Ndryshojnë rregullat e prokurimit publik në fushën e mbrojtjes

Shqipëria pritet të ketë një kuadër të posaçëm ligjor për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Projektligji i propozuar përcakton për herë të parë në mënyrë të detajuar rregullat për kontratat që lidhen me pajisjet ushtarake, pajisjet sensitive, shërbimet dhe punët që lidhen me to, duke vendosur në të njëjtën kohë një ekuilibër mes transparencës së përdorimit të fondeve publike dhe nevojës për të mbrojtur informacionin e ndjeshëm dhe interesat e sigurisë kombëtare.

Projektligji e shtrin fushën e tij nga furnizimi me pajisje ushtarake dhe pjesët përbërëse të tyre, te pajisjet sensitive, shërbimet, punët dhe të gjithë elementët e ciklit jetësor të këtyre pajisjeve, nga kërkimi dhe zhvillimi, prodhimi e mirëmbajtja, deri te modernizimi, tërheqja dhe asgjësimi.

Sigal

Sipas dokumentit të hedhur për kosultim, autoritetet kontraktore do të duhet të respektojnë parimet e transparencës, trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit, ndërsa ligji synon rritjen e eficiencës, uljen e shpenzimeve procedurale, nxitjen e pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë dhe forcimin e konkurrencës. Në mënyrë të veçantë, parashikohet edhe sigurimi i integritetit dhe besimit publik në procedurat e prokurimit.

Kjo e bën projektligjin të rëndësishëm edhe për biznesin, pasi krijon një kuadër ku operatorët ekonomikë mund të konkurrojnë në procedura të posaçme për sektorin e mbrojtjes, por duke përmbushur njëkohësisht kërkesa shumë më të forta teknike dhe të sigurisë.

Projektligji parashikon përjashtime për kontratat ku zbatimi i rregullave do ta detyronte shtetin të zbulonte informacion që vlerësohet në kundërshtim me interesat thelbësore të sigurisë. Përjashtime parashikohen edhe për veprimtari informativo-operative, disa programe bashkëpunimi ndërshtetëror, kontrata të lidhura ndërmjet qeverive dhe raste të tjera të përcaktuara në ligj. Megjithatë, vetë projektligji përcakton se këto përjashtime duhet të interpretohen dhe zbatohen në mënyrë kufizuese dhe nuk mund të përdoren për të shmangur zbatimin e ligjit.

Sekreti ushtarak mbrohet, por përjashtimi nga procedurat nuk duhet të kthehet në rregull.

Projektligji vendos gjithashtu kërkesa konkrete për publikimin e procedurave.

Për procedurat e kufizuara, dialogun konkurrues dhe procedurat me negocim me shpallje paraprake parashikohet njoftimi publik. Njoftimet duhet të përmbajnë informacionin që u mundëson operatorëve ekonomikë të vendosin nëse do të marrin pjesë apo jo.

Edhe pasi përfundon gara, detyrimi vazhdon. Nëse shpallet fitues, njoftimi për fituesin duhet të publikohet brenda pesë ditëve nga klasifikimi përfundimtar. Po ashtu, brenda pesë ditëve nga nënshkrimi i kontratës duhet të publikohet njoftimi për lidhjen e saj. Përjashtim bëjnë informacionet që nuk mund të publikohen për shkak të interesave të mbrojtjes dhe sigurisë, interesave legjitime tregtare ose nevojës për të ruajtur konkurrencën e ndershme. Informacioni i klasifikuar nuk përfshihet në njoftimet publike.

Projektligji parashikon disa procedura të ndryshme, në varësi të natyrës dhe kompleksitetit të kontratës.

Autoriteti kontraktor mund të zgjedhë ndërmjet procedurës së kufizuar dhe procedurës me negocim me shpallje paraprake. Në rrethana të veçanta lejohet negocimi pa shpallje paraprake, ndërsa për kontrata veçanërisht komplekse mund të përdoret dialogu konkurrues. Për kontratat nën kufirin e ulët monetar parashikohet procedura e thjeshtuar.

Një element me rëndësi është edhe marrëveshja kuadër, e cila mund të përdoret për kontrata furnizimi, punësh apo shërbimesh dhe përcakton kushtet e kontratave që do të prokurohen gjatë një periudhe të caktuar.

Një prej elementeve më interesante të projektligjit është koncepti i sigurisë së furnizimit.

Autoriteti kontraktor mund të vendosë që ofertuesi të provojë paraprakisht aftësinë për të respektuar detyrimet që lidhen me eksportin, transferimin dhe tranzitimin e mallrave. Mund të kërkohen gjithashtu të dhëna për kufizimet që lidhen me transferimin ose përdorimin e produkteve dhe shërbimeve, si dhe dokumentacion mbi organizimin dhe vendndodhjen e zinxhirit të furnizimit.

Në praktikë, kjo do të thotë se në kontratat strategjike nuk do të mjaftojë vetëm çmimi apo specifikimi teknik. Shteti do të kërkojë të dijë nëse furnizuesi është realisht në gjendje të garantojë vazhdimësinë e furnizimit edhe kur situata e sigurisë ndryshon.

Projektligji vendos kërkesa të posaçme edhe për kompanitë që do të kenë akses në informacion të klasifikuar.

Operatorët ekonomikë dhe nënkontraktorët duhet të përmbushin kërkesat për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Autoriteti kontraktor mund të kërkojë të dhëna mbi nënkontraktorët dhe kapacitetet e tyre të sigurisë dhe duhet të kryejë verifikimet përkatëse përpara përfshirjes së tyre në kontratë.

Kërkesat nuk mbarojnë me nënshkrimin e kontratës. Gjatë zbatimit të saj, mosrespektimi i standardeve të sigurisë mund të çojë në zgjidhjen e njëanshme dhe të menjëhershme të kontratës. E njëjta gjë parashikohet në rast se kontraktorit i hiqet Certifikata e Sigurisë Industriale ose nëse ajo skadon dhe nuk rinovohet.

Një tjetër element që tërheq vëmendjen është mënyra se si trajtohen standardet teknike.

Projektligji kërkon që specifikimet të mundësojnë trajtim të barabartë dhe të mos kthehen në pengesë për konkurrencën. Në përcaktimin e tyre mund të përdoren standarde evropiane, ndërkombëtare, civile dhe standarde kombëtare të mbrojtjes. Për më tepër, ligji përcakton se një ofertë nuk mund të refuzohet vetëm sepse përputhet me një standard kombëtar që transpozon një standard të NATO-s.

Edhe kur specifikimet i referohen një marke, patente, burimi apo prodhimi të caktuar, projektligji vendos si rregull që kjo të mos përdoret për të favorizuar apo eliminuar kompani të caktuara dhe, në rastet e lejuara, referenca duhet të shoqërohet me formulimin “ose ekuivalent”.

Autoriteti i Prokurimit Publik ngarkohet me verifikimin e zbatimit të procedurave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë pas nënshkrimit të kontratës. Ndërkohë, Komisioni i Prokurimit Publik do të shqyrtojë ankesat e operatorëve ekonomikë.

Më tej, projektligji parashikon që APP-ja të mund të kryejë hetim administrativ edhe pas nënshkrimit të kontratës, por jo më vonë se tre vjet nga nënshkrimi i saj. Gjatë hetimit mund të kërkojë informacion dhe dokumentacion nga autoritetet kontraktore.

Në rastet kur një kontratë është lidhur në kundërshtim me rregullat dhe pavlefshmëria e saj do të kishte pasoja serioze për politikën e mbrojtjes ose sigurisë së shtetit, projektligji parashikon edhe masa alternative, përfshirë gjobën deri në 10% të vlerës së kontratës ose shkurtimin e kohëzgjatjes së saj.