…Ku ende ruhen kujtimet tona,
Si në një kasafortë të kyçur,
Këtë shtëpi ëndrrash e zhgënjimesh,
Ku jetët tona
Padukshëm lanë gjurmët e tyre
Mbi barin e blerte të tokës,
E në pluhurin e rrugës,
Në sytë e qiellit,
Në zërat e zogjve,
Dhe mushkëritë
Ende kanë ajrin e saj!
Ku ruhen të qeshurat,
Zërat e natës,
E lojërat me arusha e me nuse,
Emrat e shokëve e shoqeve,
Format e pemëve
Kur lëkundeshin erërave,
Dhe lehjet e të qarat
E këlyshëve të parritur,
Si në një çerdhe të vetmuar!
Mos e braktisni këtë shtëpi
Ku ende ndizen qirinj
Për yjet e ikur,
E trëndafila të bukur dhimbjesh
Çelin mbi qivure ëndrrash!
Aty, janë zëmrat tona të vogla,
Ende duke pulsuar
Nga malli e dashuria!
Mos e braktisni këtë shtëpi,
Ku kemi lindur e jemi rritur!
Aty, ende gurët janë duke na pritur!






















