Suplementi Pena Shqiptare/ Moikom Zeqo: Të jetuarit së prapthi

471
Sigal

Në Botën e Pasqyrave Liza e vogël përjeton shumëfishimin e aventurave mendore.
Fjalët e Lizës me të tjerët janë si lëvizjet e kombinuara shahistike. Ose edhe si e pasqyrave që i përcjellin njëra tjetrës pasqyrimet por pa sensin e kujtesës.
“E sotmja nuk mund të jetë kurrë një ditë tjetër”, vërejti Mbretëresha.
“Nuk të kuptoj”, tha Liza. “Është një gjë që më ngatërron tmerrësisht”.
“Kjo është pasojë e së jetuarit së prapthi”, i tha me edukatë Mbretëresha: “kjo, që në fillim vështirëson pak gjërat”. 
“Të jetosh së prapthi” përsëriti Liza shumë e çuditur. “Këtë shprehje nuk e kam dëgjuar ndonjëherë!” 
“Po ka një përparësi të madhe,” vërejti Mbretëresha, “sepse kujtesa punon në dy drejtime”.
Dialog i çuditshëm sa sinteza e qindra librave!
Kujtesa nuk punon në dy drejtime por në një pafundësi drejtimesh.
Të jetosh jetën së prapthi nuk është ndonjë zbulim i ri.
Nga librat e Levis Carroll-it dalin kështu tek Ungjilli Post-modernist.
– A është kujtesa model çlirimi, apo strukture terapie mendore?
– A janë fjalët e vërteta e sendeve, ose “fjala e bërë mish” siç thotë Gjoni i Patmosit?
– A është e pandërgjegjshmja e strukturuar si një gjuhë më vete simbolike?
– A është imagjinarja faza e thinjur e pasqyrave foshnja në epokën ose pas-epokën e imazheve universale?
– A mund të jesh në histori dhe njëkohësisht jo në histori?
– A është e shkruara e jashtëshkruara?
– A është dikotomia vetëm metafizike?
– A janë ëndrrat e shëmbëlltyrëzuara një hiper-realitet?
– A është relativizmi i burimësuar nga teoria e kuanteve ai që shkatërron klishetë e historisë?
– Ç’është pastërtia utopike e universeve të qelqta të ekraneve të kompjuterëve në fakt modelimi i padukshëm i gjithçkaje?
– A është ky modelim kompjuterik shumëfishimi i ngjashmërive dhe jo i dallimit?
– A është Bota e Çudirave e Lizës realiteti i stimuluar i Disneyland-it?
– Ç’është iluzioni perpetuum mobile i parqeve të lojërave elektronike?
– A është Post-modernizmi i sotëm një guidë grafike e konceptit marrëzisht enigmatik?
– A është karaoke arti “vox pox” i performancës?
– Po Zamping-u si ndërgjegjja zero e padurimit pa thellësi?
– A janë arti, feja, shkenca të avulluar nga kulti tiranik i parasë?
– Vërtet stresi e menaxhon botën dhe kaosi rregullin?
– A ekzistojnë dy të tashme: një reale dhe tjetra dematerializim i reales?

  • Sa pamundësi mënyrash ke të jetosh jetën së prapthi?
  • Të jesh Migjen dhe njëkohësisht Jezu Krisht?
  • Të jesh në Golgota e akoma më përpara saj në Hiroshimë?
  • Të jesh njëri pa qenë i detyruar biologjikisht të jesh më parë majmun antropomorf?
  • Të jesh metaforë pa qenë send apo qenie?
  • E pra çdo të thotë të jetosh së prapthi?
  • Të jesh edhe Liza edhe Mbretëresha njëkohësisht?
  • Si mund të gjurmojmë vragën e rrënjëve gjenealogjike të të jetuarit së prapthi?
  • Të të jetuarit së prapthi në art, në filozofi në kalendar?
  • Ç’janë këto labirinte plot pasqyra të panumërueshme dot?
  • A jemi ne këto pasqyra, apo pasqyrat janë ne?
  • A jemi kopje të vetvetes, apo thjesht kopje të të tjerëve?
  • Dhe ç’janë të tjerët?
  • Thjesht projektimi jonë i fragmentizuar?
  • A ekzistojnë më Rrëfimet e Mëdha të Historisë?
  • A jemi qytetarë të klonuar të virtuales absolute?
  • A është eskatalogjia “fundi i Historisë”?
  • A është trans-Historikja natyra e sterilizuar?
  • Kanë vdekur dyshimet?
  • Shpresat?
  • Poezia?
  • Apo jemi loja dhe rebusi i kibernetikës?
  • Instrumente të industrisë së Simulacrum-it?
  • A ka shpëtim?

Ah, përbindëshi kolosal, shumëkokësh i mediave HD , që na ka përpirë të tërëve!

Sa parake pasqyrat e Lizës!

Ç’kanibalizëm i përshpejtuar!

Aleluja!