Një video në rrjetet sociale, ka ngritur shqetësimin e qytetarëvë lidhur me menyrën se si janë trajtuar dy turist polak në plazhin e Durrësit.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme në zonën e Plazhit. Qytetari ka bërë publik faktin se djali dhe nusja e tij, të ardhur nga Polonia për pushime, kishin hyrë për t’u larë pranë një moli, pasi uji pranë vijës bregdetare ishte i turbullt.
Pak minuta më vonë, sipas denoncimit, një i ri iu afrua dhe filloi t’u kërkonte me ngulm të merrnin shezllone dhe çadër. Familjarët i shpjeguan se do të largoheshin pas pak minutash dhe se ndodheshin në det për t’u larë.
Në videon dëgjohet qartë i riu duke u thënë në anglisht “Go out”, duke u kërkuar turistëve të largohen nga zona. Nga pamjet nuk evidentohet që ai të mbajë badge identifikimi apo ndonjë shenjë dalluese që ta identifikojë si punonjës të një subjekti privat apo person të autorizuar.
Denoncuesi, i cili thotë se jeton prej katër vitesh në Durrës, shprehet se turistët mbetën të habitur nga situata dhe nuk e kuptonin pse po u kërkohej të largoheshin nga deti.
“Tek unë kishin ardhur për vizitë djali dhe nusja ime nga Polonia. Ata po laheshin në det pranë molit, sepse pranë bregut uji ishte i turbullt. Një djalë i ri erdhi dhe filloi të na ofronte me ngulm çadrat dhe shezllonet. I thamë se do të largoheshim pas pesë minutash, por ai na tha: ose merrni çadër, ose largohuni. Për këtë arsye e regjistrova videon. Ai nuk kishte as badge dhe asnjë dokument që të tregonte se përfaqësonte ndonjë subjekt”, shkruan qytetari.
Rasti ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si administrohen disa hapësira në plazhet publike dhe nëse qytetarëve apo turistëve mund t’u kërkohet të largohen nga deti në mungesë të një baze ligjore apo autorizimi të qartë.






















