Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka kërkuar procedimin disiplinor të prokurores A.P., me masën “ulja e përkohshme e pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit”.
Hetimi disiplinor nisi pas ankesës së Avokatit të Popullit, lidhur me mënyrën e përllogaritjes së kohës së vuajtjes së dënimit të një personi të dënuar.
Sipas ILD-së, prokurorja, në cilësinë e prokurores së ekzekutimit, ka kryer veprime dhe mosveprime të përsëritura dhe të pajustifikuara në lidhje me ekzekutimin dhe bashkimin e dënimeve.
Sipas përfundimeve të hetimit, mosveprimi ka ndikuar në përllogaritjen e kohës së dënimit, duke sjellë që i dënuari të qëndronte në burg përtej datës kur, sipas përllogaritjes së evidentuar nga ILD, dënimi duhej të kishte përfunduar.
Njoftimi
Mbi kërkesën për procedim disiplinor me masën “Ulja e përkohshme e pagës deri në 40 për qind për një periudhë jo më të gjatë se një vit”, për prokuroren A.P.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin disiplinor ndaj magjistrates A.P., në kohën e shkeljes prokurore në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të juridiksionit të përgjithshëm Berat, pas ankesës së Avokatit të Popullit, lidhur me mënyrën e përllogaritjes së kohës së vuajtjes së dënimit të një të dënuari. Hetimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë bazohet në shkeljet e parashikuara nga neni 102, pika 1, shkronjat “ç” dhe “dh”, të ligjit nr. 96/2016.
Nga hetimi disiplinor rezulton se magjistratja, në cilësinë e prokurores së ekzekutimit ka kryer veprime dhe mosveprime të përsëritura dhe të pajustifikuara lidhur me ekzekutimin e vendimeve penale dhe bashkimin e dënimeve të një të dënuari. Konkretisht:
- Nga ana e magjistrates nuk janë kryer, në mënyrë të përsëritur dhe të pajustifikuar, veprimet procedurale të nevojshme për kontrollin e ligjshmërisë së ekzekutimit të vendimit penal, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.
- Shkelja është kryer nga pakujdesia, në formën e neglizhencës dhe ka vijuar në kohë e në disa faza të procedurës.
- Mosveprimi ka vijuar edhe pasi magjistratja kishte marrë dijeni për dokumentacionin e ekstradimit dhe për periudhën e paraburgimit të vuajtur nga i dënuari në Greqi dhe nuk është korrigjuar deri pas kërkesës së Avokatit të Popullit.
- Shkelja ka cenuar drejtpërdrejt të drejtën themelore të lirisë personale të të dënuarit, duke sjellë si pasojë,qëndrimin në burg për një periudhë të gjatë, përtej datës në të cilën, sipas përllogaritjes së evidentuar në hetimin disiplinor, dënimi duhej të kishte përfunduar.
- Sjellja e magjistrates A.P. paraqet një rrezik më të gjerë sistemik, pasi mosrespektimi i detyrimeve ligjore në lidhje me kontrollin dhe përllogaritjen e ekzekutimit të dënimeve mund të përsëritet në raste të ngjashme dhe të sjellë pasoja të drejtpërdrejta në të drejtën e lirisë personale të personave të dënuar.
Raporti i hetimit disiplinor të ILD-së konkludon se megjithëse pasoja ka qenë serioze, fakti që shkelja është kryer nga neglizhenca, mungesa e qëllimit për cenimin e të drejtave të të dënuarit, performanca profesionale e vlerësuar maksimalisht dhe sjellja bashkëpunuese gjatë hetimit janë konsideruar faktorë lehtësues.
Në përfundim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vlerëson se sjellja e magjistrates përbën “shkelje të rëndë disiplinore”, në kuptim të nenit 102, pika 1, shkronjat “ç” dhe “dh”, të ligjit nr. 96/2016, të ndryshuar, dhe i propozon Këshillit të Lartë të Prokurorise caktimin e masës disiplinore “Ulja e përkohshme e pagës deri në 40 për qind, për një periudhë jo më të gjatë se një vit” ndajprokurores A.P.





















