte varur një fustan me pika.
Jo i bardhë. Jo i zi.
Ngjyrë pritjeje, grimcohej
si zemra që ende nuk e di
nëse duhet të trokasë apo të largohej.
Vajza e bukur ndalej çdo ditë përballë tij.
Ishte shkrimtare.
Në xhepa mbante fletë të palosura,
jo para.
Ajo dinte të blinte vetëm fjalë,
kurse fustani kërkonte monedha të mëdha.
Në anën tjetër të qytetit,
një djalë punëtor,
student netëve,
kuadër ditëve që do të vinin,
mbante në duar plagët e hekurit
dhe ëndrrat e universitetit.
Ai nuk dinte të shkruante poezi,
(as libra të mëdhenj)
por dinte të ndërtonte ura
aty ku njerëzit shihnin vetëm lumenj.
Ata u takuan rastësisht.
Ajo i tha:
– Çmimi i këtij fustani është më i madh
se romani që ende s’e kam botuar.
Ai buzëqeshi:
– Mos e bli sot.
Ka gjëra që duhet të na presin,
që të na bëhen më të bukura.
Dhe vitet kaluan
si gjethe që nuk bëjnë zhurmë.
Ai mbaroi studimet,
u bë kuadër,
por nuk harroi erën e çimentos
në pëllëmbët e veta.
Ajo botoi libra,
dhe në çdo faqe
fshihte nga një pikë të atij fustani
që nuk e kishte blerë kurrë.
Një mbrëmje,
kur hëna kishte veshur
të njëjtat pika mbi qiell,
ai e mori për dore.
E çoi te vitrina.
Fustani ishte ende aty i pa ngarë,
sikur koha ta kishte ruajtur
vetëm për ta.
– Tani? – pyeti ai.
Ajo qeshi me sytë plot dritë.
– Jo…
Tani nuk dua fustanin, gjithashtu.
Më mjafton rruga
që bëmë për të mbërritur deri këtu.
Dhe pikat mbi pëlhurë
u shndërruan në yje të ndezura,
kurse yjet
në bekime të heshtura.
Pastaj…
një zile e fortë
çau mëngjesin.
Ajo hapi sytë.
Dhoma ishte e vogël.
Në tavolinë
një dorëshkrim i papërfunduar.
Në karrigen ku binte drita
një fustan i vjetër,
pa pika.
As djali.
As vitrina.
As unaza.
As rruga.
Vetëm drita si në një përrallë
hynte nga dritarja
mbi një sfond të bardhë.
Ajo buzëqeshi lehtë
dhe pëshpëriti e gëzuar:
“Ndoshta dashuritë më të mëdha
nuk janë ato që i jetojmë zgjuar,
por ato që zgjohen bashkë me ne në hava,
për t’u shkruar.”






















