Si çdo personazh interesant në botë që ka dalë nga Shqipëria, me sa duket edhe princi i kaltër i paska rrënjët e rrënjosura thellë në lekët e popullit shqiptar. Princi i kaltër, ëndrra e çdo vajze me kështjellën e tij përrallore, paska qenë Ermal Beqiri.
Në fillim dolën vilat, pishinat, apartamentet luksoze, jahti “Skyfall” dhe llogaritë bankare, ndërsa më pas u zbulua edhe avioni privat me të cilin Ermal Beqiri u arrestua në Francë. Tani, kësaj panorame pasurish i shtohet një tjetër pronë që tërheq vëmendjen: një kështjellë historike në departamentin Oise, e vendosur rreth një orë larg Parisit.
Sipas njoftimit të autoriteteve franceze, të përcjellë përmes SPAK-ut, gjatë hetimeve u identifikua blerja e kësaj kështjelle me vlerë rreth 2.6 milionë euro.
Verifikimet në dokumentet publike franceze çojnë drejt Château d’Auteuil, një rezidencë historike në komunën Berneuil-en-Bray. Përputhja nuk mbështetet vetëm te vendndodhja dhe vlera e transaksionit, por edhe te një detaj që të bën të ngresh vetullën: në rubrikën “Mentions légales” të faqes zyrtare të pronës figuron emri “ermal beqiri” si botues i faqes.
Kur emri del i stampuar kaq hapur në faqen zyrtare të rezidencës, nuk bëhet fjalë më për një detaj teknik që humbet mes rreshtave të dosjes. Është një gjurmë dixhitale që i jep një kthesë tjetër historisë së kësaj pasurie.
Dokumentet franceze tregojnë se Château d’Auteuil u shit më 30 dhjetor 2024 për 2.612.200 euro, një shifër që përputhet me vlerën e përmendur nga SPAK.
Nga një rezidencë historike në Francë te dosja e një prej hetimeve më të bujshme për fondet publike në Shqipëri, emri i Ermal Beqirit mbetet në qendër të vëmendjes së SPAK-ut për skemën e dyshuar të abuzimit me tenderat e AKSHI-t, ku akuzohet se ka vepruar në bashkëpunim me Ergys Agasin.
Paralelisht me prangosjen, autoritetet franceze identifikuan dhe sekuestruan një sërë asetesh dhe pasurish që, sipas SPAK-ut, lidhen me hetimin. Në listën e pasurive të sekuestruara tashmë bën pjesë edhe Château d’Auteuil, kështjella franceze që i dha një kthesë më shumë dosjes së AKSHI-t





















