I dashr Kristaq Mitro,
Më ke pikëlluar, sa nuk mund ta marrësh dot me mend… Ikja jote, një befasi e fatalitetit… Dua ta nis këtë bisedë si në një baladë; një i eterit dhe një i jetës së gjallë! Në sfond kam vënë Chopin. Kur komunikuam herën e fundit, më shkrove: ” Sot kam dalë nga spitali, pas një operacioni të vështirë. Jam në shtëpinë e vajzës së vogël. Vazhdoj nën kujdesin e mjekëve. PËRQAFOJ!!” Tani po e kuptoj përse fjalën “ përqafoj” e kishe shkruar me gërma kapitale. Unë të nisa këtë përgjigje: “ Dje ishim me Skënder Jaçen dhe të kujtuam. A je mirë tani? Të tjerat kalojnë. Jeta është vuajtja jonë e bukur. Të presim me mall! Dhe fjalët e fundit që më nise, ishin…”Faleminderit, oh miku im i rrallë! Përqafime!…” Nuk e kisha menduar se këtu do ndërpritej komunikimi ynë, bashkudhëtimi me humanizmin tënd, kulturën, artin, përkushtimin dhe seriozitetin, me qetësinë dhe mirësinë që rrezatoje, miku im i shtrenjtë, Kristaq Mitro. Ike në dhjetor në Vjenë për ndërhyrjen e tretë, për të cilën mjekët kishin thënë se do të zgjidhte plotësisht problemin. Ike në prag Krishtlindjeje dhe po kthehesh në prag Pashke. Ah! Kristaq, sa dritë kishe brenda vetes! Më lejo të sjell në kujtesë vizitën tonë në Pragë, bashkë me filmin tënd dhe të Ibrahim Muçës, “ Nusja dhe shtetrrethimi.” E kishe shfaqur pak kohë më parë në Vjenë në një aktivitet filmik për filma, referuar luftës dhe rezistencës dhe ti mendoje se emocioni ishte konsumuar, por Praga na dha aq shumë befasi! Fillimisht bashkë u kujdesëm për të ndërtuar një ekspozitë fotografike për Kadri Roshin. Si the në atë video të shkurtër? -Eh, nuk ka më Kadri Roshi, nuk vjen më si Kadri Roshi !” Ti ende kishe një skenar në duar dhe prisje me padurim të shfaqeshe në sheshin e xhirimit, por burokracia dhe smira nuk ta dhanë këtë mundësi. E dinim këtë situatë, por rrugëve me dëborë të Pragës ne ende përbetoheshim se nuk do hiqnim dorë. Në atë sallë të madhe të familjes së Vaclaf Havelit, elita çeke ndoqi sy dhe vesh , me frymën pezull, filmin tënd. Ata u shprehën se ndërtimi karakterial dhe veprimi filmik i Llazi Sërbos në rolin e komandantit gjerman, ishte i përkryer, si dhe vlerësuan maksimalisht gjuhën e pasur të imazhit, dialogun e kursyer, kamerën dhe klimën në përgjithësi gri të filmit, lojën e aktorëve Thimi Filipi dhe Rajmonda Bulku. Tek unë t’i përktheja këto fjalë vlerësuese, ti falenderoje e më thoje: “ Eh, more Kabo sa e do filmin shqiptar, sa e do artin dhe sa i respekton artistët!” Të nesërmen më shoqërove në Universitetin e Pragës, ku unë lektrova, dhe në fund më përqafove e më the, shoqëruar me buzëqeshje shpirti e me tekst të shkurtër: “Na nderove Kabo!” Përtej modestisë sate, më lejo të shprehem pse arti yt ishte i mëvetshëm? Filmi yt u përpoq dhe ja arriti që të mos mbytej nga teksti dhe fjalët, ai udhëtonte përmes imazhit dhe gjuhës së tij, ndërtonte dialogë dhe kalime, e jo thjesht kulturë montazhi, por, mbi të gjitha, një shoqërizim të brendshëm të ngjarjeve që ngërthente skenari, duke mbajtur kurdoherë një linjë të befasisë filmike dhe të trajtës së natyrshme të shprehjes me imazh dinamik. E njihje si rrallëkush kamerën, vendosjen, këndvështrimin të lidhur me gjendjen dhe lëvizjen, veprimin dhe kundërveprimin… Kam frikë se do më thuash: “ Po pse nuk m’i the më parë?!” Modestia juaj nuk më lejonte, pa çka se në librin e Miho Gjinit kushtuar studentëve të tij, ku bën pjesë edhe ti mik, e kam vizatuar profilin tënd antropoartistik. Po ashtu dhe te libri im,“ Antropologjia e Artit, je me të gjitha dimensionet e një njeriu serioz dhe kontribues në art. Kur hymë në këtë ndryshim shoqëror pas vitit 1990, shumë ndërtuan kioska, disa motele dhe pallate, mejhane dhe shtëpi orgjirash… Ti,Kristaq Mitro, ndërtove një librari. Ky është ndryshimi, ti ishe dhe mbetesh ti, gatuar nga kultura. Sa mall do kem për takimet tona, të dielave paradite tek “ Cafe de Paris”, ajo qoshja jonë e qetë, bisedat pa censurë, humori, kryelartësia e njerëzve, që nuk shiten, kujdesi për familjet, kultura e Eljanës dhe shembulli i saj estetik, dashuria për vajzat tona, të tuat dhe imja, kujtimet për bashkëpunimin me Liljanën në disa filma. Ditët e fundit jam duke udhëtuar në albumet me fotografi të familjes sime dhe kam gjetur disa, ku jeni si grup xhirimi apo në çastet nga sheshi i xhirimit… Një përkushtim dhe seriozitet model! Gjithnjë më thoje: “ Kabo, na mbështeti Kristaq Dhamo, që na besoi dhe Vath Koreshi, që na dha skenarin e tij”! Më tej, arti yt dhe i Ibrahimit eci vetë, hyri atje historikja, e përditshmja, njerëzorja, dashuria, hipokrizia, meditimi, drama, tragjedia. Të gjitha këto erdhën në filmat e tu me një vërtetësi tejet ndjellëse. Duhet që ish-studentët e t’u, kolegët dhe kritika, ta njohin më thellë artin që le! Miqtë në Pragë u trishtuan shumë, kur morën vesh ikjen pa kthim Kristaq! Ndoshta një ditë atje do të shpie një tjetër film tëndin, psh :“ Duaje emrin tënd!” apo “ Njeriu i mirë”. Miku im, Kristaq! Të faleminderit për kujtimet që më ke lënë! Koha postmortem nuk do jetë për mua si KOHË PA TY! Buzëqeshja dhe mendimi yt është pasuri për mua… Paqja e amshuar qoftë me ty! Amin!