Blushi: Qeveria po tenton t’u imponojë banorëve vendime pa i pyetur, kërcënoi këshilltarët të votonin pro shkrirjes së Maliqit

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kundërshtuar qeverinë për projektin e bashkimit të Bashkisë Maliq me Bashkinë e Korçës, duke e cilësuar si një tjetër goditje ndaj banorëve dhe një projekt që synon shpopullimin e zonës.

Blushi akuzoi qeverinë se po tenton t’u imponojë banorëve një vendim pa i pyetur dhe pa zhvilluar konsultime publike. Ai e cilësoi projektin si “ogurzi, shpopullues dhe shkombëtarizues”, duke u shprehur se synimi është dobësimi i një prej zonave më të rëndësishme bujqësore të vendit.

Sigal

Blushi ngriti akuza të forta ndaj kryetarit të qarkut Korçë, Niko Peleshi, duke u shprehur se ndaj këshilltarëve socialistë është ushtruar presion dhe shantazh për të mbështetur projektin.

Sipas tij, Maliqi është përballur me një situatë tensioni dhe presioni politik përpara mbledhjes së Këshillit Bashkiak.“Qeveria në vend t’u ofrojë shërbimet banorëve, ua largon edhe më shumë”, deklaroi Blushi, duke sjellë si shembull banorët e zonave të thella, të cilët, sipas tij, do të detyrohen të përshkojnë dhjetëra kilometra për shërbime bazë nëse bashkia bashkohet me Korçën.

Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për braktisjen e fermerëve dhe blegtorëve të Maliqit, duke përmendur mungesën e financimeve dhe problemet me fondet IPARD. Sipas Blushit, ndërsa fermerët luftojnë për të mbajtur gjallë tokat e tyre, qeveria po ndërmerr një reformë që rrezikon ta zbrazë edhe më tej zonën.Blushi e lidhi projektin edhe me të ashtuquajturën “Paketë e Maleve”, duke akuzuar qeverinë se po përgatit terrenin për interesa ekonomike mbi tokat dhe pasuritë e zonës.

Ai kritikoi edhe Bashkinë e Korçës, duke ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e saj për të përballuar shërbimet në një territor edhe më të madh. Sipas tij, nëse bashkimi realizohet, zonat e thella të Maliqit do të mbeten edhe më të izoluara dhe të pambështetura.Në fund, Blushi paralajmëroi reagim të fortë qytetar nëse qeveria vijon me projektin pa marrë miratimin e banorëve. Ai deklaroi se opozita do të qëndrojë në krah të tyre dhe akuzoi mazhorancën se po tenton të fshijë nga harta një zonë me rëndësi historike, bujqësore dhe demografike.