Vepror Hasani: Hanet dhe hotelet e pazarit të Korccës…!

367
Sigal

Pjesëmarrja e parashikur në mitingun e shkronjave 30,000 veta

Hanet dhe hotelet e pazarit të Korçës akomodonin mbi 4000 njerëz
Për hanet, edhe një përshkrim i mrekullueshëm i Mitrush Kutelit

 

Lagjja e Xhamisë së Korçës, mund të akomodonte brenda një nate mbi 4000 vizitorë, me ushqim dhe fjetje. Ata mund të qëndronin për aq ditë e netë sa dëshironin. Asgjë nuk do t’u mungonte gjatë kësaj kohe. Pavarësisht prej nga vinin, ishin vendas apo të huaj, të gjithë ishin të mirëpritur. Tavernat, restorantet ishin të shumta, numri i dyqaneve shkonte deri në 1900, zejtarët gjendeshin në gjithë hapësirën qendrore të tregut, ku mund të bëje porosi nga më të ndryshmet, qoftë prej floriri apo argjendi. Dhe nëse mysafirët vinin me talike, llandona apo karvane, tagjia për kuajt dhe hauret ishin gjithnjë të mjaftueshme. Lagjja e Xhamisë kishte hane dhe hotele të shumta, ndaj akomodimi i mysafirëve, sado që të ishin ata, nuk përbënte shqetësim. Ditët e qëndrimit në Lagjen e Xhamisë mbeteshin nga më të bukurat për vizitorët dhe turistët.

 


Hanet
Nuk dihet saktësisht sa ka qenë numri i haneve, por edhe sot e kësaj dite mbahen mend shumë prej të tyre: Hani i Kadillinjve, Hani i Manastirit, Hani i Baba Aliut, Hani i Peshkut, Hani i avokat Belul Efendiut, Hani i Vithkuqarëve, Hani i Orhan Pojanit, Hani i Trebickallinjve, Hani i Zeqirajt, Hani i Voskopojarëve, Hani i Alo Dishnicës, Hani i Gjelit, Hani i Elbasanit etj, etj. Por pavarësisht nga të gjitha këto, dikush mund të thotë se akomodimi i 4000 njerëzve brenda një nate mbetet i pabesueshëm. Atëherë, nëse dëshironi të njiheni me të vërtetën, ndiqni rrëfimin deri në fund. Numri i madh i haneve dhe i klientelës së Lagjes së Xhamisë ku ndodhej edhe pazari, nuk është vënë në dyshim asnjëherë, as nga studiuesit: “Numri i tyre, (i haneve), ka qenë i konsiderueshëm. …Numri i madh i haneve dëshmon për lëvizje dhe klientelë të shumtë në pazarin e Korçës”. (Pirro Thomo, “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, f. 246).


Hane dhe hotele të bardha
Pjesa më e madhe e haneve dhe hoteleve të Lagjes së Xhamisë gjendeshin në qendër të Pazarit, në rrugën kryesore të tij, pranë shesheve të tregtimit, si dhe në rrugët e tjera që hynin në këtë lagje. Përgjithësisht ishin ndërtesa dykatëshe. Të gjitha hanet kishin oborr të brendshëm, në formë trekëndshi, katror, ose me pamje tjetër. Oborret rrethoheshin nga disa ndërtesa që i përkisnin të njëjtit han. Katet e dyta të tyre ishin hotele, kishin oda të shumta fjetjeje, të cilat ishin të vogla, por të ndërtuara enkas kështu, që bujtësve t’u krijohej komoditet sa më i plotë. Dhoma për fjetje kishin edhe katet e para. Zakonisht, në mesin e oborrit gjendej pusi. Gjithashtu binte në sy porta e madhe dhe e rëndë e hanit, dekorimet me gdhendje dhe dritaret e shumta të katit të dytë. Panorama e haneve vijonte me strehën e gjerë të çatisë, pastërtinë, pamjen e bardhë të hanit dhe vitrinat e katit të parë, të cilat shfrytëzoheshin për dyqane. Në katin e parë gjendej edhe restoranti i hanit. Pra, me pak fjalë, hanet ishin një kompleks ndërtimesh ku gjendeshin dyqanet, punishtet, dhomat e hoteleve dhe restoranti.
Dhomat e shtrenjta
Ja edhe një përshkrim tjetër për hanet: “Dhomat e sipërme (të kateve të dyta) përdoreshin për fjetje, për udhëtarët, sigurisht për ata që kishin mundësi të paguanin më shumë, se ishin më të shtrenjta. Fshatarët, përgjithësisht, rrinin e flinin në dhomat poshtë, sepse ishte më lirë. … Në hane vinin edhe fshatarët e fshatrave që ndodheshin rreth e rrotull Korçës, por këta qëndronin në han vetëm për një kohë të shkurtër. Ata largoheshin brenda ditës pasi mbaronin punën në qytet, ndërsa fshatarët e fshatrave të largëta rrinin edhe më shumë, një ditë e një natë me kafshët e tyre. Më tepër myshterinj të haneve ishin ata që punonin e vinin me karvane nga qytetet e tjera të largëta, sidomos nga Elbasani, Manastiri, Follorina, Janina etj.” (Tasi Gusho (1910-1996), “Pazari i Korçës, Kujtime, Dorëshkrim”). Pra, nga sa kuptohet më sipër, kërkesa për shërbimin e fjetjejes dhe ushqimit ishte e madhe, ndaj hanet kishin dhoma të shumta fjetjeje dhe secili prej tyre edhe restorantin e vet, pasi çdo të shtunë (ditën e pazarit) ata që vinin në Korçë, vendas dhe të huaj, ishin me mijëra, shumë prej tyre e kishin të nevojshëm hotelin. Në ditë të tilla mund të akomodoheshin mbi 4000 njerëz. Dhe kjo ndodhte vazhdimisht.

 


Mitingu i shkronjave
Por, a ishte i mundur akomodimi i kaq shumë njerëzve? Po i referohemi ngjarjes së 14 shkurtit 1910, mitingut të shkronjave, ku gjithçka gjendet e përshkruar, madje edhe numri i njerëzve të akomoduar në Lagjen e Xhamisë së Korçës. Organizatorë të mitingut të shkronjave shqipe ishin shoqëria “Dituria Shqip” e kryesuar nga Orhan bej Pojani, klerikët myslimanë dhe zotërinjtë Çerçiz bej Zavalani, Mustafa bej Selenica, Stavre Karoli, Xhafer bej Luarasi, Tefik efendi Panariti, Ali bej Frashëri dhe Rakip Efendi Jemenli. Sipas parapërgatitjeve të tyre, njerëzit e zonave të largëta, që nuk kishin mundësi të arrinin brenda ditës në qytetin e Korçës do të vinin që të shtunë, për të qenë të pranishëm të dielën e mitingut. Ata do të akomodoheshin në hane dhe hotele, kurse gjithë të tjerët, që ishin më afër Korçës do të vinin të diel. Për këtë arsye, organizatorët e mitingut nuk lejuan që atë të shtunë të bëhej Pazar me qëllim që dhomat e haneve dhe hoteleve të ishin në dispozicion të pjesëmarrësve në miting.
2,593 veta të ardhur nga Kolonja
Sa ishte numri i njerëzve që mbërritën të shtunë në Korçë? Kjo gjë na thuhet nga gazeta “Korça”, pasi organizatorët e mitingut kishin lista të sakta mbi pjesëmarrësit. Në përshkrimin e kësaj dite, ndër të tjera thuhet: “Po gdhiheshe e shtunë, 13 shkurt. Dielli nisi të lëshojë rezet e tij të ngrohta. Lindja e Korçës, porsa u zgjua nga gjumi, nisi të përgatitet për mbledhjen (mitingun) e abesë. Nga çdo gojë dëgjoheshin këto fjalë: Sa shqiptarë do të mblidhen, ku do të mblidhen etj.” (Gazeta “Korça”, e enjte, 18 shkurt 1910). Pjesa më e madhe e njerëzve që pritej të vinte të shtunë ishin nga Kolonja: “Më orën 10, pothuaj një re e zezë mbuloi tërë udhën e Kolonjës, e cila binte në të pamit (syrin) e njeriut. Kjo re sa vinte, po afroheshe, edhe po çquheshe më tepër. Ishin kolonjarët patriotë, të cilët po vinin për të mbrojtur abenë e shenjtë shqipe. Përpara vinte këmbësoria, edhe prapa kaloria. Përpara të gjithëve po vinin baballarët (klerikët myslimanë) edhe bejlerët e Kolonjës, edhe përpara të gjithëve, i flakti drejtor i fletës (gazetës) tonë, (Sami bej Pojani), hipur më kalë… Mb’udhë “Banda e lirisë”, e cila vinte kurdoherë përpara s’reshtte së lojturi pjesë të zgjedhura, edhe nëpër pushimet e saj, dëgjoheshin këngët tona kombiare, të cilat po këndoheshin prej kolonjarëvet, të cilët ishin 2.539 veta.” (Fragment nga artikulli i gazetës “Korça”).


Pjesëmarrësit e mitingut 12,000 veta
Ndërkohë pritej që të tjerë njerëz të vinin atë të shtunë nga Kolonja dhe Starova: “Këtu, të mos harrojmë të thomi se përmbi 500 veta ardhë të shtunë mbrëma, kur u err, nga Kolonja, edhe 1000 veta nga Starova.” (Fragment nga artikulli i gazetës “Korça”). Pra, numri i njerëzve që mbërritën në Korçë të shtunë mbrëma shkoi në më shumë se 4000 veta. Në artikullin e gazetës “Korça” nuk përshkruhet asnjë shqetësim, qoftë për kushtet e fjetjes, pasi ishte dimër dhe bënte ftohtë, qoftë për ushqimin. Të gjithëve u shërbehej pa vonesë: “Sa të fërkosh synë, kur ora paske vajtur shtatë. Kur hëngri drekë tërë ay rrëmet, dhe kur u qetua…” (Fragment nga artikulli i gazetës “Korça”). Të nesërmen, të dielën e mitingut, numri i pjesëmarrësve arriti në 12.000 veta, të ardhurit u përkisnin të gjitha zonave: Kolonjës, Korçës, Devollit, Starovës, Pogradecit etj. Nëse hanet dhe hotelet do të kishin patur mundësi akomodimi më të mëdha se 4000 veta, atëherë pjesëmarrja në miting do të kishte qenë edhe më e madhe
Pjesëmarrja e parashikuar 30,000 veta
Këtë gjë e shpjegon gazeta “Korça”, e enjte, 18 shkurt 1910: “Në këtë mbledhje do të vinin përmbi 30.000 veta, shqiptarë nga fshatrat, po s’ardhë se ishte e tepërt të vinin tërë ata se do të mos kishin se ku të rrinë …”. Pra, mundësia akomoduese e haneve dhe hoteleve shkonte mbi 4000 veta, dhe kjo gjë u bë realitet të shtunën e mitingut. Në përmbyllje të këtij materiali, po sjellim një përshkrim të poetit Vangjush Ziko, dedikuar haneve të Korçës: “…Këto hane i dhanë, për mua, një kuptim të ri Pazarit, bollëkut dhe zallamahisë së tij. Dashurisë dhe nostalgjisë sime naive fëmijërore iu shtua edhe një ndjenjë e re, një mendim i ri për qytetin tim. Ai është i rëndësishëm dhe i njohur jo vetëm për banorët e tij, por edhe për njerëzit, që nuk banonin në truallin e tij, që nuk ishin qytetarë të tij. Atëherë përjetova për herë të parë, veç dashurisë, një respekt të çuditshëm për djepin tim të lindjes. E ndieja se edhe këta bujtës kalimtarë, të haneve, enigmatikë për mua, e shikonin atë me respekt dhe admirim, mbase dhe me zili, por gjithnjë me mirënjohje. … Ajo (Korça) reflektonte fuqinë ekonomike dhe sigurinë që kishte jeta e njeriut në këtë qytet, që, për mua, në ato vite më dukej më i madhi e më i rëndësishmi qytet në botë. Isha i lumtur që kisha lindur në Korçë.” (Vangjush Ziko, “Korça, qyteti dhe kujtime”, f. 48).
Një përshkrim i Kutelit për hanet
“Për të kuptuar më shumë çfarë ofronin hanet dhe hotelet, po sjellim një përshkrim të Mitrush Kutelit, ai nuk flet për hanet e Korçës, por kuptohet mjaft mirë çfarë ofronin dhe si shërbenin: Për kuaj hanet kishin bar të hollë nga ay i fushës – i zgjedhur nga i zoti pa një koçkor e pa një fije myk; për njerëz, bute me verë e vozë me raki rrushi, sepse çdo han e kish vreshtën e vet që plehëroste sa duhej. E sepse raki e rrushit s’ka se qysh pijet pa një gjë të krypur të përzjerë me një gjë majoshe, na ishin aty pranë kadet me turshi dhe ato bukuri kllozhegë pe balte të pjekur, ku kish sende me uthull. E jo vetëm kaq, sepse ata të karvanit nuk vinin duarthatë a vetëm me rogozë, duhan, thasë me krypë e kacekë me vaj, – po sillnin edhe ullinj, të ndërtuar a të pandërtuar, si ta kërkonte zemra. Në s’ishin mjaft këto të gjitha – edhe unë vetë e di se nuk ishin mjaft, se në udhë e sipër njeriu ha shumë – po të zgjatnje dorën aty lart merrnje vetë pastërma dhije e kolloface me pyper të zi ose në je barkmadh, që të dyja bashkë. Edhe Brahimnë e ke aty afër zjarrit ta pjekë si e do vetë. Pastaj Brahimi që i punonte mendja dinte edhe tjatër gjë: dinte ta bënte tavën me kohë sa pa hyrë karvani në fshat e ta çojë në furrë, dinte të mbledhë me kohë vargje me cironj – pllashica e bar-gjëra a si t’i duash – e jo fort rrallë kur e sillte moti edhe ndonjë ngjalë të krypur e të tharë sa mos të të sosë oka e verës. Edhe hanin e pinin këta lalet me jakuce si shisnin mallë e si mbushnin qeset me mexhite e me lira, hanin e pinin, pinin e këndonin sa mbeteshin me gojë hapur.”