Dr. Av. Fejzo Sejdini, një “Zeus” në Drejtësinë Shqiptare

84

PERSONAZH/ Kapacitetet intelektuale dhe poliedrike te botës shqiptare, që i rezistuan kohës

Me rastin e 110-vjetorit të lindjes

Sigal

Anilejda Shëmbitraku

Dr. Av. Fejzo Sejdini është një personalitet i shquar i jurisprudencës shqiptare,qe ka lindur në Elbasan, në 4 tetor 1913, në familjen intelektuale me tradita patriotike të Sejdinëve. I ati, mjeku i njohur doktor Qazim  Sejdini dhe e ëma Mynyre, një grua mjaft e kulturuar
për kohën ushqyen që herët dëshirën për dijen. Shkollën fillore e kreu në Elbasan, pranë shkollës qendrore, ne vitin 1926. Dërgohet nga familja e tij për te përfunduar Liceun e Korçës. Në qershor te vitit 1935, me marrjen e bakaloratit të dytë, në profilin filozofi, me gjuhë të dytë anglishten, me vlerësim të përgjithshëm “shumë mire”. Në shtator të po atij viti, me të hollat e familjes niset për Francë, ku regjistrohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Sorbonës, në Paris. Në vitin 1939 ka mbaruar me sukses fakultetin dhe merr licencën në drejtësi. Por Fejzo Sejdini nuk mjaftohet me kaq. Ai filloi studimet e mëtejshme të thelluara për nivelin e doktoratës në drejtësi në Universitetin e Sorbonës. Në dhjetor 1941 mbron shumë mirë doktoratën me temë:”Mbi administrimin lokal në Shqipëri”.

Doktoratën, juristi i shquar e mbrojti përpara një komisioni, ku kryetar ishte një nga personalitetet e së Drejtës Administrative Franceze, Prof. Rolland.

Fejzo Sejdini merr gradën e doktorit në drejtësi duke qenë një ndër tre të vetmit shqiptarë që fituan këtë gradë nga 54 juristët që studiuan në Francë dhe që mbetën me licencë. Gjatë gjithë viteve të studimit dhe gjatë gjithë kohës që jetoi dhe punoi, Fejzo Sejdini tregoi se ishte një nga kapacitetet intelektuale poliedrike të botës shqiptare. Vlen të theksohet se teza e doktoratës së tij paraqet interes të veçante, sepse i kushtohet organizimit administrativ komunal në Shqipëri, sipas ligjit të 1 prillit 1929. Ishte ndershmëri dhe përgjegjësi morale e shoqërore të vlerësoje me paanshmëri një ligj modern të mbretit Zog, kur në vendin tonë ishte vendosur pushtimi fashist italian. Kthehet në atdhe në dhjetot të vitit 1942. Si shumë të rinj të asaj kohe, edhe ai dha kontributin e tij në Luftën Nacional-Çlirimtare. Pas Lufte, emërohet menjëherë si gjyqtar në Elbasan, Korçë  dhe në Shkodër deri në vitin 1949.

Përgatitja e lartë profesionale, profilizimi për të drejten civile si dhe prudenca ne sjelljen shoqërore të tij e shpëtuan atë nga burgosja dhe keqtrajtimi. Në fund të vitit 1949 transferohet me gradim si Kryetar i Gjykatës së Tiranës, ku ai do të shquhet për ndershmërinë dhe profesionalizmin e tij të veçantë, sidomos në të drejtën civile. Qëndrimi dhe karakteri i tij, bie ndesh me diktaturën dhe për këtë arsye, në 1951-in shkarkohet nga detyra dhe mbetet disa muaj pa punë. Me 1952 deri më 1967 ka punuar si avokat në Tiranë dhe pas suprimimit të avokatisë, punoi në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, deri në daljen e tij në pension më 1973. Doktor profesor Uran Asllani në librin e tij kushtuar shqiptarëve që kanë studiuar në Francë shkruan: “Fejzo Sejdini ishte një nga avokatët më të aftë dhe me një personalitet të veçantë. Ishte i ditur dhe i kulturuar, i drejtë dhe fisnik, i mprehtë për të dalluar thelbin e problemeve dhe për t’i dhënë zgjidhje sa me racionale. Kryesorja ishte se të gjitha këto cilësi të tij, harmonizoheshin në një mënyrë të veçantë dhe modeste, që me një epërsi të natyrshme të sfidonte kohën e vështirë në të cilën jetoi. Ky jurist, do të kujtohet gjithnjë si një nga intelektualët më të shquar shqiptarë, jo duke thënë për të, “sa keq që nuk është më”, por duke thënë “sa mirë që ka qenë!”. Fejzo Sejdini do të mbetet  një shembull për gjithë brezat e juristëve shqiptarë dhe do të kujtohet gjithnjë me krenari dhe respekt prej tyre.