Nëse u shtojmë këtyre dyzimeve çështje si Aruba, si dhe fshehtësinë me të cilën na qenka sajuar “Albanian Files”, atëherë pyetja mund të shtrohet ndryshe: Cilët janë poliagjentë: ata që protestojnë kundër korrupsionit dhe arrogancës qeverisëse apo ata që kanë sajuar ç’u nënvizua më sipër, duke vënë dorë në toka, porte e ishuj, pa pyetur për kurgjë?
Protestat që vijojnë prej më shumë se një muaji dhe që drejtohen kundër korrupsionit e arrogancës së qeverisë aktuale, po merren nëpër gojë nga pushtetarët dhe nga argatët e tyre në media. Në mënyrë të veçantë, deputeti T. Balla, që vetë mban mbi shpinë disa akuza nga Opozita, ka thënë këto ditë, pa as më të paktën droje, që kjo lëvizje është punë agjenturash… Ai lëshoi një sërë hamendësime për ndërhyrje nga jashtë, nga Irani, madje edhe nga Rusia. Për më shumë, kur u pyet nëse kishin fakte, ai pohoi me gojën plot: Po, kemi fakte. (“Ky djalë s’dika pikat se ku vihen…” Shekspir)
Kujtojmë se kohë më parë, ishte fjala që protesta kish ardhur nga Greqia (!) Nuk kanë munguar trillimet edhe për ndërhyrje nga Kosova. Nuk dihet çfarë do të dalë më pas. Por këto akuza janë shumë, në çdo kuptim të fjalës; dhe të kujtojnë kohën kur E. Hoxha e kompani akuzuan ish-kryeministrin e tyre dhe shokun e tyre se kishte qenë agjent i… jugosllavëve, agjent i rusëve, agjent i amerikanëve. Mbaj mend, na lexonin ca buletine me gjasë “Sekrete”, duke na habitur se si Kryeministri i vendit, një nga ata që kishin bërë Luftën Nacional-çlirimtare dhe kishin drejtuar qeverinë komuniste, alias Socializmin, për disa dekada, na paskësh pasur lidhje me disa shtete dhe me disa shërbime të huaja (!)
Nuk përjashtohet mundësia që në radhët e protestuesve të ketë edhe individë që nuk gjenden atje për motivet që shtyjnë në protesta shumicën: Dhënien fund të arrogancës me të cilën është drejtuar vendi në këto 35 vjet (me gjasë) demokraci. Por shteti ka institucione, që shqiptarët i paguajnë me taksat e tyre, duke bërë ndërkaq një jetë të vështirë, ndryshe nga drejtuesit dhe “specialistët” e mirëpaguar të atyre institucioneve. Duke treguar se nuk fle, ai, shteti, mund t’i ftillojë akuza e pandehma të tilla; ose të tregojë se ka teprime edhe nga ata që sot për sot janë zënë ngushtë. (“Mësojmë duke u zbrapsur…” E. Dikinson)
Tam-tamet se protestat janë të importuara nga jashtë dhe cilësimi i protestuesve… poliagjentë, se kështu del, janë shumë qesharake. Dhe jo vetëm kaq; bien erë të keqe. Nëse shohim me kujdes disa nga ligjet dhe ndryshesat e fundit, ato për shitjen e tokave bujqësore, shtesat në Ligjin për zonat e mbrojtura, të ashtuquajturën “Paketa e maleve” e, po ashtu, udhëzimin për trajtimin hormonal, nuk merret vesh kush e ka me hile… Nëse u shtojmë këtyre dyzimeve çështje si Aruba, si dhe fshehtësinë me të cilën na qenka sajuar “Albanian Files”, atëherë pyetja mund të shtrohet ndryshe: Cilët janë poliagjentë: ata që protestojnë kundër korrupsionit dhe arrogancës qeverisëse apo ata që kanë sajuar ç’u nënvizua më sipër, duke vënë dorë në toka, porte e ishuj, pa pyetur për kurgjë?
Duke kujtuar se çfarë ndodhi në Itali së fundi, kur kundërshtimet masive e zbythën një përpjekje të ngjashme me këto në Shqipëri, më duhet të shtoj në këto radhë diçka edhe për reagimin e deputetit Braçe që, në fakt, për atë arkivolin-simbol kish të drejtë; ish një gjë e tepërt. Por problemi është që ai vetë, deputeti “rebel”, herë pas here ngre çështje që “nuk shkojnë mirë”. Po i kujtoj vetëm njërën, kur ankohej se… nuk po e shikonte më Dajtin; dhe dihet pse. Një nga ankesat e qytetarëve protestues, është pikërisht davaja e poshtër e ndërtimeve pa sens, që po i marrin frymën kryeqytetit. Dhe ndërkohë që njerëzit ankohen dhe investigimet gjejnë lidhje mes shtetarëve, ndërtuesve dhe drogës, papritur, kjo… mund të gëlltitet. Kjo dhe të tjera. E vlen apo jo? Natyrisht, është e vështirë të përballesh me shefin dhe me partinë që të ushqen e të jep privilegje në dekada. Fjalë e madhe ajo e uruara Demokraci. Por ca më e madhe dhe më e gjatë ajo Tra-tran-tranzicion. (“Megjithatë, kalldrëmi ishte i lerosur…” A. Kamy)
Tani, që ta mbyllim, nga njëra anë pushteti, nga ana tjetër opozita (që përpiqet ta pronësojë) dhe, më në fund edhe analistët e studiove televizive e formateve gjithfarë, duket se ka një dëshirë për ta diskretituar këtë protestë dhe këtë zemërim. Jam përpjekur gjithnjë të jem i paanë në gjithë sa shkruaj. Duke vlerësuar disa arritje të vendit dhe duke pranuar se në protesta mund të ketë edhe trazovaçë, edhe gabime, por duke shpresuar ende në mundësinë e dialogut dhe të marrëveshjes, nëse siç kam shkruar edhe më parë, s’kemi një finale – dhe si shumë zgjati kjo frazë, siç do të thoshte S. Beket – do t’u uroja zemërakëve të vërtetë, atyre të partive dhe të mediave: Ta gëzoni kastën e vjetër politike dhe gjithë problematikën e prodhuar prej saj!




















