Suplementi Pena Shqiptare/ Flutura Açka: Magjia e përfytyrimit

221
Sigal

 

 Cila është gjëja që di të bësh më mirë, më pyeti njëherë dikush me këmbëngulje. Ndala një hop. Nuk është pyetje e thjeshtë për një të gjallë të ngatërruar aq shumë nëpër arat e thekrave të jetës. Është e mërzitshme të mendosh se sa shumë gjëra bëjmë, se me sa shumë zeje merremi, se sa mori ethesh përziejmë në gjeografinë e poreve tona dhe se sa fshehtësirave u qepim përsipër bllana biologjisë sonë njerëzore.

Tani e di përgjigjen, me saktësi klinike. Gjëja që di të bëj më mirë, është të përfytyroj, sepse përfytyrimi është gjithnjë në kahjen e erës së mirë. Ja ashtu, mbyll sytë dhe shkoj në vende që kurrë nuk i kam parë, shtegtoj nëpër mote kur nuk do të jem kurrë e pranishme, rrugoj nëpër traga që kurrë nuk do t’i shenjohen hartës së botës.

Po ka njerëz që përtej përfytyrimeve, ekzistojnë me një përkorje të rrallë të shenjëhijes së tyre, mu si pemë, mu si zogj, mu si një grusht dhé i pastër, që shpesh ka peshën e gjësë më të rëndë që kemi prekur në jetën tonë. Unë e njoh atë peshë, sepse e prek shpesh tokën, se e di se nuk kam atdhe tjetër për të zgjedhur për t’u dhënë territor hartës së përfytyrimeve të mia…

Fragment nga “Tulipanë të vonuar”, së shpejti.