USHTRIA KOMBËTARE SHQIPTARE VEPËR E SHQIPTARËVE, me rastin e 104-vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura

1025
Sigal

Gazeta Telegraf/



Një strukturë e
organizuar në 9 korpuse, mbi 110 brigada këmbësorie, artilerie, tankesh e
shërbimesh, një sistem i zhvilluar shkollash e akademish ushtarake

 

 

 Në vitet
1925-1926 Shqipëria nënshkroi disa traktate bashkëpunimit në fushën ushtarake
me Italinë

– Deri në fund të
nëntorit të vitit 1944 numëronte 70.000 luftëtarë të rreshtuar në 24 brigada, 8
divizione sulmuese dhe 3 korparmata

– Në korrik 1945 efektivi i ishte në
45.000 veta, në fillim të vitit 1946 zbriti në 35.000 veta, për të vijuar më
1954 në 33.500 veta, më 1955 në 41.000 veta , më 1958 në 27.000 veta, drejt
shtimit të limiteve në vitet 60-të e më pas

– 1989 Ushtria Shqiptare, duke tejkaluar madje
dhe raportet e aplikuara nga vet Traktati i Varshavës, kishte 61.000 ushtarakë
aktivë ose mbi 2% të popullsisë, 360.000 rezervistë dhe 200.000 forca

– Ushtria doli nga kazermat dhe u shpërnda në
afro 2.200 pika hapjeje e garnizone ushtarake në të gjithë territorin e vendit

– Për 24 orë viheshin në armë mbi gjysmë
milion burra e gra

 – U dendësua dhe mori përmasa kolosale
procesi i fortifikimit të gjithë vendit me afro 200.000 qendra zjarri

 

Prof. Asoc. Dr.
Bernard Zotaj

Ushtria shqiptare u
udhëhoq dhe u drejtuar nga oficerë atdhetarë

 

104 vjetori i Forcave
të Armatosura është një momenti krenarie, kujtese, nderimi e reflektimi. Më
shumë se në çdo kohë, në këtë vit po lartësohen në kujtesën tonë historike brez
i heronjve, që në rrethana të kobshme përballuan luftërat ballkanike, me plotë
kuraje e besim dhe në një ide fisnike krijuan shtetin shqiptar dhe Ministrinë e
Mbrojtjes Kombëtare (të Luftës) në përbërje të tij. Të gjithë këta burra ishin
njerëz të kthjellët, energjikë dhe apostuj të zjarrtë të kauzës së tyre, ata
bënë një akt të papërsëritshëm, të paçmueshëm, të pashembullt dhe përjetësisht
të respektueshëm. Madhështia e aktit të tyre ka bërë që, pavarësisht përpjekjet
nga regjimet e ndryshme për t’i denigruar, harruar, mënjanuar apo përjashtuar,
të gjithë bashkë kanë zënë vend në kujtesën dhe janë gjithnjë e më shumë pjesë
e trajtesave profesionale të historiografisë ushtarake. Theksoj dhe veçoj se,
ushtria kombëtare shqiptare ishte vepër e shqiptarëve. Dihet, se shtetet
kombëtare nuk krijohen nga aktorë të jashtëm, qofshin edhe Fuqi të Mëdha. Duhet
të ekzistojë një popull, i cili ka nevojë për shtetin e vet kombëtar. Dhe ana
tjetër është se populli duhet të ketë luftuar për të krijuar shtetin e vet të
pavarur. Më tej populli kërkon që sigurisht të krijojë instrumentet e duhur, ku
zënë vend edhe FA që mbrojnë këtë pavarësi. Prof. Kristo Frashëri ka theksuar,
se asnjë nga popujt e Ballkanit nuk ka zhvilluar gjatë shekujve aq shumë
kryengritje kundër zgjedhës osmane, sa shqiptarët. Në periudhën e shkurtër të
Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Ushtria Shqiptare, u udhëhoq dhe u drejtuar
nga oficerë atdhetarë. Ata, vërtet kishin shërbyer në radhët e Ushtrisë së
Perandorisë Osmane, por u përpoqën me mish dhe shpirt të bënin ç’ishte e mundur
për ushtrinë shqiptare të re dhe të brishtë. Ushtria e kësaj periudhe u përbë
kryesisht nga rezervistë, vullnetarë, xhandarë dhe pak forca aktive. Të gjithë
së bashku u përpoqën të kryenin detyrën e vështirë, në kushte kur vijonin të
zhvilloheshin Luftërat Ballkanike dhe u përkushtuan në mbrojtjen e pavarësisë
të arritur me shumë përpjekje të shtetit të ri dhe të rendit. Qeveria shqiptare
në kohën e Princ Vidit (17 mars-3 shtator 1914) kishte të organizuar si forcë
kryesore Gjindarmërinë dhe disa forca ushtarake deri në një regjiment për
mbrojtjen e kufijve jugorë të vendit. Rol të dukshëm patën dhe misionet aleate
të huaja që kishin ardhur pranë qeverisë shqiptare. Vendi pas largimit të Princ
Vidit, u shndërrua në sheh beteje e lufte. Në Luftën e Parë Botërore ushtritë
pushtuese të Austro-Hungarisë, të Italisë dhe të Francës, për interesa të tyre,
bënë përpjekje për të organizuar dhe ngritur njësi ushtarake shqiptare në zonat
e pushtuara. Zhvillimet politike e shoqërore në vitet 1912-1920, shënojnë një
etapë të veçantë e të rëndësishme në organizimin dhe ndërtimin e ushtrisë
shqiptare, por dhe në historinë e popullit tonë. Kjo periudhë kohore pasqyron
dhe reflekton në disa tipare, pikëpamje, mendime dhe karakteristika dalluese të
kombit. Të gjithë ushtarakë, qeveritarë dhe populli bënë përpjekje për të qenë
të organizuar duke përballuar sfidat politike e ushtarake dhe realizuan në
mënyrë të përsosur sigurimin e mbijetesës si shtet.

 

Kongresi i Lushnjës,
çeli një faqe të re në historinë e Ushtrisë Shqiptare

 

Qeveria e dalë nga
Kongresi historik i Lushnjës, çeli një faqe të re në historinë e Ushtrisë
Shqiptare. Në këtë periudhë u shfaq e u formësua bindja dhe kërkesa me sens dhe
përmbajtje thellësisht kombëtare e atdhetare, si në pikëpamje politike ashtu
dhe ushtarake. Diskutimet në Këshillin Kombëtar dëshmojnë për aspektin politik,
ku argumentet, vlerësimet dhe kërkesat për një ushtri të paanshme dhe të
pavarur, të mirëmbajtur, me përmbajtje e bindje tërësisht kombëtare, u
pasqyruan dhe gjetën jehonë të gjerë në shtypin e kohës dhe në tërë opinionin
mbarëkombëtar. Dukuria e re që u shfaq ishte pjekuri e ndërgjegjes dhe e
mendimit kombëtar. Në vijim, morën formë dhe spikatën më qartë koncepti dhe
mendimi ushtarak për ndërtimin e organizimin, stërvitjen dhe përdorimin e
Fuqive të Armatosura dhe të Ushtrisë në veçanti, sipas niveleve bashkëkohore më
të përparuara të kohës. Në këto vite u përvijuan dhe morën forma të qarta
tiparet e Ushtrisë Shqiptare, si një ushtri e kohës gjithnjë në kërkim të
vetvetes. Ajo hodhi gradualisht bazat e organizimit të mirëfilltë e të
qëndrueshëm ushtarak me një imazh bashkëkohor. Përgjatë këtij harku kohor, në
përpjekje për t’u integruar me filozofi e konceptime perëndimore dhe të kohës,
e natyrisht, duke ruajtur traditën, me veçori e përshtatshmëri kombëtare, u
synua dhe u arrit që arkitektura e organizimit, e pajisjes, e armatosjes dhe e
përgatitjes së saj, t’u përafrohej atyre, për aq sa e lejonin rrethanat dhe
mundësit ekonomike, shoqërore, trashëgimia e mentalitetit kombëtar dhe kërcënimi
i vijueshëm i shovinistëve fqinjë. Në këto vite u bë shkëputja nga mendësitë e
format e vjetra dhe tradicionale të stërvitjes, duke përzgjedhur dhe zbatuar
një infrastrukturë ligjore të nevojshme të kohës. U plotësua hap pas hapi
përmes miratimit të bllokut të ligjeve përcaktues për krijimin, organizimin,
pajisjen, arsimimin e kualifikimin, shërbimin ushtarak, trajtimin ekonomik e
financiar. Në këtë periudhë gjetën mbështetje fillimisht në status vlerat
kombëtare, duke u dhënë atyre edhe fuqinë e duhur ligjore. Paralelisht u punua
për krijimin dhe të një kuadri të domosdoshëm me rregullore, të cilat
rregulluan organizimin, jetën dhe veprimtarinë e Ushtrisë Shqiptare. Gjatë
kësaj periudhe u rikonceptua, u krijua dhe u afirmua shumica e institucioneve dhe
programeve të arsimimit dhe të kualifikimit ushtarak shqiptar, duke synuar në
përqasen me kulturën ushtarake perëndimore. I përkasin kësaj periudhe
ndryshimet në rritjen e institucionalizimit të hallkave më të domosdoshme
drejtuese e të komandimit. Kështu u krijua Komanda e Përgjithshme e Mbrojtjes
Kombëtare, u bë kalimi në tre lloj forcash, krijimi i disa armëve e shërbimeve,
si dhe futja në përdorim e armatimeve, e pajisjeve dhe e teknikës luftarake të
kohës. Rritje të dukshme pati në buxhetin e Forcave të Armatosura, ky i
shprehur në shifra mjaft të lartë. Dukuri e kësaj periudhe ishte vlerësimi,
rritja e rolit dhe e numrit të nënoficerëve, me qëllim stërvitjen dhe
përgatitjen e ushtrisë. Vlerësimi iu kushtua dhe zgjerimit të përmasave të
strukturës rezerviste, veçanërisht në kohën e kalimit në sistemin e rregullt të
ushtrisë shqiptare.

 

Traktate bashkëpunimit
në fushën ushtarake me Italinë

 

Në vitet 1925-1926
Shqipëria nënshkroi disa traktate bashkëpunimit në fushën ushtarake me Italinë.
Prania e misionarëve italianë për një kohë afro 10-vjeçare, u duk jo vetëm në
pikëpamje thjeshtë organizative, por edhe me ngritjen dhe vënien në punë të
projekteve për furnizimin, armatimin, pajisjen, si dhe për stërvitjen e
strukturave të Ushtrisë Shqiptare, duke instaluar një koncept dhe praktikë të
re. Ndërkohë u rrit ndjeshëm shkalla e kualifikimit të oficerëve dhe
nënoficerëve shqiptarë në shkollat ushtarake italiane etj. E parë në tërësi,
kjo periudhë të tërheq vëmendjen edhe për fakti se në Forcat e Armatosura dhe
veçanërisht tek Ushtria Shqiptare, politika ishte bërë mbizotëruese dhe
përcaktuese. Kjo dukuri u shfaq rrezikshëm më 7 prill 1939, kur vendi u pushtua
nga fashizmi italian. Nga një vendim politik Ushtria u urdhërua për të mos bërë
qëndresë të organizuar ushtarake ndaj pushtimit fashist. Pavarësisht nga
motivet politike, thekson B. Fisher kjo vinte në kundërshtim edhe me statusin e
Mbretërisë Shqiptare, si dhe me misionin e vet Fuqive të Armatosura. Fakt është
se, ndërmjet dy luftërave botërore ushtria italiane ishte e pranishme në
Ushtrinë Shqiptare. Pavarësisht përpjekjeve të Shqipërisë dhe të Italisë për të
krijuar një ushtri shqiptare të aftë për t’i frenuar armiqtë dhe për të ruajtur
dhe mbrojtur pavarësinë e Shqipërisë, kjo nuk dha fryte të konkrete. Ushtria
shqiptare nuk mund të ngrihej kundër sundimtarëve të saj. Kështu spontanisht,
vetëm disa dhjetra ushtarakë dhe më pak nënreparte të veçuara, së bashku me
vullnetarë popullorë, i bënë një qëndresë prej disa orësh pushtuesit të huaj të
shpërndarë në drejtimet kryesore të zbarkimit. Ky ishte një mesazh i hidhur,
por gjithsesi një mësim për Forcat e Armatosura, për ushtarakët dhe gjithë
popullin, në lidhje me raportin e tyre ligjor e profesional ndaj politikës, të
cilat kishin të bënin drejtpërdrejët me zbatimin e misionit kushtetues për
mbrojtjen e atdheut.

 

Në Luftën e Dytë
Botërore në Shqipëri lindën Forca të Armatosura

 

Gjatë viteve të
pushtimit të Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore lindën forca të armatosura,
tashmë joqeveritare, fillimisht në formë e përmasa të vogla nacionaliste. Por,
pas Konferencës historike e pluraliste të Pezës të vitit 1942, këto forca u
zgjeruan dhe fituan përkatësinë politike si partizane të PKSH, balliste të
Ballit Kombëtar dhe legaliste të Legaliteti etj. Forca e armatosur më e madhe
në numër, e cila paraqiti një skemë organizative me formacione më të
qëndrueshme sulmuese, të cilat erdhën në rritje, ishte UNÇSH, që zotëronte një
fuqi të madhe goditëse, disiplinë dhe shpirt të lartë luftarak. Procesi
organizativ dhe veprimtaria luftarake e saj drejtohej nga një Shtab i
Përgjithshëm profesional. Kjo ushtri pati një mbështetje të gjerë në popull.
Deri në fund të nëntorit të vitit 1944 numëronte 70.000 luftëtarë të rreshtuar
në 24 brigada, 8 divizione sulmuese dhe 3 korparmata, si dhe në dhjetëra
formacione territoriale në tërë sipërfaqen e vendit.

Përvojë të veçantë në
pikëpamje të organizmit ushtarak e më gjerë përbëjnë dhe formacionet luftarake
të drejtuara nga Balli Kombëtar dhe ato të Legalitetit, si dhe të tjera, përvojë
që është trajtuar në tërë gjerësinë e tyre në vitet e demokracisë. Tërheq vëmendjen
fakti se në krye të shtabeve drejtuese e në komandat e formacioneve të mëdha
luftarake, që u krijuan në vitet e Luftës Antifashiste, drejtuan me shumë
aftësi një numër i madh ish oficerë e nënoficerë të karrierës, të cilët vinin
nga radhët e ish ushtrisë shqiptare. Në UNÇSH numri i tyre llogaritet mbi 125
veta dhe, krahas drejtuesve të tjerë, ditën të drejtonin me kompetencë dhe
aftësi profesionale procesin organizativ dhe luftarak në rritje të kësaj
ushtrie. Është rasti këtu të theksojmë se, në kundërshtim me atë që propagandohej
nga udhëheqja politike e saj, se UNÇ u krijua duke mos trashëguar asgjë nga e
kaluara, të pohojmë bindshëm, se UNÇ ishte vijuese e traditave dhe e vlerave më
të mira luftarake, se parimi i vijimësisë së vlerave është universal dhe i
domosdoshëm për progresin dhe ecjen përpara të saj. Një përvojë krejt të
veçantë, që konfirmoi Lufta Antifashiste dhe veçanërisht UNÇSH-ja, me sistemin
e saj të organizimit, ishte afirmimi i parimit të vullnetarizmit. Sipas këtij
parimi, edhe nëse asnjë ligj nuk arrin të realizojë mobilizimin e detyruar,
atëherë shtetasit rrëmbejnë armët vullnetarisht dhe bashkohen në emër të një
ideali të lartë, siç është lufta për liri. Në këtë aspekt, është e
padrejtë, që për hir të pësimit historik, që nuk është vetëm fenomen shqiptar,
të minimizojmë e deri të injorojmë rolin e UNÇSH, fitoren në Luftën e Dytë
Botërore, rëndësinë e madhe që pati për kombin shqiptar aderimi i LANÇ-it në
Aleancën Antifashiste Botërore. Kjo mbetet një faqe e ndritur e historisë së
kombit tonë. Rreshtimin tonë në frontin e të mundurve nazifashist dhe
mosparaqitjen tonë si kontribuues e fitues në Luftën e Dytë Botërore e kërkoi
më 1946 në Konferencën e Paqes në Paris vetëm Caldarasi që ishte mbarsur me
“Megalidenë dhe Vorio-Epirin”. Prania dhe ndihma me përvojë ushtarake,
municione e pajisje luftarake etj, të misioneve aleate pranë formacioneve
luftarake shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore, është njëherazi vlerësim dhe
ndihmesë e çmuar për Luftën Antifashiste Shqiptare.

 

Ushtria Shqiptare e
Luftës së Ftohtë

 

Çlirimi i vendit dhe
periudhat pasuese, hapën një kapitull të ri në historinë e FA shqiptare në
shumë pikëpamje. Ushtria Shqiptare e Luftës së Ftohtë, e krijuar dhe e kalitur
në betejat e Luftës së Dytë Botërore, u trajtësua në përputhje me nevojat e
kohës dhe duke ndjekur fatin e politikës, u mbështet dhe në ndihmën ushtarake
jugosllave, ruse dhe kineze. Në këto vite Ushtria Shqiptare, e quajtur Kombëtare
prej 10 korrikut 1945 deri në korrik 1949 dhe pas kësaj deri në vitet ’90
Ushtria Popullore, kaloi përmes një zinxhiri të gjatë ndryshimi e reformimi.
Fillimisht ajo u zvogëlua shpejtë dhe ndjeshëm. Në korrik 1945 efektivi i ishte
në 45.000 veta, në fillim të vitit 1946 zbriti në 35.000 veta, për të vijuar më
1954 në 33.500 veta, më 1955 në 41.000 veta , më 1958 në 27.000 veta, drejt
shtimit të limiteve në vitet 60-të e më pas. Ushtria shqiptare nisi të
riorganizohej sipas një koncepti dhe filozofie tjetër, duke provuar skema të
reja organizimi dhe vendosjeje, në raport me kërkesat dhe situatat politiko-
ushtarake të kohës, për një mbrojtje sa më të sigurt. Në këtë rrjedhë, deri nga
mesi i viteve ’60 disiplina, koncepti për stërvitjen dhe përgatitjen luftarake
u rinovuan ashtu si dhe armatimi dhe teknika luftarake. Arsimimi i oficerëve
pati një rritje cilësore pasi shkollimi i lartë dhe kualifikimi 
pasakademik bëhej në akademitë më të njohura të ish-BS. Deri në vitin 1961,
arsimimi dhe kualifikimi jashtë shtetit kapte 1/3 e numrit të përgjithshëm të oficerëve
shqiptarë. Ndërkohë, si rrjedhojë e futjes së armatimit dhe teknikës luftarake,
lindën dhe disa armë e shërbime të reja si: aviacioni luftarak, radio zbulimi,
mbrojtja kundërkimike etj., dhe u përsosën ato ekzistuese. Për rrjedhojë, fuqia
mbrojtëse e vendit u rrit, ndërsa ushtria në 1955 u anëtarësua në Traktatin e
Varshavës dhe veproi pothuajse si një armatë e tij prej nga doli në fund të
viteve ’60. Tablo krejt ndryshe paraqiten FA mbas vitit 1966 deri në fillim të
viteve ’90. Në ushtri u hoqën gradat ushtarake, u rivendos posti i komisarit
politik dhe u forcua ndjeshëm, deri në kulm, roli i Partisë në komandat e të
gjitha niveleve. Në psikozën e Luftës së Ftohtë dhe në përputhje me konceptin
politik të kohës e të vetëizolimit, Ushtria Shqiptare mori përmasa të mëdha.
Kështu deri në fillim të viteve ’90 Ushtria Shqiptare, duke tejkaluar madje dhe
raportet e aplikuara nga vet Traktati i Varshavës, kishte 61.000 ushtarakë
aktivë ose mbi 2% të popullsisë, 360.000 rezervistë dhe 200.000 forca
vullnetare territoriale, pa folur për mobilizimin e rinisë shkollore e
studentore të armatosur. Ndërsa në përputhje me një nga parimet e mbrojtjes së
vendit “pëllëmbë për pëllëmbë”, ushtria doli nga kazermat dhe u shpërnda në
afro 2.200 pika hapjeje e garnizone ushtarake në të gjithë territorin e vendit.

 

Në pikëpamje organizative

 

Në pikëpamje
organizative, ushtria ndoqi skemën e fuqizimit dhe të shtimit të njësive të
mëdha operative-strategjike si korpuset deri nga mesi i viteve ’80 dhe më pas
të shumë divizioneve e madje të fronteve. Për të rritur nivelin e përgatitjes
dhe të gatishmërisë luftarake të shtabeve dhe të njësive të Ushtrisë,
zhvilloheshin stërvitje shumëshkallëshe, që kërkonin një angazhim dhe përqendrim
kolosal forcash, energjish dhe mjetesh materiale. Në realitet mbizotëronte
koncepti “populli ushtarë”. Një strukturë mjaft e fryrë, e organizuar në 9
korpuse, mbi 110 brigada këmbësorie, artilerie, tankesh e shërbimesh, një
sistem i zhvilluar shkollash e akademi ushtarake; një numër i madh shkollash
instruksioni për të gjitha specialitetet, disa institucione studimore, industri
ushtarake, baza furnizimi etj; me dhjetëra batalione artmitaliere të shpërndara
në kufirin tokësor e detar etj., kur për 24 orë viheshin në armë mbi gjysmë
milion burra e gra. Krahas këtyre dukurive, u dendësua dhe mori përmasa
kolosale procesi i fortifikimit të gjithë vendit me afro 200.000 qendra zjarri
etj. Për të gjitha këto Ushtria dhe Forcat e Armatosura Shqiptare konsideroheshin
si një faktor i rëndësishëm luftarak në rajonin e Ballkanit. Më qartë Ushtria
Shqiptare u ngrit në lartësinë e duhur si faktor i rëndësishëm në ekuacionin
ushtarak ballkanik. Kjo dhe në saj të ndihmës ruse, por dhe me mbështetjen e
madhe kineze që arriti kulmin e vet. Duke filluar nga marrëveshja e parë
ushtarake me BS më 1947, ndihma ushtarake për ushtrinë shqiptare erdhën duke u
forcuar. Ky bashkëpunim ushtarak shqiptaro-sovjetik njohu ditët e veta më të
mira, kur Qeveria Sovjetike mori vendimin për ndërtimin e bazës detare në
Vlorë, e cila kishte rëndësi për BS e Traktatin e Varshavës. Kjo bazë ishte e
vetmja përmes së cilës Moska do të mund të siguronte praninë e vetë në ujërat e
Mesdheut. Duke shfrytëzuar themelet ideologjike dhe vlerësuar peshën e
rëndësinë strategjike të Ballkanit, Kina afroi një ndihmë të madhe me pajisje,
armatimi e municioni luftarak, mbështetje financiare dhe krijimin e zhvillimin
e industrisë ushtarake shqiptare. Mund të thuhet se investimet në
infrastrukturën e nevojshme për të strehuar sasinë e stërmadhe të pajisjeve
ushtarake të dhënë nga Kina, ndihmës së saj ushtarake në tërësi, Shqipëria
arriti të ngrejë një ushtri shumë të madhe. Për publikun shqiptar gama e
pajisjeve ushtarake që zotëronte ushtria shqiptare, u bë e njohur vetëm pas
marsit 1997, kur u shpërbë ushtria shqiptare. Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe
mjaft të gjatë, pavarësisht nga sistemi në fuqi, që u ndihmua dhe nga aleatët
ideologjikë, ushtria dhe gjithë Forcat e Armatosura u përpoqën dhe ia dolën të
kryejnë misionin e tyre kryesor, mbrojtjen e tërësisë tokësore të vendit. Duke
i analizuar dhe vlerësuar FA e veprimtarinë e tyre me gjakftohtësi, pas kaq
vitesh, duke i zhveshur ato nga mitet dhe tabutë e para viteve ’90 dhe nga
anatemimet e nihilizmi i viteve të tranzicionit, gjykojmë se ajo është një
trashëgimi më të dy anët dhe ngjyrimet me vlerat dhe ekzagjerimet e saj.
Emancipimi i përgjithshëm përmes shkollimit e kualifikimit dhe ngritja e një
sistemi zinxhir të shkollave, akademive e instituteve studimore, pavarësisht
nga ideologjizimi, i cili zhduku anën profesionale dhe harxhoi e mori shumë
energji, kjo periudhë ka arritje të pamohueshme. Forcat e Armatosura si gjithë
shoqëria shqiptare, sidomos dekadat e para, lëvizën nga ndryshimi e jo nga
injoranca.

 

FA demostruan se e
donin dhe mbështesnin demokracinë

 

Rënia e sistemit
politik dhe zhvillimet demokratike në Shqipërinë në fillim të viteve ’90 të
shek. XX, ishte e natyrshme që do të kërkonin një varg ndryshimesh rrënjësore e
rinovimesh edhe në FA të vendit, me një fjalë kryerjen e reformës ushtarake. Në
kryerjen e këtij procesi kompleks e të vështirë, ushtria veproi përgjithësisht
me një frymë demokratike e luajale, duke demonstruar se donte dhe mbështeste
demokracinë. Kështu u bë e mundur që të hidheshin hapa pozitivë në disa
tregues të rëndësishëm. Sasia numerike e ushtrisë në personelin aktiv në vitet
1995-1996 u shkurtua në masën mbi 50%, për të vijuar në fillim të shekullit të
ri në shkurtime mbi 75% të numrit të përgjithshëm të FA krahasuar këto me vitin
1992. Krahas tyre u shkurtua ndjeshëm numri i njësive të kësaj ushtrie, mbi 75%
të tyre.

Arritje u shënuan në
ri përqendrimin e forcave dhe të mjeteve luftarake, në hapjen dhe lidhjen e
ushtrisë me ushtrinë e vendeve të tjera, në arsimimin e kualifikimin e qindra
ushtarakëve në shkollat e tyre, si dhe lidhja me organizma ushtarakë
ndërkombëtarë etj. Përfshirja në nismën Partneritet për Paqe (PpP), futja e
linjës së kontrollit civil në ushtri etj. Përpjekje u bënë edhe për
departizimin dhe ç’ideologjizimin e forcave ushtarake. Por, sidoqoftë, reforma
nuk ia arriti të dalë nga “orbita idealiste” në sferën praktike, veçanërisht në
linjën e departizimit të jetës dhe të veprimtarisë së ushtrisë. Pika më të
përfolura në zbatimin e reformës ishin departizimi me mangësitë e tij, teprimet
dhe spekulimet lidhur me kontrollin civil në ushtri, duke e përdorur në mënyrë
të padrejtë si politikë e FA, duke konfonduar kontrollin civil me kontrollin
nga civilët. Shkurtimet e pastudiuara, emërtimet dhe gradimet, përzgjedhja e
oficerëve për kualifikime brenda dhe jashtë vendit etj., janë parë shpesh si
një çështje personash e funksionesh dhe jo gjithmonë si një çështje e
strategjive të zhvillimit dhe obligimit profesional. Oficerët që u larguan nga
reforma u privuan nga trajtimi ekonomik; një masë e tyre gati u izoluan nga
kontaktet me repartet e institucionet ku kishin investuar energjitë më të mira
atdhetare e profesionale. “Kjo ishte jo
vetëm një goditje e pamerituar e kësaj shtrese intelektuale,
thekson
ish-presidenti Moisiu, por edhe një mos
mirënjohje si për punën e tyre shumë vjeçare në interes të atdheut, po ashtu
edhe një mangësi e theksuar respekti për profesionin e vështirë e të nderuar të
oficerit”.
Vendime të tilla luajtën një rol negativ edhe në marsin e vitit 1997
etj. Pakujdesitë në procesin e zbatimit të reformës dhe përdorimi i FA për
qëllime politike dhe jashtë detyrave të tyre kushtetuese, është një nga mësimet
dhe njëherësh ndër mesazhet më kryesore që përçon dhe na përcjell kjo periudhë
tranzicioni e shndërrimesh demokratike edhe për FA shqiptare. Gjithsesi pa u
viktimizuar nga politika, ushtria e pa nisur në asnjë front, e që nuk zhvillon
dot asnjë betejë, degjeneron dhe nuk ka mundësi të mbrojë as veten, depot e
municionit, etj., bëhet një nga shtyllat e thyera të shtetit, që komprometon
rëndë cilësinë profesionale dhe përgjegjësinë e drejtuesit ushtarak. Në
periudhën e pas Luftës së Ftohtë, ushtria shqiptare iu nënshtrua reformave të
njëpasnjëshme dhe jo rrallë në kontekstin e caktuar, reformat ushtarake në
Shqipëri e kanë humbur kuptimin e tyre. Nga ana tjetër, ngjarjet e marsit 1997
dhe drama me pasoja jetësh njerëzore të pafajshme të paradokohe provojnë se,
nga njëra anë udhëheqja civile nuk ia ka dalë mbanë të kërkojë këshilla të
dobishme nga profesionistët ushtarakë për identifikime sa më reale të rreziqeve
e kërcënimeve të brendshme dhe për ardhmërinë e ushtrisë, nga ana tjetër gjeneralët
dhe ushtarakët e lartë nuk ia dolën mbanë të ngrenë zërin dhe të propozojnë
zgjidhje alternative eprorëve civilë dhe më e rëndësishme, u treguan jo në
lartësinë e duhur të përballojnë deri te niveli më i lartë strategjik, për të
mbrojtur misionin e Forcave të Armatosura, të drejtat e vetë ushtarakëve. Gjithsesi,
ringritja e ushtrisë dhe vijimi i thellimit të reformave në të, pasoi dhe
dominoi periudhën e pas krizës. Sukseset dhe arritjet kanë qenë të pamohueshme
që nga kuadri ligjor deri te ringritja e saj. Këto realitete u testuan më së
miri në vitin 1999 gjatë krizës së Kosovës.

 

Ringritja e reformimi
është përvijuar nga bashkëpunimi me NATO-n

 

I gjithë ky proces,
ringritje e reformimi, është përvijuar nga bashkëpunimi me NATO-n, vendet
aleate e partnere duke u bërë një faktor nxitës në arritjen e deri tanishme që
u kurorëzua me anëtarësimin në NATO. Kanë kaluar mbi një çerek shekulli nga
rënia e shtetit monist dhe tani është koha për të plotësuar e rishkruar
historinë tonë ushtarake, si pjesë e rëndësishme dhe e pandarë e historisë sonë
kombëtare. Shqiptarët si popull dhe posaçërisht Forcat e tyre të Armatosura
kanë shumë nevojë të kenë të shkruar historinë e tyre në mënyrë që, jo vetëm ta
njohin atë mirë, por sidomos për të nxjerrë mësime, madje përmes saj të bëjnë
dhe një vlerësim kritik të ecurisë së tyre, për të qartësuar vizionin dhe
rrugën përpara drejt së ardhmes, pa u penguar nga mangësitë dhe gabimet e së
shkuarës. Sot, duke qenë në pozita më komode, arkivimi i periudhës 104 vjeçare
na lejon të analizojmë pa u kompromentuar si ithtarë; sepse ende kemi një numër
dëshmitarë të gjallë. Publikimet për historinë ushtarake, etj., janë një
investim serioz që duhet të vijojë. Njëherazi, bashkëpunimi me vendet anëtare
të NATO-s e ato partnere, si dhe angazhimi në ngritjen e Muzeut të Forcave të
Armatosura ka qenë një ndihmesë në dobi të pasurimit dhe zhvillimit të
historisë ushtarake shqiptare. Sidoqoftë, sot duhet kuptuar se nuk bëhet fjalë
për të denigruar apo tjetërsuar periudhat, ngjarjet apo protagonistët e tyre,
por për ti trajtuar ato me sa më shumë realizëm, vërtetësi dhe besueshmëri
shkencore. Historia duhet zhveshur nga ato me qëllimin për të parë sa më mirë
realitetin e gjërave dhe thellësinë e tyre. Tani është gjithashtu koha për të
ndaluar procesin e përbaltjes së vlerave dhe të kontributeve të arritura me
shumë sakrifica, luftë, përpjekje dhe investimet e shumë brezave. Njëherësh
duhet ndaluar edhe mania e krijimit të miteve e të kulteve të reja dhe të
fetisheve pafund në histori edhe në ditët tona, me qëllim t’u pritet rruga
denigrimit dhe euforisë që ato ngjallin. Në këtë analizë modeste për historinë
e Forcave të Armatosura Shqiptare në 104 vjet le të na vlejë për ringjalljen e
vetëdijes se gjithçka e bukur e fisnike, se vetë historia e FA nuk asgjëson
vetveten, se humbjet janë të përkohshme, se ato mund të jenë deri diku
kalendarike, aspak shpirtërore, ideale, intelektuale e profesionale. Ato kanë
një interes, ngritjen e forcave ushtarake moderne. Në këndvështrimin njerëzor
nuk duhet të lejojmë që të jemi qortues të
komandantëve, drejtuesve e kolegëve të kohëve të shkuar, që me të drejtë mund
të quhen prindër e gjyshër të forcës joshëse të disiplinës e të kodit etik të
profesionit ushtarak. Jemi të ndërgjegjshëm, se nuk jemi veçse gjykatës të
dobët të vështirësive e përpjekjeve gjigante të tyre. Dhe, nëse do të
perifrazonim G. Kennan, duhet të kënaqemi duke kujtuar, se gjatë karrierës së
tyre ata u ndeshën me vështirësi që buronin nga ngritja, zhvillimi e
modernizimi i Forcave të Armatosura. Dhe nëse njerëzit e dekadave të kaluara
mund të pranojnë, se nuk mund të finalizojnë objektivat e mëdha, brezi ynë dhe
ata më të rinj, nuk mund ta kemi më këtë luks. Dhe në fund të fundit
mosarritjet dhe kritikat për të kaluarën përbëjnë njëherazi mësime, por dhe
sfidën e së ardhmes për drejtuesin ushtarakë e më gjerë. Se ai që merr
përgjegjësi për të ardhmen, duhet të mbajë përgjegjësi dhe për të kaluarën.
Përkundrazi njerëzve të dobët do t’ua zënë vendin të tjerë më të dobët.

 

Përvoja 104 vjeçare e Ushtrisë sonë

Përvoja 104 vjeçare e
Ushtrisë sonë, përveç të tjerash, ruan vlera progresive e pozitive sidomos kur
arritjet ishin të dukshme dhe që meritojnë të shfrytëzohen. E theksojmë këtë se
çdo komb dhe vend i zhvilluar, një forcë e armatosur moderne, nuk mund të bëhet
e tillë pa themelet e traditës, d m th të veprës së elitës apo të
personaliteteve të shquara që përfaqësojnë atë, sepse “burrat e shtetit dhe
luftëtarët e vërtetë e gjejnë rrugën dhe në errësirë vetëm nëse ata nuk injorojnë
dritat që kanë lënë paraardhësit”. Përvoja jonë e afërt vërtetoi faktin me
vlerën e një aksiome, se një ushtri pa tradita rrezikon të mbetet pa
individualitet dhe pa të ajo bie viktimë e përvojave të pavlefshme deri në
tragjedi. Kur analizojmë historinë e FA-së shqiptare, mendja na shkon tek ajo
plejadë e shkëlqyer ushtarakësh, që e krijuan dhe e formësuan atë, tek ata
mjaft të tjerë, që drejtuan me sukses LANÇ-in, te heronjtë e martirët e
vërtetë, të drejtuesit, mjeshtër të fjalës e të veprimit, që rritën e modernizuan
FA-në pas çlirimit, emrat e nderuar që kanë ndriçuar rrugën e karrierës së çdo
ushtaraku shqiptar. Dhe në realitetin e tranzicionit të vështirë, në gjendjen
kur FA u përballen me sfida të rënda, nuk mund të rrihet pa bërë pyetjen:
Vallë, do të ketë përsëri në ditët tona ushtarakë atdhetarë kaq të talentuar,
që të mos mbetet brez pa pasardhës të drejtpërdrejt në sfidat e së ardhmes?
Këto personalitete ushtarake të shkëlqyera nuk lakmonin asgjë nga jeta
materiale, as duartrokitje, as dekorata, as tituj, as fitime. Ata nuk synonin
asgjë përveç se një investimi te vartësit e tyre me përpjekje të qarta,
profesionalizëm, ndjeshmëri kombëtare. Ata e bënë detyrën e tyre. 104 vjetori
veç të tjerash për ushtarakët e ish ushtarakët është një kujtesë për peshën e
lirisë përballë sfidave të misionit kushtetues. Ndoshta është një vit
madhështie për atë gjithçka fisnike, që bënë heronjtë e martirët e vërtetë.
Dhe, siç shprehet politikani dhe shtetari Luigj Gurakuqi “… një popull që nderon burrat e vet, një
popull që pavdekson kujtimin e tyre, jo vetëm në faqet e historisë, por edhe
mbi rasa e monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla,
se njeh miradien e ka dëshirë me u sjellun e me u drejtue mbas shembullit të
mëdhanjëve të vet
”. FA shfaqin dhe mbartin një mision të rëndësishëm
historik në procesin e të cilës, traditat e nderuara të kohës, por edhe
krijohen të reja, si ato të spikaturat për kohën, vlerat e rëndësishme
euroatlantike. Historia e Forcave të Armatosura Shqiptare përcjell dukshëm
mësimin se idealet njerëzore paraprijnë tërë këtë proces të zhvillimit dhe të
reformimit të tyre nga koha në kohë. Këtë ideoi dhe luftoi edhe themeluesi i
shtetit modern shqiptar Ismail Qemali dhe bashkëluftëtarët e tij. Doktrina e
tyre po zbatohet plotësisht në Forcat e Armatosura, mbartësja dhe garantuesja e
vazhdimësisë të mbrojtjes së shtetit dhe traditave kombëtare në momentet e
rëndësishme të historisë. Anëtarësimi në NATO, na ka dhënë një mundësi unike,
për të ndërtuar sigurinë tonë mbi themele solide. Aleanca mbrojtëse e NATO-s
përmbush detyra më të gjëra dhe më politike-ushtarake sesa mbrojtja individuale
e anëtarëve të saj. Sistemi i vlerave të NATO-s është përcaktuar në
stabilizimin e zhvillimeve politike nëse nuk do të kishte ndonjë kërcënim të
hapur ushtarak. Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë kohë që po shpalosin
performancë të lartë në misionet paqeruajtëse e humanitare duke evidentuar më
së miri vlerat tona kombëtare.