Fejzi Rrokaj/ 69 vjet më parë, Vlora çlirohet nga okupatori gjerman dhe tradhtarët

976
Sigal

Veprimet luftarake të Ushtrisë Nacional – Çlirimtare në tremujorin e tretë të vitit 1944

Dështimi i plotë i operacionit të qershorit 1944 ishte disfatë për komandën gjermane dhe gjithë forcat e reaksionit të brendshëm në Shqipëri. Në krahinën e Vlorës e të Kurveleshit gjatë operacionit të qershorit, forca të shumta naziste shkelën krejt fshatrat, fushat, grykat, biles edhe malet më të papërshkueshme të Këndevicës, Bolenes, Kuçit, por ata vetëm sa i shkelën dhe u detyruan të tërhiqen menjëherë, duke iu trembur një rrethimi që u vendosën në rajone të fortifikuara si në Kalanë e Borshit, Spile, Himarë, Llogora, Pashaliman dhe kodrat përreth qytetit të Vlorës, Kaninës, Mavrovës, Kropishtit e Drashovicës. Forcat e Brigadës VI-të, të Grupit të II-të dhe forcat e armatosura të popullit, me dështimin e operacionit, u grumbulluan dhe u hodhën në sulm në shpinë të armikut që ishte në tërheqje, goditën dhe shpartalluan forcat xhandaro-balliste që ishin vendosur në zonat e okupuara dhe riçliruan plotësisht Luginën e Mesaplikut, krahinën e Kudhësit e të Treblovës, krahinën e Dukatit, me përjashtim të fshatit Dukat, Krahinën e Himarës, me përjashtim të Kalasë së Borshit dhe vendosën përsëri në këto zona rregullin dhe qetësinë e pushtetit të popullit. Dështimi i operacionit ishte një fitore e forcave të Ushtrisë NÇ, dhe e popullit të Qarkut të Vlorës. Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Partizane NÇ, fill pas dështimit të operacionit me urdhrin Nr.190, datë 02 korrik 1944, ngarkon Brigadën e VI-të me një detyrë tjetër dhe urdhëron Brigadën e XII-të të zërë vendin e saj në sektorin e Vlorës-Kurvelesh-Bregdet ashtu siç ishte e dislokuar Brigada e VI-të. Në këto kushte, gjer nga fundi i muajit korrik ishte bërë ndërrimi i Brigadave. Brigada e XII-të e zëvendësoi plotësisht frontin e Brigadës së VI-të dhe gjatë muajve gusht shtator deri më 15 tetor, forcat e Brigadës XII-të ishin vendosur: – Batalioni i katërt në krahinën e Himarës, batalioni i dytë në krahinën e Dukatit, batalioni i parë dhe forcat e dy batalioneve territoriale të Mesaplikut do vepronin ne luginën e Mesaplikut dhe në atë të Sevasterit, kurse batalioni i dytë dhe i tretë të grupit të tretë, do të vepronin në krahinën e Treblovës e të Topalltisë.

Pas operacionit

Pas operacionit të qershorit forcat e Brigadës XII-të, të grupit të III-të, ato territoriale dhe populli i të gjitha krahinave të Vlorës, u ngrit i tëri dhe lufta filloi kudo e ashpër e frontale kundër okupatorit dhe tradhtarëve. Të dëshpëruar në kulm nga disfata që po pësonin si forcat gjermane dhe ato xhandaro-balliste u hodhën në terror sidomos në qytetin e Vlorës. Në një komunikatë që Qarkori i Vlorës i dërgonte Komandës së Qarkut lidhur me situatën e qytetit në gusht 1944, midis të tjerave thuhet: “Gjendja në Vlorë është mjaft e ashpër, reaksioni arriti kulmin. Reaksionarët vrasin, burgosin, torturojnë, vjedhin e rrjepin popullin”. Më 11 gusht Enver Risilia dhe Sulo Pipa arrestuan 48 veta, pari e tregtarë grosistë. Tetë u liruan me ndërmjetësi, kurse 40 u internuan në fushat e përqendrimit jashtë Atdheut ( Dosja 3 AQP, fondi 68) Disfata që pësuan forcat e zgjedhura të batalionit “Vermoshi” në Dukaj të Tepelenës dhe refuzimi i atyre që mundën të shpëtojnë nga asgjësimi i plotë, për t’u futur përsëri në luftë kundër partizanëve, i shqetësoi autoritetet e Vlorës, të cilët kërkuan largimin e me menjëhershëm të tyre nga qyteti. Të demoralizuar, ata ngjallnin panik edhe në forcat e tjera reaksionare. Regjimenti “Kosova”nga disfatat e njëpasnjëshme, nga shthurja që ishte krijuar në radhët e milicëve dhe gjendja e krijuar në Vlorë, kërkuan largimin e tyre nga qyteti. Kjo gjendje frike dhe demoralizimi, kishte pushtuar dhe forcat e Ballit Kombëtar. “Shumë eksponentë të Ballit Kombëtar dhe mjaftë kryetarë çetash ikën në drejtim për Tiranë”- thuhet në një relacion të komandës së xhandarmërisë. Nga ana e tyre dhe 10 eksponentë të tjerë të Ballit Kombëtar, të alarmuar lajmërojnë Tiranën me telegramin Nr.2777, datë 11 gusht 1944, që Sadik Shaska si kryetar i Komitetit Krahinor i Ballit për Vlorën, të kthehet menjëherë në Vlorë. Gjithë reaksioni po humbiste perspektivën dhe kërkonte me çdo mënyrë të bënte tentativat e fundit për t’u lidhur me reaksionin e jashtëm. Në këtë kohë Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇ porosit komandat e reparteve partizane që: “ Të gjithë ata ballistë ose zogistë, që kërkojnë të dorëzohen, të pranohen, qëllimi duhet të jetë me i zhdukë reaksionit forcën e armatosur. Nuk duhet t’i shikojmë dezertorët sektarisht. Fitimi jonë do të jetë i madh po t’i tërheqim, t’i çarmatosim dhe pastaj atyre që e kanë tepruar, t’u bëjmë gjyqin”. (Dok. ShP.Vëll. II-të, fq.131). Kom.Qarkor, Komanda e Br. XII-të dhe Komanda e Zonës I-rë Operative, të mbështetur në këto udhëzime, morën masa serioze për të tërhequr sa më shumë elementë të gënjyer dhe tani lëkundeshin dhe ishin demoralizuar nga disfatat që pësonin forcat gjermano-balliste. Komiteti Qarkor shtoi akoma propagandën në radhët e forcave mercenare të xhandarmërisë e të Ballit Kombëtar.

Sipas të dhënave të marra nga një ushtar francez

Sipas të dhënave të marra nga një ushtar francez, i dezertuar nga garnizoni i Himarës në Ilias dhe i dy ushtarëve gjermanë të dorëzuar nga garnizoni gjerman i Kalasë së Borshit; doli se në Kalanë e Borshit është vendosur një kompani me rreth 90-100 gjermanë të batalionit XX-të të regjimentit 999 me qendër në Janinë, regjimenti 523 efektiv i Divizionit 297 i vendosur në Manastirin e Kolonjës, Lushnjë. Në efektivin e këtij regjimenti bënin pjesë: – Batalioni i I-rë me 200 vetë, i vendosur prej Skutarai deri në Llogara, batalioni i II-të me 130 vetë, i vendosur Palokastër –Dukat, Pashaliman, Ura e Izvorit, gjer në Ujë të Ftohët, batalioni i III-të me 350 vetë i vendosur Kaninë- Babicë- Pusi i Mezinit- Panaja- Bestrovë-Llakatund- Ura e Mifolit – Gryka Pishë. Komanda e Regjimentit, vendosur në Qafë të Koçiut. Në Drashovicë- Mavrovë,-Kropisht- Penkovë, ishin vendosur forcat të Regjimentit 524, batalioni i II-të, me 285 veta. Të gjitha me një efektiv prej 1065 nazistë e ermenë, të armatosur me armë automatike, topa të lehtë e mortaja dhe me armë anti-tanke, me detyrë të mbronin me çdo kusht Bregdetin e Jonit dhe rrugën Sarandë-Vlorë-Fier në tërheqjen e forcave gjermane që vinin nga Greqia. Më 8 gusht një kompani e Brigadës XII-të sulmoi forcat mercenare që kishin shkuar për të plaçkitur në Tragjas dhe i shpartalluan ato plotësisht. Më 11 gusht Batalioni i Tretë i kësaj Brigade sulmoi armikun në Mavrovë, e shkulën nga pozicionet dhe i shkaktuan mjaft humbje. Nga forcat partizane u vra partizania Donika Dule nga Tragjasi. Po këtë ditë një kompani e Batalionit të Dytë, së bashku me forcat e batalionit territorial të Mesaplikut, sulmuan gjermanët në Qafën e Bumbullit dhe majën e Shturos. Armiku u detyrua të tërhiqej me humbje dhe u përqendrua në Kalanë e Kaninës. Mbeti një gjerman i vrarë e tre te plagosur, u zunë 4 ballistë robër dhe u bashkuan me partizanët 7 të tjerë. Nga ana e partizanëve mbetën të vrarë partizani Haxhi Hysen Derri nga Bashajt dhe Mustafa Sulo nga Matogjini efektiv i batalionit territorial. Më 22 gusht forcat ballisto-mercenare të shoqëruar nga dy skuadra gjermane shkuan në Armen për të marrë bagëtitë dhe për të plaçkitur popullin. Në Mesarak ata i goditi një patrullë partizane në ndihmë të së cilës shkoi populli i armatosur i asaj krahine. Lufta zgjati 5 orë. Armiku mbasi la 15 të vrarë mundi të ikë i shpartalluar dhe i ndjekur këmba këmbës nga forcat e popullit. Nga ana e partizanëve pati një të plagosur. Më 31 gusht në Skutara forcat e Batalionit të Katërt i bënë pritë një kompanie gjermane që tërhiqej nga Kalaja e Borshit për në Himarë. Lufta vazhdoi nga mëngjesi deri në darkë. Në këtë pritë, ku shkuan në ndihmë dhe forca nga populli, mbetën të vrarë 20 nazistë. Nga ana e partizanëve u plagosën katër, midis tyre dhe komisari i kompanisë që drejtonte luftimet. Po gjatë muajit gusht forcat e grupit të III-të të Mallakastrës, depërtuan në zonën e Topalltisë dhe të Myzeqesë, të cilat forcat e Ballit Kombëtar i kishin si qendër mbrojtje, ku kishin qëndruar deri në këtë kohë vetë forcat e armatosura gjermano-balliste. Forcat e grupit të III-të, prishën çerdhet e forcave reaksionare dhe i sulmuan ato në rrugën Fier-Vlorë, ku kërkonin të tërhiqnin mallrat e grabitura të popullit.

Një pritë afër urës Mifolit

 Më 7 gusht forcat e Batalionit të Dytë të Grupit të Mallakastrës bënë një pritë afër urës së Mifolit një kolone gjermane prej 30 makinave që shoqëroheshin me tanke e autoblinda dhe qerre të ngarkuara me mallra e materiale të grabitura popullit. Në komunikatën e lëshuar ato ditë thuhet: “Humbjet e armikut janë një makinë e djegur, një autoblind i prishur, 50 të vrarë dhe tri makina me të plagosur. Nga ana jonë, dy të plagosur. U zunë 4 qerre, 12 kuaj, një top 47m/m, 150 predha, dy kobure shenjë dhënëse, një kasafortë me 11.000 franga shqiptare, shumë ushqime, veshmbathje, ilaçe etj”. (dosja 231 AQP) Më datën 10 gusht forcat e këtij batalioni, pritën në Levan forca të shumta të komanduara nga Enver Risilia, Hasan Hysua e Hysni Pipa. Ata kishin mbledhur gjithë mbeturinat e qytetit, kishin marrë dhe materiale e plaçkë të grabitur dhe marshonin për t’u bashkuar me forcat gjermane në Fier. Sulmi qe i fortë dhe ballistët me gjithë komandantët e tyre ikën të shpartalluar dhe e lanë në vend gjithçka. Gjatë muajit shtator dhe sidomos gjatë 15 ditëshit të parë të muajit tetor, forcat e Brigadës XII-të, ato të Grupit të III-të dhe forcat territoriale u hodhën në ofensivë për të shpartalluar mbeturinat e Ballit Kombëtar dhe të gjithë reaksionit që kërkonte të tërhiqte forcat e gënjyera në Shqipërinë e Mesme e të Veriut. Ata sulmuan dhe çliruan gjithë krahinën e Topalltisë, të Himarës dhe Dukatit dhe kishin rrethuar si forcat gjermane dhe ato reaksionare në disa pika të përcaktuara si në Spile, Himarë, Llogora dhe brenda në qytet. Më 10 shtator batalioni i tretë, sulmoi forcat gjermane në Bestrovë duke i kapur në befasi. Forcat gjermane të shpartalluara ikën në panik për në qytet. U kapën 5 mitralozë të rëndë, 10 karro me municion dhe shumë materiale të tjera dhe ilaçe. Në Dukat ishin vendosur forcat e Batalionit të dytë bashkë me forcat territoriale të Tragjasit dhe Radhimës. Këto zunë anën e xhades në kodrat e Ramecit gjer në kodrat e Sofës dhe Erihoit.

Forcat gjermane ishin paralizuar

 Forcat gjermane ishin paralizuar krejt në këtë rrugë. Çdo ditë goditeshin dhe asgjësoheshin forca e mjete që përpiqeshin të kalonin për në Llogora dhe furnizimi nga Llogoraja qe prerë. Më 12 shtator ne Grabo afër Radhimës u shkatërrua një makinë dhe u vranë 3 oficerë dhe shumë ushtarë nga forcat e Batalionit të dytë. U bënë tentativa të çahej rrethimi dhe u nis një autokolonë e mbështetur nga një autoblind, por ajo u prit para se të arrinte në Gjyrat . U shkatërruan 3 makina. Pati mjaft të vrarë dhe të plagosur. Makinat e tjera nën mbrojtjen e autoblindit mundën të shpëtonin dhe u kthyen në Vlorë. Komanda gjermane e gjendur para goditjeve serioze edhe në këtë zonë, përgatiti forca të shumta këmbësorie, tanke, e artileri të rëndë. Më 16 shtator, qysh natën, kishin zënë kodrat te Ura e Izvorit, në majën e Priftit dhe kishin vendosur artileri të rëndë dhe ishin përgatitur për një operacion të gjerë në këtë krahinë. Komanda e forcave partizane, kish marrë informata të sigurta nga një ushtar polak që kish dezertuar dhe qe dorëzuar Këshillit të fshatit Tragjas. Në Tragjas ishin edhe 150 ermenë, që kishin dezertuar disa ditë më parë dhe kishin dhënë informata mbi gjendjen e forcave gjermane dhe vendndodhjen e tyre. Në pritje të këtij sulmi ishte vendosur Batalioni i dytë, forcat territoriale të Tragjasit e Radhimës dhe një pjesë e burrave të Fushë-Dukatit. Partizanët ishin vendosur në Koço, Erihua në kodrat karshi xhades të Fushë-Dukatit. Në mëngjes herët artileria gjermane, më 17 shtator, filloi goditjet me saktësi mbi pozicionet e partizanëve. Gjithashtu filloi qitjen me goditje të largët artileria bregdetare gjermane e vendosur në kodrat e Zvërnecit. Majat e Koços e të Sofos u ndezën tym e flakë, por partizanët dhe forcat popullore nuk luajtën vendit. Armiku u hodh në sulm në drejtim të kodrave të Koços, kurse nga ana e xhades marshuan forcat dhe mjetet e karrocuara për të çarë rrugën për në Llogora. Në të njëjtën kohë hidhen në sulm, në drejtim të xhades për të çarë rrethimin forcat e garnizonit të Llogorasë. Lufta në Kodrat e Koços filloi e rreptë. Forcat gjermane që kishin kaluar lumin dhe marshonin nënë mbrojtjen e artilerisë, u kundërsulmuan nga partizanët me bomba dore e me armë automatike.

Dukati

Gjermanët, duke mos qenë në gjendje u kthyen prapë në kodrat e Pallorëngut nga ana e fushës Dukatit. Lufta vazhdoi gjithë atë ditë me sulme e kundra sulme, por afër darkës forcave gjermane u erdhën në ndihmë forca të tjera dhe duke përsëritur sulmet dhe duke dendësuar zjarrin e artilerisë, mundë të kapën më në fund kodrat e Koços, Sofës dhe në mbrëmje Majën e Qytezës. Po ashtu forcat e Llogorasë avancuan dhe zunë Urën e Shataut dhe forcat e blinduara marshuan dhe çanë rrugën për në Llogora, u takuan me forcat e rrethuara dhe për gjithë natën bënë furnizimin e garnizonit të Llogorasë, duke qenë të sigurt për sulmet e mëvonshme. Të nesërmen në mëngjes gjermanët dhe një pjesë e mercenarëve të Ballit Kombëtar dogjën disa shtëpi në Fushë-Dukat dhe u kthyen në qytet. Forcat e Brigadës XII-të, me një pjesë të popullit të Dukatit zunë rrugën Vlorë-Llogora dhe u futën në fshatin e Dukatit. Forcat e batalionit ballist “Hysni Lepenica”, “Indipendentët” e Maliq Koshenës, dolën natën nga fshati dhe u vendosën në malin e Dukatit. Tani populli i Dukatit i priti partizanët dhe u bashkua më ta si edhe një pjesë e batalionit që ndiqte parinë e Dukatit, dezertoi nga radhët e tyre dhe u bashkuan me forcat partizane. Fshati i Dukatit qysh prej datës 20 shtator 1944 u çlirua. Forcat e gjermane të garnizonit të Llogorasë mbetën të izoluara e pa furnizim deri më 10 tetor 1944. Në këto luftime armiku pati mjaft humbje, në të vrarë, të plagosur, robër e të humbur. Nga ana e partizanëve u vranë partizanët Ferik Meta dhe Ismail Tahiri dhe aktivistja e terrenit Mahmute Lagji nga Radhima. Forcat gjermane kur panë se ishin rrethuar e sulmoheshin edhe në qytetin e Vlorë si dhe në krahinat e tjera që i kishin patur si zona të veprimit të tyre, sidomos krahinën e Dukatit dhe të Topalltisë, të cilat tani gjendeshin në duart e forcave partizane, më datën 22-23 shtator grumbullojnë forca dhe sulmojnë nga shumë drejtime Batalionin e tretë të Brigadës XII-të që ishte vendosur në fshatrat e Topalltisë nga Llakatundi gjer në Bestrovë.

Egërsia armike

Më datën 22 shtator forcat partizane i thyen sulmet e forcave gjermane dhe ato u kthyen prapë në qytet. Të nesërmen me forca e mjete më të shumta, gjermanët të ndihmuar edhe nga mbeturinat e forcave të Ballit Kombëtar ndërmorën një operacion nga shumë drejtime në krahinën e Topalltisë. Lufta vazhdoi e ashpër, armiku pësoi humbje të rënda dhe i dëshpëruar përsëriti sulmin disa herë gjersa forcat partizane u detyruan të zënë pozicione të reja. Forcat gjermano-balliste arritën në Llakatund dhe si bisha të tërbuara, dogjën e plaçkitën edhe fshatërat e kësaj krahine, shkatërruan tërësisht fshatin Beshisht, ndërsa në Trevëllazër dogjën 25 shtëpi dhe vranë 13 vetë. Midis tyre dy gra, në Grabian një shtëpi. Populli i këtyre fshatrave me përjashtim të Trevëllazërit, qysh me fillimin e këtij sulmi ishte shpërngulur, kishte kaluar Vjosën dhe ishte hedhur në fshatrat e Mallakastrës. Okupatori gjerman dhe krejt mbeturinat e forcave të Ballit Kombëtar u hodhën në terror dhe hakmarrje edhe ne popullin e këtyre krahinave, që gjatë Luftës NÇ i kishte pasur nën sundimin e tyre dhe i kishin shtypur, rrjepur e shfrytëzuar pa mëshirë. Kjo ishte përpjekja dhe masa e fundit e forcave mercenare. Ata mundoheshin që me anën e masakrave e të terrorit të thyenin rezistencën e popullit të këtyre krahinave që sapo kshte shpërthyer. Komanda gjermane kërkonte tashti me çdo kusht të mbante të lirë rrugën Vlorë -Fier që t’i shpëtonte rrethimit, duke hequr dorë nga mbrojtja e rrugës Himarë -Vlorë. Forcat partizane vazhduan sulmet e goditjet nga të gjitha drejtimet, por armiku tashti qëndronte i heshtur në mbrojtje dhe ruante vetëm rrugën e tërheqjes. Natën e 10 tetorit 1944 forcat e garnizonit gjerman të izoluara në Llogora; pa ndihmën e forcave të tjera, në mënyrën më të fshehtë, marshuan për gjithë natën pa u diktuar nga rojet partizane dhe vetëm në mëngjes, kur ato ishin bashkuar me forcat e tjera gjermane në Urën e Izvorit, u diktua praparoja e tyre. Partizanët hapën zjarr dhe vranë dy ushtarë gjermanë, kurse pjesa tjetër u bashkua me forcat gjermane dhe marshuan për në Vlorë. Bashkë me forcat gjermane u largua edhe një pjesë e reaksionit të krahinës së Dukatit, kurse Maliq Koshena me mbeturinat e batalionit “Hysni Lepenica” të ashtuquajturit “Indipendentët” të përkrahur nga misionet aleate, u larguan dhe qëndruan në brinjat e malit të Dukatit me shpresë se në anë të detit do t’i merrnin anijet angleze. Por edhe kjo rrugë u pre nga forcat partizane dhe ata u dorëzuan më vonë pjesë-pjesë. Forcat gjermane që u larguan nga Dukati kaluan Jonufrën, hodhën në erë me dinamit tunelin e vogël afër Kalasë dhe bënë kështu të pakalueshme rrugën Vlorë -Dukat. Këtë formë fshehtësie përdori komanda gjermane edhe për tërheqjen e forcave të tjera nga qyteti i Vlorës.

 15 tetor 1944, çlirimi i Vlorës

Natën e 15 tetorit forcat gjermane në fshehtësinë më të madhe grumbulluan forcat e fundit dhe largohen fshehurazi për në Fier. Forcat e Batalionit të parë e të tretë të Brigadës XII-të, që ishin caktuar të salmonin Kaninën, Ujin e Ftohët dhe Qafën e Koçiut afër mëngjesit marshuan përpara, por ata nuk ndeshën asnjë rezistencë. Një vit më parë, kur forcat naziste erdhën në Vlorë, nuk erdhën natën siç ikën tani fshehurazi pa sulmuar më 15 tetor. Atëherë nuk i kishin mbështjellë këpucët me lecka që të mos bënin zhurmë, por i përplasnin me forcë thundra e çelnikta për të mbjellë tmerr e për të ngjallë frikë në popull. Reaksioni i brendshëm ia ndriçoi aureolën fallco Hitlerit për të gjetur një aleat të sigurt në luftë kundër Lëvizjes NÇ. Veprimet e shëmtuara të nazistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre gjatë gjithë një viti, jo vetëm që nuk e shkëputën popullin nga Lufta NÇ, por e lidhën akoma më ngushtë me të. Vetëm 4 nazistë kishin mbetur prapa, të cilët pasi kishin hedhur në erë depon e naftës në Ujë të Ftohët, tentuan të hidhnin në erë Ujësjellësin te tuneli, ata u vranë nga një patrullë pararoje e Batalionit të dytë. Kjo ishte gjurma e fundit e barbarisë që ata lanë në qarkun e Vlorës dhe e paguan me 4 të vrarë. Ata ikën për të mos u kthyer më kurrë. Në buletinin “Para partizanë” të Batalionit të Parë të Brigadës XII-të, në faqen 15 thuhet: “Do sulmonim në drejtim të Kaninës, të Qafës Koçiut. Kur arritëm në Kaninë nuk gjetëm rezistencë, gjermanët kishin ikur, pamë depot e vajgurit që digjeshin, u nisëm shpejt xhades për në qytet se gjermanët kishin ikur…. Hyjmë në Vlorë, duke parë se gjermanët kanë ikur, fillojmë këngët. Populli ngrihet, del jashtë shtëpive, vrapon te partizanët, fillon demonstratj që vazhdoi gjithë natën”, (dosia 203 AQP). Bashkë me forcat gjermane atë natë nga qyteti i Vlorës u largua edhe gjithë reaksioni me kuadro e forca që ishin grumbulluar në qytet. Përveç shumë krerëve të reaksionit të Vlorës, që kishin ikur më parë, e kishin ndier fundin e tyre, atë natë u largua edhe komandanti i forcave të ballit të Vlorës me të gjitha forcat e tij. Në shënimin e një ballisti midis të tjerave thuhet: “Kur u nisëm nga Kavaja për në Shkodër, ishim 600 veta pas Beut Enver Risilia”. Dita e 15 tetorit 1944 është data e çlirimit të Vlorës. Atë ditë u futën triumfalisht në qytet organet e pushtetit, Komiteti Qarkor, Këshilli ANÇ, dhe komanda e Qarkut. Qysh atë ditë qyteti i Vlorës shpëtoi nga thundra e të huajit dhe nga tradhtarët ballistë. Në shpalljen që lëshoi Këshilli ANÇ i Qarkut të Vlorës më 15 tetor 1944, midis të tjerave thuhet: “Me çlirimin e qytetit të Vlorës, gjithë organet e aparatit të vjetër, si Bashkia, Prefektura, Gjykata, Policia, Gjinarmaria, Financa etj anulohen dhe pushojnë menjëherë funksionet e tyre, sepse ata kanë qenë mbështetje e okupatorit dhe agjentëve të tij. Gjithë pushteti kalon në dorë të Këshillit ANÇ të Qarkut të Vlorës” (fondi 213,dosia 62). Me çlirimin e Qarkut të Vlorës kudo u vendos pushteti i Këshillit ANÇl, u zhdukën format e pushtetit të vjetër dhe u morën masa për zbulimin dhe asgjësimin e forcave të reaksionit që akoma nuk ishin dorëzuar. Vetëm në Sazan partizanët nuk kishin shkuar akoma të cilin Italia ia kishte shkëputur për 30 vjet Atdheut. Më datën 21 tetor 1944, në bazë të urdhrit të Komandantit Përgjithshëm, një skuadër partizane e Brigadës XII-të, me anë të një barke, duke kaluar vështirësitë e detit, mbërrin në Ishull dhe merr në dorëzim Sazanin. Atje ishte vetëm një skuadër ermenësh, që kishin mbetur të fshehur dhe pa as më të voglin kundërshtim u dorëzuan partizanëve. Terrori dhe masakrat mbaruan, thuhet në thirrjen e komitetit qarkor të Vlorës të tetorit 1944. Vlora martire është në gaz. Kudo dëgjohet kënga, kudo gëzimi ka shpërthyer si vullkan…. burrat dhe gratë, të rinjtë dhe të rejat, e pritën Ushtrinë Partizane NÇ me një entuziazëm të pashoq…. (trakte e dokumenta faqe554)