Sa papritur më erdhi kjo pyetje në inboks ,për tu bërë pjesë e një emisioni në radio. A e kishe menduar ndonjëherë, të çoje prindërit në azil? Jo asnjëherë!. Madje tani që mu bë kjo pyetje mu duk si diçka makabre, që shpirti im e refuzon. Vet pyetja më duket si një tradhti ndaj njerëzores ndaj asaj që për ty është si drita, si port sigurie. Për dikë mund të jetë e thjeshtë, për dikë mund të jetë zgjidhje, mund të jetë një udhëkryq i dëshpëruar, por për mua jo. Për mua kujdesi për prindërit që plaken është detyrë, është detyrim, është borxh i shenjtë dashurie. Ndaj as si ide nuk e kaloj nëpër mend. As nuk bëhem palë me ata njerëz që teorikisht mund të të mbushin mendjen për të kundërtën se atje do të ketë moshatarët e vet , se atje shërbimi do të jetë më i mirë, kujdesi do të jetë më i plotë , sepse koha jonë nuk mjafton për tu kujdesur ashtu siç duhet. E bla bla bla… Jo! Nëse do t’ja bëja këtë nënës sime , jam e sigurt se shpirti im do thërrmohej, do ndizte dritën e kuqe , si një sinjal alarmi nga mungesa e asaj, që është e lidhur që nga lindja me damarët e mi, me zemrën time, me fijet e padukshme të qënies sime. Nëse do hidhja atë hap, e sigurt se pikërisht atë moment , do vrisja me dorën time zemrën e nënës sime. Po si mund t’ja lëshoj dorën asaj në atë çast. Atë dorë, ato duar që më kanë mbajtur krahëve, më kanë mbajtur hopa , më kanë shtrënguar duke u kujdesur për hapin tim të parë, nuk më ka lënë të rrëzohem. Tek rritesha e kam parë në sy. I kam kërkuar sytë e saj si prani, si mbështetje, si frymë, si siguria për të mos patur frikë , si shpresa se ajo do jetë aty në çdo çast për vogëlushen e saj. Kështu ia ndjej sot shikimin. Ajo është thinjur e mpakur, është kthyer vogëlushja ime. E si mund t’ja fsheh sytë kur ajo kërkon sytë e mi si mbrojtje, si shpresë për të mos e zhgënjyer, për të mos e lënë vetëm. E jo më në një vend që nuk e ngroh, që nuk i përket, që nuk i takon . Si mund t’ja kthej shpinën, si mund t’ja lë duart të zgjatura dhe bosh. Në shpirt do më kumbonte dhimbja e saj. Ajo mbase do heshtte, do më përcillte me një buzëqeshje, por britmën e shpirtit të saj do ta ndjeja çdo ditë dhe s’do më linte të mbyllja sytë , të flija e qetë. Ajo pamje , sytë e saj të ngulur në siluetën time do më ndiqte tërë jetën, si hije e rëndë fajësie. Unë për të jam njeriu, që ajo e pret me ngulm, me sytë të ngulur tek dera, me thirrjen e përditshme “erdhe”?!. Jam personi që i jap sigurinë se nuk është kurrë vetëm, unë jam aty për të, për të folur, për ta dëgjuar, për t’i dhënë forcë, kurajë. Dhe ky është një vendim, i cili shkon përtej një dëshire, është një premtim i palëkundur imi. Unë nuk e kam thënë kurrë me zë, por ajo është gjysma e tim eti që nuk jeton më. Ndaj ajo është amaneti i tij, është gjysma e tij e gjallë, që mbeti këtu. Përkujdesi për nënën është pse jo, mënyra ime e vetme për të nderuar emrin e tij. Ndaj vendi i saj do jetë gjithmonë pranë meje. Ndoshta me kalimin e kohës ditët do bëhen më të vështira , më të lodhshme, por unë zgjedh të jem me të, pranë saj për t’i dhënë dashurinë që ajo meriton, t’í shtrëngoj duart të mos ketë frikë . Nënave nuk u kthehet kurrë shpina.
Deri në çastin e fundit ato janë bekimi ynë. Deri në frymën e fundit ato janë ura e sigurisë absolute, ato mbajnë fillin e padukshëm që na lidh me jetën. Me ikjen e pakthimtë të tyre filli i mishit mund të këputet , por filli i shpirtit dhe i amanetit nuk këputet kurrë.





















