Ëngjëll Musai: Dritëro Agolli, mjeshtri që kombinonte mençurinë popullore me refleksionin intelektual

257
Sigal

Ëngjëll Musai
Drejtor i “Telegraf”

Është i çuditshëm efekti i kohës me gjërat e vyera në jetë, i bën dhe më të vyera e, sigurisht, edhe më të shtrenjta. Të njëjtën gjë do të thoshim për Ju i shtrenjti dhe i vyeri Dritëro. Me rrugën Tuaj shumëvjeçare në gazetari ju mishëroni për stafin e gazetës “Telegraf” dhe jo vetëm, mjeshtrin e vyer dhe të shtrenjtë të fjalës shqipe. Një udhërrëfyes  që me fjalën e matur e të peshuar mençurisht në publicistikë, kur në emër të nderit e të moralit punuat si gazetar po edhe në pozicione të tjera pune. Janë të njohura shprehjet Tuaja, Dritëro ku natyrshëm përzihej këshilla, vlerësimi apo edhe qortimi. Ato vinin gjithnjë të thjeshta si e vërteta e të ngjyrosura me ndjenjë zemre plot pozitivitet. Fjala kishte forcën e saj, si në vargjet e poezive apo rreshtat e prozave të Tua, ajo gdhendte gurin dhe vazhdon ta gdhendë edhe sot përmes rregullës së artë të gazetarisë në botë: “Lajmi është i shenjtë, koment është vetjak”. Po pikërisht tek komenti vetjak, tek empatia, futja e shpirtit dhe zemrës tek komenti qëndron madhështia e Dritëroit, poetit dhe njeriut. Në emër të nderit dhe moralit fjala duhet të përcjellë urtësinë dhe atë mençurinë e njeriut, gazetarit që jeton me shqetësimet e kohës, me brengat e popullit të vet dhe të hedhë sytë para duke zbuluar pozitiven, të mirën, humanen, universalen. Secili nga ne ka ndjerë praninë e këshillës, mësimeve dhe mençurinë ala Dritëro gjatë punës sonë. Ka një udhë vërtet të gjatë puna juaj me shkrimtarët e rinj, me gazetarët e rinj. Të rritur me shkrimet dhe vargjet e poezive tuaja ku kombinohej mençuria popullore me refleksionin e intelektualit këmbëngulës për të arritur të përsosurën Mjeshtër, ne ju kujtojmë në këtë 6-vjetor dhe ju themi me zemrën plot, Faleminderit!