Prof. Dr. Qemal Lame: Stabiliteti financiar evropian

15
Sigal

Ekonomia evropiane ndjen goditjet e forta. Likuiditeti 4,5 për qind dhe e depozitave 4 për qind. Rënia e ndjeshme e investimeve të huaja. Ekonomia gjermane përballet me çmimin e lartë të prodhimeve, për shkak të ndërprerjes së energjisë bërthamore e të gazit të lirë rus. Rusia mbështetet në juanin kinez dhe shkëmbimin me mallra të tregtisë me Indinë. Kina po përsos teknologjinë. Ekonomia amerikane është në rritje me 3,4 për qind, por borxhet janë të mëdha. FMN e shqetësuar për borxhin kombëtar amerikan. Normat e larta të interesit 5,25 deri 5,50 për qind e bëjnë borxhin kombëtar më të shtrenjtë. FMN paralajmëron për pasoja.

Gjendja aktuale dhe perspektiva e sigurtë e zhvillimit të ekonomisë e financave evropiane imponojnë masat për transformimin e modernizimin e ekonomisë, përdorimin e energjisë së rinovueshme, si dhe për të mënjanuar pasojat e Luftës në Ukrainë, konfrontimin e vështirësitë në marrëdhëniet me Kinën, ndryshimet klimaterike, etj.
1.Politika monetare në ndihmë të ekonomisë

Në një fjalim kryesor në Universitetin e Sorbonës në Paris, Presidenti i Francës Emmanuel Macron thha se: “Ne nuk mund të kemi më një politikë monetare që synon vetëm inflacionin”. Ai bëri thirrje që BQE jo vetëm të masë politikën e saj monetare kundrejt inflacionit në të ardhmen, por edhe ta përqendrojë atë në një objektiv të rritjes dhe dekarbonizimin e ekonomisë.

Në një reagim fillestar ndaj fjalimit, Kancelari gjerman Olaf Scholz foli për “impulse të mira” pa i specifikuar. Zëdhënësi i qeverisë gjermane tha se janë pajtuar për një sërë pikash. Megjithatë, ka qëndrime shumë të ndryshme për çështje të tilla si funksionet e BQE.

Banka Qendrore Evropiane ka funksione të përcaktuara me ligj

Vlen të vihet në dukje se Macron ka synime pozitive në politikën e tij për të rritur rolin financiar në problemet me të cilat përballen shtetet dhe bankat evropiane. Por këto propozime nuk përkojnë me statusin e Bashkimit Evropian pasi nuk është shtet federativ. Banka Qendrore Evropiane (BQE) përballet papritur me një kërkesë që mund të ndryshojë funksionet e saj. Ndryshimet ligjore kërkojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse evropiane.

Macron vë përsëri në vëmëndje nevojën për një mandat të ri për bankën qendrore që përfshin stabilitetin e çmimeve, rritjen dhe mbrojtjen e klimës si objektiva të politikës monetare. Për të arritur këtë ndryshim cilësor është e nevojshme të arrihet mirëkuptimi nga shtetet anëtare për një reformë dhe të inkurajohet një debat.

Traktatet e BE-së përcaktojnë se banka qendrore ka një detyrim parësor për të mbrojtur stabilitetin e çmimeve. Ky funksion përkon me rolin e bankave qëndrore në shtetet federale, të ngjashëm me Deutsche Bundesbank përpara futjes së euros. Përveç kësaj, BQE duhet të mbështesë politikën e përgjithshme ekonomike të BE-së aty ku kjo është e mundur pa kompromentuar objektivin e saj kryesor. Banka qendrore më e rëndësishme në botë, Rezerva Federale (Fed) në SHBA, tashmë ndjek një qëllim të dyfishtë: përveç stabilitetit të çmimeve, ka edhe promovimin e punësimit. Megjithatë, mbrojtja e klimës nuk luan një rol në mandatin e politikës monetare të Fed.

Mësimi nga faza më e fundit e inflacionit është se BQE duhet t’i përkushtohet mandatit të stabilitetit monetar. Inflacioni në eurozonë është 2,4 për qind. Qëllimi i stabilitetit të çmimeve të BQE-së nuk duhet të rrezikohet në asnjë rrethanë. Rritja dhe mbrojtja e klimës janë detyra e qeverive të orientuara drejt reformave, jo e bankës qendrore të pavarur. Nëse BQE duhet të jetë gjithashtu përgjegjëse edhe për mbrojtjen e klimës dhe nxitjen e rritjes ekonomike, do të ketë në mënyrë të pashmangshme qëllime konfliktuale. Normat e larta deri në 6,9 për qind të inflacionit të vitit të fundit, Mars 2023, do të bëhen normalja e re që do të dobësonte euron, vështirësohen veprimtaritë shtetërore dhe mirëqënia e shtetasve.

Në fillim të këtij viti, BQE sinjalizoi me kujdes gatishmërinë e saj për të ndjekur një politikë monetare të gjelbër në luftën kundër pasojave të ndryshimeve klimatike. Si pjesë e mandatit të saj, banka qendrore do të shqyrtojë nëse ndryshime të mëtejshme në instrumentet ose portofolet e saj të politikës monetare janë të nevojshme në funksion të kalimit në një ekonomi më të gjelbër. “Klima më e nxehtë dhe shkatërrimi i burimeve natyrore po e detyrojnë ekonominë dhe sistemin tonë financiar të përshtaten”, theksoi presidentja e BQE-së, Christine Lagarde.

2.Ruajtja e stabilitetit financiar

Në Bashkimin Evropian do të zbatohen në të ardhmen rregullore të reja për borxhin kombëtar dhe deficitet buxhetore të shteteve anëtare. Më 29.04.2024, në Luksemburg, Këshilli i Ministrave më në fund miratoi planet e reformës për të ashtuquajturin Pakt të Stabilitetit dhe Rritjes. Konfirmimi nga Këshilli i Bashkimit Evropian ishte hapi i fundit i nevojshëm për reformën e planifikuar prej kohësh të rregulloreve.

Javën e kaluar, Parlamenti Evropian në Strasburg miratoi planet e reformës. Pas konfirmimit nga vendet e BE-së, rregulloret e reja tani duhet të publikohen në Gazetën Zyrtare të BE-së në mënyrë që ato të hyjnë në fuqi. Kjo pritet të ndodhë në fillim të majit.

 

Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes synon të sigurojë disiplinën buxhetore

Ky grup rregullash synon të sigurojë disiplinën buxhetore në shtetet anëtare dhe në këtë mënyrë të garantojë financa publike të shëndosha. Këto vlerësohen si një parakusht i rëndësishëm për stabilitetin në BE dhe eurozonë. Nëse tejkalohen kufijtë e sipërm, mund të fillohet procedura penale e borxhit, e ashtuquajtura procedurë deficiti. Më pas, ai shtet duhet të marrë masa për të reduktuar borxhin dhe deficitin.

Rregullat e mëparshme nga vitet 1990 janë parë prej kohësh nga kritikët si shumë të ndërlikuara dhe shumë strikte. Së fundmi, procedimet penale u pezulluan plotësisht për shkak të krizës së Corona dhe pasojave të sulmit rus në Ukrainë. Në veçanti, në vitin 2020, deficitet në pothuajse të gjitha vendet e BE-së ishin shumë mbi nivelin e tre për qind. Sipas të dhënave më të fundit nga zyra e statistikave të BE-së, Eurostat, disa vende kanë thyer kufijtë e sipërm vitin e kaluar.

Vëmëndje situatës individuale në shteteve anëtare

Vendosen tavane borxhi për shtetet. Prandaj, në të ardhmen duhet të ketë kërkesa minimale të qarta për mënyrën se si vendet me borxhe të larta mund të reduktojnë raportet e tyre të borxhit. Në parim, niveli i borxhit të një shteti anëtar nuk duhet të kalojë 60 për qind të prodhimit ekonomik. Për më tepër, deficiti i financimit të qeverisë d.m.th. hendeku midis të ardhurave dhe shpenzimeve në buxhetin publik, i cili mbulohet kryesisht nga kreditë, duhet të mbahet nën tre përqind të produktit të brendshëm bruto (PBB).

Në të ardhmen, sipas planeve, ndër të tjera do të merret më shumë parasysh edhe situata individuale e vendeve. Komisioni i BE-së, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen, duhet të jetë në gjendje të marrë parasysh rritjen e pagesave të interesit gjatë një periudhe tranzitore kur llogarit përpjekjet për rregullim. Nëse shtetet anëtare paraqesin plane të besueshme reformash dhe investimesh që përmirësojnë elasticitetin dhe potencialin e rritjes, periudha për reduktimin e borxhit duhet gjithashtu të zgjatet.

Gjithashtu, janë planifikuar masa mbrojtëse. Vendet me borxhe të larta me një nivel borxhi prej më shumë se 90 përqind duhet të ulin raportin e tyre të borxhit me një pikë përqindje në vit dhe vendet me nivele borxhi midis 60 dhe 90 përqind me 0,5 pikë përqindjeje.