Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve/ Sot në orën 18.00, në Selinë e Kryegjyshatës, promovohet libri për Kryegjyshin Dede Edmond Brahimaj dhe albumi fotografik për ish-Kryegjyshin Dede Reshat Bardhi

352
Sigal

Aktiviteti zhvillohet sot në orën 18:00 në Selinë e Shenjtë Bektashiane në Tiranë

 Promovohet libri i Kujtim Boriçit e Nuri Çunit për Kryegjyshin Botëror Dede Edmond Brahimaj dhe albumi fotografik për ish-Kreygjyshin, Dede Reshat Bardhi

 

Njohja me bektashizmin…

(Kujtimet nga takime e biseda me Dede Reshatin dhe Dede Edmondin)

 

Akademik, Xhevahir SPAHIU

Siç fryn era e Tomorrit atje larg e përhapet vrullshëm në rrethinat e saj, vjen dhe përkëdhel edhe fshatin Malind, vendlindjen time në Skrapar. Për të dy, kam shkruar poezi, Malindi, afër dhe larg dhe Tomorri i shtrirë si luan. Të dy këta, janë simbol për mua. U rrita në Malind aty kam varrin e gjyshes. Tomorri, mal mitik, mal pellazgo-ilir. Simbolikisht, quhet “Baba Tomorr”. Histori shqiptare, gjurmë që shekujt nuk zhbënë.

Ishte viti 1998. Me ftesë nga Qendra Kulturore, në veprimtarinë “Etnokultura në Skrapar”, në prag të pelegrinazhit tradicionl, ndodhem në Tomorr. Isha me Dritëro Agollin, Moikom Zeqon dhe takohem me baba Mondin. Ai, me thjeshtësi dhe dashuri u shpreh: “Poet i Tomorrit, ku je?”. Më përqafoi dhe ashtu natyrshëm, biseduam për pelegrinazhin e Tomorrit dhe teqetë e Skraparit. Për bektashizmin kisha pak njohuri. Në bisedë, i fola për baba Tahirin, por baba Mondi më plotësoi mendimin, mbi historinë e teqesë Prishtës, Kongresin e parë bektashian, teqenë e Backës e të tjera në Skrapar. Në vitet që pasuan, marrëdhëniet me baba Mondin u shtuan dhe në çdo ceremoni që bëhej në Kryegjyshatë, në festën e Sulltan Novruzit, Ashures, do takohesha me të dhe ai më çonte tek Kryegjyshi, Dede Reshati. Dhe bisedat me Deden, nuk kishin fund, kishte mirësinë, ëmbëlsinë, dhe të bënte për vete. Shpesh herë, baba Mondi, me porosinë e Dede Reshatit, mua dhe Moikom Zeqos na kërkonte mendim, siç ishte rasti i letrës drejtuar Presidetit amerikan Bill Klinton, Presidentit rus Jelcini dhe Grupit të Kontaktit në Rambuje të Francës për çështjen e Kosovës, në vitin 1999. Letra që kam shkruar për Kosovën martire, ishte e veçantë. Ishte drithëruese dhe e dhimbshme kur e kujtoj, shpërnguljen e kosovarëve nga trojet e tyre nga regjimi serb. Marrëdhëniet me Kryegjyshatën nuk i ndërpreva asnjëherë.

Por ishte edhe ndikimi, i mikut tim të vjetër, Nuri Çuni, ish nxënës, në shkollën pedagogjike Vlorë, kur ishim bashkë, por në vite të ndryshëm. Takimet në Skrapar, si drejtor i Muzeut dhe në Tiranë këto 20 vjet, u pasuan edhe me shoqatën “Tomorri”, arkivin e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, ku do ishim bashkë dhe isha i ftuar në çdo veprimtari. Vit pas viti, u bëra mik i Kryegjyshatës. Në vitin 2004 kur u botua libri “Bektashizmi në Shqipëri”-bibliografi, mu kërkua nga baba Mondi të shkruaj një mendim, ashtu bëra dhe shkrova: “Një udhërrëfenjës me besë”, ku citova midis të tjerave: “…Bektashizmi frymëzon përsosmërinë… Ai ishte frymë jetëdhënëse në krahorin e Rilindjes Kombëtare, tempujt bektashian u kthyen në shkolla të shqipes, të abetares së përndjekur, në strehë të çetave kryengritëse. Pa atdhe s`ka fe – kjo ishte kambanë zgjimi e bektashianëve, në kohën e rrezikut të madh. Naimi i dha fytyrë shqiptare besimit bektashian..”

Si mund të harroj udhëtimin e baba Mondit, sa shpirtëror, këmbngulës, që me Dede Reshatin nuk ndaheshin nga njëri-tjetri në çdo veprimtari. Ai drejtoi teqetë në Korçë, Maqedonin e Veriut, ishte i kudondhur për çështjen e pronave dhe problemeve të ndryshme që kishte Kryegjyshata. Përmend takimin në Krujë kur Dede Reshati u bë “Qytetar Nderi” i Krujës, Dede Reshati, ishte me baba Mondi. Aty fola me gëzim dhe shumë dashuri, me zemer të hapur, dashuri bektashiane, siç do vëllai-vëllan e, u thash të pranishmëve: “Dede Reshat Bardhi, dede Reshat zemërbardhi”. Takimet janë të shumta, por do veçoja kënaqësinë që kam ndjerë në vitin 2007, kur mbajta kumtesën “Fryma dhe madhështia e një simboli” në simpoziumin shkencor, “Jeta dhe vepra e shenjtorit Abaz Ali”. Frymëzimin i kahershëm me malin e Tomorrit, më zgjoi shumllojshmërinë e simboleve që përfshinë botën e gjithësinë; kozmologjike, metafizike, heroike, padyshim edhe atë religjoze. Abaz Aliu u kthye në simbol për shqiptarët, u bë shembëlltyrë e fuqishme, që zgjon persiatje të tilla. Është edhe kryeflamurtari i Qerbelasë, Abaz Aliu, kaq i gjallë në mendësinë shqiptare, veçmas atë bektashiane. Ky emër është një pasuri, një xhevahir në thesarin e besimeve dhe kulturave pa kufi. Unë jam ngjitur në këtë mal shumë herë, atje në Çukë-Abaz Ali, nga Dede Reshati dhe Baba Mondi, kam marë uratën dhe bekimin që të kem shëndet. Por nuk e harroj rastin pranë tyrbes Abaz Ali, në majë të Tomorrit… Aty në këtë vend, më kishte marrë malli për djalin tim Arturin, emigrant në Angli dhe u ktheva nga veriu, sikur të çmallsha me të e, pika loti rrodhën ngadalë. Kisha kohë që pija duhan dhe nuk e lija, kritikat ishin të shumta në familje dhe midis shokëve. Por, Nuri Çuni më kishte thënë: “Duhanin do të lësh në Tomorr”, te tyrbja e Abaz Aliut dhe, unë e pranova. Ja erdhi ky rast dhe Nuriu ashtu papritur më tha “besën që ke dhënë, në këtë Çukë ka vetëm besë”.

 

Nuk hezitova, flaka cigaren përdhe e shkela me këmbë dhe nuk e kam pirë më. Sigurisht, këto shënime për Dedenë, për mua nuk kanë fund, por unë dua të pohoj me disa rreshta se zgjedhja e baba Mondit, Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, nga klerikët sipas statutit bektashian, ishte e goditur, e merituar, nga puna përkushtuese të tij për bektashizmin, për shkollën e kulurën që kishte dhe e pasuroi në vazhdimësi. Baba Mondi punoi me Dede Reshatin, i cili e kish te Mondin, zëvendësin e tij. Dhe këto vite të drejtimit, si Kryegjysh Botëror (nga qershori i vitit 2011), ai vazhdon rrugën dhe traditën e Dede Reshatit. Veprën monumentale, Tempullin madhështor, Odeonin, që e nisi Dede Reshati e përfundoi baba Mondi, pasuar me përurimin madhështor, në 7 shtator 2015, kompletoi po ashtu muzeun e mrekullueshëm, arkivin, bibliotekën e mjediset e tjera, që janë mrekulli më vete.

*   *   *

…Kur ke folur e ke shkruar dhe herë të tjera, në rastin konkret si dhe unë për Kryegjyshin Botëror Bektashian, Dede Edmondin, ndoshta është e tepërt përsëritja. Por ka momnte shpirtërore, biseda e rrethana shoqërore, të cilat sjellin natyrshëm ripohim të vlerësimeve që ke bërë. Kështu ndodh dhe në këtë rast. Është e premte, 21 maj 2021, moment që kemi mbaruar një sesion jubilar në Akademinë e Shkencave, për 175-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit, aktivitet i inkuadruar në projektin “Viti i Naimit”, shpallur nga Selia e Shenjtë…

Nuri Çuni, bashkë me publicistin e njohur Kujtim Boriçi, më ftojnë që të pimë një kafe. Pranova me shumë kënaqësi. Biseda vazhdoi në rrjedhën e kumtesave të aktivitetit të sapopërfunduar, për të prekur më tej dhe probleme të tjera. Aty më thanë se janë në përfundim të një libri (ky që keni në duar, N.Ç. K.B.) e nënteksti kishte kërkesën nëse unë mund të bëhesha pjesë e tij… Nuk fola në fillim, pasi dhe kërkesa nuk vinte direkt, por me nëntekst… Por miratimi më erdhi natyrshëm, se përveç njohjes disa dekada me Nuriun, në një farë mënyre, Kujtimit i kisha dhe një borxh, pikërisht në atë kohë të vështirë, në vitet 1997-1998. Atë kohë, kur dhe unë, si një nga intelektualët që denoncoi shtetin e dhunshëm, u bëra pre e tij, u përndoqa dhe u detyrova të fshihesha, bashkë me djalin, tek miqtë (miku im e ushtaraku madhor Skënder Malindi), Kujtimi, në dy numra gazete, nga dy faqe të saj, shkroi për rastin tim dhe mikpritjen e ndihmën që më dhanë familjarët Malindi me origjinë nga Skrapari. Pra, këto së bashku, më bindën që të jap këto kujtime të shkurtëra, për tu bërë pjesë e këtij libri. …Baba Mondi të ketë shëndet dhe gjithë të mirat e mirësitë, në misionin e lartë të bektashizmit botëror.

Tiranë, 21 maj 2021

Unë myhibja, për dede Edmondin, vëllain e udhëheqësin bektashian

Ziflie BABAMETO (Myhibe)

Nëse besimi ynë i paqtë bektashian ka mbijetuar shekujve, falë udhës sonë të shenjtë, dashurisë njerëzore e humanizmit që predikojmë e zbatojmë, adhurimin e besimin e palëkundur tek i Madhi Zot, vëllazëria si një nga tiparet brilante të këtij tarikati, është dhe mbetet një shtyllë e
fortë e kësaj mbiqëndrese. Kur më duhet të them diçka modeste sot, kur udhëheqësi ynë shpirtëror, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, mbush 10 vite në krye të Selisë sonë të Shenjtë, unë si myhibe, e them me fjalët që më dalin nga zemra:
“E kam provuar vetë përkujdesjen shpirtërore dhe humanizmin e Kryegjyshit të sotëm Bektashian, në dekada të jetës sime, por në 35 ditë që i kemi qëndruar tek koka në spitalin e Turqisë, baba Haxhiun e Teqesë së Zallit, të cilit unë i shërbeja, ai ka bërë maksimumin për mbajtjen në jetë të baba Sherifit, por është treguar në përkujdsjen ndaj meje më shumë se një vëlla biologjik!

…Unë, vij nga një familje e njohur e me tradita bektashiane, jam mbesa e baba Sherifit të njohur të Elbasanit, të cilit edhe i kam shërbyer, bile, e kam pritur në shtëpi dhe kemi bërë kurban, edhe në diktaturë kur feja ishte e ndaluar me ligj dhe të respektoje ritet bektashiane, rrezikohesh dhe përfundoje në pranga. Prej 20 vite si myhibe e Haxhi Saliajt, kam shërbyer në teqenë e Zallit në Gjirokastër, i shërbeja babait, gatuaja për të dhe shumë besimtarë që vinin në teqenë tonë me emër. Baba Haxhiut nga 2 prilli i vitit 1989 deri në vitin 2006, kur ai ndërroi jetë në spitalin turk nga një sëmundje tek koka. I kam qëndruar 35 ditë tek koka në atë spital, pa vënë gjumë në sy, u treta e gjithmonë shpresoja se baba Haxhiun do e mbanim në këtë jetë. Por përkujdesja e mjekëve më të njohur turq, profesorëve të nderuar, mbi të gjitha lutjet e përkujdesja e baba Mondit (grada e atëhershme) që ishte gjatë gjithë kohës tek koka e tij me mua, nuk mundën që ta arrinin këtë. Do të flas pak më poshtë për atë ngjarje që ka lënë mbresa të pashlyera tek unë, e mbi të gjitha për aktin e vëllait e shkuar vëllait, baba Mondit…
…Baba Mondin, të shenjtin Dede të sotëm, e kam njour që kur punoja në teqenë e Zallit, kur si myhibe i shërbeja baba Haxhiut, vinte shpesh me shenjtin, Kryegjyshin Dede Reshat Bardhi. Dede Reshati dhe ai më kanë uruar e bekuar për punën që bëja, i kam pritur dy vëllezërit e mi në shtëpi. E ata sillnin dritën dhe shpresën. Që në takimin e parë me baba Mondin, urtësinë, sjelljen e fjalët që thoshte, më krijoi idenë e një kleriku të shenjtë.
…Tani po kthehem tek ngjarja që përmenda më lart. Baba Haxhiu u sëmur rëndë, ishte viti 1998. Disa vizita në Gjirokastër (ku u shtrua një herë 15 ditë e, shumë të tjera në Tiranë, pasuan me disa shtrime për kurim spitalor. Por gjendja nuk kishte përmirësim. Përkujdesej vazhdimisht Dede Reshati, e sidomos baba Mondi… U bë dhe një ndërhyrje kirurgjikale tek Spitali Ushtarak, nga mjeku i njohur kirurg, Mustafa Xhani. U vendos që të dërgohej për kurim në Turqi, në një
spital të njohur të Ankarasë, me famë në botë ky. . Kështu u bë. E shoqëruam me avion, baba Mondi edhe unë. Baba Mondi kishte njohje të mëdha në Turqi, me personalitete të larta shtetërore e shoqërore, me mjekë të njohur, profesorë të mjekësisë dhe nuk do të kursente asgjëpër shëndetin e baba Haxhiut. Dhe këtë unë e pashë dhe jetove vetë për plot 35 ditët që qëndruam në spitalin turk, tek koka e baba Haxhiut.

Jam habitur me njohjen e kujdesiun e baba Mondit. Çfarë nuk ka takuar dhe kush nuk e priti… Ndërsa unë i rrija tek koka natë e ditë në spital baba Haxhiut. Kishte rregulla të forta atje, nuk të linin të rrije në spital tek i sëmuri, por interesi e ndërhyrja e baba Mondi te krijoi këtë mundësi. Por gjendja e baba Haxhiut, nuk po përmirësohej, përkundër, mjekët me gjithë përkujdesjen, ishin pak optimistë. Pashë e njoha nga afër ato ditë interesimin, zemrën e madhe e dashurinë vëllazërore të bektashizmit tek baba Mondi, dashuri vëllazërore që vetëm bektashinjtë e njohin, dinë ta ruajnë, ta reflektojnë e ta japin. Kujtoj se sa herë dilte e hynte bë spital baba Mondi, e kishte pothuaj të pamundur që të mos ndalohej nga dhjetëra besimtarë që donin ta takonin, t’i puthnin duart,t’i kërkonin një bekim. Kishte shpesh edhe klerikë. Pashë se uniforma e klerikut bektashi, ndonëse me një histori të dhimbshme nga shteti i dikurshëm turk (dhunime, dëbime e vrasje) kishte hedhur rrënjë të thella tek brezat e besimtarëve turq. Po kishte dhe të kombësive të tjera që takonin baba Mondin.
Ditët kalonin dhe po afronte minuti që ne nuk e dëshironim kurrë.Isha unë me baba Mondin që i rrinim tek koka baba Haxhiut. Në një moment ai u përmend, na buzëqeshi, hoqi orën dorës dhe ma zgjati mua.
-Merre këtë orë dhe mbaje motër. Unë po shkoj- tha ai.
-Jo baba, do të bëhesh më mirë- i thashë në mëdyshjen teksa i kisha zgjatur dorën drejt orës e ta merrja. Por tashmë ai i mbylli sytë, ashtu i buzëqeshur. Na shpërthyen lotët. Iku nga kjo jetë vëllai ynë, e deshte Zoti dhe e mori atë pranë Tij. Mes ngashërimave të lotëve, ndjeva përqafimin e krahut të baba Mondit, i cili tha: “Mbahu motër, vëllanë tonë e thirri Zoti, por do e kemi prapë mes nesh!”. Ato çaste, kanë qenë dhe mbeten nga më të vështirat e jetës sime. Por falë shpirtit të baba Mondit, përkujdesjes së tij, e mora veten, u lehtësova disi. Pranë, në këtë situatë të vështirë ku lotët thoshnin më shumë se fjalët, kishim vështrimin e bluzave të bardha të spitalit. Pashë dhe më shumë ndjeva se ata e miratuan ndjeshmërinë e rrallë tonën, ndjeshmëri e dashuri bektashiane, që ndoshta takohet rrallë në mjedise të tilla. U krijua një situatë tjetër tani, kthimi i trupit të babait në Shqipëri. Po rregullat e spitalit, ishin tepër strikt, trupi duhet të mbahej në morg e pas disa ditësh, në përputhje me procedurat, mund të kthehej në Shqipëri. Imagjino çmund të bëja unë një grua në një situatë të tillë… Por vëlla Edmondi, ka bërë atë që ishte e pamundur, me këmbënguljen, me njohjen që kishte, e mbi të gjitha me peshën e fjalës e besimit të klerikut bektashi. Në më pak se dy ditë, u nisëm për në atdhe. Erdhëm në Shqipëri. Në përcjellje për në botën tjetër, baba Haxhiut, iu bënë gjithë nderet e ritet bektashiane. Kaluan disa ditë dhe takoj Dede Reshatin që ishte bashkë me baba Mondin.
-Ejvallah Dede Reshat, kam diçka. Para se të mbyllte sytë nga kjo jetë, baba Haxhiu më ka dhënë orën e tij, urdhëroni- i thashë duke ia zgjatur orën.
-Jo motër, mbaje. Ti ke bërë shumë për baba Haxhiun, për bektashizmin dhe të takon ty.
E falënderova Dedenë dhe Baba Mondin dhe u putha duart…
E uroj në këtë 10 -vjetor si Kryegjysh Botëror Bektashian: Të paçim në krye Dede, e rruga dritë për bektashizmin!

 

Amaneti i Dede Reshat Bardhit për pasuesin e tij

Në dokumentin filmik të lënë nga Dede Reshat Bardhi, që gjendet në Arkivin e Selisë së Shenjtë Bektashiane, ka vlerësuar punën, përkushtimin dhe arritjet e zëvendësit të tij, baba Edmond Brahimaj, duke pohuar se “…më është dorëzuar mua që i vogël…’, ‘…paBaba Mondin, nuk do i kishim sot teqe e objekte në Tetovë…”, ‘…baba Mondin e kam rritur vetë.
Referuar burimit të mësipërm, ky vlerësim i Dede Reshat Bardhit, është bërë në Malin e Tomorrit në gusht 2008, në prezencë të klerikëve bektashianë, sekretarëve të gjyshatave e myhibëve. Është dita kur pas një pune të stërmundimshme, janë gjetur dhe janë vendosur eshtrat e baba Ali Tomorrit, ku një impenjim e meritë të veçantë pati kleriku Edmond Brahimaj. Fillimisht, (sipas të njëjtit burim),vlerësimi është bërë pasi të pranishmit i janë përgjigjur pyetjes së Dedesë e kanë dhënë vlerësime shumë pozitive për Baba Mondin. Në vazhdim, deklarimet e Dede Reshat Bardhit: “…Baba Mondi, ka bërë një punë të mrekullueshme… Baba Mondi ka qenë në Korçë, baba Mondi ka qenë në Tetovë. Baba Mondi ka merita shumë të mëdhaja. Baba Mondi ka meritë të madhe. Baba Mondi më është dorëzuar djalë i vogël, ka qenë myhyp, ashtu siç i jam dorëzuar unë Dede Ahmetit. Baba Mondi, është personalitet. Po të mos ishte baba Mondi në Tetovë, nuk do të kishim sot më Tetovë (objektet, institucionin e traditën bektashiane, siç është tani). Baba Mondi ka shkuar në Ambasadën Amerikane e kudo, duke luftuar për bektashizmin, ja doli… Jo, ka qenë oficer- thonë! Nuk i doli e drejta e studimit e ngelte pa shkollë.., ka bërë Shkollën e Bashkuar… Është shkolluar dhe më vonë, ka qenë me mua gjithnjë… Baba Mondin e kam përgatitur e rritur vetë…!”
(Burimi: Filmim origjinal në CD, 02/13. Arkivi filmik i Selisë së Shenjtë Bektashiane, Tiranë)