Pyetje: Z. Meta pak ditë më parë ju dhatë një intervistë për mediat maqedonase lidhur me 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Cili është vlerësimi juaj për këtë Marrëveshje sot?
Marrëveshja e Ohrit ishte dhe do të mbetet historike sepse përmes ndryshimeve kushtetuese u korrigjuan të gjitha “harresat” lidhur me të drejtat e shqiptarëve në kohën e shpalljes së Pavarësisë së Maqedonisë nga Jugosllavia.
Zëri i shqiptarëve atëherë nuk u dëgjua, pasi edhe ndërkombëtarët u mjaftuan me faktin që nuk u dëgjuan krisma gjatë procesit të shpalljes së Pavarësisë së Maqedonisë.
Për gati 10 vite kërkesat e shqiptarëve u injoruan si nga udhëheqësit maqedonas, po ashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar.
Pavarësisht se partitë shqiptare ishin pjesë e koalicioneve, që alternoheshin, ndikimi i tyre ishte sipërfaqësor në vendimmarrjet, si edhe vetë institucionet, që drejtoheshin prej tyre.
Ndërkohë, që shqiptarët, në tërësi, ndiheshin si qytetarë të dorës së dytë dhe të diskriminuar, por edhe të shtypur.
Të mos harrojmë ngjarjet e Gostivarit, burgosjen e Rufi Osmanit dhe gjakun e derdhur vetëm për ngritjen e flamurit shqiptar.
Apo ngjarjet e Tetovës më pas dhe shumë të tjera, që kishin të bënin me të drejtat më themelore të arsimimit në gjuhën kombëtare.
Pas 25 vitesh nga Marrëveshja e Ohrit kemi parë se shqiptarët përveç pozitës së Presidentit që zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, janë përfaqësuar në çdo institucion tjetër si, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri (i përkohshëm), por edhe ministri shumë kyçe si ajo e Mbrojtjes apo Ministria e Jashtme.
Po kështu, përfaqësimi i tyre në administratën publike nuk ka krahasim me 25 vite më parë. Ashtu si edhe niveli i decentralizimit të pushtetit vendor. Natyrisht, që ka probleme, siç është edhe ai i dhënies së provimeve në gjuhën shqipe, ngritur nga studentët, por besoj se janë plotësisht të zgjidhshme duke respektuar frymën e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, apo edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Marrëveshja e Ohrit nuk mund të zgjidhte gjithçka, por ruajtja e frymës së saj dhe interpretimi konsensual i çdo akti implementuar të ndryshimeve kushtetuese, që u bënë, jam i bindur se zgjidh gjithçka.
Është interes jetik i maqedonasve dhe shqiptarëve ta forcojnë çdo ditë bashkëjetesën midis tyre sepse kështu jo vetëm e fuqizojnë shtetin e Maqedonisë së Veriut, por mund të kapërcejnë më lehtë sfidat, që ka vendi, në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Pyetje: Gjatë një ceremonie në Pustec, ku merrte pjesë edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut nuk u vendos Himni Kombëtar i Shqipërisë, por vetëm ai maqedonas. A ju duket normale?
Jo vetëm që nuk më duket normale, por fare banale sepse një mistrecllëk i tillë nuk ka pse eklipson një event të rëndësishëm.
Jam shumë i bindur se kjo nuk ka lidhje as me Kryeministrin Mickoski dhe as me komunitetin e mrekullueshëm të Pustecit, të cilin e njoh shumë mirë.
Nëse banorët e Pustecit ndjehen të braktisur nga Qeveria aktuale, ata e dinë që fajin nuk ua ka Himni i Shqipërisë.
Po kështu, nëse ata vuajnë ende mungesën e ujit të pijshëm se miliona euro që u investuan u vodhën nga qeveritarët, përsëri nuk ua ka fajin Himni i Shqipërisë.
Për ne, Pusteci i Sterjo Spasses, që e ngriti me veprat e tij në piedestal Rilindjen tonë Kombëtare do të jetë një prioritet i padiskutueshëm për ta shndërruar në një margaritar të turizmit shqiptar dhe rajonal, pasi i ka potencialet të jashtëzakonshme.
Sot turistët që shkojnë në Pustec habiten për numrin e madh të gomerëve që shohin atje, të cilët përdoren për të punuar tokën pasi nafta është 2 herë më e shtrenjtë se matanë kufirit, por gomerët përdoren edhe për të mbushur ujë të pijshëm pasi ujësjellësi që bënë “rilindasit” e Ramës u çon ujë më të ndotur se sa ai i liqenit.
Pyetje: Si e shikoni të ardhmen e Maqedonisë së Veriut, 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrhit dhe 35 vjet nga shpallja e Pavarësisë?
E shoh me shumë optimizëm pasi ka kaluar sprova shumë të vështira.
Marrëveshja e Orhit dhe Marrëveshja e Prespës vendosën themele shumë të forta për sigurinë e saj, që u reflektua edhe në anëtarësimin në NATO.
Anëtarësimi në BE është i rëndësishëm për të çimentuar të gjitha arritjet e deritanishme.
Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë mbështetës të palëkundur të kurorëzimit të këtij procesi integrues. Por rol të rëndësishëm kanë edhe fqinjët e Maqedonisë së Veriut, që janë anëtarë të BE, si edhe vetë BE, që duhet të lehtësojë kapërcimin e mospajtimeve të caktuara.
Pyetje: Ndërkohë Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme për herë të katërt. Si e vlerësoni këtë ngërç?
Fakti që Kosova ka qenë dhe mbetet një shembull në rajonin tonë për organizimin e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira nuk duhet kthyer në qëllim në vetvete.
Ndaj uroj që sa më parë të realizohet një kompromis për zgjedhjen e Presidentit dhe konstituimin e gjithë institucioneve të zgjedhura.





















