Thirrje Kryeministrit Edi Rama, Ministrit Blendi Gonxhja, deputetëve të Vlorës, Bashkisë, Prefekturës dhe Qarkut Vlorë. Këto ditë të nxehta gushti, në rrjetet sociale dhe në bisedat e qytetarëve po qarkullon një lajm që ka shkaktuar shqetësim të madh në Vlorë, në Labëri dhe më gjerë: “Do të prishet muzeu ku punoi Babai i Kombit dhe do të ndërtohet një muze për hebrenjtë.”
A është i vërtetë ky informacion apo bëhet fjalë për një keqinformim të shpërndarë nga individë të caktuar?
Ne nuk e dimë. Nuk dimë as burimin e këtij informacioni dhe as nëse ekziston ndonjë projekt, vendim apo marrëveshje konkrete. Pikërisht për këtë arsye, institucionet përgjegjëse duhet të flasin qartë dhe pa ekuivokë. Shoqata “Labëria – Nderi i Kombit” u bën thirrje ish-deputetit të Vlorës dhe Kryeministrit Edi Rama, ministrit Blendi Gonxhja, nëntë deputetëve të Vlorës, të majtë e të djathtë, si dhe Bashkisë Vlorë, Prefekturës dhe Qarkut Vlorë: Informoni qytetarët! Nxirreni të vërtetën në dritë! Para më shumë se 500 mijë labërve, por edhe para mbarë opinionit publik shqiptar, duhet të bëhet e qartë:
Çfarë po planifikohet me godinën e Klubit “Labëria”? A ekziston një projekt konkret? A ka një vendim institucional? A ka një marrëveshje për ndryshimin e funksionit të kësaj godine? A rrezikohet godina apo jo?
Këto nuk janë pyetje të parëndësishme dhe nuk mund të marrin përgjigje me heshtje. Sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një ndërtesë të zakonshme. Kemi të bëjmë me një nga dëshmitarët më të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Çdo objekt që lidhet me historinë e kombit nuk është pronë e një administrate të radhës dhe as çështje që mund të trajtohet vetëm si pronë apo godinë. Ai është pjesë e kujtesës kombëtare. Pikërisht këtu qëndron shqetësimi i Shoqatës “Labëria – Nderi i Kombit”. Këto ditë, në vapën e gushtit, kjo çështje po diskutohet në çdo tavolinë në Labëri dhe shumë më gjerë. Njerëzit pyesin: A është i vërtetë informacioni që po qarkullon në rrjetet sociale, apo kemi të bëjmë me një keqinformim të qëllimshëm? Nëse është i pavërtetë, institucionet duhet ta thonë hapur dhe t’u japin fund aludimeve.
Nëse është i vërtetë, atëherë qytetarët kanë të drejtë të dinë çfarë po planifikohet, kush e ka marrë këtë vendim dhe për çfarë arsye. Heshtja, në një situatë kaq delikate, vetëm sa ushqen dyshimet. Dhe Labëria ka të drejtë të kërkojë përgjigje. Fan Noli ka thënë: “Kur lëngon Shqipëria, ngrihet në këmbë Labëria.” Sot nuk dimë nëse kemi përballë një kërcënim real apo thjesht një lajm të pavërtetë. Por një gjë është e sigurt: historia kombëtare nuk mund të mbrohet me heshtje. Shoqata “Labëria – Nderi i Kombit” kërkon transparencë të plotë nga institucionet. Dhe nëse rezulton se ekziston një projekt që cenon këtë objekt të rrallë të historisë kombëtare, Shoqata “Labëria – Nderi i Kombit” nuk do të lejojë që një dëshmi e çmuar e historisë së Shqipërisë të cenohet apo të zhduket. Të flasin institucionet!
Të thuhet e vërteta për Klubin “Labëria”! Historia e Vlorës dhe e Labërisë nuk mund të lihet në dorë të thashethemeve dhe heshtjes institucionale.SHOQATA “LABËRIA – NDERI I KOMBIT”- KRYESIA





















