Miliarda lekë për fibrat optike të Postës Shqiptare

1169
Sigal

Qeveria në ikje organizon tender në ditët e saj të fundit me vlerë  150 milionë lekë të reja (pa TVSH)

Çudia: një subjekt me kapital themeltar 1 milionë lekë organizon tender me 1,5 miliard lekë

Vetëm në Shqipëri mund të ndodhin këto çudira. Autoriteti kontraktor INTERPOST sh.p.k. me kapital themeltar 1.000.000 Lekë dhe me ortak të vetëm Posta Shqiptare Sh.A. (e cila është me ortak të vetëm Qeveria e Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (burimi www.app.gov.al) ka hapur tenderin me objekt “Për Furnizim dhe Vendosje e Fibrës Optike nga Qendra në Filiale e Degë te Posta Shqiptare sh.a” me fond limit 146 800 000 lekë (njëqind e dyzet e gjashtë milion e tetëqind mijë) Lekë (pa TVSH) shpallur në Buletinin e APP me datë 01/08/2013. Në bazë të statutit dhe të detyrimeve, bazuar në formën e pronësisë direkt dhe indirekt të dyja këto njësi janë të organizuara në formën e kompanive shtetërore, me kapital publik, për rrjedhojë përdorimi i fondeve publike, duke anashkaluar institucionet e specializuara që ekzistojnë dhe duhet të udhëheqin e konsiderohen për këtë qëllim është e patolerueshme, … Kështu, është detyrë dhe përgjegjësi direkte e AKSH-it, i cili në zbatim të politikave dhe udhëzimeve të MITIK  (aktualisht forma e organizimit) duhet të mbledhë bashkërendojë të gjitha nevojat dhe prioriteteve të të gjitha institucioneve të pushtetit qendror e atij lokal si dhe të institucioneve të pavarura dhe të udhëheqë këtë proces, duke u bazuar edhe në politikat e zhvillimit afat shkurtra e afat mesme të qeverisë.

Qeveria në ikje, tender në ditët e fundit të saj

Në 23 gusht 2013, do të organizohet tenderi “Furnizim dhe Vendosje e Fibrës Optike nga Qendra në Filiale e Degë te Posta Shqiptare sh.a.” Fondi limit  146 800 000 (njëqind e dyzet e gjashtë milionë e tetëqind mijë) Lekë (pa TVSH), kur  kjo qeveri ikën nga pushteti në 5 shtator. Burimi i Financimit  Posta Shqiptare sh.a. A mundet një qeveri në ditët e saj të fundit të marrë vendime kaq të rëndësishme, sikurse organizimi i një tenderi me vlerë kaq të madhe, vetëm një javë, pasi i mbaron mandati i saj? Vetëm ky fakt, lë shumë hije dyshimi dhe kjo ngutje ka vetëm një qëllim. Të favorizojë vetëm klientët e qeverisë. Nuk ka shpjegim tjetër. Në të kundërt, për hir të transparencës, dy rrugë kishte. Ose ky tender duhet të ishte organizuar kohë më parë, ose qeveria në ikje, duhet t’ja linte qeverisë së re që ta shqyrtonte dhe organizonte. Derisa edhe kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin  është 3 muaj, atëherë, përse të ketë ngutje kjo qeveri në ikje ta organizojë në ditëfundin e saj? Natyrisht, përveç favorizimeve klienteliste, nuk mund të bindë askënd, se ky tender bëhet për të mirën e punës.
“Tender i korruptimit”

Kështu e cilësojnë  këtë shpallje tenderi, për gazetën “Telegraf”, burime pranë Rilindjes te PS-ja. Dhe ja argumentimi teknik që japin specialistët e Rilindjes. Sipas këtyre burimeve të specialistëve të Rilindjes, organizimi i këtij tenderi  “Furnizim dhe Vendosje e Fibrës Optike nga Qendra në Filiale e Degë të Posta Shqiptare sh.a” është  një hap i gabuar, i pastudiuar fare dhe ekstremisht korruptiv e i paravendosur, pasi, së paku, nëse vendoset që të shpenzohet një sasi fondesh publike për të realizuar një backbone kombëtar, minimalisht duhet të mblidhen dhe bashkërendohen të gjitha nevojat e kërkesat për këtë shërbim e akses të pushtetit qendror e atij lokal, institucioneve të pavarura në Shqipëri, por edhe me nevojat e operatorëve alternativë….. Kjo në përputhje me nevojat  aktuale të zhvillimit si dhe me perspektivë e afërt e afatmesme në përputhje te plotë me politikave të zhvillimit që qeveria e re do të aplikojë… Nëse një hap i tillë ndërmerret, sigurisht nuk mund të anashkalohen dhe të mos konsiderohen së paku dy aspekte me impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimet e penetrimin e teknologjisë së informacionit në çdo qelizë të qeverisjes qendrore e asaj lokale, por në të njëjtën kohë masakra ose me shkatërrimin e infrastrukturës kombëtare do të vazhdojë, ose përndryshe do të konsolidohen monopolet ekzistuese. E thënë më thjesht, janë shumë ministri që kanë nevoja imediate për këtë shërbim. Kështu,  Ministria e Arsimit për t’ju përgjigjur nivelit bashkëkohor të zhvillimit, kërkon dhe duhet të ketë lidhje me fibra optike me të gjitha qytete kryesore të Shqipërisë.   Rrjedhimisht duhet sipas kësaj logjike veprimit, në mënyrë individuale, kjo ministri duhet të hapë një tender e të harxhojë të njëjtin fond publik e të bëjë të njëjtën punë… të çajnë rrugë të Shqipërisë e të vendosë “vetëm” për nevoja të saj fibra optike??? Po të njëjtën logjikë mund të përmendim për Ministrinë e Shëndetësisë, për projektin e-medicine. Sërish, po kjo ministri duhet të hapë një tender tjetër,  e të harxhojë të njëjtin fond publik e të bëjë të njëjtën punë… të çajnë rrugë të Shqipërisë e të vendosë “vetëm” për nevoja të saj fibra optike ? Vazhdojmë. Po të njëjtën logjikë për Ministrinë e Brendshme për të lidhur pikat dhe drejtoritë e policisë në rrethe, duhet të hapë një tender tjetër,  e të harxhojë të njëjtin fond publik e të bëjë të njëjtën punë… të çajnë rrugë të Shqipërisë e të vendosë “vetëm” për nevoja të saj fibra optike ? Po ashtu për pushtetin vendor për të lidhur Zyrat e Gjendjes Civile… Po ashtu, ministria e Mbrojtjes, do të duhet të bëjë më vete tendera të tillë, për nevojat e saj, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e kështu me radhë.

 Dixhitalizim, apo konsolidim i monopolizimit?

Organizimi i një tenderi kaq të rëndësishëm, sa “Furnizim dhe Vendosje e Fibrës Optike” për nevojat e çdo institucioni qendror dhe vendor a mund të bëhet i veçuar, apo duhet një bashkërenditje dhe bashkëpunim gjithëpërfshirës, në kuadrin e të së ashtuquajturës politikë të dixhitalizimit të qeverisjes? Është një nga pyetjet më themelore që duhet të japin përgjigje specialistët, por edhe politikanët, të cilët, në ditëfundin  e qeverisjes së tyre, vendosin të organizojnë tendera me vlera miliardë lekë. Nga ana tjetër, kush e bëri studimin dhe kush kalkuloi të gjitha nevojat e bashkërenduara për momentin, si ato të qeverisjes qendrore, të qeverisjes vendore, institucioneve të pavarura, po ashtu dhe nevojat e operatorëve alternativë, që operojë aktualisht ose që mund të shtohen në të ardhmen?

Detyra e re e qeverisë së re: Transparenca

E thënë ndryshe, ky është procesi më i rëndësishëm që qeveria re duhet të marrë për zhvillimin e infrastrukturës së teknologjisë së informacionit në rrafshin kombëtar, si për plotësimin në mënyrë unike e të shkallëzuara, sipas prioriteteve e nevojave të saj,  ashtu dhe mirëorientimin e të gjitha zhvillimeve të operatorëve alternativë e në mënyrë indirekte, duke orientuar investimet e tyre në përmirësimin e shërbimeve dhe në “last mile” dhe jo të tërë të bëjnë backbone, duke formalizuar në këtë mënyrë edhe tregun, e duke krijuar barazi në akses në këtë infrastrukturë e si rrjedhojë kushte të barabarta zhvillimi të biznesit të tyre.