-Të kthehesh atje, ku ke një pjesë të historisë tënde nga më të bukurat, qenka emocionuese por edhe trishtuese
-Tani e braktisur nga njerëzit, e rrënuar, që ajo pret në heshtje dorën e dikujt për ta ringjallur.
– Domethënëse thirrja e një shkodrani, malësor në origjinë: “A ka burra kjo kullë, bre…?
Biza
Qenka e dhembshme të kthehesh pas shumë kohësh atje, ku ke lënë një pjesë të rinisë tënde. Ne u kthyem në Bizë këto ditë qershori, pas 50 vitesh. Njeriu ka nevojë të ketë atë që s’e ka më. E ne na mungonte Biza dhe rinia jonë. Shkonim atje, sa herë zbardhej nga bora, në janar-shkurt. Kësaj here e gjetëm plot klorofilë. E bukur edhe kështu, sepse shpumë bardhësinë e shpirtit dhe thinjat tona. Biza është një ëndërr e madhe, e bukur, por edhe më e bukur do të qe po të mos ishte braktisur, po të kishte edhe jetë njerëzish. Biza është qershia mbi tortë për atë zonë.
E Tiranës apo e Martaneshit?! Le ta quajnë si të duan. Biza është sa e njërës dhe e tjetrit. Ajo ështe një perlë, që jeton madhështinë, heshtjen dhe pritjen. Këtë bëjnë ndarjet administrative, kur nuk respektohet historia, etnokultura, kur krijohen konglomerate. Edhe Lura quhet e Dibrës. Edhe Kuçi nuk quhet më i Kurveleshit. As Biza e Martaneshit.
DHE MARTANESHI
Biza ka qenë që herët Martanesh. Kanë qenë një e të pandara. Historikisht të paktën. Që nga shekulli 9.
Shëngjergji, Toma dhe (Dheu i Tomës, Shuteriqi), ka ardhur më vonë, shekulli 16. Martaneshi zonë ngulmimi e lashtë, e quajtur Hunavi e Martaneshit. Mbase Buonavi, rrugë e mirë, apo Hundës ( Aristidh Kola, Arvanitët), fis ilir që sot i gjen të ikur në Indi, Afganistan, apo Hunë të ardhur nga Azia shek.3-4 para erës së re.
Aty kryqëzohen rrugët verore dhe dimërore, me domethënëse janë 72 kthesat e Valit, Masupi shqiptar. Hunavia përfshihet në Ipeshkvinë e Durrësit, Abaci. Më 1227 gurore e stërmadhe për mullinjtë e blojes të drithit të Sevilias, Spanjë, që nënkupton se ka patur rrugë të shtruar, që dilte në detin Adriatik.
Shpella e Grykëvalit, që gëlltit ujërat e Ballenjës, Kaptina mbi 1800 m, shënoi mbi 1600 m, Liqeni i Lepurit me ujë kristali, Gryka e Valit, Pllaja e Bixës, janë aty. Bizë mendohet të vijë nga fjala -bic- qengj i ngopur, fëmijë i shëndoshë. Fjalori. Vendasit i thonë Bixa.
Më 1057, kur ishin ndarë kishat Papat dhe Bizant, Martaneshi është aty me kishën e Shënmartinit ( këtej mund të vijë emri Martanesh Moikom Zeqo), disa thonë nga një Martë, që u hodh nga shkëmbi për të mos rënë në duart e pushtuesit. Më vonë edhe Shën Mëri e Shën Trini. Është aty sot Shkëmbi i Trinisë, në Ballenjë. Biza është larg te 5 km nga Peshku, 3 km nga Vali, tre nga Shëngjergji, plot rrugë lidhjeje.
Biza është zemra, logu, bjeshka, pika e shpërndarjes, kreu që i rri mbi kokë asaj zone si një kurorë mbretërore, qendër administative, kishtare. Shuflai thotë se “këto rrugë kanë funksionuar të paktën që më 1310.” Më 1431, Defteri turk shënon banorë të fshatit Martanesh fiset:”Pal Rusi, Gjin Liti, Martin Dajxhi, Petër Mirineli, Pelegrin Zhaboli, Teodor Rusi, Benk Tinto, Andrea Cukali, Peter Rusi, Gjon Zhaboli, Enzo Kuqi”.
Në Val e Bizë janë fiset: “Kurtprendi, Zhaboli, Dajsi, Skani, Pisha, Shpani, Palimani, Lishi, Teodori.”
Më 1462 ipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli, duke parë se dimri, por edhe vështirësi të tjera, luftëra, pengonin prindërit të pagëzonin fëmijët në kishë, u dha atyre të drejtën ta bënin vetë në shtëpi dhe shkroi të parin dokument në shqip, Formulën e Pagëzimit:” Në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të shenjtë, unë të pagëzoj” zbuluar nga N.Jorga 1915, ruhet në Muzeun kombëtar. Dhe të dhënat janë se letrën e dërgoi në Mat pas një vizite që pati, pastaj direkt në kishën e Trinisë Peshk, Martanesh. Dimrat në Martanesh janë të gjatë, të ashpër, terreni i vështirë.
Shpella e Grykëvalit
Skënderbeu e kishte Bizën fushë kampimi ushtarak për lidhjet me Matin, Dibrën, Elbasanin. Italia e parë, dhe më vonë, kishte aty kazermat ushtarake, që bëri rrugën dhe shfrytëzoi pyjet. Aty Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë sonë, aty Operacioni gjerman i dimrit,14 dhjetor 1943, i koduar 1028. Aty veproi edhe misioni anglez (Dejvis). Aty vepruan Brigadat II, III, batalionet Dajti, Çermenikë, Martanesh, teqeja e Martaneshit me Baba Fajën si shembëll atdhetarie. Në vitet ’70 fshat industrial me 200 frymë, 45 shtëpi, me ndërmarrje NFP, pyjore, fermë blegtorale, laborator sinoptik, Institut për pataten, qendër stërvitore ushtrie, qendër garash për ski, kampe verore për fëmijë, në Ballenjë edhe ashtuquajturi hotel i ministrit (B.Balluku), që ne nuk e pamë të dukej ndonjëherë.
TË LESH “BURGUN” RUTINOR QYTETAS.
E lamë Tiranën ne ish detashmentasit e zbulimit, që shërbyem atje deri më 1992 e që më tej u sistemuam sipas profileve tona.Ishim të gjithë të arsimuar.
Lamë ” qytetin, rrëmujën, rrëmetin, brengën, thashethemin” dhe dolëm në Qafë Priskë. Lamë jetën e “burgut” rutinor qytetas. Në Priskë tjetër botë shpërfaqet përballë. Me horizont të thellë, me male përballë, pyje, freski, përrenj që zbresin si rrjedha loti deri poshtë faqes së malit. Autobuzi rrëshqet lehtë e ëmbël mbi asfaltin e ri, mbi rrugën e re Tiranë-Shëngjergj.Mali me gropa mahnitës. Na u mbyll goja, projektori i xhirimit imagjinar filloi të punonte mbrapsht. Secili shihte aty mbase gjurmët e çizmeve të tij, shikonte monopatet ku u binte shkurt. Mbi Feken, që zbret në Shënmëri, pushonim pa dalë në qafë. Aty ishim të mbrojtur nga era. Shumë kujtojmë ujkun e asaj nate, 3 janar 1973, që befasisht u ndodh mes nesh, erdhi pak rrotull dhe çau turmën në një vërvitje të gjatë, e qëlluam të gjithë, por zor se e vramë.
Dalja mbi Bizë, trëndafil i gjallë, i çelur, prisnim të sulmonim e të asgjësonim desantin ajror armik i gozhduar nga vullnetarët aty, mbi 500 burra e gra, që depon e armëve e kishin në mes të fshatit, pa roje ditën.
Mendonim se do t’i përvisheshim punës për pastrimin e dezinfektimin e ndonjë stalle për fjetje, të ndërtonim guva bore, kasolle, strehë natyrore, të vinim në gjendje shfrytëzimin poligonet taktikë, qitje, alpinizëm, ski, se do të niseshim në marshin në gjithë Shqipërinë verilindore, se do të hanim jashtë, se do të laheshim me borë, se do rrinim gjatë, dy muaj, se do të ngriheshim në alarm në natën në të zezë, se pa u vonuar do të hapnim borën për uljen e helikopterit, do të endeshim pyjeve të pishës për mbijetesë.
PARA 30 VITESH BIZA ISHTE NUSE…..
Biza ishte bërë hapësirë për xhirim filmash “Në pyjet me borë ka jetë” me Rikard Ljarjan, Prelën, Shkjezin, Shirokën, Ujka, Marjeta; Kondakçi.Ne i thamë Rikardit, ” merre Marjetën, ku ka vajzë si ajo dhe ai e mori, se ia deshi zemra”. Kam shkruar si lindi idili i tyre në Bizë, në janar 1978.
PO SOT BIZË, PA MË THUAJ SI JE?
Me konfiguracionin e saj, me resurset e veta, me klimën, me florën, me faunën, edhe me pak turistë kalimtarë, ajo “ishte aty”. Të gjitha këto në pritje të një dore investitore private a shteti. Vlera që flenë. Lekë që ikin.
Por e zhveshur, e zbrazur nga gjithë ato që kishte në vitet ’70-’80. Nuk e pamë një tufë delesh a dhish, as lopë as kuaj. Hoteli dykatësh në kodër si një anije e ndryshkur që e kishte nxjerrë dallga në breg. Kompleksi i magazinave si një bazë ushtarake e bombarduar, shtëpi si fshati braktisur pas një tërmeti të madh, kapanonet e ushtarëve, kabinat e oficerave, menca, shesh rreshtimi rrafsh për tokë. Këmbë njeriu. Rrugës i ishte shkulur bazamenti, streha e tunelit e nxirë nga zjarri, vetëm çezmat lëshonin ujin akull, ndonjë qukapik tuktuk atje në tej mes pemësh të larta, ndonjë skodë ngarkuar me dru zjarri, që i kërcisnin kockat, ia futi ujit poshtë i shurës, në ajër ndonjë shkabë me flatrat hapur; përroi në gurgullimën e vet, tutje pyllit, me sigurinë rehatinë e vet ujqër, arinj të murrmë, dhi të egra, kapronj, derra, dhelpra, lepuj. Gjithë mjedisi det klorofile me pisha, ahe, lisa. Vetëm tre turistë, njeri francez që kishte 14 vite që vinte dhe që çuditej pse djerrë ajo tokë.
Qamili, shoku ynë i batutave, shkodran, malësor, lëshoi fort një thirrje: A ka burra kjo kullë, bre?!
ËNDRRAT ZGJOHEN
Si qytetar i këtij shteti nuk ka si të jem i qetë, kur shoh Bizën sikurse nuk doja të ishte, e braktisur, e harruar, pa zot dhe, kur e krahasoj me atë që ishte, më shumë më rritet pezmi. Ishte plot njerëz e jetë, ekonomi, kulturë. E mundet që, edhe të jetë. Resorset më të mira sot bota i ka majëmalesh.
Nuk shfrytëzohet toka. Ajo tokë aq e pasur, humusore, që nuk e ka nevojën as të uresë, as të superfosfatit, as të vaditjes, as të herbiciteve, sepse është lart.Pse mungon në tregun tonë patatja e Bizës, e Bellovës, e Shishtavecit. Dikur Biza ishte hambari i patates, asnjë prashitje nuk e donte, vetëm pastrim barërash. Aty eksperimentoheshin kultivarë të rinj për zonat malore. Patatja, që vjen nga jashtë, nuk besoj se është cilësi më e mirë se e Bizës. Ishte puna e njerëzv ajo që e ngriti atë rezervat, atë hambar. Le të tallen të paditurit kur thonë “gjellë dhe bukë patatja”. Kur e zuri halli Cezarin, viti 45 pas erës, me radhiqe ( la cara) e mbajti në këmbë ushtrinë.
Pse, vetëm me grurë bëhet bukë?! Bukën e patates e ka e gjithë bota. Ajo tokë e ka bërë pataten edhe tre kile një kokërr, konsumohej e sapodalë nga dheu, dimëronte në tokë, ose në kavaleta. Sot hamë më shumë superfosfat se domate e trangull.
Po bimët medicinale, që rriten atje: rigoni, mëllaga, tëndafili, çaji i malit? A nuk mund të kultivohet bio luleshtrydhja, në një cikël 5 mujor, më thotë një ish pedagog i Institutit Bujqësor i Tiranës. Ku rritet e egra rritet edhe e buta, thotë ai. Madje ajo do të ishte bio, e vërtetë, më e shëndetshme për fëmijtë tanë.
Kullotat janë një aset më vete, atje shkon dëm bari, gjethja, uji, klima. Ku ka barë rritet delja, dhia, kali, lopa, kullosin në natyrë edhe në regjim stalle. Por në se ka të tjera plane shteti, pse duhej të kishte ikur gjithë kjo kohë, 30 vite toka djerrë. Aty mund të ketë komplekse mishi. Nuk se s’kanë qenë më parë, vazhoi ideja e profesorit.
Pse ajo sjellje ndaj pyjeve? A ka ruajtje pyjore, a ka kritere shfrytëzimi.Ligjet janë, njerëzit janë, rrogat merren, puna nuk bëhet. Pamë skoda që dilnin nga pylli ngarkuar me dru zjarri. Drutë e zjarrit ishin trungje ahu fillë të drejta. Shikoni në Tiranë, te Astiri, sa pika shitjeje druri ka? Ato vijnë edhe nga Biza, nga Martaneshi, nga Prevalli, Prodani, Prati. natën. Në anë të rrugës janë. Kontrollohen makinat në ardhje, po a nuk mund të kontrollohen atje ku pritet druri, në pyll. Nuk pamë ndonjë polic pyjor në Bizë.
Turizmi nuk mbaron në Shëngjergj, fillon atje. Pse mungon rruga për Bizë? Një rrugë e afron invesitorin. A mund të investohet në resorse malore sikurse bota? Aty mund të ishte përsëri një qytezë turistike.Aty mund të ishte një spital kurativ, një poligon skish, një teleferik, një kompleks i madh historik, disa hoteke.Të gjitha këto revoltime i kam edhe nga profesori.
Dhe thirrja e Qamilit: A ka burra kjo kullë, bre?!
A është kush, që t’i dalë për zot Bizës së Shëngjergjit?!