Aleksandër Çipa: Talenti kumbues dhe lirik i poetit të angazhuar Arben Duka

172

Sot u shënua 65 vjetori i ditëlindjes së eseninianit dhe poetit të lindur, të famshmit për lirizmin dhe për monumentalizimin e ndjenjës përmes fjalës, i dashuri dhe i shquari për mua, Arben Duka. Duke ju ftuar të lexoni librin më të ri poetik të tij ” Shiko Hënën”, ju ftoj edhe për leximin e tekstit tim si pjesë e këtij botimi të rrallë.

Sigal

I paharruar dhe po më shumë i dashur, mbetesh për ne, Arben Duka!

Poetët, kur nuk janë në botën e frymtë, bëhen siҫ ka thënë Arben Duka, “yje me dritë, por të larguar”. Vetë ikjes nga kjo jetë të poetit Duka, i shkon fjala që Majakovski rezervoi për Eseninin:

“Shkuat,

siç thuhet,

në botën tjetër.

I zbrazët,

fluturoni,

duke ҫarë yjet.”

Por, sikundër thuhet tek vargu i “Epit të Gilgameshit”, “vdekja mizore ësht’, cakton çdo fat”. Kësaj ligjësie të natyrës iu nënshtrua edhe poeti Duka, duke lënë mijëra adhurues të vet në ligështimin e beftë, por në shijimin vijues të lëndës së bollshme poetike të tij.

Autori ka ikur para kohe, por burimi rrjedh me prurje të re dhe disa kohë pas mosqenies fizike të poetit. Ndërsa poezia e tij ka jetë tej së nesërmes në kohë.

Libri që marrim në dorë është lënë prej autorit në procesin autentik të gatitjes për lexuesin. Është një prurje e re, si një pasndjekje burimi ndaj dritës ose ujit të pijshëm. Në rastin e këtij libri, drita poetike dhe ajo prej shpirti që mbart si mishërim, na sjellin ne lexuesve një hise tjetër të shkëlqimtë krijimtarie.

Kjo është një shtesë e re mbi të bollshmen krijimtari poetike prej Dukës së poetizmit shqiptar.

Lënda në këtë botim është provë që, si një fat vetjak, autori e mbarti në gjallje dhe e shpërndau në kohën e qenies dhe atë të mungimit fizik. Tashmë, kjo lëndë është lënë prej tij në jetën e vet vijuese, në një marrëdhënie aq të natyrshme me lexuesit e sotëm dhe të ardhshëm.

Poeti Duka është ndër të rrallët talente të vlerës dhe kumbimit eseninian në poezinë shqipe. Jo rastësisht, por si në një shenjëzë mistike poetike, në fillim të vitit 1981, një ndër elegjitë më atipike të poetit për alteregon e vet, Aleksandër Sergej Esenin, titullohej “Si në pasqyrë mjegullore”. Talenti Duka i këndonte elegjinë e vet të adhurueshmit lirik me famë botërore, duke sjellë në vëmendje të shqiptarëve poemën kryevepër të Eseninit “Pëllumbeshën e Jordanit”:

“Unë ‘Pëllumbeshën e Jordanit’

që larg në qiell ti e nise,

në fluturimin aq të rrallë,

shpesh e kam parë në këto vise…”

Qysh prej kësaj poezie, aq me peshë dhe thellësi ndjenje, poeti vijoi të shtonte në krijimtarinë e vet lëndën shkrimore dhe fjalën ëmbëlake e me melos, për dashurinë dhe vdekjen.

Në më shumë se mbi tridhjetë vëllime poetike, në një cikël rrjedhës nga njëri libër në atë pasuesin, Duka ka pasuruar dhe lartësuar, si një poet pa të dytë, filozofinë e jetë-vdekjes dhe dashurisë dhe vdekjes. I ka gjykuar dhe u ka kënduar si fenomene të natyrës, si një ligjësi sundonjëse në jetën njerëzore. I ka peshuar dhe dëshmuar, shkrimësisht, si fryma të brendshme dhe rryma të fuqishme rrjedhëse.

E ka bërë këtë aq frymëzisht, deri në frymëndaljen e vet, në mënyrën dhe me gjuhën vetjake, duke u shquar si blatuesi fjalëshkrues i alkimisë ndjenjë-përjetim, adhurimësisë e mallkimit.

Nga kjo pozitë, si një klasik romantik, si për shembull Naimi, apo dhe si kritik pasues i tyre, si Konica ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë, poeti Duka lartësoi lirinë vetanake të gjykimit dashurues dhe të skepticizmit afetarist apo ironizues:

“Kemi fakte se një Zot

Njeriun e ka krijuar,

Po s’dimë gjë për Zotin tjetër

Që njeriun ka mallkuar!…

S’më bën punë as abstraksioni,

Nuk e gjej dot përfundimin,

Thjesht mendoj, kush na krijoi,

s’mund të bënte dhe mallkimin!”

Në librin e parë post-mortem, poeti Duka sjell për lexuesit e shumtë të tij mendimin testamental për dashurinë dhe vdekjen, dy fenomenet themelore dhe ekzistenciale të jetës njerëzore.

Në ciklin e epigrameve dhe të poezive filozofike, autori dëshmon një regjistër të lartë gjykimi dhe arsyetimi logjik në lartësinë e estetikës së ligjërimit poetik. Ka forcën meditative dhe frymën e lartë poetike, të cilat duket se e ҫojnë deri në fqinjërim me pohimin blasfemues. Mirëpo është po aq zotërues sa na jep ne lexuesve të kuptojmë se Duka e ka kuptuar limitin e njohjes së Perëndisë më mirë se vetë teologët:

“Dot s’e kuptoj unë Zotin tim,

që na ngul thika kraharorit…”

Me natyrshmërinë e besimtarit dhe idhullsinë e lëvdonjësit logjik i drejtohet Krishtit te “Vigani i Historisë”:

“Kush është Vigani i gjithë historisë?

Them, pa dyshim, i Biri i Shën Marisë,

Në fakt Maria, kjo Nënë madhështore,

E bën vigan të jetës njerëzore,

Ati që lart në jetën qiellore!”

Në natyrën e vet njerëzore, por edhe në pozitën e poetit, Duka mishëroi dhe dëshmon se qëndresën e kishte pjesë bazike të tij dhe e provon si ndërgjegje në materien poetike të lënë. Poezitë e këtij libri janë shtesë vlere në kuadër të krejt krijimtarisë poetike të shkrimtarit.

Duka është poeti dheas, duke iu referuar termit me të cilin Martin Camaj do të etiketonte shqiptarët. Autori është si askush i tillë, dheas. Mjafton të lexosh poezinë “Hurma” në këtë libër dhe do të ndjesh raportin e shenjtë të autorit me vendlindjen dhe shenjat e tej-jetshme të tokës me njeriun e përveҫëm.

Duka është konfirmuar në dijeninë publike dhe atë mes entiteteve letrare të hapësirës shqiptare si poeti me fjalë të muziktë. Është një aftësi e shumëprovuar, nëpërmjet disa qindra mijëra këngëve të shumë zhanreve. Duke qenë “rob i bukurisë, (që) i përpij hiret e tua”, Duka meriton konstatimin e T. S. Eliot si “krijues i muzikës përmes fjalës”.

Poeti shkruan “për ata që e duan” dhe nuk e ka fjalën vetëm për ata që e njohën, por për ata që vijnë të pallogaritshëm për të, si njohës të ardhshëm nga e ardhmja.

Triumfin ndikues si poet mbi publikun e gjerë autori e ka siguruar në disa versione: përmes poezive-këngë, përmes poemave, baladave aq të fuqishme liriko-epike, si dhe poezisë së angazhuar me gjithë nën-zhanret.

Përmes këtij opusi poetik, Duka, me një konsistencë të pazakontë, realizon vijueshëm, edhe në këtë libër, një rrëfim të sinqertë, sikurse ndodh në poezinë me këtë titull:

“…Në greminë të kësaj jete,

unë shoh dritën dhe tek honi,

ndaj dhe nuk shkrova për vete,

po për juve që s’shikoni!”

Autori reflekton përgjatë gjithë kohës së ligjërimit poetik, por edhe përgjatë gjithë komunikimeve të veta publike, ndërgjegjen e idealistit dhe formimin sokratik. Brengoset si qytetar i botës se bashkëkohësit e tij, “njerëzit, njohin universin, por veten e tyre jo!”.

Në më shumë se dy dekadat e fundit të jetës së frymtë, Arben Duka frymoi me dhimbje dhe lëngata të pazakonta sëmundjesh. Lëngonte 24 orë, por më shumë se gjysmat e këtyre orëve i kalonte duke shkruar e krijuar. Këtë qëndresë prometeane e shndërronte në produkt poetik. Jo për lutje e përgjërime, por për qëndrime dhe për qesëndi ndaj shoqërisë sonë amorfe e të rrokopujshme. Ai mbeti, si qytetar, luftëtar stoik për liritë dhe la, si poet, himne dhe këngë orientuese për të:

“Njeri, mos rri kaq larg varrezës,

ku prehet kurmi i njerëzisë,

e fundit ditë e jetëzezës,

është ditë e parë e lirisë…”

Duka u njoh si rebeli kontrapedal që natyrshëm fliste për rebelimin, por gjithaq edhe liriku që blatoi krejt adhurimin për dashurinë dhe njeri-dashjet. Të gjithë librat e tij janë me fjalë e ndjenja të ndritshme, për shkak të dritës lirike të talentit dhe materies së zgjedhur të reales.

Me rebelizmin dhe mëvetësinë si qytetar dhe poet, Arben Duka e sfidoi shoqërinë moderne ballë për ballë. Si poet e bëri me bindje dhe e la në vepër për njerëzi dhe shoqëri shumë më të mirë se kjo që la prapa.