Gjatë vizitës së tij në Washington DC, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta zhvilloi një takim me Ndihmës Sekretarin e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, z. Alan Bersin, më të cilin diskutoi mbi ecurinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së në fushën e sigurisë. Kryetari i Kuvendit, z. Meta vuri në dukje se pas miratimit të reformës në drejtësi, është e domosdoshme që SHBA të intensifikojnë asistencën e tyre për një fazë të suksesshme zbatimi të reformës. Z. Meta theksoi se në këtë kontekst, bashkëpunimi i ngushtë mes agjencive të specializuara të zbatimit të ligjit merr një rëndësi të veçantë.
Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta zhvilloi takime edhe në Departamentin e Shtetit me Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, z. Hoyt Brian Yee si dhe me zyrtarë të lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, me të cilët bisedoi mbi situatën e sigurisë në rajon dhe mbi ecurinë e reformave vend, duke u ndalur gjerësisht në miratimin e paketës kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë.
Gjatë këtyre takimeve, Kryetari i Kuvendit z. Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme të SHBA ndaj konsolidimit të demokracisë dhe institucioneve të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe vuri theksin në rëndësinë e një asistence edhe më intensive amerikane në fazën e implementimit të reformimit të sistemit të drejtësisë.