Gëzim Zilja: Shkëmbimi i Madh dhe kundërshtimi i vendosur i popullit çam, 1923-1926

Pas disfatës së turpshme, që pësuan forcat greke nga ushtria turke, (gusht 1922,) katër muaj më vonë, në Traktatin e Lozanës, më 30 janar 1923, u ra dakord për “Shkëmbimin e Madh”. Ky “Shkëmbin” detyronte grekët, rreth 1.3 milionë, të largoheshin nga territori i Azisë së Vogël, Trakia Lindore, Alpet Pontike dhe Kaukazi. Po kështu qeveria turke duhet të tërhiqte nga territoret greke rreth 400.000 myslimanë me kombësi turke. Sapo marrëveshja e Lozanës u nënshkrua, qeveria greke veç myslimanëve turq, u “kujdes” që çamët myslimanë të dëboheshin me çdo mënyrë nga tokat e tyre dhe të zëvendësoheshin me refugjatë grekë pa tokë, të ardhur nga Turqia. Ky veprim i grekëve në bashkpunim me turqit, hasi në qëndrimin e vendosur të çamëve, që këmbëngulën se ata ishin shqiptarë autoktonë dhe Çamëria ishte atdheu i tyre. Ky qëndrim u pasqyrua dhe në këngët dhe poezitë e asaj kohe:

Në Lozanë u dha karari,

Sigal

Asnjë turk nuk mban Junani.

Seneja njëzetepesë,

Çamëria s’mori pjesë, (në traktatin e Lozanës)

Mos e thëntë perëndia,

Të ikim ka Shqipëria.

Çish të ikim ka shtëpia,

Çish t’i lëmë gjushërit në varre,

Me kurmet pa tretur fare?

Me përpjekjet e mëdha të diplomacisë shqiptare, kryesisht të Mit’hat Frashërit, ambasador i Shqipërisë në Greqi (1923-1926) dhe ministrit të Jashtëm, (1925-1927) Hysen Vrionit, u ndërhy te pjesëtarët e Konferencës së Lozanës, duke argumentuar se myslimanët e Epirit të Veriut nuk kishin kombësi turke, por ishin banorë autoktonë vendas, u arrit, që përfaqësuesi grek të deklaronte se “Minoriteti shqiptar në Greqi nuk do të përfshihej në shkëmbimin e Madh.” Megjithatë trysnia e grekëve kundër popullsisë çame, që kishte filluar qysh në vitin 1844, kur lindi “Megai Idea” ishte e jashtëzakonëshme; që nga dredhitë gjoja paqësore, joshjen se në Turqi do të jetonin më mirë, me plaçktjen e pronave, vrasjet e hapura dhe të fshehta, deri në gjenocidin e vitit 1945. Qëllimi i Greqisë ishte ta çrrënjoste këtë popull nga trojet e veta, për t’iu grabitur pasurinë dhe për të vendosur në shtëpitë e pronat e tyre refugjatët grekë pa tokë, të ardhur nga Turqia.

Po ne jemi shqipëtarë,

S’jemi grekë o qerratarë,

As turq,as sërb, as bullgarë.

Vetëm nja di pleq trutharë.

Cen Hamiti, me Çafanë

Thirmat (firmat) e tire i dhanë.

Përfundimisht me gjithë trysninë e ushtruar, komisioni turk dhe ai grek nuk mundën të realizojnë atë që kishin shpresuar: Një shpërngulje masive të çamëve në Turqi. Motoja e çamëve ishte: të varfër dhe të pasur ne nuk ikim nga vatani i të parëve, jemi dembabadem në këto troje dhe nuk i lëshojmë. Sërish del një figurë e ndritur, përfaqësues i çamëve në komisionin e përbashkët të shpërguljes të përbërë nga grekë e turq, ajo e Haxhi Brahos:

Pa kur u ngre një njeri,

Haxhi Braho dajllari, (trimi)

I tha turkut faqezi:

Ne nuku vemi në Turqi,

Jemi çamë vendalli!

Ka shumë vargje që tregojnë se persona të veçantë çamë, paguheshin me flori nga përfaqësuesit turq për të bërë propagandë për shpërnguljen e shqiptarëve. Por edhe në këto raste turqit e grekët dështuan, sepse ndodhte që njerëz të shitur, si Omer Haxhiu kryeplak i fshatit Arpicë, që u shërbeu me zell grekëve, patriotët çamë i ekzekutonin.

Florinjtë Omeri i mori,

Po n’Turqi çamë dot s’hodhi.

Qamil Zequa, trimi shqipëtar,

Vrau Omerin një zagar.

Mu ne Sterra e Bakiut,

Dolli shpirti i Omer Haxhiut.

Duke parë këtë rezistencë grekët si kurdoherë dolën hapur, duke bërë terror, vrarë njerëz e shkatërruar pronat. Të organizuar në banda natën e ditën, ata vrisnin njerëz, vidhnin e rrëmbenin ç’të mundnin. Përmenden Dhionis Xhima dhe Pano Karapano, të pwrkrahur nga qeveria greke:

Ka Athina me pari,

Panua kurdis djallëzi.

Me Dhionizin bën kërdi,

Vret njerëz nëpër shtëpi.

Po ther lopë, dhen e dhi,

Çamët t’i bëjë dalldi,

Që të ikin në Turqi.

Futja e grindjeve midis çamëve ortodoks dhe atyre myslimanë ishte një mënyrë tjetër e përdorur nga grekët për të larguar myslimanët çamë nga tokat e tyre. Njerëz të policisë së fshehtë greke, rekrutonin dhe nxisnin shqiptarë çam, kryesisht të krishterë, shpesh të nxjerrë nga burgjet, kundër vëllezërve të tyre myslimanë, duke u vjedhur pasuritë, rrëmbyer tokat, e detyruar të largoheshin nga vendi i tyre.  Në shumë këngë të asaj kohe përshkruhet qartë sesi çamët e krishterë nxiteshin kundër atyre myslimanë me qëllim përçarjen, por në të gjitha rastet hasën në qëndresën e patriotëve shqiptarë.

Çfarë po ndodh sot ka Agjia? 

Janj’ Duka me prift Kozmanë,

Në Athinë u ngrenë e vanë,

Atje ca jezitë u thanë,

T’i merrni Arpicës mallë.

Gjithë ç’janë muslimanë,

Dhe pse janë shqipëtarë,

N’Anadoll do ndalin vrapnë,

E pëstaj të bëni pallë.

Kuptohet që në këtë paçkitje, fshatarët e Agjisë ( një pjesë) kishin përkrahjen e bandave të agjentëve grekë. Edhe në rastin e Agjisë kjo dredhi nuk funksionoi. Një fshatar i krishterë nga Agjia, i quajtur Loli Repani, shkoi deri në Athinë, si përfaqësues i popullsisë së krishterë dhe arriti të bindë autoritet greke të pezullonte urdhërin për të plaçkitur Arpicën. Poeti çam e përjetësoi në këngën e mëposhtme.

Lol Repani, burrë i rrallë,

Thotë: Ç’janë këto fjalë,

Për vëllezërit tanë çamë?

Me Arpicë jemi vëllamë,

Të krishterë e myslimanë,

Arpicës s’ia marrëm mallë.

S’e vret vëllai, vëllanë,

Gjithë jemi shqipëtarë….

Propaganda greke në unison me atë turke, përdori mashtrimin se gjoja në Turqi ishte zbuluar një vend shumë i pasur, ku kishte miniera ari dhe shqiptarët mund të shkonin e të pasuroheshin lehtësisht atje. Qeveria turke do t’i priste e strehonte në shtëpia të reja e do t’i vendoste në vendet të begata.

Marsi më njëzetedi,

Detit vjen nj’epitropi (Administrator i zejtarëve të krishterë.)

Të na bëjë andallaji, ( shpërngulje,)

Me daulle e cfungji.( me hir ose me pahir)

U zbëlua në Turqi,

Një madem safi flori,

Andaj shpejt o Çamëri,

Shisni lopë, dhen e dhi

Shtëpi, ara, katandi,

Nisu për në xhenetn’ e ri!

Bien në sy në këtë poezi vargjet: Të na bëj andallaji/me daulle e me cfungji. Dmth të na shpërgulë, duke na marrë me të mirë ose në rast të kundërt me forcë. Çamët nuk besuan dhe vazhduan qëndresën e tyre, ndaj dredhisë së rradhës të qeverisë greke. Shumë burra të Çamërisë u vunë në krye të fshatarëve çamë dhe nuk lejuan shpërnguljen. Kënga vjen e plotë dhe jep kundërshtimin e banorëve të atyre trevave.

Ne nuk duam andallaji,

Ne nuk jemi arrëxhi,

Po shqipëtarë safi.

S’kemi punë me Turqi,

Me armë do të vritemi,

Me kordha do pritemi,

Shita e podhe do vëmë,

Vëndin tonë nuk e lemë!

Në përpjekjet që bënë me armë, përmenden shumë banorë të Çamërisë, të organizuar në çeta, me bazë krahine ose fshati, që luftuan me armë kundër shpërnguljes.

Gjithë thonë aferim,

Për Tahir (Meta) e për Haxhinë, (Braho)

Për Spiro Paramëthinë.

Bashkë me shokë të tjerë,

Çamërisë i lanë nderë.

S’pranuan andallaji

Por u shkrinë për liri

Për flamurin kuq e zi

Në bazë të Traktatit të Lozanës, në Çamëri u formua komisioni, me përfaqësues turq, grekë, e çamë. Kryetari i palës turke ishte një farë Tefik Ruzhdi Pashai. Politika turke ishte e tillë, të sillte sa më shumë refugjatë në Turqi, që në një farë mënyre të justifikohej numri i të këmbyerve dhe të popullonin humbëtirat e pafundme turke. Tefik Pashai, zhvilloi një propagandë të ethëshme, duke i quajtur çamët vëllezër,

Thonë vjen si evlihai,

Si vëllai ne vëllai.

Na nxerr “dinkardashërinë,”

Që dhëmb e dhëmballë i dimë.

Thotë e lini Çamërinë,

Din’ vatan kini Turqinë.

Përfaqësues të popullsisë çame në bisedime ishin krerë të saj si Tahir Meta, Damin Meta, Haxhi Braho, Bido Dulja, Adem Klefti, Agako Duli, Ali Omeri, Iljaz Haxhiu, Adem Delli, Sadik Musliu, Shaqo Hamiti, Hafiz Muhedini. Përgjigja e komisionit çam ishte e njëzëshme dhe e palëkundur: “Nuk shpërngulemi!” Takimi u bë në Pargë.

Dëgjo o Tefik Deli!

O Tefik Ruzhdi i marrë,

Na u shporr shpejt ka ke ardhë,

Se këtu ta bijmë varrë!

Kështu u ngrinë e thanë,

Dimbëdhjetë shqipëtarë, (numri i përfaqësuesve çamë)

Festezesë, gunëbardhë,

Atje bërna mu në Pargë.

S’jemi turq po shqipëtarë,

Barutin me grusht e hamë,

Vdesim këtu që të tërë,

Po vatanin nuk e lëmë. 

Në bazë të marrëveshjes çamët nuk mund të (megjithë trysninë që u bënin bandat, duke falsifikuar edhe firmat.) shpërnguleshin nëse çdo banor nuk hidhte firmën në kontratën e hartuar nga komisioni i përbashkët, tripalësh. Lidhur me këtë gjen plot vargje, jo rrallë me humor e ironi, që megjithë joshjen, çamët që ranë dakord ishin shumë pak, thuajse të papërfillshëm, kryesisht njerëz pa tokë, endecakë, të dalë nga burgjet ose mendjelehtë.

Di çamë trubagëti,

Dembelë me kadimi.

Na u bën andallaji (u shpërngulën)

Dhe na shkuan në Turqi.

Vetëm nja di pleq trutharë.

Cen Hamiti, me Çafanë

Thirmat (firmat) e tire i dhanë.

Në një këngë tjetër autori tall keq të shpërngulurin, duke e cilësuar me emër;

O Xhafer vitorezi.

Ç’kërkoje andallaji?

Një kungull dizetë faji,

Kungull ul e kungull ngri.

Pavarësisht nga mëndjelehtësia, firmat fallco të hedhura, nga banorë të veçantë, një pjesë e tyre u kthye sërish në Çamëri. Ka një këngë malli, nga ato perlat që vetëm një popull si ai shqiptar mund t’i krijojë, ku shprehet malli për vendlindje dhe halli që i detyroi të shkojnë në kurbet. Në këngën çame, kurbetliu i drejtohet pulës së bardhë ( pulëbardhës) dhe në disa raste ballonës së hevasë (avionit) të ulej e t’u jepte ndonjë lajm për vendlindjen:

Aman moj pulë e bardhë,

Që vjen fushave vërdallë,

Kalon maletë me rradhë,

Pse s’më merr dhe mua parë?

Në vargje të tjera u lutet avionëve që fluturojnë lart në qiell:

Uluni o ju ballona,

T’u pjesmë për shtëpitë tona.

Ky varg përsëritet për malet, fushat, lumenjtë, kodrinat dhe dikur përgjigja nga ballonet vjen e hidhur:

Na habere nuku kemi

Se ka ato vënde s’vemi.

Në fund të vitit 1926 “Shkëmbimi” u mbyll. Grekët nuk ia arritën dot të dëbonin çamët vendalinjë, e t’i zëvendësonin me kolonë grekë. Çamët treguan se ishin një popull autokton, i shkëputur padrejtësisht nga trungu amë Shqipëria dhe nuk donin atdhe tjetër qoftë kjo edhe Turqia.

Ditë më të zeza do të vinin për këtë popull punëtor, luftarak dhe patriot. Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore do të ishte një tragjedi për ta, kur bandat e armatosura nën komandën e filogrekut Napolon Zerva dhe kriminelëve të tjerë grekë të armatosur, deri në dhëmbë, vranë, therën, masakruan mijëra gra, fëmijë e burra, dogjën e shkrumbuan fshatra të tërë dhe ia dolën të dëbonn mbi 35.000 çamë nga vatrat e tyre. Kjo është një histori tjetër lufte, që çamët nuk ia dolën dot ta fitonin, sepse u vunë përballë një shteti kriminel, që i vuri para alternativës: Ose të largoheni sa më parë nga shtëpitë tuaja ose të gjithë do të vdisni nën tehun e thikave dhe plumbave të shovinistëve grekë, që me kohë e kishin mbuluar vendin me kufomat e grave, fëmijëve e burrave të Çamërisë. FUND