Myftar Rusta: Ligji 7501 duhet të rishikohet!

Nga Av. Myftar Rusta

Çështja e pronës në Shqipëri është një nga plagët më të mëdha të tranzicionit. Kanë kaluar më shumë se tri dekada dhe toka shqiptare vazhdon të jetë objekt konfliktesh, gjykimesh, dokumentesh kontradiktore dhe pasigurie për brezat.Në qendër të kësaj problematike qëndron Ligji nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”. Prandaj sot nuk mjafton më pyetja:A duhet rishikuar Ligji 7501?Për mua përgjigjja është e qartë: PO. DUHET TË MIRATOHET NJË LIGJ I RI.

Sigal

Një ligj që të mos krijojë një konflikt tjetër pronësie, por të bëjë atë që shteti shqiptar nuk e ka bërë përfundimisht deri më sot: të përcaktojë origjinën juridike të tokës dhe ligjshmërinë e titullit të pronësisë.

TOKA 7501 NUK ËSHTË BLERË

Duhet të fillojmë nga e vërteta themelore. Toka e ndarë sipas Ligjit 7501 nuk u ble nga përfituesit.Ajo iu dha familjeve bujqësore në kuadër të një procesi të veçantë të shpërndarjes së tokës pas ndryshimit të sistemit. Në tekstin fillestar të Ligjit 7501, neni 2 parashikonte shprehimisht: “Ndalohet shitja dhe blerja e tokës.”

Ndërkohë, toka jepej pa shpërblim sipas kushteve të përcaktuara nga ligji.Atëherë lind pyetja që duhet t’i përgjigjet shteti:Si mund të trajtohet si tokë e blerë dhe e lirë për t’u shitur një tokë që nuk është blerë, por është dhënë sipas një regjimi të posaçëm ligjor?Kjo nuk është çështje politike.Është çështje e origjinës së titullit të pronësisë.

Një pronë mund të fitohet me shitje, dhurim, trashëgimi, vendim gjykate ose mënyra të tjera të parashikuara nga ligji. Por kur një tokë është dhënë nga shteti pa shpërblim, duhet parë me kujdes çfarë të drejte ka krijuar akti i dhënies dhe çfarë kufizimesh ka pasur ai regjim juridik. Prandaj, te toka 7501, nuk mund të mjaftohemi me argumentin: “E kam certifikatën, prandaj mund ta shes.”

Certifikata është fundi i një procesi. Ne duhet të shohim fillimin e tij.

NJË PRONË NUK MUND TË SHKËPUTET NGA ORIGJINA E SAJ

Ky duhet të jetë parimi themelor i çdo reforme.

Nuk mjafton të dimë kujt i figuron prona sot. Duhet të dimë se si u krijua titulli.Kush e mori?

Kur e mori?Mbi çfarë ligji?Nga cili organ?Sa tokë mori?Sa persona kishte familja?

A ishte toka pjesë e fondit që duhej ndarë?A u respektua kriteri “për frymë”?A ekziston akti fillestar?A është akti autentik?Dhe, mbi të gjitha:A është krijuar titulli në përputhje me ligjin?

Vetëm pas këtyre pyetjeve mund të flasim për një pronësi të sigurt.

1991–1994: TË VERIFIKOHET FAKTI JURIDIK

Këtu kërkesa ime është shumë konkrete.Vitet 1991–1994 duhet të futen në një proces të posaçëm verifikimi juridik. Jo për t’u marrë tokën njerëzve që kanë fituar ligjërisht.Jo për të hapur një luftë të re sociale. Por për të zbuluar si janë krijuar titujt e pronësisë.Duhet të verifikohet fakti juridik mbi të cilin është krijuar çdo titull i dyshimtë.

Të kontrollohen:• aktet e ndarjes;• regjistrat e familjeve;• numri i anëtarëve;• sipërfaqja e përfituar;• dokumentet administrative;• hartat;• komisionet e ndarjes;• procesverbalet;• dëshmitë;• regjistrimet e mëvonshme;• kontratat e shitjes apo dhurimit;• dhe i gjithë zinxhiri juridik i pronës.Kjo duhet të bëhet veçanërisht për titujt e krijuar gjatë viteve 1991–1994, kur sistemi i ri i pronësisë po ndërtohej në kushtet e një tranzicioni të jashtëzakonshëm.

DY DËSHMITARË NUK MUND TË KRIJOJNË PRONË

Një nga çështjet që kërkon verifikim të veçantë janë rastet ku në vitet 1991–1994 janë përdorur dy dëshmitarë për të provuar një pretendim pronësie. Këtu duhet të bëhet një dallim shumë i rëndësishëm: Dëshmitari mund të provojë një fakt. Por: A mund të krijojë dëshmia e dy personave një titull pronësie? Kjo është pyetja që duhet të përgjigjet ligji.Duhet të verifikohet:Çfarë kanë dëshmuar?A e kanë parë vetë faktin? A ishte ky fakt juridikisht i mjaftueshëm?

A ekzistonte dokumentacioni përkatës? A e lejonte ligji i kohës këtë mënyrë prove?

A është përdorur dëshmia për të plotësuar një mungesë dokumentacioni? Dhe nëse provohet se titulli është krijuar në kundërshtim me ligjin:TITULLI DUHET TË ÇFUQIZOHET. Jo me vendim politik.Por me procedurë ligjore, verifikim të dokumenteve dhe të faktit juridik.

“PËR FRYMË” DUHET TË PROVOHET ME DOKUMENTE

Ligji 7501 u lidh me ndarjen e tokës bujqësore mbi bazën e kritereve të përcaktuara nga ligji.

Prandaj edhe sot nuk mund të thuhet thjesht: “Familja ime ishte aty dhe mori tokë.”Duhet të provohet: Sa persona ishin? Sa tokë u takonte?Sa tokë morën?Nga cili fond?Në cilën parcelë?

Nëse një familje ka përfituar më shumë tokë se sa i takonte, kjo nuk mund të fshihet pas një dokumenti të mëvonshëm.

Nëse dokumenti fillestar është i paligjshëm, edhe zinxhiri që buron prej tij duhet të shqyrtohet.

PRONA E PALIGJSHME NUK LEGJITIMOHET VETËM NGA KALIMI I KOHËS

Ky është një tjetër parim që duhet të vendoset në qendër të reformës.

Fakti që një titull është regjistruar nuk do të thotë se shteti duhet të heqë dorë përgjithmonë nga verifikimi i ligjshmërisë së origjinës së tij, kur ligji parashikon procedurat përkatëse.

Pikërisht për këtë arsye, legjislacioni shqiptar ka pasur edhe mekanizma për shqyrtimin e vlefshmërisë së titujve të tokës bujqësore. Pra, problemi është pranuar edhe nga vetë ligjvënësi. Ajo që kërkohet sot është:NJË ZGJIDHJE E PLOTË DHE PËRFUNDIMTARE.

TË MIRATOHET LIGJI I RI

Prandaj i bëj thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të marrë përsipër një nismë kombëtare dhe të miratojë një ligj të posaçëm për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së titujve të krijuar gjatë viteve 1991–1994. Ligji duhet të përcaktojë qartë:

  1. VERIFIKIMIN E FAKTIT JURIDIK

Për çdo titull të dyshimtë duhet të përcaktohet origjina e së drejtës.

  1. VERIFIKIMIN E NDARJES “PËR FRYMË”

Të kontrollohet numri real i përfituesve dhe sipërfaqja e përfituar.

  1. VERIFIKIMIN E DOKUMENTEVE 1991–1994

Të kontrollohen dokumentet origjinale, regjistrat, hartat dhe aktet administrative.

  1. VERIFIKIMIN E RASTEVE ME DY DËSHMITARË

Të përcaktohet çfarë fakti juridik provohet dhe nëse ai fakt mund të krijojë ligjërisht titull pronësie.

  1. VERIFIKIMIN E ZINXHIRIT TË PRONËSISË

Të kontrollohen edhe shitjet, dhurimet, trashëgimitë dhe kalimet e tjera që burojnë nga titulli fillestar.

  1. ÇFUQIZIMIN E TITULLVE TË PALIGJSHËM

Kur verifikohet se titulli është krijuar në kundërshtim me ligjin, ai duhet të çfuqizohet sipas procedurës ligjore.

  1. MBROJTJEN E TITULLIT TË LIGJSHËM

Qytetari që e ka fituar pronën në mënyrë të ligjshme nuk duhet të cenohet.

TOKA 7501: NUK ËSHTË TOKË E BLERË

Kjo duhet të jetë një nga pikat kryesore të ligjit të ri. Toka 7501 është tokë e dhënë në kuadër të një regjimi të posaçëm ligjor. Prandaj: nuk është blerë; nuk mund të barazohet automatikisht me një tokë të blerë;dhe, sipas tezës që duhet të shqyrtojë e përcaktojë ligjvënësi, nuk duhet të shitet si një pasuri e zakonshme e blerë në treg.Kjo është pikërisht arsyeja pse Kuvendi duhet ta përcaktojë qartë regjimin juridik të saj. Sepse nuk mund të kemi një kontradiktë të përhershme:shteti e dha tokën sipas një ligji të posaçëm, ndërsa më pas ajo u trajtua sikur të ishte blerë nga përfituesi. Nëse ligji fillestar ndalonte shitjen dhe blerjen, atëherëkjo pjesë e historisë juridike nuk mund të fshihet. Duhet të sqarohet me ligj.

TOKA DUHET TË JETË E SIGURT PËR BREZAT

Këtu qëndron edhe qëllimi përfundimtar i kësaj nisme.Nuk mund të vazhdojmë t’u lëmë fëmijëve dhe nipërve tanë një konflikt që ka nisur në vitin 1991. Një tokë që është dhënë për familjen duhet të ketë një status të qartë. Duhet të dihet kush e posedon. Duhet të dihet kush e trashëgon. Duhet të dihet kush ka të drejtë ta përdorë.Dhe mbi të gjitha duhet të dihet:

Mbi çfarë titulli juridik e ka fituar? Siguria e pronës për brezat nuk krijohet me dokumente të dyshimta. Krijohet me ligj, dokument, regjistër dhe drejtësi.

KUVENDI DUHET TË MARRË NJË VENDIM

Kjo nuk është thirrje për luftë mes shqiptarëve. Nuk është thirrje për t’u marrë tokën fshatarëve.

Nuk është thirrje për të cenuar pronën e ligjshme. Është thirrje për t’i dhënë fund një herë e mirë pasigurisë juridike të pronës shqiptare. Prandaj kërkoj:të miratohet ligji për zgjidhjen përfundimtare të çështjes 7501.1991–1994: të verifikohet fakti juridik.dy dëshmitarë: të verifikohet se çfarë titulli krijojnë.

Titulli i paligjshëm: të çfuqizohet.Toka 7501: të përcaktohet qartë se nuk është tokë e blerë dhe nuk duhet të shitet si e tillë. Ky nuk është vetëm një problem pronësie. Është një problem i shtetit të së drejtës. Sepse një shtet serioz duhet të jetë në gjendje t’i përgjigjet qytetarit me një fjali të vetme: “Kjo pronë është e jotja, sepse titulli yt është i ligjshëm.”Dhe nëse titulli nuk është i ligjshëm: “Ky titull duhet të çfuqizohet sipas ligjit.”Pas 35 vitesh, Shqipëria ka nevojë për këtë përgjigje.Jo për një tjetër zgjidhje të përkohshme. Për një zgjidhje përfundimtare të tokës shqiptare.