Bukuri e gruas cilin burrë se përpiu,
kë nuk çmendi gjer në marrëzi,
kush ndenji afër saj e netët si gdhiu,
i etur mistereve gjer në babëzi…
Bukuria e një gruaje,kë nuk ngjalli,
cilin burrë se zgjoi shtratit mortor,
vërshimet e saj,si trokëllima kali,
gjirit ia shkulën zemrën e gjorë.
Bukuria e një gruaje s’shijohet kurrë,
pa pirë burimin e buzëve të saj,
pa drithërimën kur e prek një burrë,
pa fëshfërimën që rrjedh nën fustan.
Bukuria e gruas ndrin petkut të saj,
mes gjetheve të hirta të pritjes,
në gjoksin mishtak ku përpëlitet pa faj,
shtërgu kur është drejt ikjes.
Bukuri e gruas oaz që syrin ngjall,
nëpër qiellra të turbullta prillesh,
kur erërat shndërron parfume të rrallë,
shpirtrat çvirgjëron mes trillesh.
Bukuri e gruas shëmbëlltyrë luleje,
që të ndjell, si bleta me delikatesë,
bukuria e çdo gruaje altari i lutjeve,
i ndjenjës së vrarë që kërkon shpresë.

TI JE TEMPULL PËRJETËSIE
Mes mistereve,nga yjet zbret përherë,
o hyjni pagëzuar në faltoren e yjeve,
aromën femërore shpërndan nëpër erë,
veshur me vellon e gjelbër të pyjeve.
Te ty lulja e jetës, shpirtin e brishtë ushqen,
o hyjni e pagëzuar në burime e kroje,
në buzët e tua, eliksirin e dashurisë gjen,
ai burrë, që di të thith të ëmblën hoje.
Te ty pi gjak embrioni, që do lindi nesër,
me guximin e marrë nga ty, o grua,
esencën e jetës, buzës do ketë patjetër,
se ti e ushqen me dashuritë e tua!
Kush futet në gjirin tënd, të bëj kujdes,
se edhe nën mish ka filiza të pa çelur,
kush fle në gjirin tënd,i mbetet në kujtesë,
ëmbëlsia që la luginës, pa mbledhur.
Kush rri nën hijen e bukurive të tua,
i duket vetja sikur rri nën një tempull,
si të jesh Krisht,falet e të thotë,të dua!
Teksa buza puth syrin tënd nën vetull.
Mes mistereve, nga yjet zbret përherë,
o hyjni pagëzuar në faltoren e yjeve,
aromën femërore shpërndan nëpër erë,
veshur me vellon e gjelbër të pyjeve.






















