Familja Sollomoni qytetar të nderuar dhe respektuar vlonjatë
Samiko Sollomoni u lind më 20 maj 1955 në një familje hebreje që banonte në qytetin e Vlorës. Pasi mbaron shkollën 8 vjeçare, vazhdon gjimnazin dhe më pas i del e drejta e studimit në fakultetin ekonomik në Tiranë, të cilin e përfundon në vitin 1978. Familja dhe njerëzit e afërm të Samikos ishin të inkuadruar në jetën e qytetit të Vlorës. Me punën dhe aktivitetin e tyre ata ishin qytetar të respektuar,me rreth miqësor e shoqëror. Jeta e familjes Sollomoni ishte njësoj si e një familje vlonjate. Ata njihnin të gjitha traditat tona dhe në sebepe,dreka apo darka këndonin labçe dhe pinin rakinë me dolli sipas zakonit. Edhe pse kanë shumë vite që janë larguar nga Shqipëria, familja e tyre mbahet mënd dhe kujtohet për mirë. Këto lidhje dhe marrëdhënie të mirë, kjo dashuri për Shqipërinë bënë që ai me familjen e tij të vijnë shpesh për të vizituar dhe takuar njerëzit e tyre, me shokët e miqtë që kanë këtu. Midis shumë shokëve dhe miqve që kanë në Vlorë dhe në qytetet e tjera po përmend Rasim Hoxhën dhe Bashkim Cilagën me orgjinë Dibran, të cilët janë shok që në kohën që kanë qënë studentë në vitet 1974-1978. Ata duke filluar nga dita e parë që Samiko erdhi në Tiranë deri sa ai u largua për në Izrael, interesoheshin çdo ditë duke e pyetur si po ja kalonin, ku ndodheni, me çfarë mund tu ndimojmë, kur do të ktheheni në Tiranë për tu takuar.
Udhëtim në Alpet e Shqipërisë dhe trojet shqiptare matanë kufirit
Më datën 11 shtator ai së bashku me bashkshorten Elenën dhe vajzën Anën erdhën në Shqipëri për të qëndruar disa ditë. Ja si u shpreh Samiko pasi u takova me ta në aeroportin e Rinasit:“Më rrënqethet mishi kur zbres nga avioni dhe prek tokën Shqiptare, këtu u linda, u rrita, u arsimova dhe krijova familje ndaj kam emocione të tilla“. Ai kishte kohë që më kishte shprehur se donte të vizitonte në Shqipëri ato vende që nuk i kishte parë dhe shkelur me këmbë. Ndaj më datën 12 shtator së bashku me Familjen Sollomoni morëm udhëtimin drejt veriut të Shqipërisë. Ndalesën e parë e bëmë në kishën e Shën Ndoit, e cila është një nga vëndet e shenjta të mira dhe të rralla që ka vëndi jonë. Vizituam ambientet, u futëm brenda në Kishë dhe përshëndeteshim me njerëzit e shumtë që kishin ardhur nga shumë qytete të Shqipërisë. Porsa futesh në ambientet e këtij vëndi të shenjtë të kapin emocione dhe ndjen një qetësi në shpirt. Largohemi nga ky vend i mirë dhe vazhdojmë rrugën drejt kryeqëndrës së veriut të vëndit, Shkodrës së bukur, ku Zoti i ka dhënë një bukuri të rrallë, e rrethuar me male, me liqen, me vijë bregdetare me plazhin e Velipojës, me lumin e Drinit dhe atë të Bunës, ku para se të futesh në qytet të shfaqet madhështore kalaja e bukur e Rozafës. Në dalje të qytetit në një rrethrrotullim ndalemi dhe shikojmë monumentin e pesë Heronjeve të Vigut, i restauruar dhe i vendosur në një pozicion të përshtatshëm dhe që bie në sy, çka tregon për vlerësimin e aktit të këtyre djelmoshave që dhanë jetën për Shqipërinë.
Kalojmë Koplikun dhe marim rrugën për në Vermosh. Sa kalon Rrapshin ndalemi te vëndi i quajtur ballkoni dhe çtë shikoje, një panoramë e mrekullushme, të dukej vetja si në avion, syri të shikon male të larta dhe posht në fund të tyre lumin e Cemit që vjen nga Tarara dhe gurgullon mes malesh. Takohemi dhe përshëndetemi me shumë turistë të huaj që kishin ardhur me motorrë nga Hollanda, Gjermania, Çekia, Polonia etj. Kjo është panorama më e bukuri në vëndin tonë. Poshtë këtij ballkoni Leqet e Hotit, rruga gjarpëron në faqe shkëmbore, por me një sinjalistikë të rregulltë dhe normale për të kaluar. Zbresim poshtë dhe rruga i afrohet bregut të lumit dhe pas disa kilometrave arritëm te ura mbi lumë, te ura e Tamarës 50 m e gjatë. Qëndrojmë në Tamar, qëndra administrative e Kelmendit. Tamara para shumë vitesh ka pasur 120 shtëpi ndërsa sot ka rreth 50. Edhe pse janë larguar shumë banor atje funksionon shkolla e mesme, konvikti , kopshti, shërbimi shëndetësor. Tamara e vendosur në buzë të lumit, afërsisht në kuotën 275 m mbi niveln e detit, ku ballëpërball qëndrojnë male të larta, të gjelbëruara, me shumë faqe shkëmbore dhe me ujra të kristaltë që rrjedhin nga to. Kësaj bukurie të natyrës dora punëtore e malësorëve kelmendas i ka ndërtuar edhe shtëpitë e përshtatshme e të bukura, sipas zonës e traditës së tyre,duke e bërë edhe më tërheqës qëndrimin në këtë qëndër të veriut të Shqipërisë. Shkojmë për të ngrënë drekë në lokalin “Shpia e Peshkut“, pronaria e tij Suzana Pepaj, na pret shumë mirë dhe buzë gas, të gjitha produktet e tyre ishin bio dhe prodhime të vëndit. Shërbimi me peshk troftë i rritur në ujrat e lumit të Cemit. Në lokal shërbehej familiarisht, por që të binte në sy pastërtia dhe shërbim i qytetëruar e me kulturë. Të binin në sy njerëz të thjeshte, të afrueshëm, miqësor dhe të lirshëm në bisedë. Suzana, pronaria e lokalit na tregon për historinë e tablos pikturë që kishin të varur në ambientet e lokalit, atë të Norës së bukur të Kelmendit, të cilën donte ta merte për grua një pasha turk, në të kundërtën nëse ajo nuk do të pranonte, ai do të digjte e shkatërronte tërë Kelmendin. Nora për të shpëtuar krahinën pranon të martohet me të, dhe në kohën që ajo shkon në çadrën e pashait, nxjerr nga brezi thikën që mbante dhe e vret pashan turk,duke shpëtuar kështu veten dhe krahinën. Në Tamar fjetëm në shtëpin e Pekut dhe Flora Mernacaj, njerëz shumë mikëpritës dhe bujar, miqësor dhe që na respektuan maksimalisht, jo për pagesën që do mernin, por nga bujaria dhe mikëpritja që u buronte nga shpirti. Njerëz të mrekullueshëm që, edhe pse kanë dalë në pension, punojnë dhe shërbejnë me pasion. Me duart e tyre ata kishin krijuar një ambient të këndshëm e relaksues si brënda në godinë ashtu edhe jasht, oborrin me lule, dhe baçen me perime dhe pemë. Të cilat së bashku me panoramën e mrekullueshme të maleve për rreth të jepnin një qetësi shpirtrore të pa imagjinueshme. Këtu në Tamar, në zemër të alpeve shikoje edhe ulli, fiq dhe pemë të tjera që dora e këtyre malësorëve punëtor kishin mbjellë dhe i kultivonin. Më pas vazhduam rrugën drejt Vermoshit, rrugë e mirë,me bukuri e pejsazhe do thosha mahnitëse, syri të shikonte male të veshura me pyje e bimësi të ndryshme. Arrijmë në Vermosh,një qëndër e vogël jo si Tamara, në mes të livadheve e kopshteve të banorëve vëndas. Në Vermoshin e vendosur afër kufirit shtetror me Malin e Zi, të kënaqej syri kur shikoje malet e larta të Alpeve tona, një bukuri e rrallë dhe pasuri e madhe e këtij vëndi. Të shkosh deri në Vermosh e të mos shkosh më tej në tokat shqiptare,nuk po e ndienim veten të qetë. Matanë kufirit jetojnë njerëz që jemi të një gjaku, janë vëllezërit tanë dhe ne vëllezërit e tyre, ndaj më 13 shtator vendosëm të vazhdonim matanë kufirit për në Pllavë dhe Guci. Sa kalon doganën shqiptare dhe atë malazese, të cilët nuk na nxorrën asnjë pengesë, pas disa kilometrave të shfaqej liqeni, i cili i jepte një bukuri edhe më të veçantë kësaj zone dhe shtrihej deri në qytetin e Pllavës. Ajo që na bëri më shumë përshtypje në këto qytete, kur komunikonim me njerëz të ndryshëm dhe ata e mernin vesh që ne ishim shqiptarë nga Vlora, ata tregoheshin të gatshëm për të na ndihmuar. U kthyem parsëri nga erdhëm dhe vendosëm rrugës të vizitonim ndonjë qytet që ka lidhje me historie e hershme të Kombit tonë, dhe vendosëm për të shkuar në Prizren. Por koha nuk na mjaftonte për të shkuar sot, ndaj qëndruam dhe fjetëm në qytetin e Rrëshenit.
Udhëtim në veri lindje, në qytetin e Prizrenit
Më 14 shtator u nisëm herët nga Rrësheni për në Kukës e më tej për në Prizren. Rruga e Kombit ishte shumë e mirë, për afro një orë arritëm në Kukës. Rrugës ndaluam për të parë bukuritë e rralla që afron kjo zonë. Ndaluam në hyrje të Kukësit dhe pamë bukurinë e rrallë të liqenit të Fierzës si dhe bashkimin e dy lumenjve atë të Drinit të Zi dhe të Drinit të Bardhë. Më tej vazhduam rrugën për në Morinë. Gjatë kësaj pjese të rrugës të kanaqej syri kur shikoje malin e Gjalicës dhe atë të Koritnikut në lindje të qytetit të Kukësit dhe në veri atë të Pushtrikut në rrethin e Hasit. Më tej vazhduam rrugën për në doganën shqiptare dhe atë kosovare, ku nuk na ndaluan fare vetëm sa shikonin targën e makinës. Pasi arritëm në Prizren shkuam në Muzeun e Lidhjes së Prizrenit, i cili ndodhej në anë të bulevardit që shkon paralel me lumin me emër Lumbardhi. U futëm brenda në Muze të emocionuar, mundëm të lexonim dhe të bënim disa foto si ajo te busti i tre patriotëve të mëdhenj të Kombit tonë, busti i Isa Buletinit, Abdyl Frashërit dhe Bajram Currit.
Në stendat e varura do të lexoje vitin e formimit më 1878 të Organizatës politike dhe ushtarake të Lidhjes së Prizrenit. Lidhja formoi qeverin e parë shqiptare me kryeqytet Prizrenin dhe Kryeministër i parë u emërua Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri u emërua ministër i punëve të jashtme dhe Sulejman Vokshi ministër i mbrojtjes. Veprimtarie e Lidhjes së Prizrenit është mbajtur në Xhamin e ndërtuar në vitin 1571 që ndodhet ngjitur me muzeun. Në dhomën ku ishte bërë shpallja e krijimit të lidhjes ishin fotografit e patriotëve dhe veprimtarëve të saj si ajo e Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit, Sulejman Vokshit, Iljaz Pashë Dibrës, Pashko Vasa, Said Toptani, Haxhi Zeka, Mehmet Vrioni, Zija Prishtina, Daut Borici dhe Mustafa Nuriu. Më 30 mars 1999 forcat serbe shkatërruan duke rrafshuar me ekskavator godinën e muzeut të Lidhjes së Prizrenit dhe rrëmbyen shtatoren e Ymer Prizrenit dhe Abdyl Frashërit. Por nuk zgjati shumë dhe ajo i rindërtua përsëri nga mëndjet e ndritura dhe populli patriot i Kosovës. Me këdo që biseduam në Prizrenin e bukur dhe historik, dhe sa u thoshim jemi shqiptar,jemi nga Vlora, na përgjigjeshin me dashuri dhe na thoshnin Vlora e Ismail Qemalit. U larguam nga ky qytet me përshtypjet më të mira dhe duke u ndjerë më krenar që jemi shqiptar. Kjo na shërbeu për të shtuar edhe më shumë dashurinë për shqiptarët e Kosovës, në mënyrë të veçantë për ata burra që bënë këtë kuvend mbarë shqiptar, Lidhjen e Prizrenit. Vazhduam rrugën e gjatë për në Peshkopi, me shumë kthesa, por me pejsazhe të bukura, vënde-vënde ajo kalon në faqe të malit të Korabit dhe poshtë në mes të maleve kalon lumi i Drinit të Zi. Shpesh shikonim banorët e pakët që kanë mbetur në këto zona të thella që mblidhnin prodhimet bujqësore të vjeshtës. Arritëm në mbrëmje në Peshkopi dhe ndënjëm për të fjetur e pushuar në hyrje të qytetit.
Udhëtim në vendet turistike në zonës juglindore
Më datëm 15 shtator u nisëm nga Peshkopia drejt qytetit të Strugës. Porsa kaluam doganën shiptare dhe atë maqedanase, pasi ecëm disa kilometra kaluam edhe Dibrën e Madhe, qëndruam mbi argjinaturën e hidrocentralit të ndërtuar mbi lumin e Drinit dhe panorama ishte shumë e bukur , si me pamjen e liqenit ashtu edhe me terrenin e pyjet përrreth. Përballë nesh në perëndim duken me radhë fshatrat tona si Tërbaci, Lladomerica, Ostreni etj dhe rruga që shkon lartë për në Stërblevë dhe Gollobordë. Më tej rruga shkonte buzë liqenit dhe e veshur me pyje në të dy anët. Pas afro një orë e gjysëm arrijmë në fshatin Veleshnjë dhe pas disa kilometrave mbërrijmë në qytetin e Strugës. Qëndrojmë në anë të bulevardit ku ndodhet ura mbi rrjedhjen e lumit të Drinit të Zi nga liqeni i Ohërit. Uji që del nga liqeni është i kristaltë dhe i kthjelltë, duke e kthyer në një qëndër të vizituar dhe frekuentuar nga shumë qytetar në lokalet që kishte në buzë të liqenit. Qëndrojmë në një lokal për një kafe,kamarieri dhe personat që kishim në tavolinën afër nesh flisnin shqip. U themi edhe ne jemi shqiptar dhe ata na respektojnë dhe na pyesin nga cili vënd jemi. Qytetit të Strugës ja shton bukurinë liqeni i Ohrit, si dhe infrastruktura e vetë qytetit, lulishtet pemët dekorative ndërtimet, tortuaret e rregulluara etj. Në perëndim të Stugës, kufiri midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kalon në vëndet e quajtura maja e Zezë, mali i Kallkanit dhe ai i Raducit. Vazhdojmë rrugën drejt bregut të liqenit, ku në shumë vënde do të shikoje njerëz që bënin plazh. Kalojmë përmes qytetit të Ohrit dhe vazhdojmë rrugën e bukur buzë liqenit deri sa mbërritëm në doganën maqedonase dhe më tej atë shqiptare. Arrijmë në qytetin e bukur të Pogradecit. Bëjmë një shetitje nëpër qytet dhe në buzë të liqenit. Gjëja e parë që të bie në sy është bukuria,lulet e shumta, rrugë të pastra,buza e liqenit me rërë të pastër, ku edhe pse ishte pasdite do të shikoje në liqen njerëz që laheshin. Më pas shkojmë në Tushemisht, një qëndër turistike e frekuentuar në çdo muaj të vitit, e bukur dhe e sistemuar,me shërbime si për të fjetur dhe për të ngrën të një cilësie të lartë. Qëndrojmë dhe shikojmë shtatoren e Artistes së Popullit, Violeta Manushi dhe presim radhën edhe ne për të bërë foto me bustin e saj. E gjithë kjo qëndër turistike përshkohet nga ujërat e kthjellta që dalin nga toka dhe derdhen në liqen. Në mëngjes të datës 16 u nisëm për në Korçë, dhe më tej për në Bilisht. Të dyja këto segmente të rrugës por në mënyrë të veçantë në atë për në Bilisht do të shikoje parcela të mëdha me pemtari, e në mënyrë të veçantë me mollë të variateteve të ndryshme, çka tregon se banorët e këtyre zonave janë njërëz punëtor. I afrohemi Bilishtit dhe në veri shikojmë malin e lartë të Ivënit dhe rrugën që shkon për në liqenin e Prespës dhe në anën tjetër malin e Moravës. Bukurisë së fushave i shtohet edhe ajo e fshatrave të sistemuara të cilat ndodhen në të dy anët e rrugës. Kthehemi për në qytetin e Korcës, pasi arrijmë, qëndrojmë në qëndër të tij dhe bëjmë shëtitje.Na bie në sy një qytet shumë i bukur, ku çdo gjë që shikoje është jo më poshtë se në qytetet evropiane. Kalojmë nëpër pedonale dhe qëndrojmë para godinës ABC e ndërtuar në vitin 1840 ku në vitin 1887 u hap mësonjtoria e parë shqipe dhe më vin në mend fjalët e Naim Frashrit,
Lumja ti moj Korçë o lule
Që i le pas shoqet e tua
Si trimi në ball u sule
Ta pacim për jetë hua
Gjuha jonë sa e mirë
Sa e ëmbël sa e gjerë
Sa e lehtë sa e lirë
Sa e bukur sa e vlerë
Dhe më lartë ndërtesës së mësonjtores, shohim madhështore katedralen dhe ushtarin e panjohur që e zbukurojnë hijshëm këtë shesh. Pasi pushojmë pak nisemi për në qëndrën turistike të Dardhës.Duke ju ngjitur malit përpjet ndihet edhe më shumë freskia dhe aroma e pishave. Qëndrojmë në një cezëm që ndodhej në anë të rrugës dhe u kënaqëm me ujin e ftohte duke e pirë dhe freskuar. Rruga ishte e mirë dhe sa më lartë ngjiteshe aq më i dëndur ishte pylli me bredha dhe pisha. Dalim në një qaf dhe rruga zbret poshtë, në të djathtë kthen rruga për në fshatin Arëz. Pas disa minutash udhëtim shikojmë ndërtesat e para tyë fshatit Dardhë. Ndalemi në qëndër, takohemi dhe përshendetemi me banor,bile njëri prej tyre na ftoi në shtëpi duke na qerasur me raki shumë të mirë kumbulle. Dardha është e vendosur në lartësinë 1300 m mbi nivel të detit. Në çdo kohë na thotë i zoti i shtëpisë frekuentohet nga shumë vizitor, ndërsa në dimër jetojnë afro 10 familje. Panorama e kësaj qëndre turistike ishte shumë e mirë, e mbuluar me drurë të lartë si dhe klima e freskët në behar dhe e ftohte e me borë në dimër e bëjnë Dardhën një nga destinacionet më të kërkuara dhe të frekuentueshme. Largohemi nga Dardha dhe rrugës qëndrojmë në qëndrën e fshatit Boboshticë dhe takohemi me banor dhe interesohemi për ndonjë bujtin për të fjetur, por nuk kishte dhe më pas u larguam për në qytetin e Korçës, ku u sistemuam në një hotel, ku kushtet dhe shërbimin i kishte shumë të mira.
Udhëtim në jug të Shqipërisë me familjen Sollomoni
Në mëngjes të datës 17 largohemi nga Korça dhe marim rrugën për në rrethin e Kolonjës, pasi kalojmë urën e floqit, rruga nuk shkon nga kthesat e Qarrit, por çan malin përmes dhe del afër Mollasit. Matan Mollasit rruga kalon në pjesën e vjetër të saj deri në qytetin e Ersekës, i cili është vendosur në pllajë poshtë malit të Gramozit. Qëndrojmë në qëndrën e qytetit, një qytet i vogël, në qëndër dhe në periferi i rregulluar, i sistemuar, i pastër dhe me lule. Rruga matan Ersekës vazhdon me shumë kthesa e me një gjatësi 42 km. Kalojmë fshatrat me radhë Borovë, Barmash, Gërmenj, Shelegur etj. Nga qëndra e biznesit “Farmë Sotir‘‘ deri në Leskovik malet janë të mbuluara me pishë dhe bredha dhe krijojnë një bukuri të papar. Matan Leskovikut rruga zbret poshtë deri sa duket me sy lumi i Vjosës. Duke zbritur na pret rrugën një kope me dhi, ndalemi dhe takohemi me bariun të riun Erion Cerkani nga Leskoviku. Bisedojë me të si ja kalonte si ishte vet por edhe bagëtit si i kishte. Ai na thotë: Kam 450 kokë dhi, por e kam të vështir ti mbaj vet, se nuk më vjen njeri për të punuar me mua, baban që kam ja shikoheni mezi ecën e kam edhe të sëmur. Lëm ujrat termale në krahun e majtë dhe pas pak kilometrave arritëm në fshatin Carcovë. Qëndrojmë pak, hëngrëm edhe drekë, ku prodhimet i kishin të gjitha të tyre dhe të freskta. Përballë kemi malin e Memërckës i cili ngrihet gjigand me shumë faqe të thepuisura e shkëmbore dhe vënde vënde edhe i veshur me pyje. Poshtë malit duket rrjedha e lumit të Vjosës, i cili nuk kishte sasi të madhe prurje uji, por në disa vënde kishte ngjyrë të kaltër. Arritëm në qytetin e Përmetit. Pasi sistemohemi në një hotel në anë të rrugës që shkon për në Këlcyrë, shkojmë në qytetin e Përmetit. Gjëja e përë që të bie në sy janë lulet që kanë mbushur anët e tortuarëve dhe nëpër shtëpi. Qytet i bukur në buzë të lumit, me gjelbërim e lulishte të shumta. Sa kalon urën mbi Vjosë ,të bie në sy të shkruar me gërma të mëdha, Përveç detit kemi gjthçka tjetër. Dhe me të vërtet në këtë qytet e rreth vetëm deti mungon, se kanë shumë gjëra të mira, mikpritjen, ujrat termale, likot,l ikerërat, rakinë, bulmetrat, sazet dhe melodit e bukura dhe shumë patriot dhe mëndje të ndritura përmetare. Ndalemi në një pik dominuese këtu në qytet dhe Samikua fotografon si gjithë andej edhe këtu në Përmet, objekte,malin e Dhëmbelit, rrugicat dhe lumin e Vjosës. Megjithse dielli ka perënduar ne shikojmë njerëz që lahen në ujrat e kthjellta të Vjosë, e cila kë një gjatësi 272 km, prej të cilave 80 km janë në teritorin grek dhe 192 km në teritorin e Shqipërisë. Në mëngjes të datës 18 shkojmë në ujrat termale të Bënjës që ndodhen në fshatin po me këtë emër. Ato ndodhen në rrjedhën e lumit të Langaricës 6 km larg rrugës kryesore. Kur shkuam atje, ato ishin plot me njerëz nga shumë qytete dhe vënde të botës, kishte gjerman, belg, polak etj. Samikua e provoi u fut në dy nga vaskat dhe ndenji disa minuta, u kënaq me ujin e pastër dhe të vaktë. Në hyrje të ujravë termale shikoje kampikg dhe makina të sistemuara të huaja që kishin ardhur për të vizituar dhe pushuar në këto ujra termale. Për të kaluar nga një ana e llixhave në tjetrën përtej lumit duhet të kaloje mbi një urë me hark e ndërtuar me gurë që në kohën e pushtimit osman. Largohemi nga ky vend kurativ dhe i virgjër dhe marrim rrugën për në Këlcyrë. Në grykën e Këlcyrës qëndrojmë dhe pushojmë në lokalin përtej lumit të Vjosës. Tavolinat e lokalit ishin në buzë të lumit, ku nën vete shikoje ujin e kristalt të lumit, ku së bashku me pejsazhin e maleve dhe pyjet krijonin një panoramë sa të bukur aq edhe qetësuese. Qëndrojmë pak dhe vazhdojmë rrugën për në Tepelenë. Bukuri të rralla,lumi dhe rruga shkojnë paralel duke çar dy vargmalet Trebeshin- Dhëmbel- Memërck dhe Shëndëlli -Lunxheri -Bureto, kalojmë urën e bukur të Dragotit atë të Leklit dhe arritëm në Tepelenën e vendosur në rrëzë të maleve të Kurveleshit. Vazhdojmë rrugën për në Levan të Fierit për të shkuar në Berat. Kthehemi në fshatin Poçem të Mallakastrës. Qëndrojmë në qëndër të fshatit dhe shikojmë ujin që dilte nga toka të cilin e kishin sistemuar në disa çezma, ku njerëzit e përdornin për ta pirë dhe freskuar. Ecim dhe në mbrëmje pas një udhëtimi të gjatë dhe të lodhshëm vendosemi në një hotel në fshatin Poshnjë të Beratit. Më datëm 19 shkuam në Berat, qytetin e vjetër turistikë dhe të bukur buzë lumit të Osumit. Në rrugën që shkon për në Kalan e Beratit ndodhet muzeu Sollomoni, futemi brenda dhe e vizitojmë. Ne stendat e varura lexojmë emra të qytetarëve beratas që kanë strehuar e ndihmuar hebrenj gjatë Luftës Dytë Botrore si dhe emërat e hebrenjëve të shpëtuar. Largohemi nga muzeu duke e vlerësuar si një punë e mirë në respekt të shqipëtarve por edhe të hebrejve për sakrificën e madhe të tyre. Kthehemi pas dite në qytetin e Vlorës, në Vlorën e Flamurit, në Vlorën që ka ndryshar dhe po ndryshon çdo ditë. Këtu në Vlorë u lidh edhe miqësia midis familjes Sollomoni dhe asaj Koçerri. Një miqësi më se 100 vjeçare e që do të vazhdojë në breza. Por Samikua kishte dëshirë për të shkuar në fshatin Beshisht, atje ku janë strehuar prindërit e tij gjatë luftës. Pra ditën e datën 20 shkuam në shtëpinë e familjes Myrto Shurdhit, sa futemi në oborr të dy burrë e grua në presin me dorë në qafë duke na thënë mirë se keni ardhur. Kaluam një drek të këndshme në këtë familje të mirë dhe bujare. Myrtua na flet për vëndin ku janë strehuar prindërit e Samikos, por që sot nuk ndhohet as edhe një mur, pasi janë prishur. Ai na tregon për lidhjet dhe miqësinë e babait të tij Dule Shurdhit me baban tim Gjysh Koçerri. Në periudhën e luftës tregon ai Beshishti kishte 50 shtëpi ndërsa sot ka 10 deri në 15 pasi jan larguar. Kemi jetuar me shume vështirsi e sakrifica thot ai. Bashkshortia e Myrtos, Mejua tregon: Ngrihesha në mëngjes në orën 3 meria rrobat për të larë në govat i lija te çezma e fshatit dhe shkoja në punë te stallat e lopëve dhe kur kthehesha në shtëpi kisha disa pjestar që u shërbeja. Ata na pritën me zemër të hapur dhe u ndamë përsëri me dorë në qafë. Samikua, Elena dhe vajza e tyre Ana si dhe unë bashkë me Violetën u kënaqëm dhe u çmallëm me këta njerëz të mirë duke u premtuar se do të vim përsëri. Gjatë ditëve që qëndruan në Vlorë së bashku shkuam në disa vënde të bukura turistike si në Kaninë, në lumin e Vlorës, ku rruga e re të krijon mundësinë par ta përshkruar e parë fshatrat e kësaj krahine në kohë më të shkurtër.
Mbresa nga udhëtimi dhe qëndrimi në Shqipëri
Para se të largoheshin në Izrael Samikua, Elena dhe Ana u shprehën: Këto ditë që qëndruam këtu u kënaqëm, kaluam shumë mirë, pamë shumë vende të bukura në Shqipëri që nuk i kishim parë, por që kemi edhe shumë të tjera për të parë. Bukurit e vendit dhe njerëzit e mirë që takuam kudo, na bëjnë që ta duam edhe më shumë vendin tonë Shipërinë dhe të vijmë përsëri. Erdhëm me dashuri dhe mall dhe po ikim po me dashuri dhe mall për vendin tonë.
Situata në Izrael vijon të jetë e tensionuar pas sulmeve me raketa që ushtria e Hamasit lëshoi. Pas konfliktit që ka nisur, ne urojmë që çdo gjë të shkojë mirë dhe ne jemi me ta me shpirt e zemër.