Flet Prof. Dr. Lush Susaj: Shqipëria bëhet me drejtësi e jo me heshtje ndaj skorpjonsave të krimit dhe korrupsionit

251
Sigal

 

  • Përbindëshat e korrupsionit gjenerojnë varfëri dhe konfliktualitet.
  • Nuk duhet të heshtim dhe mosreagojmë ndaj sistemit të korrupsionit, nepotizmit dhe abuzivizmit në Shqipëri.
  • Kur shoh korrupsionin në Shqipëri më vjen ndër mend shprehja e njohur e Dostojevskit, sipas të cilës “Heshtja lind përbindësha”.
  • Në Shqipëri, përbindëshat gjithnjë janë vetëzgjedhur dhe vetëshpallur shtet.
  • Jemi i vetmi popull në rajon dhe Europë, që vazhdojmë të heshtim e të durojmë çdo ditë që dhunohemi, mashtrohemi, vidhemi e varfërohemi.
  • Jemi i vetmi popull dhe shtet ku institucionet nuk u ndërtuan kurrë për zhvillimin e shtetit, por për të vjedhur, shtypur e mbajtur sa më gjatë pushtetin.
  • Në thelb, institucionet tona vazhdojnë që të ekzistojnë dhe të funksionojnë sipas modelit të vjetër otoman të pashallarëve, bejlerëve.
  • Sipas renditjes, Shqipëria, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, së bashku me Turqinë (101) janë më të korruptuarat në Europë
  • Njeriu, politikani apo shtetari skorpjons, nuk ka dhimbje, nuk njeh ligje e as të drejta njerëzore.
  • Drejtësia ecën ngadalë dhe me shumë pengesa, e kjo vetëm për shkak të monizmit dhe të kapjes totale të institucioneve nga politika dhe politikanët e krimit.

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Shqipëria ka shënuar përmirësim të lehtë në indeksin e korrupsionit për vitin 2022, sipas raportit të fundit të Transparency International, që mat perceptimin e korrupsionit në të gjithë botën, megjithatë ky përmirësim i lehtë nuk ka marrë vlerësim nga raporti. Vendi kishte një tregues prej 36 pikësh, me rritje me një pikë, nga 100 pikë që është vlerësimi maksimal (sa më shumë pikë aq më pak i korruptuar është një vend). Pavarësisht përmirësimit të lehtë, raporti thekson se Shqipëria ka qëndruar në vend, në raportin e indeksit të perceptimit të korrupsionit, duke e vënë theksin në përkeqësimin e lirisë së medias. “Progresi i këtij regjimi hibrid në fusha si verifikimi gjyqësor dhe forcimi i Strukturës së Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është lënë në hije nga dobësimi i pavarësisë së medias dhe mungesa e mundësive për angazhim kuptimplotë në vendimmarrje nga shoqëria civile. Vazhdojnë fushatat shpifëse dhe frikësimi kundër gazetarëve dhe, nëse miratohen, ndryshimet në ligjin për lirinë e informimit do të ngushtojnë më tej mundësitë për mbikqyrje të pavarur të institucioneve publike, duke u ofruar institucioneve baza ligjore për refuzimin e ndarjes së informacionit”, thuhet në raport. Në renditjen globale, Shqipëria është në vendin e 101, në të njëjtin pozicion me Serbinë, e cila ka shënuar përkeqësim këtë vit. Shteti më i korruptuar në Europë është Bosnjë- Hercegovina, me një tregues prej 34, që e ka pozicionuar në vendin e 110. Sipas renditjes, Shqipëria, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, së bashku me Turqinë (101) janë më të korruptuarat në Europë (pa përfshirë vendet e ish- Bashkimit Sovjetik). Maqedonia e Veriut ka shënuar përmirësim, duke u ngjitur në vendin e 85 (40 pikë). Kosova, është në vendin e 84, me 41 pikë. Shteti më pak i korruptuar në rajon është Mali i Zi, me 45 pikë, në vendin e 65. Në botë, rekordin për nivelin më të ulët të korrupsionit e ka marrë Danimarka, duke zhvendosur Finlandën dhe Zelandën e Re. Lista e më pak të korruptuarve në botë vijon me Zelandën e re, Norvegjinë, Singaporin, Suedinë, Zvicrën, Holandën, Gjermaninë. Në kahun e kundërt, më të korruptuarat janë Somalia dhe Siria. Ja si shprehet Prof. Lush Susaj për raportin e fundit të Transparency International…

Shqipëria thuajse ka ngelur në vend në indeksin e korrupsionit për vitin 2022…Sipas Transparency International vendi ynë ka një përmirësim thuajse të pandjeshëm. Si do ta komentoni këtë fakt?

Kjo përmblidhet me një fjalë: Përbindëshat e korrupsionit gjenerojnë varfëri dhe konfliktualitet.

Sa herë që përpiqemi që të shkruajmë apo të flasim për pasojat e heshtjes dhe mosreagimit ndaj sistemit të korrupsionit, nepotizmit dhe abuzivizmit në Shqipëri, gjithnjë më kujtohet ajo shprehja e njohur e Dostojevskit, sipas të cilës “Heshtja lind përbindësha”.

Për fatin e keq të shqiptarëve, për shkak të amoralitetit politik e shtetëror dhe të heshtjes e pandëshkueshmërisë së gjatë ndaj krimit, hajnisë dhe korrupsionit, në Shqipërinë e këtyre tre dekadave të fundit, janë shtuar aq shumë përbindëshat dhe veprimtaria e tyre turpëruese dhe rrënuese për shtetin dhe popullsinë.

Në Shqipëri, përbindëshat gjithnjë janë vetëzgjedhur dhe vetëshpallur shtet. Duket shumë e rëndë, por fakti është se për punët e shtetit dhe politikës, popullin shqiptarë nuk e ka pyetur askush, e as edhe një herë të vetme.

Për pasojë jemi i vetmi popull në rajon dhe Europë, që nuk kemi votuar kurrë të lirë, e që nuk jemi përballur kurrë me të keqen tonë të brendëshme, nga ku ka buruar dhe është rritur ligësia, korrupsioni, injoranca politike e administrative, varfëria, shpopullimi dhe përçarja shoqërore e kombëtare. Jemi i vetmi popull në rajon dhe Europë që vazhdojmë të heshtim e të durojmë çdo ditë që dhunohemi, mashtrohemi, vidhemi e varfërohemi pa mëshirë nga derrat e korrupsionit.

Jemi i vetmi popull e vend në Europë, ku akoma nuk kemi bërë zgjedhje demokratike e as rrotacion demokratik të pushtetit, por që shkelqejmë në mënyrën se si e shesim votën dhe shpirtin tek përbindëshat dhe katilat e korrupsionit, prej nga buron e gjithë varfëria, konfliktualiteti dhe pasiguria e lartë shoqërore e politike.

Pavarësisht nga demagogjia dhe sofistika e qeverisjeve të korruptuara, e vërteta është fakti që jemi i vetmi popull që institucioneve akoma ju japim fytyrën dhe lëkurën e përbindëshit dhe sundimtarit të radhës. E që që me heshtjen tonë turpëruese i bëjmë kriminale, konspirative, të përkohëshme e të urryeshme nga populli, sikurse janë edhe vetë sundimtarët, që i sundojnë ato pa rregull e meritë.

Jemi i vetmi popull dhe shtet ku institucionet nuk u ndërtuan kurrë për zhvillimin e shtetit, por për të vjedhur, shtypur e mbajtur sa më gjatë pushtetin. Në thelb, institucionet tona vazhdojnë që të ekzistojnë dhe të funksionojnë sipas modelit të vjetër otoman të pashallarëve, bejlerëve dhe timarlijve, ku sundimtarët e tyre, bëjnë ç’të duan me pronat dhe me njerëzit, e nuk japin llogari para askujt.

Fatkeqësisht, institucionet dhe administrata jonë vazhdojnë që të funksionojë totalisht sipas modelit dhe mendësisë komuniste të luftës së klasave. Nga ku partia moniste dhe klasa në pushtet, sundon me mjetet e diktaturës dhe përçarjes, e gjithnjë duke izoluar, paralizuar, bullizuar, spihunuar dhe mbytur zërin dhe ekzistencën e klasave dhe të grupeve kundërshtare, opozitare.

Ky model shtetëror e politik turpërues dhe shkatërrimtar, nuk ekziston në asnjë vend tjetër të rajonit dhe Europës. Për këtë arsye, jemi në këtë ditë të zezë, ku në vend të kohezionit dhe bashkëpunimit kalojmë nga përçarja në përçarje, nga njëri konflikt tek tjetri, nga njëri përbindësh tek tjetri, e në çdo ditë biem nga njëri skandal tek tjetri.

Mendoni se do të vijë një ditë që drejtësia reale shqiptare do të fitojë mbi korrupsionin galopant? Mendoni se shpresa e venitur e këtij populli do të marrë frymë lirisht duke pasur besim te Drejtësia shqiptare në të ardhmen?

Besoj vërtetë se një ditë drejtësia do të triumfojë mbi korrupsionin dhe skorpjonsin politik. Sipas psikologut amerikan Kevin Dutton, ekziston edhe njeriu “Skorpion”, brenda të cilit është spirancuar thellë ligësia, rrënimi, krimi dhe vdekja. Sipas psikologjisë, njeriu dhe politikani tip skorpjon nuk ka pushtet mbi mekanizmin e tij të ligësisë, të dhunës, të korrupsionit e as të vdekjes. Njeriu dhe politikani skorpjon është dhunëgjenerues, asnjëherë nuk i kontrollon ligësitë dhe veprimet e veta, e as nuk pendohet për veprimet dhe dëmët e shkaktuara. Në lidhje me njeriun apo politikanin tip skorpjons, shëmbulli tipik që trajtohet në shkencën e psikologjisë është ai i amerikanit John Ëayne Gacy, që ka qenë një vrasës serial, pasi ka vrarë 33 burra, e kufomat e tyre i kishte fshehur në një varrezë të paliçensuar, në një tunel nëntokësorë, që lidhej me banesën e tij. Njëri nga të mbijetuarit e torturave të këtij skorpjonsi ka qenë qytetari Robert Donnlley, i cili ka treguar për torturat çnjerëzore, që i janë bërë dhe për mënyrën se si ai i lutej kriminelit që ta vriste sa më parë, e ku skorpjonsi i thoshte: “mos u bëj merak, se edhe tek vdekja do të arrijmë”. Njeriu, politikani apo shtetari skorpjons, nuk ka dhimbje, nuk njeh ligje e as të drejta njerëzore.

-Çfarë shembujsh mund të na sillni që lexuesi të bindet se vërtet ka ndodhur që Drejtësia ka fituar mbi korrupsionin dhe krimin e organizuar?

Sigurisht….Sikurse ndodhi në SHBA, në vitin 1994, vrasësi u arrestua, u gjykua dhe u dënua me vdekje. Sikurse shkruan psikologu, ekzekutimi i tij me injeksion është bërë në vitin 1994, dhe fjala e tij e fundit para ekzekutimit ishte: “Më rrofshi prapanicën”. Gacy nuk e quante krim turturën dhe vrasjen e 33 burrave, por ndihej në faj që i kish varrosur në një varrezë të paliçensuar. Këtë nivel përgjegjshmërie më kujton justifikimi aktual i shtetarëve dhe politikanëve, sipas të cilëve mund të takohen rastësisht kriminelë, hajdutë, spihuna, të korruptuar, e që sipas tyre nuk ka rëndësi se çfarë është folur e vendosur në konspiracion dhe në errësirë të plotë. Madje as për korrupsionin dhe mega hajdutërinë e tyre nuk ka asnjë përgjegjësi politike e shtetërore, e ku gjithnjë e mbyllin me sofizmin e njohur “secili të përballet me drejtësinë”. Me pak fjalë, askush nuk mban përgjegjësi për shkatërrimin dhe shpopullimin e Shqipërisë, as për shkatërrimin e arsimit dhe mundësisë së rinisë për të jetuar në Shqipëri. As për korrupsionin me pronat dhe vendet e punës, as për nepotizmin dhe korrupsionin në drejtësi, në tatim taksa, në dogana, në diplomaci, etj. E që të mos harrojmë kurrë faktin që shtetarët dhe politikanët tonë të këtyre 110 viteve, nuk janë asgjë më tepër se skorpjonsa, njerëz pa dhimbje, pa moral dhe pa pendesë. Deri më sot, asnjëri prej tyre nuk është gjykuar e ndëshkuar nga drejtësia, që kurrë nuk u bë profesionale e as e pavarur. Apo në rastin më të mirë, skorpjonsat e Shqipërisë janë gjykuar për kafe e letra higjenike, e ku secili prej tyre, me zë apo pa zë ka përdorur shprehjen Gacy “më rrofshi prapanicën”. Përkundrejtë faktit që ndryshe ka ndodhur e po ndodh në vendet e BE dhe në SHBA. Modeli dhe drejtësia e SHBA, janë dielli që do të ndriçojë edhe shtetin dhe politikën shqiptare e kosovare, e që do ta pastrojnë nga të korruptuarit, nga skorpjonsat e krimit dhe nga amoraliteti politik e shtetëror. At Zef Pllumi, thoshte: “Kurajo, Zoti nuk na ka lëshuar doret”. Në të vërtetë, në ditët e vështira të kombit dhe shtetit shqiptarë, gjithnjë është mrekullia e shpëtimit të kombit e të shtetit shqiptar nga Zoti dhe nga SHBA. Këtë mrekulli mund ta shikojë e ta përjetojë çdo shqiptarë që po përjeton situatën aktuale në Shqipëri dhe Kosovë.

Kujtoj faktin që është mëshira e Zotit dhe ndërhyrja dragoniane e SHBA që stopuan dhe shpartalluan me themel planet ogurzeza të “Open Ballkanit”, së bashku edhe me metastazat e ekonomisë dhe politikës orientale në Shqipëri e Kosovë. SHBA e kuptuan faktin që poshtë shpopullimit, monizmit politik dhe sistemit të korrupsionit në Shqipëri, qëndrojnë vetëm interesat e botës orientale, të një bote dhe aleance të njohur kriminale e me pasoja afatgjata për shqiptarët, por edhe për qytetarët e të gjitha vendeve të BE dhe SHBA.

Gjithëkush mund ta shohë e ta kuptojë faktin se si, për të tretën herë në më pak se 24 vjetë, SHBA e shpëtuan Kosovën dhe botën shqiptare nga vetëmbytja dhe vetëshkatërrimi, që buron nga vazhdimësia e mendësisë dhe vasalitetit ndaj aleancave dhe planeve të botës së njohur sulltano-komuniste, hijet e të cilës ishin dhe mbetën pengesa më e madhe në rajon.

Të mos harrojmë kurrë faktin që hera e tretë e shpëtimit të Kosovës nga vetëmbytja, është ajo që pamë e dëgjuam dje me datën 31 janar 2023, kur ambasodori i SHBA në Kosovë, në emër të shtetit dhe të popullit të vendit të tij, ndërhyri fuqishëm e në mënyrë të vendosur, duke theksuar që “SHBA nuk do të njohin asnjë marrëveshje e asnjë vendim që cënon Pavarësinë e Kosovës, e që bie ndesh me kushtetutën e shtetit të saj”

Kjo është deklarata, që mbylli përgjithmonë mundësinë e coptimit të Kosovës. Kjo është fjala dhe qëndrimi i SHBA që shpetoi Kosovën dhe Ballkanin nga gjakderdhja dhe vuajtjet pa fund. Kjo është dita që shpëtoi gjithë Ballkanin Perëndimor, e në mënyrë të veçantë popullin dhe shtetet shqiptare në rajon. Kjo është dita e kushtrimit për të reaguar e për të dalë nga foshnjëria politike dhe nga modeli i politikanit skorpjons, hajdutë, mashtrues e injorantë, e kjo për të siguruar qarkullimin demokratik të projekteve dhe të elitave politike e shtetërore.

-Sot flitet se reforma në drejtësi nuk po ecën në shinat e duhura. Madje ka shumë skepticizëm që Reforma të futet në shinat e duhura ku të lehtësohet dhimbja popullore për Drejtësinë reale. Shihet çdo ditë që flitet për “peshq të mëdhenj” dhe në fakt gjykohen vetëm cironka. Besoni në Reformën në Drejtësi?

Nëse në Tiranë, drejtësia ecën ngadalë dhe me shumë pengesa, e kjo vetëm për shkak të monizmit dhe të kapjes totale të institucioneve nga politika dhe politikanët e krimit dhe korrupsionit, në SHBA ka drejtësi dhe diell demokracie. Nga kjo drejtësi e SHBA, do të përfitojë e gjithë bota, e në mënyrë të veçantë bota shqiptare. Vetëm drejtësia dhe mbështetja, që vjen nga BE dhe SHBA, do të mund të bëjnë spastrimin demokratik e të shpejtë të plehut të trashë të botës otomano-bolshevike, që fatkeqësisht e ka bllokuar zhvillimin në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në disa vende të tjera të rajonit.