Frank SHKRELI/A duhet të ketë një moral në politikën e jashtme

745
Sigal

 Shkak për këtë shkrim u bënë vizitat e  fundit  të Kryeministrit të ardhshëm të Shqipërisë, z. Edi Rama në Turqi, Greqi dhe Itali, ku sipas deklaratave të tija për median, gjatë dhe pas vizitave, qëllimi i  tij  ishte për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet me këto vende që ai i cilësoi si ”partnerë strategjikë” të Shqipërisë.

Në një intervistë me Top-Channel, Kryeministri i ardhshëm shqiptar,deklaroi  se: “Ne jemi të gatshëm që të ngremë në një nivel të panjohur deri tani marrëdhëniet me Turqinë që e konsiderojmë një partner strategjik”.   Edhe për Greqinë, z. Rama tha se, megjithë problemet e së kaluarës me fqinjin në jug,  u shpreh i gatshëm -siç tha ai- të “Hapë një kapitull të ri’’, në marrëdhëniet midis Tiranës dhe Athinës.

Shqipëria dhe shqiptarët, përfshirë edhe Republikën e Kosovës, kanë nevojë për miq të afërm e të largët, pasi si numër, shqiptarët janë një komb i vogël  dhe i shtypur, i harruar dhe i nëpërkëmbur për shekuj, kryesisht dhe pothuaj ekskluzivisht nga këto kombe, tani “partnerë strategjikë” të Shqipërisë,duke mos lënë jashtë kësaj liste edhe Serbinë, që kanë bërë kërdinë mbi shqiptarët. Janë ekzaktësisht këto vende që gjatë historisë së kombit shqiptar, jo vetëm u kanë mohuar shqiptarëve lirinë, bashkimin dhe pavarësinë e plotë  të tyre, por janë përpjekur me mish e me shpirt  t’i zhdukin ata nga faqja e dheut si komb dhe të ndajnë trojet shqiptare midis tyre. Por etja për liri, bashkim dhe pavarësi e shqiptarëve, bëri që kombi shqiptar të mbijetojë sado i vuajtur e i përgjysmuar.

Është shumë me vend që zoti Rama i bëri këto vizita në Turqi, në Greqi dhe Romë para se të fillojë zyrtarisht nga detyra e kryeministrit, ndonëse si për çdo vend tjetër, marrëdhëniet me fqinjët – megjithë historinë e hidhët  të shqiptarëve me fqinjët e tyre-duhet të jenë prioritare, për nga vet natyra dhe afërsia gjeografike dhe pragmatizmi politik, por edhe për nga interesat ekonomike. Si të tilla, marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve me këto vende tani  të “partneritetit strategjik”, sipas z. Rama do të jenë në favor të, “një Shqipërie më të fortë politikisht, ekonomikisht dhe shoqërisht.”

Por, ky “partneritet strategjik” me këto tri shtete, pa dyshim me rëndësi për politikën kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë, nuk mund të realizohet në një zbrazëti morale dhe në mungesë të konsideratave historike dhe të politikave aktuale të këtyre tre vende ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sepse, qëllimi i kësaj politike të “partneritetit strategjik”, duhet të jetë diçka më tepër se vetëm një proces.  Duhet patjetër të ketë qëllime për arritjen e disa rezultateve të caktuara.  Si “partnerë strategjikë”, të Shqipërisë, nënkuptohet se me ta ndahen vlerat  madhore të njerëzimit, siç janë zbatimi dhe respektimi i të drejtave bazë të njeriut, lirisë së fjalës, lirisë së shtypit  e të tjera, për vet shtetasit e këtyre vendeve dhe më gjerë.  Në qoftë se këto vende nuk respektojnë dhe nuk zbatojnë këto të drejta për popujt e vet, atëherë si do respektojnë ata këto të drejta dhe norma ndërkombëtare për shqiptarët kudo.  Nuk mund të mos binte në sy deklarata e z. Rama gjatë vizitës në Turqi, kur tha se: “Turqia do të shërbejë si shembull” për Shqipërinë, ndërsa në të njëjtën kohë, në sheshet turke, policia dhe forcat e sigurimit rrahin me shkopinj dhe derdhnin gaz lotsjellës kundër protestuesve paqësorë.   Edhe sjelljet e këqija të Greqisë me imigrantët, përfshirë edhe ata shqiptarë, njihen mirë nga të gjithë. Organizata të ndryshme evropiane dhe ndërkombëtare kanë venë në dukje rregullisht, shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut në Turqi dhe në Greqi.

Natyra e këtyre regjimeve besimi i tyre në normat dhe standardet ndërkombëtare dhe se si ato i zbatojnë këto në sjelljet  me popujt e vet, ka shumë rëndësi edhe për marrëdhëniet shtet me shtet, pra për marrëdhëniet edhe të Shqipërisë me këto vende.

Konsideratat gjeografike, ekonomike dhe kulturore për një fillim të ri në marrëdhëniet me këto tre vende, të cilat  pa dyshim janë në interesin kombëtar, duhet të kenë si bazë një politikë të jashtme të bazuar në moral dhe në zbatimin e standardeve të njohura ndërkombëtarisht ndaj respektimit  të lirive dhe të të drejtave bazë të njeriut.  Shqipëria dhe shqiptarët duhet të ngulin këmbë për këto standard, pasi ata vetëm përfitojnë nga zbatimi i normave ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të njeriut që tani janë bërë pjesë e pa ndarë e marrëdhënieve shtet me shtete dhe në nivel ndërkombëtar. Merre me mend se çdo të kishte ndodhur një dekadë më parë në rastin e Kosovës, nëse bota perëndimore në krye me Shtetet e Bashkuara,  nuk do të kishte si barometër moral këto standarde ndërkombëtare në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të drejtës së kombeve për vetëvendosje.  Pa këtë bazë morale në politikën e jashtme dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk do të kishte as 14 pikat e Uodrou Uilsonit, njëra prej të cilave  garantoi  vetëvendosjen dhe pavarësinë e shteteve  ballkanike, përfshirë  Pavarësinë e Shqipërisë.

Kështu që, liria dhe siguria e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në trojet e veta, siç është provuar edhe historikisht,  varen shumë nga karakteri dhe morali, nga vlerat, etika dhe pranimi i parimeve universale nga ana e regjimeve që qeverisin vendet tani,“partnere strategjike” të Shqipërisë.

Politika e Tiranës zyrtare ndaj këtyre vendeve duhet të jetë me doemos strategjike dhe praktike për kohën, por ama gjithmonë e bazuar në standardet më të larta morale të njerëzimit dhe mbi të gjitha duhet të jetë një politikë që është në interesin afat-gjatë të kombit. Gjithmonë duke patur në mend fjalët pragmatike të Ministrit të Jashtëm britanik, (1848) Lord Palmerston-it, se: “Ne nuk kemi as aleatë  dhe as armiq të përhershëm. Por interesat tona kombëtare janë të vazhdueshme dhe të përhershme. Janë këto interesa, pra, që e kemi për detyrë t’i ruajmë dhe t’i mbrojmë”.

Është e natyrshme që vende të ndryshme kanë interesat e veta kombëtare, si dhe rrugën e zhvillimit,  të traditave dhe kulturave të ndryshme.  Secili vend, gjithashtu, do të ndjekë rrugën e vet në zhvillimin e demokracisë dhe të reformave shoqërore, por e drejta e njerëzve për të pasur një zë në shoqërinë ku jetojnë, është jetësore për krijimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe të begatë – gjë që çon drejtë një shoqërie më të hapur e më transparente dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut anë e mbanë botës dhe më në fund në një botë më të mirë për të gjithë.  “Partnerë strategjik” nënkupton miq të ngushtë, pothuaj si në familje, ku bisedohen e diskutohen gjërat haptazi. Marrëdhëniet me “partnerë strategjikë” nënkuptojnë respekt dhe mirëkuptim të përbashkët dhe nuk janë marrëdhënie bazuar në leksione për mohimin, rishikimin ose ndryshimin e historisë në marrëdhëniet me këto vende.

Shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre kanë kërkuar miqësi me fqinjët dhe me të tjerët, kanë kërkuar marrëdhënie të ngushta me popujt dhe institucionet e Ballkanit dhe më gjerë. Kështu që nuk mund të fajësohen shqiptarët për mungesën e një partneriteti më të madh në të kaluarën midis Shqipërisë dhe shqiptarëve me këto vende, tani, “partnere strategjike”.Tani  lind pyetja: nëse Turqia, Greqia dhe Italia, do e konsiderojnë  Shqipërinë dhe shqiptarët si partnerë strategjikë, apo si vëlla i vogël?  Zoti Rama u ofroi atyre jo vetëm miqësi dhe solidaritet, por “partneritet strategjik”. Cila do të jetë përgjigja e Athinës, Romës dhe Ankarasë?