3 ‘patatet’ e nxehta të 14 Majit/ Musai zbulon bashkitë ku do të luftohet deri në minutat e fundit: Në listat e këshilltarëve janë vendosur njerëz pa dijeninë e tyre

156
Sigal

Kur na ndajnë dhe 8 ditë nga nisja e fushatës zyrtare për zgjedhjet e 14 Majit, tabloja politike bëhet më e qartë, ndërsa janë prezantuar të gjithë emrat e kandidatëve për kryebashkiakë, nga 3 grupimet kryesore politike.

Drejtori i gazetës Telegraf Ëngjëll Musai, u shpreh në studion e Fax News, se gara kryesore mes forcave politike do të përqëndrohet në 3 bashkitë më të mëdha të vendit, Elbasan, Durrës dhe Tiranë, ku gara duket më e balancuar deri në minutat e fundit.

Musai hodhi akuza të forta sa i takon kryesisht partive të vogla, që sipas tij në listën e këshilltarëve kanë vendosur emra të personave pa dijeninë e tyre.

“Afrimi i datës së zgjedhjeve, dhe nisjes së fushatës zyrtare, do të kristalizojë formacionet. Ne i kemi bërë kërkesë KQZ që të publikojë të gjithë emrat e kandidatëve por edhe të këshillave bashkiakë, pasi ne kishim informacion se nga partitë e vogla veçanërisht ishin vendosur emra që ata vetë nuk e dinin fare.

Dje kreu i KQZ doli dhe pohoi që ka njerëz që ju janë propozuar emrat nga 2 apo 3 parti politike, pa vënë në dijeni individët. Kemi një opozitë e cila është më e përqëndruar, edhe pse ka ende shumë gjëra për të rikuperuar, jo vetëm me PD që ka vulën, por edhe me grupime të tjera që ende nuk e gjejnë veten në asnjë grupim.

Unë mendoj që do kemi dy tablo, e para do të kemi kryetarët e bashkive që deri diku janë të projektuar, shumica e zonave do të kenë trendin që kemi aktualisht, ndërsa pjesa e këshilltarëve do të jetë 50 me 50. Kjo do të bëjë që të thyhen shumë balanca, prandaj zgjedhjet lokale nuk janë shumë të lehta për tu parashikuar.

Ajo që mendoj se është shumë e rëndësishme, është ajo se çfarë do të përfitojnë qytetarët në këto zgjedhje. Në total janë diku te 2200 këshillarë, këta do marrin paratë, diku te 10% e pagës së kryetarëve të bashkisë. Çfarë do bëjnë 2 milionë e gjysëm shqiptarë.

Mendoj që forcat politike betejën kryesore e kanë në Tiranë në Elbasan dhe në Durrës, sepse po ti shikojmë në total shkojnë te 62 mandate në Kuvend, 40% e deputetëve janë të përqendruar në këto 3 bashki ku do të bëhet dhe gara më e madhe.

Të gjithë mendojnë për luftën e ardhshme që do të bëhet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Elbasani dhe Durrësi janë me diferenca shumë të vogla sa i takon partive politike. Unë mendoj që ai do të sjellë alternativën deri në minutën e fundit, do të jetë dhe ai që do të marrë më shumë rezultat”, u shpreh Musai në Fax News.