Albert Tafani, talenti që u zbulua nga Vaçe Zela

943
Sigal

BILBILI I KËNGËS POPULLORE TË ELBASANIT/ Artisti që  lindi nga puna, jetoi me këngën dhe respektin e publikut

Albert Tafani, i quajtur ndryshe si “bilbili këngës popullore të Elbasanit dhe Shqipërisë Mesme”, talenti i zbuluar ndoshta rastësisht nga këngëtarja e madhe Vaçe Zela, prej afro 45 vitesh jep kontributin e tij në interpretimin dhe promovimin e pasurisë së çmuar siç është kënga popullore. Albert Tafani, e ka nisur karrierën e tij qysh fëmijë, kur dëgjonte me dashuri zërin e këngëtarëve të mëdhenj të këngës popullore të asaj kohe tek “Radio- Tirana” e më vonë  në TVSH, nga ku pastaj ai nisi të këndonte. Talentin e tij e ka shpalosur kur punonte në profesionin e nderuar të berberit dhe aktivizohej nga Shtëpia e Kulturës Elbasan, por edhe RTSH. Ai nisi të ngjiste shpejt shkallës e karrierës dhe të suksesit si këngëtar popullor, ai thirrej në të gjitha aktivitetet artistike e kulturore, thirrej nga koncertet dhe festivalet që mbaheshin, pasi zëri i tij ishte tërheqës dhe ndjellës. Të gjithë, jemi rritur me këngët e Tafanit, me zërin e tij. Mjafton të dëgjosh vargjet e këngës popullore “Kno moj qyqe se po vjen behari…”, për të përmendur e nderuar njeriun që edhe sot i këndon zemra dhe shpirti, këngëtarin dhe interpretuesin popullor Albert Tafani. I lindur dhe rritur në Elbasan, i formuar dhe ushqyer prej fëmijërisë tij me këngët popullore të Elbasanit dhe Shqipërisë së Mesme, jo vetëm nga vokacioni dhe zëri tij karakteristik, por edhe nga talenti dhe aftësia interpretative, Tafani ka shkëlqyer ndër vite, duke krijuar profilin dhe veçantinë e tij. Në brezin e këngëtarëve profesionistë që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin jetë folkut elbasanas, veçmas, këngëve dhe melodive popullore qytetare të Elbasanit, ai mbetet autentik dhe i paarritshëm në llojin e tij. Një jetë me këngët e tij, me mbi 67 vite mbi supe, Tafani, ka të gjallë dëshirën dhe pasionin për këngën popullore dhe mbetet mjaft i vlerësuar. Ai këndon me shpirt këngët, meloditë, fjalët dhe vargjet e krijuesve të mëdhenj popullore Isuf Myzyri dhe Mustafa Bodini. Tafani ka qenë pjesëmarrës në festivalet Folklorike qysh nga ansambli “Isuf Myzyri”, tek “Elba Folk”. Tafani edhe sot respektohet dhe duartrokitet nga fansat e tij dhe jo vetëm në Elbasan, por edhe në Tiranë, Durrës, Shkodër, Kavajë, Lushnje, Korçë, Gjirokastër, etj. Tafani  njihet gjerësisht edhe nga  shqiptarët jashtë kufijve tanë,  si në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, e mjaft shtete të tjera deri në SHBA ku  ka shqiptarë. Atje ai ka fansat e tij të shumtë, që e presin dhe respektojnë maksimalisht. Përmes këngëve “Mu ke Gurabardhja”, “Vaj si qenka ba dynjaja”, “Sa ma shpejt me vu kamën”, “Tuj shëtit në ara të gjata”, “Moj kala e kuqe” etj, etj, ai përcjell me dashuri dhe interpretim  prej artisti vlerat  qytetare dhe talentin e tij të lindur. Në  Festivalin e Këngës Popullore Qytetare Albert Tafani  do te meritonte Çmimin e Parë të Karrierës, sepse janë këngët që ridimensionohen brenda shpirtit tij, mendjes dhe  natyrisht në këtë kohë zhvillimesh zëri Bilbilit nuk  humbet kurrë. Albert Tafani ka qenë ftuar nga TV të Kosovës, Maqedonisë, nga shoqata dhe individë, të cilët kanë kërkuar dhe shijuar zërin e tij, melodinë e këngëve të Shqipërisë së Mesme, por edhe vargjet e bukura të këngëve. TVSH, ka qenë ndër mediat kryesore që ka ftuar Tafanin në koncerte çdo fundviti, po ashtu edhe TV Klan, TVA,  apo edhe Tv të tjera lokale. Nga Universi i vlerave që ruan në shpirtin e tij, Elbasani i shekullit të lirisë dhe prosperitetit, gjithmonë ka nderuar dhe nderon këngëtarët e tij. Albert Tafani mbetet i dashur për çdo elbasanas, por natyrisht ai duhet vlerësuar edhe nga institucionet e kulturës së qytetit dhe shtetit, pasi ky do të ishte një stimul moral mjaft i nevojshëm për atë dhe çdo artist tjetër që e ka merituar këtë nderim. Artisti Albert Tafani, ka sot dashurinë e publikut, por ai meriton më shumë, por mbi të gjitha respektin e publikut.

Tefik Osmani