Fejzo Subashi: Përse u katandis kështu kjo Botë?!

146
Sigal

Përse u katandis kjo Botë në këtë farë feje dhe derexheje, në këtë situatë copë copë, ku nuk ka qeni ku ta kapë. Një Botë, jo vetëm me këmishë të shqyer, por një Botë si mos më keq, pa dyshek, pa jastëk e jorgan. Një Botë pa këmbë e kokë, por në realitet një Botë me shumë duar që të zhvatin e kërkojnë ta shqyejnë e të shuajnë me nam e nishan. Një Botë e katandisur në qorrsokak, e ku nuk e merr vesh i pari të dytin. Një Bot pa din dhe iman. Një Botë ku më shumë ka fjalë sesa vepra e rezultate, ku vështirë t’i marrësh si për përralla për fëmijët tanë. Një Botë që është jo vetëm fat i keq i brezit tonë, po edhe më i keq i atyre që do vijnë nga pas. Një Botë që mendojmë se jemi dhe flasim për demokraci, po për fat të keq kemi zhdukur çdo element të saj. Një Botë, ku shkenca ecën evoluon, por për fat të keq prevalon injoranca, propoganda, megalomania dhe mediokriteti.  Një Botë ku edhe dje kishte e bëheshin luftëra, po kishte rregulla dhe norma, ndersa sot, per ironi te fatit, vështirë të thuaj se jemi në luftë, apo në paqe… Një Botë, ku dje kishim liderë boll të këqij, por me karakter dhe personalitet, ku e meritonin të ishin burra shteti.  Sot për të ardhur keq, vështirë t’u thuash liderë lokale, evropian, apo ndërkombëtare. Më shumë të stisur e zuzare, pa personalitet, pse jo dhe truthare. Një Botë, ku dje lideri as për kokën e djalit të tij nuk bënte pazar, sot blihet e shitet si plaçkë e një tregu Online. Një Botë, ku dje ndoshta kishim lider jo me shumë shkollë, po fisnikë e me përvojë. Një Botë, ku ndoshta dje kishim lider më pak të kënduar e të shkruar, por më shumë korrektësi e vizionare. Sot, liderë që flasin e gërthasin për sandarte, por vështirë se u gjen në damare gjak fisniku dhe qytetari. Një Botë, ku dje kishte burra shteti zamani, sot as gra fustani. Një Botë, ku dje kishte lider të veshur, me kulturë e qytetari, sot sharlatanë e dordolecë pazari. Një Botë, ku dje kishte dhe ishin lider dhe luftëtare, pjesë të historisë e me histori, sot burra me histori rozë e luftëtarë krevati. Një Botë, ku dje liderët mendonin për vendin e tyre dhe për Botën, sot për portofolin dhe për postin. Një Botë, ku dje liderë që i peshonte fjala e i rëndonin kolltukut, sot i kërrus portofoli dhe i bëjnë hije kolltukut. Një Botë, ku dje ndrinte selia dhe pallati kur hynte një burrë shteti, sot dhe dielli fshihet, pasi i vjen turp nga pleshti. Një Botë, ku dje kishte marrëdhënie korrektësie me përfaqësues dinjitoz, sot një Botë me ambasadorë batakçinj e mafiozë. Një Botë, ku dje e dije dhe e kishe të qartë se e kishe ose mik ose armik për kokë, sot as mund ta mendosh se e ke mik apo armik, Eh moj Botë e shkreta Botë, që je katandis si pula pa kokë.