Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja mblodhi sot Task-forcën Ndërinstitucionale për Sezonin Turistik 2026, për të koordinuar veprimet dhe masat konkrete që do të garantojnë mbarëvajtjen e sezonit veror në të gjithë vendin.
Gjatë takimit u diskutuan prioritetet kryesore që lidhen me sigurinë në plazhe, respektimin e distancave të mjeteve lundruese, pastrimin dhe menaxhimin e mbetjeve në zonat turistike, kontrollin e zhurmave, sigurinë ushqimore, funksionimin e pikave shëndetësore sezonale, si dhe menaxhimin e trafikut dhe fluksit të lartë të vizitorëve në pikat kufitare dhe destinacionet bregdetare.
Gonxhja tha se në fokus të këtij takimi ishte trajtimi në mënyrë më të koordinuar të të gjitha problematikave gjatë sezonit veror, masat që do të marren që të ketë një mbarëvajtje sa më të mirë të sezonit, por edhe një eficiencë më të lartë të të gjitha trupave institucionale në terren të gjitha kapaciteteve logjistike, por edhe njerëzore në mënyrë që ato të jenë më pranë komuniteteve dhe zonave ku mund të ketë problematika.
“Shqetësimet kryesore që u trajtuan në këtë takim lidhen me ato prioritete të problematikave që kryesisht shfaqen gjatë sezonit veror, siç është siguria në det, vrojtuesit e plazheve, siguria sa i takon trafikut, lëvizshmërisë, aksesueshmërisë së këtyre zonave ku janë dhe flukset më të larta.
Kemi problemin e ndotjes akustike që është një shqetësim i vazhdueshëm jo vetëm pranë plazheve, por edhe në zona rezidenciale. Ka probleme që lidhen me pastrimin, trajtimin e mbetjeve, me sinjalistikën”, tha ai.
Sipas Gonxhes, qëllimi kryesor i task-forcës është që të ketë një mekanizëm monitorimi dhe raportimi ku të ketë një kontroll të të gjitha masave sipas fushave dhe sektorëve. Gonxhja tha se masat që merren në kohë reale do i raportohen Qeverisë, bashkive, në mënyrë që të ndiqen të gjitha emergjencat, të ketë një reagim më të fortë dhe në shumicën e fenomeneve që shqetësojnë vit pas viti të ketë një tolerancë zero
“Kemi një përmirësim të të gjitha standardeve të shërbimeve sa i takon institucioneve në nivel vendor dhe qendror që ato të jenë pranë qytetarit 24/7. Nga siguria ushqimore, emergjencat shëndetësore, por edhe emergjencat civile të garantohet gjithçka që të kemi një sezon veror sa më të suksesshëm”, tha Gonxhja.






















