Ministri Bushati zhvillon vizitë zyrtare në Bosnje-Hercegovinë

305

Me ftesë
të homologut boshnjak, Igor Crnadak, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati zhvilloi
një vizitë zyrtare në Sarajevë, ku pati takime me krerët më të lartë të
shtetit. Gjatë takimit mes dy ministrave të jashtëm palët  vlerësuan
dialogun e vazhdueshëm politik, si dhe bashkëpunimin në rritje në një sërë
fushash, si premisa më e mirë për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të
marrëdhënieve mes dy vendeve.


Theks të veçantë në këtë kuadër, iu vu eksplorimit të
mundësive për lidhje të reja ekonomike dhe tregtare, ku u evidentua nevoja për
zgjerimin e kuadrit ligjor me disa marrëveshje të reja dypalëshe, si dhe
finalizimin e atyre ende në proces.

Ministrat Bushati dhe Crnadak ndanë besimin se komuniteti
shqiptar në Bosnje do të shërbejnë me kontributin e tyre, si një urë e sigurt
për fuqizimin e miqësisë midis dy vendeve tona, duke u shprehur të angazhuar në
mbështetje të integrimit të tyre të mëtejshëm dhe ruajtjes së identitetit.

Ministri Bushati shprehu qëndrimin e vendit tonë në
mbështetje të plotë të integrimit evropian të Bosnjë-Hercegovinës dhe
përshëndeti pranimin e kërkesës së saj për anëtarësim në BE, nga ana e
Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, në muajin shtator, si një
zhvillim të rëndësishëm dhe inkurajues për ndërmarrjen e hapave të mëtejshme në
proceset integruese.

Në inkurajim të politikës së dyerve të hapura të NATO-s,
Ministri Bushati i përcolli holomogut boshnjak përkrahjen e Shqipërisë, në këtë
kuadër, si një pjesë e rëndësishme e mozaikut të arkitekturës së sigurisë në
rajon e më gjerë.

Lidhur me zhvillimet e fundit në rajon, bashkëbiseduesit
ndanë qasjen se dy vendet tona kanë një kontribut të vyer në forcimin e
stabilitetit, sigurisë, konsolidimin e progresit demokratik në Ballkanit, duke
u shprehur të bindur se kjo frymë besimi e bashkëpunimi të ngushtë do të vijojë
edhe në të ardhmen.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi të ngushtë, si
domosdoshmëri për krijimin e sinergjive të nevojshme për arritjen e objektivave
dhe aspiratave tona të përbashkëta, Ministri Bushati u ndal në nevojën e
rikonsiderimit të pozicionit të Bosnjes me synim njohjen e Kosovës dhe
mbështetjen për përfshirjen e saj në organizatat rajonale, veçanërisht në
Kartën e Adriatikut,  si një vlerë të shtuar në funksion të stabilizimit,
paqes dhe sigurisë në rajon. Gjithashtu Ministri Bushati kërkoi nga homologu
boshnjak njohjen e dokumenteve të udhëtimit për qytetarët e Kosovës si dhe
lehtësimin e regjimit të lëvizjes pasi do të kishte një impakt pozitiv në
rritjen e shkëmbimeve mes qytetarëve dhe komunitetit të biznesit.

Ministri Bushati pati takime të veçanta me treshen e
Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Kryetarin e Këshillit të Ministrave, Denis
Zvizdic, si dhe Kryesinë e dhomave përfaqësuese të Parlamentit boshnjak. Në
këto takime palët ndanë vullnetin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të
marrëdhënieve dypalëshe. Gjatë takimeve me autoritetet e Bosnje-Hercegovinës i
shërbyen shkëmbimit te ideve, lidhur me fushat e bashkëpunimit konkret mes dy
vendeve.

 
Në kuadër të kësaj vizite u nënshkrua Marrëveshja e Transportit
tregtar detar mes Republikës së Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës.