Kur mëngjesi vjen ëmbël, ti buzëqesh,
e unë, si pikë vese njomë gishtat e tua.
E ndjen burrë i dashur, jetën si rrëshqet,
ngjyrave agimore e perëndimeve purpuruar?…
Mos numëro orët dhe minutat çdo çast!
Se unë derdhem krahëve, si diell i kuq,
gjirit dal si hëna llamburit natën e gjatë,
nën dritëzën e saj, shpirti yt përhumb…
Syri yt burrëror të ardhmen projekton,
se e tashmja buzëqeshur shkon kaluar,
t’ia vjelim kënaqësitë jetës që gurgullon,
ujvarë kristalore në shpirtin e dashuruar.
Le të rrjedhin agimet, perëndimeve rozë,
e nesërmja sjelltë, veç puthje dashurish,
zemrën mbama ti, medaljon në kraharorë,
bashkë të thinjemi, nën qiellin e përjetësisë.
Ti bleron mbi trupin tim
Sesa thellë ke mbirë i dashur tek mua,
s’ka metër ta mat mirë thellësinë,
sa rrënjë ke shtrirë në mish gjer në thua,
s’i numëroj dot, as për një mijë stinë.
Kur përndez rrënjët, erë e zjarrmuar,
mua në çast më ndizet një dëshirë,
të rrjedh mbi rrënjët e tua gurgulluar,
krua i paqtë , me tinguj të dëlirë.
Se rrënjët e tua thithin qumësht tek mua,
harlisen duke thithur burimet erotike,
kaq thellë sa janë shtrirë rrënjët e tua,
palcën ma krehin me fllade ekzotike.
Sesa thellë ke mbirë, i dashur tek mua,
s’ka metër ta mat mirë thellësinë,
sa rrënjë ke shtrirë në mish gjer në thua,
s’i numëroj dot, as për një mijë stinë.