Qamil Buxheli, me romanin e parë humoristik në letërsinë shqipe “ Kur qesh tërë qyteti”

681
Sigal

 

 Qamil Buxheli u lind në Pandalejmon të rrethit të Sarandës. Ai e kreu shkollën fillore në  Sarandë, ndërsa shkollën e mesme në gjimnazin e Gjirokastrës. Studimet e larta i përfundoi në Institutin e Lartë Letrar “Maksim Gorki” në Moskë në vitet 1955-1960. I angazhuar si pjesë e rinisë komuniste u angazhua në jetën politike të kohës gjatë shkurtit 1942-prill 1943. Më 16 prill 1943 doli partizan dhe në korrik 1944 ishte komisar politik i Çetës së Rinisë, prefektura Gjirokastër. Sekretar organizativ i Komitetit Qarkor të Rinisë Komuniste Gjirokastër 1944-’45, anëtar e sekretar i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste etj.

Krijimtaria e tij letrare fillon me “Kënga e Asim Zenelit” (korrik 1943) dhe më tej me “Kënga e Ali Demit” (1944). Redaktor i “Zërit të Popullit”, kryeredaktor i “Zërit të Rinisë”, kryeredaktor i revistës “Ylli”. Kontributi i tij në publicistikë është i madh. Është dekoruar me një sërë çmimesh e medaljesh, si: “Medalja e Kujtimit”,  “Medalja e Çlirimit”, Urdhri “Naim Frashëri”, “Çmim Republike për satirë e humor”, “Mjeshtër i madh i punës”, Urdhra Pune Klasi i Parë, Çmime të para në konkurse letrare etj.

 Fragment nga romani satirik “Kur qesh tërë qyteti”

 I NGRATI ! KA VONUAR NJË VIT NË TAKIM”

-Mirupafshim, gjyshe!- i tha Uçi duke e zënë në qafë.-Do të vij edhe unë ,-tha ajo,-duke hedhur një shami të bardhë mbi krye. – Ç’do bëj unë këtu brenda? Gjithë bota kanë dalë jashtë! Do të vi edhe unë!  T’ju shikoj si do të dilni në koncert para zhurisë.!

Duke menduar se gjyshja do t’i vononte gjatë rrugës Nuredini propozoi që ajo të vinte mbrapa, ngadalë, kurse ata me Uçin të shkonin përpara, se koha po ikte. Propozimi i Nuredinit u pranua nga të gjithë. Po kur u fillua nga zbatimi lindi një problem i paparashikuar: Uçi mezi lëviste këmbët.  Meqenëse kish ndenjur një vit shtrirë, ai ecte aq ngadalë dhe me aq vështirësi, sa edhe gjyshja e linte mbrapa … Mirëpo kjo ishte e tmerrshme, kur nuk mbeteshin vetëm se pak minuta për të dalë para zhurisë!…

-Unë po shkoj përpara për të marrë ndonjë taksi,-tha Turhani, duke çarë me zor me bastubosin në krahë.

– Më mirë po shkoj unë,- tha Muhameti.-Ti s’ke për të gjetur taksi, as kur të mbarojë koncerti!

-Atëhere vemë bast!-propozoi Turhani- Kush të gjejë i pari taksi, të rrijë një muaj pa mbajtur procesverbalin!

Ndërsa Muhameti dhe Turhani u shpërndanë në drejtime të ndryshme për taksinë Nuredini, Uçi dhe Zerdelia dolën dalëngadalë në oborrin e shtëpisë.

-A m’i ke paguar kuotat e Bashkimeve Profesionale rregullisht gjyshe?-pyeti Uçi.

-Një për një çdo mua shkoj në komunale për t’i paguar,- u përgjigj gjyshja.

-Në komunale? Uçi ndaloi:

Pse në komunale?-pyeti ai? –T’i duhej t’ia jipje shokut Mersin?

-Mersinin atje e kishin hedhur  në komunale. Pastaj nuk e di, sepse e hoqën përsëri  dhe e vunë të punonte me kazmë. Po unë prapë ia çoja çdo muaj në shtëpi.

-Uçi rrënkoi thellë.

-Bobo , ç’më ke bërë gjyshe! Më humbe vjetërsinë!

-Mend për herë tjetër!-tha Nuredini.

Uçi deshi të bënte edhe disa pyetje të tjera, por diçka i tërhoqi vëmendjen në anën tjetër të bulevardit. Ai vuri dorën në ballë dhe shikoi një copë herë midis turmës. Pastaj rrëmbeu vetëtimthi bastubosin, që Muhameti i kish lënë Turhanit dhe, duke e përdorur si bastun, çau midis bulevardit duke thirrur sa mundte:

-Lizaa! Lizaaaa!

Tri herë rresht ai u rrëzua, se i merreshin këmbët, por të tri herët u ngrit dhe humbi midis turmës, duke i thirrur që larg në emër njeriut të zemrës.

-Liza! Lizaaa! Lizaaaa! Qytetarët dhe diletantët e ardhur nga të katër anët e vendit shikonin me kureshtje këtë skenë lirike në asfalt dhe hapnin një “korridor”, sapo afronte dashnori me bastubos.

– I ngrati!- tha dikush që e njihte.- Ka  vonuar një vit në takim!

Ndërsa Nuredini qe në hall se ç’të bënte. Mbërritën pothuajse në të njejtën kohë dy  taksi nga drejtime të ndryshme. Në njerën qe Muhameti, kurse në tjetrën Turhani. Me sa dukej që të dy do të vazhdonin ta mbanin procesverbalin, sepse asnjeri nuk e kishte humbur bastin…Mbasi e diskutuan çështjen në këmbë, vendosën që të tre të viheshin në ndjekje të Uçit. Vështirësia qe se kjo ndjekje duhej bërë në këmbë, mbasi në bulevard nuk ecje dot me makinë nga njerëzit. Pa humbur kohë të tre burrat u futën midis turmës….

-Këndej!- thirri Nuredini, mbasi lau llogarinë me shoferat.

– Me siguri do të ketë qenë Liza!- tha Muhameti, mbasi dëgjoi përshkrimin e Nuredinit.

-Të qe Liza gjysma e së keqes! – u përgjegj Nuredini,- Në mos më gënjyen  sytë mua, ajo nuk qe Liza, po motra e saj Suzana. Ju kujtohet ajo binjakja e Lizës, që studionte në Tiranë?

Muhameti u alarmua.

-Kjo është e tmerrshme!- tha ai- Ajo ngjan me Lizën siç ngjajnë dy kokrra mollë. Uçi me siguri do t’i ngatërrojë dhe prite kur të bëjë ndonjë skandal!

-Nuk  do t’i ngatërrojë se kjo është bionde, – tha Nuredini.-Vetëm po të verbohet fare!- Hej dreq! Apo s’e kanë babanë fanatik ! –tha Turhani.

-Edhe përparimtar të jetë,- vuri në dukje Muhamedi,- kush të lë ndjekësh vajzën e botës në mes të ditës, duke thirrur? O burra t’i arrijmë!  Unë po marr nga e djathta! Ti Nuro, nga e majta.

Turhani me gjyshen drejt! Turhanit i pëlqeu propozimi, sepse ai kishte edhe bastubon me vete dhe qe thuajse e pamundur të çante midis turmës pa u përplasur dhe pa u grindur me kalimtarët. Ndërsa Muhamedi dhe Nuredini u ndanë dhe humbën midis turmës. Turhani dhe gjyshja, që ishte shumë e shqetësuar për fatin e nipit, morën rrugën qendrore që të çonte në park tek koncerti. Në fillim gjithçka shkoi mirë dhe ata arritën të bënin gati gjysmën e rrugës pa ndonjë kokëçarje të madhe. Mirëpo pa pritur u gjetën të rrethuar nga një grumbull fëmijësh, të cilët ju veshën Turhanit si bletët dhe nuk i ndaheshin. Dikush kërkonte që “xhaxhai” t’i binte  “borijes” (bastubosin), disa të tjerë i luteshin që “t’i frynin”njëherë … Me sugjerimin e gjyshes i kënaqi të dy palët: i ra një herë vetë bastubos, dhe pastaj i lejoi kureshtarët që t’i frynin edhe ata…

-Ka ndonjë tjetër që to t’i fryjë-përsëri?- pyeti Turhani para se ta kalonte  krahëqafë “mbretëreshën e orkestrës simfonike”- Hajde, rrugë e mbarë!…kur arritën koncerti kishte mbaruar…