Suplementi Pena Shqiptare/ Kostandin Kristoforidhi : “Gjahu i malësorëve”

544
Sigal

Kostandin Kristoforidhi , figura kryesore e shkencëtarëve shqiptarë të shek XIX, lindi në Elbasan (1826-1895). Vazhdoi mësimet në Zosime(Janinë), ku bashkëpunoi me shkencëtarin albanolog gjerman J.G.fon Hahn. Përktheu nga greqishtja “Dhjatën e Re” në variantin gegërisht dhe toskërisht, Fjalorin shqip-greqisht, tregimin “Gjahu i malësorëve” (Stamboll 1884) që është një nga veprat më të hershme të prozës artistike shqiptare.

 

Fragment nga tregimi

Ç’muaj është tani?

– Janar.

– Sa ka muaji sot?

– Sot ka pesëmbëdhjetë ditë.

– Dalim për gjah?

– Në cilën anë?

– Vemi në mal të Tomorit.

– Po atje të vemi të gjuajmë, sepse atje ka mjaft egërsira.

– Atje ka edhe bisha, atje ka edhe derra të egër, ujq e çakej, arusha, e drerë, e kaproj, e dhi të egra, e dhelpra, e lepuj.

– Nesër, pra të dalim për gjah.

– Fort mirë.

– Cilin të vëmë të parë në gjah? Kush do të na prijë?

– Vëmë Mark Shalëgjatin.

– Po, i mirë është Mark Shalëgjati.

– Ai është gjahtar i vërtetë, atij s’i trembet syri, është trim, s’ka frikë nga vdekja, është burrë i vërtetë.

– Urdhëro, pra, o, Mark, ç’duhet të bëjmë, se ty të kemi të parë.

Mark Shalëgjati urdhëron e thotë:

– Posa të hyni në fshat, jepuni zë burrave, kush të dojë, të dalë nesër për gjah, le të bëhet gati që sonte dhe nesër, që me natë, pa zbardhur dita, të dalë në Kodër të Kuqe e të presë shokët, që të bëhemi së paku nga dyzet a pesëdhjetë burra, sepse sa më shumë gjahtarë të jemi, aq më mirë është për të gjuajtur…

– Kështu, pra, o trimat e dheut.

– Fort mirë, o zotëri, kështu kemi për të bërë.

– Bëfshi natën e mirë, o shokë!

Të nesërmen vijnë gjahtarët dy e nga dy e tre e nga tre e mblidhen në Kodrën e Kuqe.

-Mirë mëngjes! Mirë mëngjes!

– Mirë se ardhët! Mirë se ardhët!

– Ç’kohë është?

– Është natë, do edhe shumë të gdhihet. S’ka zbardhëlluar, po këndojnë gjelat.

– Ja tek po vijnë gjithë gjahtarët.

 – Si u gdhitë!

– Mirë, mirë. Po zotëria juaj?

– Mirë.

– S’paska ardhur Mark Shalëgjati?

– Ja tek po vjen. – Mirëmëngjes, o gjahtarë. – Mirë se erdhe, o zotëri!

A jeni mbledhë të gjithë?

– Gati jemi.

– A i keni mbushur armët?

– Plot i kemi.

– Pa dëgjoni, o gjahtarë. Qerthulloni atë pyll që kemi përpara. Qarkojeni  dendur mos na shpëtojë gjë e gjallë pa vrarë. Zini pritat secili prej jush e qëndroni njëzet e pesë hapa larg njëri-tjetrit. Mos shtini anash, se vrisni shoku-shokun, po shtini drejt. Lëshoni qentë e langonjtë në pyll të bien pas erës e të nxjerrin egërsirat nga strofkat. Kur të dëgjoni zërin e trumbetës së parë që do t’i bie unë, atëherë zbrazni pushkët të gjitha përnjëherë e të ndërseni qentë. Klithni me zë të hollë e të trashë që të tremben egërsirat e pyllit e të dalin jashtë.

Ha, ha, ha! Ha, ha, ha! – ndërsejnë qentë.

Ty, ty, ty! Ty, ty, ty! – bie trumbeta e bririt.

Kam, kam, kam! Kam, kam, kam! Kam, kam, kam! – lehin qentë.

Taf, tuf! Taf, tuf! Taf, tuf! – kërcasin pushkët.

– Prite, o Nikollë, se po vjen një derr i madh që m’i ka dhëmbët një pëllëmbë nxjerrë jashtë nofullave. Vëre pushkën në sy. Shënoje mirë. Bjeri në lule të ballit. A e vrave?

– Prite, o Andre, se të doli përpara një dre me një palë brirë të mëdhenj.

Taf! i ra drerit në ije dhe plumbi e shpoi tejpërtej. Dreri ra në gjunjë dhe derdhi lot nga sytë…

– Ah, se ç’bëra unë! – thotë gjahtari. – Më mirë të mos e kishim vrarë atë dre; shih si derdh lot nga sytë e qan, porsi njeri.

– Bjeri atij ujku që po të shkon aty drejt!

– Mos e vra, mos e vra! – thotë tjetri.- Le t’i lëshojmë qentë ta shqyejnë.

Ha ha ha! Ha ha ha! (ndërsejnë qentë).

Kam kam! Kam kam! ( lëshohen qentë), duke lehur dhe i hidhen mbi kurriz dhe e venë poshtë, e kafshojnë me dhëmbë e më ta bëjnë copa-copa!

– Sa mirë ia bënë atij ujku që na ha dhentë!

-Ja, tek u duk një arushë e murrme.

– Porsa e panë qentë e rrethuan përqark. Atëherë arusha u ngrit në këmbë posi njeri, hapte gojën një kut të gjerë e pëlliste si lopë e pështynte qentë.

– Bjeri, o Gjergj, se e ke përpara. Vraje se po të përqesh!

– Mos e vrisni, mos e vrisni! Po vete unë e po e zë të gjallë,- thotë Gjergji.

– Mos, o Gjergj, se të kafshon me dhëmbë!

– Pushoni, ju s’dini gjë; arusha nuk kafshon me dhëmbë po të shtrëngon me të dy duart e para e të merr frymën; sjell edhe me gurë e të godit; po e sjell gurë për së prapthi, jo për së mbari; ngjitet edhe në majë të drurit posi njeri. Unë s’e kam frikë kurrë arushën -thotë Gjergji – edhe vete përmbi arushën e i fut një thikë në zemër dhe arusha bie pa frymë.

– Prite, o Toskë, atë dhelpër, se e kanë vënë përpara qentë e po ta bien drejt! Taf! qëllon me pushkë Toska, po i shkoi plumbi dëm, se goditi dot, sepse dhelpra bëri dredha e ndërroi udhë.

– Bjeri ti, o Gegë, asaj dhelpëre!

– Taf!- sjell Gega mbi dhelprën e i këput bishtin , po atë s’e vrau dot.

Kur vijnë gjahtarët ta marrin tek dirgjej mbi dhe ajo u ngrit menjëherë në këmbë dhe iku me vrap, sepse bëri sikur kishte ngordhur.

– Bini, o gjahtarë, bini, o gjahtarë, se u turpëruam!

 – Taf tuf! Taf tuf! ( sjellin me pushkë gjithë gjahtarët) dhe e vrasin.

– Lini pushkët e mos gjuani më, o gjahtarë,- urdhëron Marku, i pari i gjahut,- mjaft më se u ngrys, e po na zë nata këtu në pyll. Mblidhni gjahun që kemi vrarë dhe të nisemi për në fshat.