Ilmi S.Qazimi: Çedukim dhe çoroditje që çon në “çkombëtarizim”

51

-duan të na heqin edhe shkronjën “ç”-

Sigal

Në fjalorin mediatik të këtij viti po përdoret gjerazi çudia shqiptare turistike! Jepen shifra dhe tregues nga më të çmendurat për hyrje-dalje  dykëmbshash turistë nga tërë anët e rruzullit në Rinas, për  një mori llojesh turizmash si historikë, erotikë, psikopatikë, aventurash malore, detare, shpellore,etj.Le t’i marrim, për një çast, të mirëqena tërë këto rrëfime.Por,a nuk është ky më shumë se  lavdërim vjetor, një demostrim i kalvarit të gënjeshtrave vetmburrëse të anëtarëve të qeverisë, duke nisur nga kryetari i saj, për të mbuluar pafatësinë totale të tyre për rritjen e prodhimit të bukës, qumështit dhe mishit shqiptar? Në mos po, edhe më keq akoma, për  të maskuar çorientimin e ekonomisë sonë nga prodhuese në  ekonomi të asfiksuar e të varur totalisht nga të tjerët, kushdo qofshin ata?A nuk janë çmimet shumë të larta të artikujve bazë që e tregojnë këtë? Mirëpo çuditë shqiptare të këtyre 33 viteve kapitalizëm janë aq të shumta sa ka vend edhe për gëzim, për habi,edhe për buzëgazje ironike,edhe për shpirtbrengosje kombëtare. Borgjezia e stërlartë angleze tallet me shqiptarët që futen me gomone në ishullin e Luanit britanik, deri atje sa emigrantëve u vendosin çip në këmbë, si prangat e skllavërisë, (realisht ky është një biznes i mirëfilltë franko-anglez) ndërkohë që një lloj ‘fondacioni i zhvillimit shqiptaro-amerikan’ çpronëson Shqiptarët prej Butrintit,Drilonit,e gjetiu!? Kryetari i qeverisë greke lejohet me kënaqësi që të vendosë bustin e babait të vet në një komunë të Shqipërisë Jugore, ndërkohë që vrasësin vjedhës ordiner votash një farë F.Beleri,  ajo qeveri e ai kryetar, bëjnë çfarë të jetë e mundur që ta përdorin si gur në rrota që të pengojë hyrjen e Shqipërsië në Bashkimin Europian(po qe se ai bashkim do të ekzistojë aq gjatë?!). Po pse sukses diplomtik i thonë këstij?Kufijtë  e mbyllur që sjellin vetëm vrasje midis Kosovës dhe Sërbisë,me sa duket, kështu do të mbeten mot e jetë. Vetëm ndonjë mrekulli e shekujve të mëvonshëm mund të bëjë ndryshim.

Kjo nuk përbën çudi, por tragjedi përherë e më vrastare. Kujt i shërbejnë  largimi, ikja e moskthimi i bijve dhe bijave tona  nga trualli ku lindën ata dhe të parët e tyre  veçse shpopullimit të këtij vendi?Kujt i shërbejnë politikat qeverisëse që nga Sali Berisha-kjo njollë e zezë e historisë sonë- e deri tek qeverija e E.Ramës për gati 15 vjet , që  nuk ua lehtësojnë kushtet e  jetesës, mundësinë e punësimit e shkollimit cilësor, pagat më të mira me synim ato të vendeve të kontinentit ku jetojmë- veçse shpopullimit të këtij trualli që të parët tanë  e kanë larë me gjak e vaditur me djersë? Kujt i shërben ardhja këtu me mijra e dhjetra mijra, e lloj-soj emigrantësh nga Azia, Afrika, India, Kina, Australia për të punuar e jetuar këtu, në këtë çerdhe të mrekullueshme zogjsh mesdhetarë, në të gjitha sferat e jetës, të prodhimit, të kulturës, deri tek sportet,artet dhe shërbimet në restorante,- veçse çkombëtarizimit  të Shqipërisë? Po lehtësirat që krijon qeveria jonë për blerje toke, prone dhe shtëpish për tërë të ardhurit me kuç e maç, nga Irani, Afganistani, Pakistani, Ukraina, Italia, Polonia, Turqia,etj. dhe njëherazi lënia në mëshirë të fatit sa e sa fshatrave, qendra banimi, ish-qyteza të banuar me shqiptarë,pa shkolla, pa spitale, pa gjykata,-kujt i shërben, veçse çkombëtarizimit  të Shqipërisë!? Faqe e zezë e kësaj qeverije,e  kësaj palo-partie të majtë, këtij palaço parlamenti të pavlerë e këtyre lloj drejtuesve të lartë pa ndjenjën e duhur të  atdhetarisë!?  Çakërdisje e të gjithë mendjeve të banorëve të mirëfilltë shqiptarë, me anë të veprimeve demek ligjore,ndaj atyre që merren me drogë, ka sjellë dëme shumë të mëdha tek individët, familjet dhe tërë shoqërinë.Industria e drogës, siç dihet, është një univers bëmash të supersofistikuara vetëm antinjerëzore kudo ku ajo kultivohet dhe përdoret. Tashmë vendi ynë renditet një ndër më të fuqishmit në këtë aferë fitimprurëse të globit, për bosat dhe çrregullimin mendor deri te asgjësimin fizik të të gjithë të tjerëve që implikohen me drogën. Është çudi për t’u çuditur që tek ne, këtu në Shqipëri, mbushen burgjet me qindra (së fundi shifrat kishin kaluar disa mijra) të mitur, të rinj e mesomoshë që shpërndajnë apo përdorin dy gram hashash e nuk dënohet asnjë bos që sponsorizon sjelljen e farës, mbjelljen, lejimin e transportit deri tek bankierët e drogës dhe deputetët apo anëtarët e ndonjë qeverie. Por shou televiziv që nga ministri energjik deri tek polici më i varfër vijon të çudisë dëgjuesit dhe prindërit e fëmijëve!Kjo plagë vetëm mahis dhe vetëm mund të zbutet por nuk shërohet sepse e përmban vetë sistemi demokratik.

Edhe vetë gërma “Ç” është çuditur nga fjala që ka marrë përmasa aq të gjëra sa nuk mund të ndalet më: është fjala “Çedukim”! Njeriu është qenie që zotëron ndërgjegje shoqërore, ka vetëdije, ka aftësi që të prodhojë vegla pune, qejfi e prodhimi dhe zotësi për t’i përdoruar ato. Pra është qenie që pranon brumosje, strukim, përmirësim , zhvillim të ekzistencës së tij; është qenie që në çdo kohë e vend mund dhe duhet t’i nënshtrohet edukimit.E për këtë logjikim e para është fjala sqaruese, argumentuese,  ilustruese  ku me metodën e krahasimit njeriu të bindet se cila është rruga e drejtë në jetën e tij: shkollimi, puna  e dobishme shoqërore brenda ligjeve e normave të vendosura për të gjithë , apo ecja kuturu sipas etjes, urisë, vesit, instinkteve shtazarake, dëshirave  dhe epsheve të  pakontrolluara, yshtjeve që bën dikush me dikë për të kryer atë që nuk duhet bërë. Kjo rrugë edukimi kërkon durim, guxim, organizim dhe bashkërendim. Kjo rrugë vendoset dhe kontrollohet vetëm nga shteti, kur ky i fundit është me të vërtetë shtet, pra maqinë edukative shtypëse për shumicën e shoqërisë dhe sjelljen në binarët e duhur të të gjithë shtetasve të vet. Aktualisht tek ne bëhet shumë më tepër çedukim dhe fare pak, për të mos thënë aspak, edukim.Pak emisione jepen për edukimin atdhetar; për dashurinë që duhet të rrënjoset tek njeriu për punën si burimi kryesor i të  ardhuarave materiale dhe i lumturisë ; për forcimin e unitetit në familje; për dashurinë e vërtetë si ndjenja më e lartë e njeriut; për etikën, edukatën, solidaritetin dhe, ta themi me fjalën e popullit të thjeshtë,për  njerëzillëkun. Emisione televizive si Vëllai i Madh (big brother), Përputhen, Dashuri Ishullore(love island) etj.etj.e çedukojnë  njeriun e çdo moshe.Kuptohet bizneset që lidhen me edukimin kryehen në radhë të parë me anëtë pastrimit të parave, por gjithsesi, qeveria  ka shumë  mundësi që të ketë ndikimin e saj  në kanalizimin e edukimit të mirëfilltë dhe jo të stimulojë çedukimin masiv.

Prangat (mbushja e burgjeve) realisht nuk po sjell edukim racional kombëtar por çedukim sepse ata që burgosen nga dy herë përbëjnë vlerë të shtuar për këtë shoqëri ngase zënë vend në shkallinat e qeverisjes. Shkollat janë afër atrofizimit si institucione edukimi e mësimi pavarësisht se lulëzojnë si ndërtesa.Oqeani informativ kaotik çorientues e çoroditës  i celularit e tabletit dhe mungesa e edukimit shtetëror të gjithanshëm human ka bërë që nxënësit të nxitin etjen për fitime marramendëse  me rrugë të shpejta dhe veprime qejfi të kobshme e të kudoshme. Ky lloj çedukimi po prodhon njeriun që nuk pyet më as për atdhe, as për punë as për familje.Është njeri i epokës së globalizmit profetizojnë analistët dhe psikologët.Mirëpo Shqipërisë po i shterojnë bijtë e bijat e vërtetë.Ku vemi kështu? Mungesa e edukimit ka sjellë sëmundjen vdekjeprurëse të krizës së besimit. Besimi dhe shpresa  janë zbehur shumë.Respekti dhe besueshmëria tek ata që votojmë ka rënë poshtë.Njerëzit tanë , madje edhe  jo pak nga ata  që hyjnë e vendosen këtu, nuk dinë pse dhe kë duhet të besojmë.Pra po lulëzon biznesi i çkombëtarizimit i cili i  sjell kapitalizmit amerikan dy fitime të mëdha: synon të çthurë kombet si njësi monolite, ekzistente, me gjuhë, territor  dhe njëjtësi   kombëtare; dhe e dyta, iu heq tërë njerëzve  mundësinë e të organizuarit  dhe ngritjes  në rebelim deri në revolucion kundër tij.  Edhe një tjetër çudi: kanë dalë disa pseudogjuhëtarë që duan të heqin nga gjuha shqipe gërmat “Ë” dhe “Ç”, kur dihet që këto dy shkronja janë gur qosheje në alfabetin e gjuhës shqipe!Nuk duhet t’i lejojmë këto lloj  tradhtish  në këtë farë shkalle që na bëjnë qeveritë tona duke na goditur unitetin kombëtar deri edhe vetë ekzistencën tonë në trojet tona.