Pëllumb Gorica: Përtej kodrinave të Tiranës, nga fryjnë erërat e perëndimit

Të udhëtosh nuk është të shkosh larg. Ndonjëherë thjesht duhet të ikësh disa kilometra për të parë drita të reja peizazhesh që të befasojnë me qetësinë, ngjyrat dhe gjerësinë e tyre që, pak nga shpërqendrimi, pak jashtë zakonit dhe mungesës së kohës, jemi të prirur t’i shmangim. Dielli sapo ka nisur të lëpijë asfaltin e Tiranës, por ajri tashmë peshon rëndë. Nisemi pa nxitim, pa orare të ngurta, atje ku zgjerohet një sy i madh qielli, shkëlqen më shumë një grusht diell, atje ku muret dëshmojnë historinë. Rruga gumëzhin nga makinat që shkojnë e vijnë sikur je në pistën e garave. Tabelat pothuajse na drejtojnë në një mijë drejtime.

Jeta këtu vazhdon t’i rezistojë braktisjes

Sigal

Ndonjëherë, thjesht duhet të shohim përtej rrugëve (me aq sa mund të shohim), nëpër fushat dhe kodrat e ngjyrosura me një gjelbërim intensiv, atje, ku zhurmat e qytetit zbehen ngadalë si muzikë e lehtë. Rruga menjëherë shkoi përpjetë, në Prezë, për të zbuluar një vend plot histori dhe arkitekturë natyrore që vetëm Zonja Natyrë mund ta skalitë, pa trafik, mes murmurimave të motorit, me notat e një kënge të vjetër, një melodi që dukej sikur shoqëron kthesat e shumta të rrugës. Ajri që thith në këtë vend është përfshirë nga një ndjenjë paqeje. Kështu, duke folur dhe duke ecur, mbërritëm në Prezë, një tokë që fsheh një lashtësi kurioze, por është edhe një tokë e përzemërt, ku natyra formësohet me kujdesin për të ngjallur emocione dhe përbën një kontrast ndryshe me nxitimin, zhurmën dhe rrugët e ngarkuara, që vazhdojnë të gërryejnë hapësirat natyrore. Zhytemi në qetësinë e peizazhit. E gjelbërta është e ndritshme dhe qielli blu e shkëlqyeshme. Ndonjëherë ndalojmë, jo thjesht një domosdoshmëri fizike, por një dëshirë për të dëgjuar zhurmat e natyrës: këngën e zogjve, gumëzhimën bredhëse të insekteve, lehjet e ndonjë qeni, flladin që fëshfwrin në degët e ullinjve me pëshpërima të lehta, të ngjajnë si një orkestër e shpërndarë. Por e vërteta është se në mes të atyre pasazheve të vazhdueshme, e shkuara takon të tashmen, dhe ku çdo cep tregon një histori mahnitëse. Përtej këtyre përshtypjeve, janë edhe disa mësime që mund t’i nxjerrë çdo banor për t’i mbajtur këto hapësira të paprekura. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të vlerësojmë bukurinë e Natyrës dhe ta mbrojmë atë. Sepse nëse nuk e ruajmë natyrën, atëherë ajo do hakmerret ndaj nesh. Po e shohim dhe po e përjetojmë këto vitet e fundit, që paraqiten ekstreme në temperaturw të larta, me zjarre, apo përmbytje. Për shkak të prerjes së pyjeve, kemi erozion, mungesë shiu e thatësira të zgjatura, vërshime e breshër duke rrezikuar gjithçka. Preza ka lindur si një vendbanim strategjik, në lartësinë e kodrave, në një pozicion të ngritur, i dobishëm për kontrollin e territorit përreth dhe për t’u mbrojtur nga inkursionet e pushtuesve, duke bëri atë një vend të sigurt, i nxitur edhe nga zhvillimi i një popullësie të lidhur fort me traditat lokale. Një vendbanim që pavarësisht gjakderdhjes demografike, ende frymon dhe i bën ballë kohës. Kur e dimë pak historinë e Prezës, që nuk përpiqet të bëjë përshtypje, ecja është një udhëtim në kohë, ku jeta ende ruan ritmin e saj të vërtetë. Është e lehtë, këtu, të kufizohesh vazhdimisht midis Historisë, tregimeve dhe legjendave, ato të mbledhura me krenari dhe respekt. Në këtë ecuri kupton se sa shumë ka arritur Preza, të ruajë ekuilibrin delikat mes të shkuarës dhe të ardhmes. Ne ecim përpara, pastaj shkojmë përsëri pa ecur shumë. Fjalët bëhen të padobishme, zëvendësohen nga heshtja. Çdo cep tregon një histori. Sa bukuri shihet në gjërat më të thjeshta: një mendim që ndez një hap, një gjethe që gjelbëron në një mur të rrënuar, ndonjëherë një derë e vjetër, një buqetë zambakësh… Shtëpitë dy dhe tre katëshe me avlli e porta të mëdha, të skalitura me qoshe guri, të rrethuara me ullinj, që janë ndoshta më të vjetër se shumica e librave të historisë, për të zgjuar tek ne emocione. Aty, përbri rrugës, një ndërtesë moderne, me hapsira të mëdha. Hajmali në një shtëpi në ndërtim. Këto janë shenja paganizmi. Shikonim në heshtje vetëm disa metra larg gjurmë të qytetërimit të hershëm: një pus me arkitekturë unike, i cili sipas pllakatës së vendosur mbi të është ndërtuar në vitin 1187 hixhri (sipas kalendarit hënor), mbi 200 vjet më parë, nga osmanët; arkitekturë tradicionale preziane që përmendet për origjinalitetin e shtëpisë së zjarrit me “mafil” (një ballkon druri që qarkonte dy faqe të murit).

Aty, ku Historia është e gdhendur në gur

Në majë të një kodre të Prezës, kalaja, e ndërtuar mbi themelet e një kalaje antike, të fortifikuar nga perandori ilir Justiniani në vitet 550. Një strukturë rrethore, e lehtë dhe elegante, e dukshme, që dëshmojnë për një të kaluar historike. Hyrja këtu është si të hapësh faqet e një libri mesjetar, me sheshe të mbledhura, ndërtesa historike përreth dhe një atmosferë, që ndërthur gurin e lashtë dhe shpirtin arkaik. Rrezet e diellit përkëdhelin muret, zbulojnë relievet e gurëve, dhe i japin çdo detaji një butësi të veçantë. Ndalesh për të bërë fotografi, ndërsa kënga e zogjve ngjyros heshtjen me nota harmonie. Zgjedhja e vendndodhjes së kalasë nuk ishte e rastësishme: e vendosur në një lartësi, kalaja dominonte përreth, duke ofruar një pozicion strategjik për mbrojtjen dhe kontrollin e territorit. Kalaja e Prezës ka një histori të pasur dhe mahnitëse, me një rol të rëndësishëm, duke shërbyer si një fortesë për fisnikërinë vendase dhe si një pikë mbrojtjeje kundër pushtuesve.

Gjatë shekujve, kalaja me ndryshimin e rrethanave ushtarake, gradualisht humbi rëndësinë strategjike. Muret e trasha dhe kullat janë dëshmi e funksionit të tij origjinal mbrojtës. Aty ngrihet edhe ndërtesa dy katëshe e xhamisë me arkitekturë të veçantë, që nuk u shkatërrua nga regjimi dhe është ende në funksion. I afrohemi ngadalë, siç bën me diçka të shenjtë. Fasada e saj prej guri, harku, tuneli, minarja e saj si shtizë në qiell, dera e saj, gjithçka këtu të ftojnë në heshtje. Të kalosh pragun e saj do të thotë të hysh në një kohë tjetër. Ishte koha për të pirë një kafe në kala, që të shijon aq shumë, me sytë në muret dhe kullat. Kamarieri të sheh në sy e s’ke nevojë të bësh shenja që të vijë të shërbejë kafe pa shkumë, pra kafe moderne, po kafe me ajkë. Çdo gllënjkë e saj bëhet një ritual i vogël që bashkon të shkuarën. Kafja është e zezë, por e bën bisedën të bardhë. Aty takon njerëz që të flasin për Prezën, të hysh thellë në shekujt e saj. Ulur në karriget e drunjta të kafenesë vështrimin e hedhim në brendinë e saj, që ndihet më pak si një muze i vogël arkeologjik, historik dhe etnografik, ku ruhen artefakte të çmuara nga Preza e kohëve të shkuara, të mbledhur me përkushtim, dashuri dhe respekt për paraardhësit: qeramikë, gur të gdhendur në epoka të largëta, punime hekuri, bakri, druri, zile dhe kumona bagëtish, etj. Një familje mbledhur rreth një tavoline të gjatë.

Të tjerë fëmijë luanin përjashta në sheshin e kalasë futboll, duke u endur midis të qeshurave. Ata vijnë këtu të gjejnë para së gjithash heshtje, paqe, dhe ndonjëherë pak më shumë për të “shpëtuar nga Tirana e zhurmëshme”, kaotike. Kalaja e Prezës shtrihet nga Jugu në Veri. Ana lindore e saj është e mbrojtur nga vetë terreni i thyer, kurse në perëndim është një pllajë e sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqëndruar pikërisht në këtë pjesë. Sigurisht kishin shfrytëzuar pikën strategjike mbi rrugët e lashta që lidhnin Shkodrën me Durrësin dhe Krujën. Kalaja të mahnit me historitë, në të cilat ndërthuren përkushtimi popullor dhe kujtesa historike. Kristo Frashëri te Historia e Tiranës: Kala tjetër me themele antike ilire, është edhe ajo e Prezës e cila ka arritur deri në ditët tona me mure mesjetare… Megjithatë, në rrjedhën e pak më shumë të shekujve, e bëjnë të gjallë. Në kohën e sulmeve Otomane ajo ka shërbyer si qënder ushtarake ku vendoseshin luftëtarët, duke kontrolluar rrugët në Pellgun e Tiranës, si mikpritëse për Gjergj Kastriotin për sulme të befasishme dhe tërheqjeje taktike për t’u mbrojtur. Kalaja e Prezës nuk ishte e banuar për shkak të dimesioneve të vogla 50×80 megjithëse ka 3000 m2 tokë. Është e rethuar me mure të trasha guri (1.3m – 1.4 m), të ndërtuar nga guri lokal. Ajo ka 4 kulla vrojtimi dhe mbrojtje me kullë në hyrje. Kjo kala ka pasur brenda saraje, garnizone dhe ambiente të një jete aristokratike dhe kjo duket qartë nga struktura solide dhe organizimi perfekt. Ishte koha e ndërtimeve të mëdha, me mure të mëdha, duke krijuar fortesa të vërteta, me muret e tyre të trasha. Në shekujt pasues u kryen zgjerime dhe rikostrukturime të ndryshme dhe themelore që, në kuptimin e vërtetë të fjalës, ndryshuan strukturën e saj. Këto monumente përbëjnë një kolektiv arkitektonik me vlerë të madhe, i cili tregon evolucionin e kalasë ndër shekuj. Ruhet një pjesë e mureve me trashësi. Kulla e lartë me gjatësi 80 metra dhe gjerësi 50 metra paraqet karakteristika tipike të fortifikimeve mesjetare dominon peizazhin dhe dëshmon rëndësinë strategjike. Pozicioni i ngritur i saj kishte një funksion ushtarak dhe simbolik, që nga njëra anë ishte vend vëzhgimi në rast sulmi, me kalanë e Petrelës, me kalanë e Ishmit dhe me atë të Krujës, por përgjithësisht, shiheshin nga njëri- tjetri për të dhënë sinjal kur sulmonte armiku (një strategji e njohur ushtarake për kohën). Kur dolëm para kësaj kulle të madhe, nga atje pamja është e pabesueshme: Autostrada e re shtrihet drejtë Veriut të Shqipërisë. Tanimë Shqipëria është e gjitha më pranë, Tirana dhe Shkodra, Prishtina dhe Dibra e Madhe, Elbasani dhe Korça, Kukësi dhe Vlora.

Zbardh terminali i Rinasit, ku si skifterë gjigandë ulengrihen avionët e linjave ndërkombëtare, ndërsa shikimi të vrapon lirshëm në një zgjerim kodrash që shoqërohen me dallgë të përkëdhelura, që rrethojnë Pellgun e Tiranës, i cili ngjante si ndonjë favelë në Amerikën Latine, nën një qiell blu të veshur nga retë baroke që enden si gravura. Nga atje lart shihnim çatitë e kuqe të Krujës, kodra të gjelbra e të pafundme. Në hapësirat e saj syri sheh larg, përse jo deri tej Mali i Skënderbeut, Dajti, Petrela, Krraba e më tej Lezhën, Shëngjinin, Laçin… Historiani Marin Barleti, tregon se ajo duhet të jetë ndërtuar para rrethimeve të Krujës nga osmanët, ku shprehet “se në rrethimin e parë të Krujës, kalaja u rrënua”. Po në vitin 1466, sipas Barletit, ishte kthyer në një gërmadhë: “Që të arrinte këtë gjendje të shkatërrimit ajo duhet të jetë braktisur shumë kohë më parë, pra që në fillim të luftërave të Gjergj Kastriotit. Arsyeja e braktisjes mund të ketë qënë paaftësia e saj për t’i rezistuar luftimeve dhe rrethimeve të gjata. Si kohë e mundshme e ndërtimit të Prezës mund të ketë qënë fillimi i shek. XV nga principata e Topiasve, e cila ishte zotëruese e kësaj zone”. Kështu duke ndërtuar kala, ku ndihej më i mbrojtur nga sulmet e armikut. Albanologu dhe eksploratori Hahn kur kaloi në këtë Prezë e përshkroi: “Vetë kalaja ndodhet në majën më të lartë të vargut kodrinor, që shtrihet ndërmjet këtyre dy luginave. Pjesa e këtij vargu kodrinor që takohet fillimisht në këtë majë quhet Varosh dhe thuhet se këtu të ketë qenë vendosur qyteti në kohët e lashta”. Hahn J. “Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit”. Prifti françeskan, mbledhës folklori, arkeolog dhe shkrimtar, Shtjefën Gjeçovi shkroi novelën “Mnera e Prezës”. Nëpër rreshtat e saj gjen informacione si: “Madje jo për një qytet të çfarëdoshëm, por për një qytet që realizonte dhe synonte nivele të larta emancipimi të vajzave dhe të grave shqiptare”. Kohërat me luftrat rrënuese i kanë fshirë shumë gjurëm të kalasë së Prezës. Nga këndvështrimi, e vërteta historike e saj ende nuk është shprehur plotësisht, ka ende shumë për të shtuar në historinë e saj. Atje, mes vështrimeve në peizazhe që dukej sikur zgjeronin shpirtin, mes bisedave të ndërthurura, një drekë e këndëshme në një shoqëri të zgjedhur, wshtë shumë e rëndwsishme dhe nuk harohet. Vizita ishte intensive, mjaftueshëm për të marrë bukurinë, veçantinë dhe emocionet që ofron historia dhe natyrisht peizazhi në Prezë. Nuk erdhëm për të bërë zbulime, por thjesht për të parë ca gjurmë qytetërimi, gjuhën e të cilave mund të kuptojnë vetëm arkeologët. Midis një perëndimi dielli që të lë pa frymë dhe një makine kohe, këtu është sintaksa e udhëtimit: një përzierje e bukurisë skenike dhe emocionit.