Pëllumb Gorica: Drejt skajit më verior të hartës së Shqipërisë

47

Nuk harrohet figura e heroinës Nora e Kelmendit, e cila para 400 vitesh vrau pashain turk.

Sigal

Greça, mali ku patriotët e Malësisë së Madhe hartuan 12 kërkesat e “Memorandumit të Greçës” ose “Librin e Kuq”, më datën 11 qershor 1911.

Skulptura e Mujit të Eposit të Kreshnikëve

 

Njerëz si unë e kanë të domosdoshme të udhëtojnë, njësoj si te “Republika e zogjve” të Aristofanit.

Në mëngjesin e një dite të bukur Nëntori, nisa një udhëtim për në Kelmend, në skajin më verior të Shqipërisë.

E kishte nxitur prej kohësh dëshirën time ky vend i mbushur me bukuri, thyrje dhe përthyrje të relievit (diku me një ashpërsi tërheqëse e diku mbytur nga ngjyrat) me historira, me magji dhe heroizma kreshnikësh.

 

Kënaqësi për sy, veshë dhe shpirt 

Lëpusha. Perla e Alpeve

Në Rrapsh, pa dalë te “Leqet e Hotit”, ishte kthyer si rit fakti që, edhe po të doje të mos ndaloje në “ballkonin” e asaj hapësire magjike, nuk i rezistoje tundimit për të fotografuar gjarpërimet e rrugës,majat e larta; ujërat e Cemit, që rrjedhin teposhtë theqafjeve të maleve, nëpër kanionet dhe morenat e periudhës glaciale, për të cilat shkruante më 1900 studiuesi italian Antonio Baldaçi.

Në Grabon (i shkojmë anash) është vendkalimi kufitar. Aty, një toponim sa historik, aq edhe i mistershëm mban emrin “Pellgu i Fratit”, sepse këtu në vitin 1644 u vranë dy famullitarë françeskanë të ardhur nga Italia si misionarë të Krishtërimit.

Ishte koha kur popullsia po pakësohej prej sëmundjeve. Po ndodhte që në Malësi të Madhe të martohen burrat me dy a më shumë gra. Kleri Katolik nuk e lejonte këtë dhe misionarët u përpoqën për mos lejuar martesën me më shumë se një grua. Ata përmes shembëlltyrave dhe kodeve morale i ndaluan martesat brenda familjes dhe farefisit.

Në zgjatimin e luginës, mes shushurimës së ujërave, futesh thellë në historinë e Kelmendit.

Atje ku bashkohet Cemi i Selcës me Cemin e Vuklit, teksa fotografoja rrjedhat e tyre, më dukej se dëgjoja këngën e rapsodit Sali Mani “Moj e mira bregut të Cemit”.

Turmat e maleve dhe individualitetet e kreshtave shkëmbore, që ngrihen drejt qiellit si dhëmbë të mprehtë, u kishin kalitur gjokset bujare banorëve, me trimëri këtej e andej kufirit. Zemërbardhë, më të bardhë se bora, gojëmbël si mjalta…

Është një bashkësi shpirtpapërlyer e gjakpastër, që ruan virtyte, burrëri, rite, legjenda, këngë e zakone. Në Kelmend ka vend shprehja: “Lufton vendi e jo Kelmendi”, duke shkruar faqe të lavdishme në histori.

Kelmendi është përballur me luftra më shumë se të gjitha trojet shqiptare.

Kohërat, pushtuesit, gjeografia e egër, prodhojnë njerëz me cilësi identike, si figura e heroinës Nora e Kelmendit, e cila para 400 vitesh vrau pashain turk.

Jo vetëm rrëfenjëzat janë kthyer në legjendë, por vetë akti i Norës është cilësuar nga Të huajt “Brunilda shqiptare”.

Nora e Kelmendit i tregoi pushtuesit se liria është e shenjtë dhe rrënjët ushqehen me gjakun e bijve dhe bijave të këtij vendi.

Ajo do të përballej me Vuç Pashën duke i thënë:

– Kam ardhur të “të martoj“me vdekjen tënde, se me mua nuk do të martohesh kurrë.

Sakaq nxori kamën, që e kishte fshehur nën xhubletë dhe i preu kokën.

Kelmendasit mbi ashpërsinë e maleve njihen për elegancë në veshje, lidhur ngushtë me mënyrën e jetesës së tyre; kjo deri në shekullin XX.

Nëse kushdo që i hyn ca thellë këtij fakti etnografik, tregon se kelmendasit kanë jetuar lirinë, bukurinë, forcën, madhështinë e vlerave dhe kulturës së hershme. Është e njohur xhubleta e mbushur me motive të panumërta, që vashat e nuset e veshin në shtatin e tyre, duke u dhënë bukuri dhe gjithçka mahnitëse këtij vendi të bekuar.

Në cep të Cemit duken gjurmët e urës së vjetër mesjetare që lidhte dy brigjet e tij: një ndërtim i vjetër që tregon se Kelmendi ka pasur më shumë rëndësi se sa sot si rrugëkalim.

Dhe pamja ishte vërtet mjaft interesante, intriguese, enigmatike, disi e mistershme: Ishte vërtet një dëshmi historike…

Ura e Tamarës. Ndërtim i gjysmës së dytë të shekullit XVIII

Po përse quhet ura e Tamarës?!

Tamara, e shoqja e vezirit të Shkodrës, kishte shkuar më të parë (pra në gjini) andej nga viset e Malit të Zi.Kur po kthehej për tek i shoqi në Shkodër, kuptohet bashkë me karvanin e saj, nuk e gjetën urën.Vërshimet e Cemit e kishin marrë dhe Tamara, bashkë me njerëzit, që e shoqëronin, detyrohet të kthehet mbrapa. Shkon fjala te veziri dhe ky jep urdhër të ndërtohet menjëherë ura, që t’i vinte e shoqja.

Historitë gojore thonë se Tamara ishte grua e bukur dhe fisnike nga fisi i Deduklajve, të cilën veziri i Shkodrës e kish zgjedhur për merak.

Ajo qe aq fisnike dhe e mençur, saqë fshatit, nga Villë, i vunë emrin e saj, Tamarë.

Prej asaj kohe urën e quajtën “Ura e Tamarës” dhe më pas, gjatë viteve, vendbanimi, që u formua aty afër mori emrin “Tamarë”.

Sot është qendra e Kelmendit: me ndërtesa të mbledhura buzë rrugës, një stacion pushimi për kafe e për të shijuar (troftën e Cemit), por edhe për të kaluar natën në bujtinat e saj.

Në shumicën e tyre gjejmë punime artistike prej druri e guri, prodhime blegtorale dhe bimët mjeksore të krahinës.

Jehon piskama e legjendave

Memoriali i masakrave të serbëve në 1911 në Gropat e Selcës

Cemi kishte gërryer shtratin në një kanion që të duket si një Mriz Zanash. Keqardhja nuk mungon kur vështron masakrën që ishte bërë, jo vetëm bukurisë së tij, por edhe shëndetit të Botës Bimore e Shtazore, aq sa ndjen një pikim në shpirt (nga një HEC fantazmë) që ka shkatërruar natyrën e Cemit dhe kujton Migjenin:

Oh, si nuk kam një grusht të forte/ t’i bij m’u në zemër malit që s’bëzan!

Vështron majat e maleve si roje besnike të qiejve, humnerat e pamata, ujëvarën, luginat, gropat e çdo gjë tjetër mahnitëse.Një bukuri e pakrahasueshme, që flet me gjuhën formuese milionavjeçare.

Ludoviku, udhërrëfyesi ynë, për të mos i lënë vend heshtjes, të tregon histori të burrave të moçëm; legjenda mistike, betejat dualiste mes dragonjëve dhe kuçedrave që shteronin gurrat e ujit, zemërimet e Orëve dhe Zanave të Malit: tregon erën e Eposit të Kreshnikëve, që nga Mujët dhe Halilët, deri te kralët gjakatarë dhe Ajkunat që nëmnin me gjëma e mallkime.Përballë është Greça, mali ku patriotët e Malësisë së Madhe hartuan 12 kërkesat e “Memorandumit të Greçës” ose “Librin e Kuq”, me datën 11 qershor 1911.Në përpjekje të ruajtjes së kujtesës historike, sheh kudo memorialë në përkujtim të masakrave nga Ushtria Serbe dhe të pushkatuarve nga Kuçedra Komuniste.Në fund fare, si monument natyror, ngrihet hijerëndi, lapidari kushtuar 21 selcianëve të masakruar nga hordhitë serbe më 1913.

Duke ecur në rrugën gjarpëruese, pranë luginës, si në një botë tjetër, sikur të deh oksigjeni, të mrekullojnë qetësia dhe ujërat që gurgullojnë ison e jetës dhe të legjendave. Në njërën nga bërrylet e udhës të befason skulptura e Mujit të Eposit të Kreshnikëve, e skalitur në një gur.

Rruga gjithë trille kthesash ecën ngjitur maleve. Ajo sikur varej mbi ne dhe dukej sikur sa nuk na binte mbi kokë.

Rreth e rrotull shkëmbinjë të thërmuar. Të ngjajnë si gurët e legjendës sëJasanovës:

Një selcian vendosi të sfidojë Ligjet e Maleve dhe të Kishës.Ngaqë kishte një motër shumë të bukur, vendosi ta merrte për grua. Shkoi te frati dhe i thotë:

O frat, kur e ke diçka të mirë, a është më mirë me e mbajt për vete, apo me ia dhanë dikuj?!
Frati me të drejtën e gjykimit i thotë:

– Kur është kaq e mirë mbaje për vete.

– Mirë, – i thotë selciani, -Të dielën do të martohem; do të marr motrën për grua.

Frati, i vrenjtur, i kthehet: – Më zure për fjale, por ky është mëkat. Ndaj mos gabo, se të vret Zoti.Selciani nuk i bindet dhe vendos të përgatisë dasmën.Fton gjithë Selcën dhe miqësinë.Të vetmit që refuzuan ftesën ishin frati dhe kovaçi, aq sa ata edhe macat e shtëpisë i kanë lidhë mos me shku me ngranë mish.

Të shtunën mbrëma, para se të nisë dasma, thonë se Zanat e Maleve lëshuan piskamën:

– O motër, po të baj za! Ruaje Zot fratin e kovaçin, se mbaroi kjo dynjà.

Legjenda thotë, se kur e gjithë miqësia u mblodh dhe nisi dyzeni, ka çuar Zoti dorën dhe ka rrënuar malin, duke mbuluar gjithçka me gurë, saqë askush s’ka mbetë i gjallë.

Lëpusha e magjishme 

Kisha e Shën-Gjonit në Vermosh

Bukuritë e pafund të atyre bjeshkëve kanë futur në prehrin e vet luginën, nga më të rrallat, Lëpushën përrallore, të qendisur me ngjyrat e Botës:

Shkëmbinj, kullota, bujtina, kulla dhe drurë të llojllojshëm.

Ajri i freskët, dielli, ecja në rrugët e fshatit, cicërimat e zogjve, rrjedha e ujërave…

Magjia e Vjeshtës në Lëpushë mbërrin më herët se në çdo vend tjetër, me ndjesinë e hapjes së portës për të fryrë ajër i freskët, kur edhe gjethet dalëngadalë ndryshojnë ngjyrën: Nga jeshile e theksuar, në një nuancë përherë e më tepër drejt zbehjes së kësaj ngjyre dhe theksimit të së verdhës; nga e njoma, drejt tharjes, me ritualin  që i nënshtrohet rënies,duke i xhveshur drurët; i cili çohet deri në fund kur peizazhi kalon në duart e Dimrit…

Në fillim të Viteve ‘90, kur po ndaheshin epokat, banorët, të përballur me kushtet e vështira ekonomike ikën, duke lënë pas kullat, varret e Të parëve, gjurmët e gëzimeve dhe dhimbjeve.

Një pjesë u rikthyen në strehëzën e vjetër plot bukuri e dinjitet, për ta mbajtur gjallë, duke investuar në bujtina dhe shtëpiza druri (Guest-Houset shtëpi për mysafirë), që më së shumti u japin qetësi turistëve, aq sa sot është bërë një realitet i prekshëm i ndryshimeve në sajë të frymës evropiane që po merr.

Lëpusha është një vend i rëndësishëm me përplot histori traditash mikpritjeje, kuvende, luftra dhe trimëri. E njohur në festimin e Shën – Prendës (Logu i Bjeshkëve), më i lashti ritual kulturor, që ka lind dhe ruhet në Malësi të Madhe, si dëshmi e bukurisë së pashtershme, që njëkohësisht i tregon botës se Kelmendi përkund djepa e rrit bij e bija që e duan, e çmojnë, e vlerësojnë dhe e nderojnë “si dikur motit edhe në ditët sodit”, në sofra, në kuvende e në logje; duke e mbajtur të gjallë krenarinë që mishërohet nga Bjeshkët e Namuna mbi krye.

Në Bjeshkët e Namuna relievi malor lidh Malin e Zi, Kosovën dhe Shqipërinë si vazhdim i Maleve Dinarike.

Vermoshi i largët

Kanioni i Bashkimit në Vermosh

 

Vermoshi, ky emër i mistershëm e plot magjí, deri dje ishte tepër larg, në kufinjtë e së pamundurës. Shtrihet në skajin më të thellë të Shqipërisë së mbetur më 1913.I banuar prej një popullsie autoktone (e krijuar si qëndër banimi në kohën kur një familje u zhvendos këtu për dimërim) duke ruajtur të pandryshuar emrin e tij dhe Besimin e Krishterë.

Ndërtimet e reja, që kanë zevendësuar kullat e traditës, në përgjithësi kanë ruajtur arkitekturën tradicionale.Nga investimet e shumta ai po shndërrohet në një vendbanim turistik.Kushtet e vështira ekonomike kanë detyruar shumë banorë të largohen. Kur e shikon, të duket sikur të thotë: Përse më braktisët?!

Ne rrufisim një kafe në një kafene në qënder të Vermoshit.Ca mollë të kuqe zgjasnin degët drejt dritareve të ndihmuara nga era e vjeshtës.Zërat e banorëve sillnin zhurmën e jetës.

Aty pari nis biseda me Gjelosh Vuçajn. Të tregon historinë e burrave të Vermoshit, që kanë mbetur monumente të Historisë në mbrojtjen e trojeve, për t’i shpëtuar shfarosjes së gjenocideve gjakatare të Sllavëve (e jo vetëm atyre). Të tërheq toponimia e Vermoshit, që mund të gjendet vetëm nëpër filma; klonin e dikurshëm, ose atë vijën e kufirit me shtetin e Malit të Zi, atje ku është vrarë Nikë Pjetër Ndreka; dilet në Majën e Grebenit (1800 m) ku nuk shterron së vërshuari uji i lumit Lim, i cili  ka histori, sepse rrjedh në drejtim tjetër nga Perëndimi në Lindje, në Danub; Kanionin e Bashkimit dhe Bjeshkët e Sefercës pranë Gucisë; pyllin që harlisej në liri të plotë me degë të kokolepsura në lojën trillane, si një xhungël e vërtetë; bunkerët e shpërndarë, që flasin për periudhën e Paranojës dhe izolimit të gjatë të vendit; kishën e Shën Gjonit, një vend jo vetëm lutjesh kundër mpiksjeve të hershme, por edhe të gjallërimit të jetës së pazbëshme dhe të trombozave të kohës në Vermosh.

– Ka pasur kohë të acarta për Vermoshin?

Këtu nuk e kam fjalën për dimrat e Natyrës, të cilët janë të ashpër, por e kam fjalën për kohën e ashpër, që e ktheu Vermoshin në burg të hapur, nëpërmjet një dhune psikologjike.

Varreza të lashta Ilire

Ne nuk harrojmë gardianin e palëkundur në mbrojtje të kufinjve, Prek Calin.

Urtia e tij në kuvende kujtohet. Është proverbiale këmbëngulja e tij në Komisionin Ndërkombëtar për caktimin e kufinjve, por edhe përballja me malazezët, kur u tha se kufirin me ta e kemi në Qafë – Previ dhe do e mbrojmë me jetën tonë.

Prek Cali jeton tashmë si një legjendë e gjallë në zemrat e shqiptarëve kudo që ndodhen: në këngët e kujtesën tonë historike, e cila trashëgohet brez pas brezi.

Shohim Kullën e Prek Calit (më shumë një gjysmë muri prej guri) andej nga kreu i Vermoshit, në fushën e Velipojës.

Të mjafton vetëm një udhëtim në Kelmend, si vizitor kureshtar, të shijosh shtrirjen gjeografike, të shpërfaqur lavdishëm në Histori.

Ajo bukuri e egër, me magjepsjen deri në shtangie, me flladet, aromat dhe ngjyrat e pafundme, në qetësinë magjike, të mbush me oksigjen e të ndez çdo nerv e çdo pore trupi.