Gëzim Llojdia
U nisa në mesditë, kur dielli derdhte mbi tokë gjithë potencialin e tij të zjarrtë. Ajri dridhej mbi asfalt, ndërsa horizonti përzihej me kaltërsinë e detit. Ishte ajo orë kur gjithçka dukej e ngrirë nga vapa, por rruga drejt Triportit premtonte histori që nuk i zbeh as koha, as dielli.
1.Porti i Zvërnecit ka një histori të gjatë dhe të ndërlikuar. Ideja për ndërtimin e tij ka kaluar nëpër dy sisteme politike, duke mbetur për vite me radhë vetëm në projekte dhe diskutime. Megjithatë, realizimi i tij u bë i domosdoshëm pasi porti ekzistues i Vlorës iu dha një investitori privat përmes formulës së shumëdebatuar të “1 euros”. Në vend të vinçave që dikur ngarkonin mallra dhe të anijeve tregtare që hynin e dilnin nga limani, projektohen kulla shumëkatëshe që do të ndryshojnë përgjithmonë pamjen e gjirit të Vlorës. Dikur arkitektët dhe urbanistët paralajmëronin se kjo zonë nuk duhej të mbingarkohej me ndërtime më të larta se tetë kate, për të ruajtur harmoninë mes qytetit dhe detit. Sot këto këshilla duken si jehonë e largët. Kullat do të ngrihen njëra pas tjetrës dhe apartamentet do të shiten me çmime marramendëse. Pyetja mbetet e njëjtë dhe vazhdon të rëndojë mbi opinionin publik: çfarë përfiton qytetari shqiptar nga ky transformim? Përgjigjja nuk është e lehtë. Porti i ri i Zvërnecit po ndërtohet me fonde publike, ndërsa porti i vjetër, një nga limanet më të rëndësishëm të bregdetit shqiptar, po i hap rrugë ndërtimeve luksoze dhe marinave turistike. Në këtë ekuacion ekonomik, shumëkush sheh fitues investitorin, ndërsa qytetari mbetet vetëm spektator.
Nga qyteti deri në Triport nuk janë më shumë se tetë kilometra. Një largësi e shkurtër në hartë, por e mjaftueshme për të kaluar nga zhurma urbane në një peizazh ku natyra dhe ndërhyrja njerëzore përballen çdo ditë.
Rruga të fut në pyllin e Sodës, një brez i gjelbër i krijuar menjëherë pas Çlirimit. Breza të tërë punuan për mbjelljen e pishave, të cilat do të mbronin qytetin nga erërat e forta detare dhe do t’i jepnin Vlorës një mushkëri të gjelbër. Askush nuk mund ta imagjinonte atëherë se një ditë ky pyll do të copëtohej nga ndërhyrjet industriale, se në brigjet e tij do të ngriheshin TEC-e, depozita hidrokarburesh dhe objekte të tjera që do të ndryshonin përgjithmonë fytyrën e kësaj zone. Sot, ajo mushkëri e gjelbër është rralluar ndjeshëm. Shumë pisha kanë mbyllur ciklin e tyre natyror, ndërsa të tjera janë rrëzuar nga koha, era ose ndërhyrjet njerëzore. Hapësirat e dikurshme me hijeshi të gjelbër nuk kanë më dendësinë që kujtojnë brezat e vjetër. Rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë, ambientalistët, intelektualët dhe qytetarët protestuan kundër ndërtimit të TEC-it dhe petroliferës. Për një kohë zëri i tyre u dëgjua fort, por me kalimin e viteve ai u tret në zhurmën e vendimeve të marra. TEC-i u ndërtua. Petrolifera gjithashtu.
Edhe sot, herë pas here, mbi shinat që përshkojnë këtë zonë kalon një tren me vagona cisternë. Ai transporton naftën shqiptare, për të vazhduar më pas udhën drejt tregjeve të largëta. Është një pamje që të fton të reflektosh. Pasuritë natyrore të këtij vendi vazhdojnë të marrin rrugën jashtë kufijve. Pyetja se sa përfiton qytetari shqiptar mbetet ende pezull .Një jehonë që endet mes pishave të mbetura të pyllit të Sodës.
2.Rruga vazhdon drejt Triportit. Ai është një vend që prej shekujsh zgjon kureshtjen e historianëve dhe arkeologëve. Vetë emri i tij lidhet me rrëfimin se këtu kanë ekzistuar porte. Po sa porte. Në rrjetet sociale permenden 3. Por ato mund te ishin 3 pikat qe lidhin detin me lagunen. Sot ka mbetur vetëm një.dëshmi e një qendre të rëndësishme detare në brigjet e Adriatikut. Ka istori, dhe legjenda si kudo dhe arkeologjia ndërthuren në këtë cep të Vlorës. Por arkeologjia i ka dhënë peizazhit një dimension të veçantë. Pra thamë sa porte ka pasur aty? Unë njoh atë që kanë nxjerrë në dritë gërmimet arkeologjike. Ato dëshmojnë se Triporti ishte porti i qytetit ilir të Bylysit. Pra bylynët edhe pse ishin vëllezër me amatasit kishin Triportin e tyre si port . Porta e tij drejt detit, vendi ku ankoroheshin anijet tregtare .Dhe ku niseshin rrugët detare që lidhnin brigjet shqiptare me botën mesdhetare. Këtu kanë kaluar mallra, njerëz, udhëtarë e marinarë. Koha dhe deti me dallgët kanë përcjellë histori që koha nuk ka mundur t’i shuajë. Edhe sot mund të shohësh bankinën e lashtë që zgjatet drejt detit. Ajo i ka rezistuar shekujve, erërave dhe stuhive. Në dimër e në verë, dallgët përplasen pareshtur mbi gurët e saj. Ato kërkojnë të zgjojnë kujtesën e kohëve të largëta. Dhe kjo kohë kur këtu gumëzhinte jeta e një porti të rëndësishëm ilir. Çdo gur duket se ruan një copëz historie.dhe deti vazhdon ttë njëjtën këngë të përjetshme.
Por ky port i lashtë nuk ndodhet pranë portit të ri të Zvërnecit. Ai shtrihet më tej, në një hapësirë. Mes rërës, ujërave të cekëta dhe gurëve të lashtë ndihet ende hija e një bote që dikur ishte e gjallë. Dhe ajo ishte një botë ku deti nuk ishte vetëm kufi, por rruga më e madhe që lidhte njerëzit, qytetet dhe qytetërimet.
3. Triporti, i njohur edhe si Treport, është një nga lokalitetet arkeologjike më të rëndësishme të bregdetit shqiptar. Ai ishte një vendbanim i ilirëve të jugut, i banuar nga shekulli VII deri në shekullin I para erës sonë. Falë pozicionit të tij strategjik, shërbeu njëkohësisht si qendër e fortifikuar dhe si port, duke lidhur këtë pjesë të Ilirisë me botën mesdhetare. Triporti mbetet një vend ku historia, arkeologjia dhe natyra ndërthuren në mënyrë të rrallë, duke e bërë këtë cep të Vlorës një nga dëshmitë më të vyera të qytetërimit të hershëm ilir.
4. Ishulli i Zvërnecit mbart jo vetëm histori të lashta, por edhe kujtime të një periudhe të errët të së kaluarës shqiptare. Gjatë regjimit komunist, këtu u ngrit Kampi i Zvërnecit, një vend internimi ku u izoluan ish-kuadro të Partisë dhe të shtetit, të shpallur kundërshtarë të udhëheqjes së kohës. Për disa vite me radhë, kampi shërbeu si vend internimi për të dënuarit politikë, larg syrit të publikut dhe jetës së zakonshme. Sipas dokumenteve të kohës, në vitin 1962 në këtë kamp ndodheshin njëmbëdhjetë të internuar, një dëshmi e një kapitulli të dhimbshëm që nuk duhet harruar.
5. Një masë e madhe gurësh shtrihet nga bregu drejt detit. Shumë vizitorë ndalen të habitur, pa e ditur se çfarë përfaqëson kjo pamje e pazakontë. Papritur qetësia prishet nga zhurma e rëndë e një skrepi. Pas tij vjen edhe një tjetër, që lëviz e sistemon gurët me lëvizje të ngadalta. Heshtja e detit zëvendësohet nga zhurma e pandërprerë e makinerive.Këtu po ndërtohet porti i ri i Zvërnecit. Gurët shtohen dita-ditës, deti tërhiqet dhe peizazhi, që për shekuj kishte ruajtur pamjen e tij natyrore, po ndryshon para syve. Mes rrënojave të Triportit të lashtë dhe kantierit të portit të ri, duket sikur takohen dy epoka: Njëra flet me gjuhën e historisë dhe kujtesës, tjetra me gjuhën e betonit, gurëve dhe makinerive. Edhe porti i ri mbart historinë e vet. Ideja për ndërtimin e tij lindi dekada më parë, në një sistem tjetër politik, ndërsa realizimi po merr formë në një kohë tjetër, duke e bërë këtë vepër një projekt që lidh dy regjime dhe dy periudha të ndryshme të historisë shqiptare.
6. Triporti në periudhën e komunizmit. Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe më vonë me Kinën, Triporti fitoi rëndësi të veçantë strategjike. Gjatë viteve ’70, kodrat përreth u fortifikuan me bunkerë dhe u ndërtuan struktura nëntokësore, të projektuara për mbrojtjen e zonës në rast sulmi. Viti 1962: Planifikimi dhe përzgjedhja e Triportit.”Aksioni me Goditje” dhe Ndërtimi (1963-1965). Ndërtimi i Triportit filloi në një kohë kur Shqipëria nuk kishte më ndihmë ekonomike nga Moska, ndaj i gjithë projekti u bazua te krahët e punës së rinisë shqiptare. Gjatë viteve 1963-1964, në zonën ranore të Zvërnecit u ngrit një kamp gjigant me çadra ushtarake. Mijëra të rinj të moshës 16-22 vjeç nga rrethet e Shqipërisë së Mesme dhe Jugut u sollën me turne 3-mujore. Këto turne quheshin aso kohe aksione të rinisë. Kushtet e jetesës ishin spartane: Ushqim i thjeshtë, ujë me racion dhe punë fizike nga agimi në muzg. Sfida e parë ishte hapja e rrugës. Zona e Vlorës deri në Triport ishte një kënetë dhe rërë e lëvizshme. Pa pasur ekskavatorë modernë, aksionistët përdorën thasë me rërë dhe gurë të vegjël për të krijuar shtratin e parë të fortë të rrugës, mbi të cilën më pas do të kalonin kamionët.
Beteja me Detin. Pjesa më heroike dhe e rrezikshme ishte ndërtimi i dallgëthyesit. Kamionët e rëndë që vinin nga gurorja e Radhimës i shkarkonin gurët gjigantë në breg. Nga aty, ushtarët e xhenios ushtarake dhe aksionistët, duke përdorur varka të rënda prej druri (barka pontone) dhe litarë trashë, i shtynin gurët në koordinatat e sakta në det për të krijuar murin mbrojtës nënujor. Mbi këta gurë, inxhinierët shqiptarë projektuan hedhjen e një lloj betoni special që ngurtësohej nën ujë.
Përurimi dhe Faza e Parë (1965). Dokumentet e Ndërtimit të Portit (1962-1965). Gazetaria Zyrtare e Kohës (1963-1965): Gazetat si “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi” të njëjtat dokumentojnë me artikujt dhe fotografitë e mobilizimit të “Aksionistëve të Rinisë” dhe ecurinë e punimeve në rrugën e Pyllit të Sodës dhe Kalatës së Triportit. Triporti ishte pjesë e zonës kufitare më të kontrolluar të vendit. Për shkak të afërsisë me Italinë, hyrja në zonë lejohej vetëm me autorizim. Peshkarexhat kontrolloheshin para çdo daljeje në det, ndërsa kapitenët përzgjidheshin mbi bazën e besueshmërisë politike. Në çdo ekuipazh kishte edhe bashkëpunëtorë të fshehtë që mbikëqyrnin detarët për të penguar çdo tentativë arratisjeje.
7. Në Triport po merr formë një nga projektet të viteve të fundit: Porti i Integruar i Triportit. Ai parashikohet të zëvendësojë një pjesë të funksioneve të portit të Vlorës, duke shërbyer për transportin detar, peshkimin dhe shërbimet portuale. Kantieri shtrihet në kufirin perëndimor të fshatit Zvërnec, pranë Lagunës së Nartës, një zonë me vlera të njohura natyrore dhe mjedisore. Projekti, me një kosto të vlerësuar rreth 45 milionë euro, po realizohet nga një bashkim kompanish shqiptare. Punimet, të cilat për një periudhë u pezulluan, kanë rifilluar. Po të shikosh letrat afati fillestar i përfundimit, i parashikuar për vitin 2025, tashmë është tejkaluar. Jemi në korrik të vitit 2026 dhe ritmi i punimeve të lë të kuptosh se do të duhet ende kohë derisa porti të marrë formën përfundimtare. Nga c’pash nga gurët dhe skrepët do duhent kohë që ky port të filloj të funksionojë. Teksa shihja kantierin, pranë meje u ndal një grua me një djalë rreth katërmbëdhjetë vjeç. Djali ngriti telefonin dhe bëri disa fotografi.
– Çfarë është ky? –pyeti ai.
-Porti i ri, iu përgjigj e ëma.
-Po a nuk e kemi një port në Vlorë?
Gruaja buzëqeshi -dhe tha:
-Jo, nuk e kemi më. Atë e ka marrë oligarku…
Porti i ri nuk është një ide e lindur sot. Ai i përket projektit të hartuar në vitet 1962–1965, por për dekada me radhë mbeti vetëm në letër, duke kaluar nga një periudhë në tjetrën pa u realizuar. Pikërisht ekzistenca e këtij projekti u përdor si argument për zhvendosjen e funksioneve të portit të Vlorës dhe dhënien e tij një investitori privat nëpërmjet formulës së debatueshme të “1 euro”. Ndërtimi i portit të ri po financohet me fonde publike, pra me taksat e qytetarëve shqiptarë. Sa do të zgjasë ndërtimi dhe kur do të përfundojë, është ende e vështirë të thuhet. Afatet e parashikuara tashmë janë shtyrë dhe vetëm koha do të tregojë se kur ky projekt i nisur më shumë se gjysmë shekulli më parë do të marrë më në fund formën e tij përfundimtare. U ktheva në Vlorë . Triporti nuk është thjesht një vend në hartë. Ai është një copëz historie shqiptare, ku çdo epokë ka lënë shenjën e saj. Mes gurëve të lashtë dhe kantierit të ri, mbetet një pyetje që vetëm vitet do t’i japin përgjigje: çfarë do t’u lëmë brezave që do të vijnë? Triporti është vendi ku takohen tre kohë: lashtësia, kujtesa dhe e ardhmja. Deti vazhdon të përplasë dallgët mbi gurët e bankinës ilire, ndërsa pak më tej makineritë ndërtojnë një port të ri. Vetëm koha do të tregojë se cili prej tyre do të lërë gjurmën më të thellë në historinë e këtij bregu. Triportin e lashë pas, ndërsa dielli po zbriste ngadalë mbi det. Pas meje mbetën gurët e portit të lashtë, kantieri i portit të ri dhe heshtja e lagunës. Në këtë cep të Vlorës, historia nuk ka pushuar kurrë së shkruari. Ajo vazhdon të ecë mes rrënojave të djeshme dhe ndërtimeve të sotme, duke ia lënë kohës të japë gjykimin e saj.






















