Fermat e mëdha kërkojnë rishikimin e skemës së TVSH-së për të nxitur zhvillimin e blegtorisë

Sivjet prodhimi vendas i qumështit ka shënuar rritje, si rezultat i zgjerimit të fermave të mëdha dhe përmirësimit të produktivitetit, sipas përfaqësuesve të sektorit.

Ata theksojnë se fermat e vogla po pakësohen gradualisht, ndërsa prodhimi po përqendrohet te fermat më të organizuara, të cilat po investojnë në zgjerimin e kapaciteteve.

Sigal

Megjithatë, blegtorët dhe drejtuesit e fermave pohojnë se sektori vijon të përballet me pengesa që lidhen me funksionimin e skemës së TVSH-së, si për importin e kafshëve ashtu edhe për transaksionet brenda vendit.

Sipas tyre, këto pengesa po kufizojnë mundësinë e fermave të vogla për t’u zgjeruar dhe për të përmirësuar racën e bagëtive.Konkretisht, fermerët e vegjël edhe pse për importin e kafshëve u është hequr TVSH-ja, nuk mund të importojnë drejtpërdrejt kafshë për shtimin e tufave, pasi importi kërkon licencë, të cilën shumë prej tyre nuk e disponojnë.

Nga ana tjetër, nëse zgjedhin t’i blejnë kafshët nga grosistët vendas, çmimit i shtohet TVSH-ja.Edhe fermat e mëdha, megjithëse përfitojnë nga heqja e TVSH-së në importin e kafshëve, janë të detyruara t’i faturojnë ato me TVSH kur ua shesin blegtorëve të vegjël.

Duke qenë se këta të fundit zakonisht nuk janë subjekte të TVSH-së, ata nuk mund ta kreditojnë këtë vlerë, çka rrit koston e blerjes së kafshëve dhe e bën më të vështirë zgjerimin e fermave të vogla.një tjetër problem lidhet me blerjen e ushqimit për bagëtinë.

Drejtues të fermave të mëdha shprehen se blejnë pjesën më të madhe të bazës ushqimore nga fermerët e vegjël, për një vlerë që arrin rreth 30 milionë lekë.Meqenëse këto blerje nuk krijojnë TVSH të kreditueshme, fermat përballen me detyrime të konsiderueshme fiskale, duke paguar sipas tyre nga 2 deri në 3 mln lekë TVSH çdo muaj.