Drafti i qeverisë për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale pritet me shqetësim nga gjyqtarët dhe prokurorët vendas, të cilët theksojnë se procesi u mbajt sekret dhe rrezikon të pengojë hetimet anti-korrupsion.
Nga Vladimir Karaj
Qeveria shqiptare prezantoi të mërkurën në Tiranë një projektligj prej 106 nenesh që rishikon rreth një të pestën e Kodit të Procedurës Penale, një lëvizje që zuri në befasi sistemin e drejtësisë dhe ndezi një debat të ri mbi fatin e luftës kundër korrupsionit.
Duke folur në konferencën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, kryeministri Edi Rama e promovoi draftin si “Paketa e Garancive Procedurale”. Rama tha se dhjetë vjet pasi politika i dorëzoi gjyqësorit “shpatën e ndëshkimit”, nevojitet të korrigjohen “edhe dështime e deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve”.
“Nëse deri tani, e kemi forcuar kryesisht krahun e peshores ku rëndon fuqia e shtetit ndaj njeriut, në këtë paketë i japim peshën që meriton, krahut ku qëndron fuqia e të drejtës së njeriut përballë shtetit,” deklaroi Rama, duke shtuar se në Shqipëri “peshorja e drejtësisë anon shumë dukshëm nga pesha represive e shtetit”.
Qeveria e paraqiti nismën si një produkt të hartuar nga 19 akademikë dhe magjistratë nga Italia, Franca dhe Holanda, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës. Por drafti i kapi në befasi prokurorët dhe gjyqtarët shqiptarë.
“Gjithçka është bërë sekrete, ndaj dhe sot nuk isha në atë takim. Sepse u kërkova një kopje dhe nuk ma nisën,” tha për BIRN Engert Pëllumbi, gjyqtar i Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Një prokuror i Prokurorisë së Posaçme i tha gjithashtu BIRN në kushtet e anonimatit se magjistratët e SPAK nuk kishin pasur akses në draft përpara se mërkurës. Duke theksuar se i duhej ende kohë për t’u njohur me të gjitha propozimet, ai e cilësoi paketën si “një përpjekje për të sterilizuar institucionin”.
Edhe më i ashpër ishte një ish-prokuror me përvojë të gjatë, i cili e quajti draftin “masakër” me gabime të rënda, detajet e të cilit mbeteshin të paqarta.






















